Të mos “bdaren e bastardohen”...


-->
Kopi Kyçyku

Thuhet se goja e fëmijëve, ashtu si ajo e profetëve, thotë të vërtetën. Njëlloj si profetët, edhe fëmijët jetojnë në një univers ideal, në të cilin bota e brendshme dhe ajo e jashtme mund të ndërtreten, mund të ngjizen e madje të lindin nga shoshoqja. Tek të miturit e vërteta i avitet saktësisë së matematikës e relativitetit të fizikës. Për ta e vërteta nuk është më shumë apo më pak e vërtetë, por thjesht e vërtetë. Duke shkruar këto, sjell ndërmend vocrraken kolumbiane, për të cilën Markezi dëshmon se e pat portretizuar për një konkurs tregimesh. “Kur të rritem, dua të bëhem mjeke e shquar, në një spital të madh të Nju Jorkut dhe, kur të vdesin të sëmurët, të vdes edhe unë bashkë me ta” - ve në gojë të vogëlushes shkrimtari i famshëm.
Kam pasur gjithmonë një admirim thuajse fëmijëror për të vërtetat e për zbulimet e mëdha, jo rrallë ngazëllyese për nga thjeshtësia e sidomos për nga vërtetësia e tyre. Por edhe për nga mençuria, për nga përpjekjet shpesh titanike që ndryjnë në vete dhe jo më pak për shpresën për më mirë që rrezatojnë dhe, pse jo, për humanizmin që na përcjellin. Ndër këto shpikje, njëra është pikërisht rrota, ky njëpërmasim i sferës universale, ky nënshtrim i harmonisë ndaj barrës së mundit e djersës, sidhe ndaj “kruspullosjes” së hapësirës që kompasi modest i dykëmbëshit e mbidimensiononte. Janë të mirënjohura e të mbarëpranuara ndihmesat e mëdha dhe virtytet gatinjerëzore të rrotës. Prandaj me të drejtë çanga e alarmit e mediave këto ditë tingëlloi fort për mbrojtjen e një simotre të saj të vitit 168 para Krishtit, - të gjetur në Antigone, - objekt me rëndësi të veçantë për historinë e arkeologjisë sonë. Ajo nuk duhet lënë kurrsesi të pësojë fatin e qindra objekteve vlerërralla të kultit kristian e mysliman në kohën e monizmit në emër të luftës inkuizicioniste-mesjetare kundër “mbeturinave prapanike dhe paragjykimeve fetare”.

Kjo gjendje alarmi duhet të mbahet e tillë edhe për gjëra shumë më madhore: për gjuhën shqipe - sinonimin e kombit, dhe për historinë tonë - librin e parë të kombit. Ruajtja e këtyre dy thesareve nuk lyp fonde në të holla, por thjesht përkushtim atdhetar e shkencor të vazhdueshëm e të përgjegjshëm. Gjuha shqipe, më e lashta në Kontinentin Plak e më gjerë, është e vetmja që ka mbetur gjallë, - latinishtja e greqishtja e vjetër kanë vdekur me kohë, - dhe përfaqëson dhuratën më të madhe me të cilën populli ynë i vogël ka begatuar qytetërimin botëror. Vitaliteti i saj tingëllon si një postulat që nuk ka nevojë për vërtetim. Mjaft të përmendim faktin, - mbase pa të dytë në vjetarët e historisë botërore, - e vazhdimësisë së ekzistencës mbi pesëshekullore të shqipes ndër arbëreshë. “Ishulli” arbëresh, pra shqiptar, i qarkuar e i rrahur papushim nga dallgët e “detit” latin, jo vetëm nuk “u përmbyt” prej tij, por vazhdon të ligjërojë në gaze e gjëma, në betime e luftra, vetëm shqip. Edhe doket, traditat, folklorin, i ka shpalosur parreshtur vetëm e vetëm në shqip. Ne, shqiptarët, nuk e ruajtëm fenë, por gjuhën nuk e ndryshuam, duke qënë të vetëdijshëm se gjuha, jo feja, është për ne, të paktën në këtë fazë të qytetërimit tonë, sinonimi i kombit. Duke na goditur në gjuhë, ata që s’na e kanë dashur të mirën kanë synuar të na shkombëtarizojnë. Kështu shpjegohet, bie fjala, fakti që, megjithëse ishin të të njëjtit besim, klerikët tanë atdhetarë u vranë e u helmuan nga “sivëllezërit” e huaj. “Faji”: dogmat fetare i predikonin, i përhapnin e i shpjegonin në gjuhën amtare, pra në shqip. Mjerisht, “inatçinjtë” e djeshëm antishqiptarë kanë lënë pasardhës gjithaq të përbetuar e aktivë. Po jap një ilustrim të pohimit të mësipërm. Javën që shkoi, buzë Liqenit të Pogradecit m’u avit një bashkëqytetar. Ishte me të bijën dhe dy fëmijë të saj. Megjithse emri, siç themi ne, është “kapistër”, më bëri përshtypje që e ëma (me prindër myslimanë) të miturit i kish pagëzuar me emra të krishterë. Meqënëse po futeshin në ujë më thellë nga sa duhet, ajo u bërtiti (jo në shqip, por në gjuhën e një shteti fqinj). Edhe fëmijët ia kthyen po në atë gjuhë. Nuk u përmbajta dot. “E paski harruar gjuhën e nënës?” pyeta. “Jo, po fëmijët e mi nuk dinë shqip, se mësojnë në shkollat e vendit ku jetojmë e punojmë prej vitesh”, ma preu e ëma e tyre në një shqipe të çalë. Sakaq m’u kujtua një futbollist rumun, i cili, pasi kish ndenjur jo më shumë se dy vjet jashtë vendit të tij, ku e kishin shitur tek një skuadër e njohur europerëndimore, gati-gati e kish “harruar” rumanishten dhe u bë qesharak para teleshikuesve. U vrenjta sërish kur e zgjova kujtesën nja pesëmbëdhjetë vjet të shkuar. Kisha hipur në autobuz me dy nipër të mi, që punonin në një qytet të madh ballkanas. Tek po i pyesja për shëndetin, të dy, si t’i paskej pickuar gjarpri, më kërkuan të mos flisja shqip se “po e mori vesh pronari që jemi shqiptarë, na pushon nga puna”. U dhashë një mësim që e mbajnë mend sot e kësaj dite dhe zbrita me mllef nga autobuzi (ndonëse i njihja fatalitetet e atëhershme të kohës dhe të hapësirës).
Natyrisht, nuk jemi ksenofobë, pra kundër mësimit të gjuhëve të huaja, qofshin të mëdha apo të vogla, sikurse quhen rëndom. Por as ksenofilë nuk jemi, që të mohojmë gjuhën e nënës. Në fund të fundit, po nuk deshe kombin e gjuhën amtare, në thelb as i huaji nuk të do, madje të përbuz.
Në këto dy dekada në liri pamjet dhe njerëzit tanë kanë ndryshuar shumë, nganjëherë papërfytyrueshëm. Ta ngroh zemrën dinamika e ndërtimeve dhe e ekonomisë në përgjithësi. Por pasurimin e pandalshëm material e financiar ne shqiptarët po e "paguajmë" me varfërimin shqetësues kulturor e shpirtëror. Banalitetet nuk e kanë kursyer as thelbin e kombit - gjuhën amtare. Natyrisht, me përparimin e shoqërisë, edhe gjuha duhet pasuruar në pajtim e duke respektuar parimet themelore të gjuhësisë moderne, por pa cënuar konstitucionin e shqipes letrare. Për fat të keq, fjalë, terma dhe shprehje nga më të rëndomtat, fraza të ndërtuara sëprapthi, huazime e kalke të pafrymëzuara, apo edhe të shformuara, snobizmi, përdorimi i papërgjegjshëm i kohëve të foljeve (e kryera në kurriz të së kryerës së thjeshtë, sipas shëmbullit të gjuhëve latine) etj, etj, përdorimi tjetër për tjetër i fjalëve të huaja (reçension për reçesion, konçension për konçesion e shumë e shumë të tjera), të “bombardojnë” nga gazetat e revistat, nga skenat e foltoret, nga mikrofonët dhe ekranet ...
Ky “zell” i pashpjegueshëm shkon edhe më tej, me shpejtësinë e një të pushtuari nga amoku. Masmedia e shkruar dhe elektronike jo rrallë na rrëfen jo histori, por historira, meselera nga më të habitshmet, për të mos thënë nga më të përbindshmet. Në një kohë që është pranuar zyrtarisht, shkencërisht e ndërkombëtarisht se, për nga sipërfaqja dhe numuri i banorëve, Shqipëria radhitet ndër vendet me ndihmesë më të madhe në luftën antifashiste të njerëzimit dhe kur shtete të tjerë, ish-aleatë të nazifashizmit, bëjnë çmos ta fshijnë apo, të paktën, ta zbehin këtë njollë turpi, madje, në ndonjë rast, ta heqin veten si antihitlerianë, segmente të caktuara të propagandës e të mjeteve tona të informimit masiv bëjnë të kundërtën: përbaltin historinë e vërtetë. Fakti që në çdo kilometër katror të Shqipërisë ka rënë nga një dëshmor, është nder për mbarë kombin, çka nuk mund të monopolizohet nga asnjë parti, apo qeveri. Luftëtarët që dolën malit, - komunistë, ballistë, nacionalistë, zogistë, - shumica të rinj që kishin fare pak, ose aspak njohuri për politikën, i frymëzonte fitorja e lirisë dhe dëbimi i pushtuesve të huaj nga trualli i atdheut. Ata nuk dinin se ç’mund të luhej në kurrizin e tyre dhe të një populli të tërë nën parrullat “Pa dallim feje, krahine dhe ideje”, apo “Të gjitha çështjet do t’i zgjidhim pas luftës, pas shporrjes së okupatorit”. Madje, jo rastësisht, partia komuniste, fjala vjen, nuk guxoi të dilte hapur, por, edhe pas përfundimit të luftës, vazhdoi për një farë periudhe të fshihej pas maskës së Frontit.
Gjithsesi, është fat që “autogoli” i pafalshëm me librin e parë të kombit, pra me historinë, nuk është përsëritur nga masmediat shqiptare duke “vërë dorë” në vlerat e folklorit, muzikës e përgjithësisht të traditave tona shumëshekullore. Ndryshe do të zgjonin mallkimin stërgjyshor...
Të mos “bdaren e bastardohen”, pra, vlerat themelore e të qëndrueshme të kombit tonë të qytetëruar e qytetërues. Sepse të ligat gjithmonë janë të lidhura mesveti: çdo bdarje sjell bastardim dhe çdo bastardim - bdarje.
2009