Nga Entela
Binjaku
Me Shqipërinë dhe me Rumaninë në zemër, me një potencial të admirueshëm energjie, dijeje dhe force mendimi, i apasionuar sidomos pas gjuhëve, pas letërsisë, folklorit, gjeologjisë, muzikës, akademiku Kopi Kyçyku është ndër njerëzit që mezi ç’pret ta dëgjosh.
Mundësia për ta intervistuar këto ditë ishte një dhuratë në një kohë të vështirë, si një kujtesë për referencat e tua në jetë, një udhërrëfyes në një kaos drejtimesh.
Përveç përvojës së drejtëpërdrejtë në aktivitete ku binte në sy puna e tij e palodhur, jetëshkrimi i pasur profesional ishte dhe shtysa kryesore për këtë “takim” virtual.
Kopi Kyçyku është nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare për veprimtarinë shkencore-didaktike dhe për përkthime. Ai është pjesëmarrës në shumë kongrese dhe simpoziume shkencore, të organizuara në shumë vende të botës dhe ka dhënë mësim, si profesor i ftuar, në universitete të Evropës, Azisë dhe Afrikës etj.
Është autori i një numri të madh monografish ndër të cilat përmendim: “Mustafa Qemal Ataturku”, „Turqia e Pasluftës (1945-1985)”, „Kryengritja e armatosur e Ilindenit, Maqedoni (1903) „Marrëdhëniet shqiptaro-rumune gjatë shekujve”, „Arumunët e Shqipërisë në kontekst ballkanik”, “Arumunët në optikën shqiptaro-rumune”, “Historia e Shqipërisë”, „Pater - Emil Conduraqi”, „Historia e Maqedonisë”, „Ataturkizmi dhe Turqia e Mijëvjetshit të Tretë”, “Dy Evropa - një divorc intelektual?” (bashkautor Razvan Theodoresku)etj.
Ndër të tjera akademiku Kopi Kyçyku është: Laureat i Medaljes “Mihai Eminesku”, akorduar me Dekretin e Presidentit të Republikës së Moldavisë (2012), anëtar themelues i Fondacionit Evropian “Nikolae Titulesku”, anëtar themelues dhe anëtar i Komitetit Drejtues Ndërkombëtar i Qëndrës Evropiane të Studimeve Ndëretnike dhe të Komunikimit pranë Akademisë Rumune, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës Qëndrore, anëtar titullar i Akademisë Evropiane të Arteve (Belgjikë), anëtar i Shoqatës së Ballkanistikës dhe të Sllavistikës, anëtar titullar dhe anëtar nderi i shumë akademive dhe forumeve shkencore ndërkombëtare, etj.
Entela Binjaku: Bukureshti, cili është vendi që zë ky qytet në
jetën tuaj?
Kopi Kyçyku: Në
zemër. Pranë Pogradecit e Tiranës.
- Si e ndani kohën mes Shqipërisë dhe Rumanisë,
çfarë ju mungon më shumë nga Shqipëria kur jeni në Rumani?
Kopi Kyçyku: Afërsisht përgjysëm. Kur jam në Rumani, më
mungon Shqipëria. Kur jam në Shqipëri, më mungon Rumania.
- Mund të na flisni pak për familjen tuaj? Ardiani,
djali juaj, shkrimtar i njohur dhe ai akademik, zgjedhur rektor i një
universiteti në Bukuresht. Si ju bën të ndjeheni ky fakt? Çfarë cilësisht do të
veçonit tek fëmijët tuaj?
Kopi Kyçyku: Familja ime, përveç meje, ka në përbërje
Marthën (bashkëshorten) dhe dy djem, Ardianin e Gentianin. Ardiani është, siç e
thatë, shkrimtar dygjuhësh, akademik e rektor universiteti në Bukuresht.
Gentiani - jurist. Të dy janë korrektë e të matur. Në jetë nuk më kanë shkaktuar
asnjë telash, sado të vogël.