Kopi Kyçyku
Periudha nga kryengritja antiosmane e Bosnjë-Hercegovinës (1875), deri në fund të Luftës
së Parë Botërore (1918), shënon një etapë mjaft të rëndësishme, dinamike dhe
plot arritje në historinë e të gjithë popujve të Evropës Juglindore. Ajo
përfaqëson jo vetëm hedhjen e disa hapave specifike për secilin komb në rrugën
drejt modernizimit dhe evropianizimit, por edhe përmbushjen e idealeve
përkatës.
Prej shekujsh, duke
qënë të përfshirë brenda formash të ndryshme imperiale, popujt e rajonit nuk
patën shtet të tyrin. Për vdekjen sa më të shpejtë të „Të sëmurit të Bosforit”,
pra të Perandorisë Osmane, ishin të interesuar jo vetëm popujt e sunduar egërsisht
prej saj, por edhe Fuqitë e Mëdha. Kjo shpjegohet me potencialin e madh
ekonomik e njerëzor, sidhe me rëndësinë strategjike të Perandorisë Osmane, si
ndërlidhëse e Evropës Perëndimore me trevat e Lindjes e me krejt kontinentin
aziatik. Nga ana tjetër, as Fuqitë e Mëdha, siç dëshmuan faktet e mëvonshëm,
sidomos Kongresi i Berlinit (1878), nuk deshën të dinin për fatin e „të
vegjëlve”. Në ato rrethana, „mozaiku” i popujve, aq i larmë për nga elementët e
qytetërimit, fesë dhe gjendjes materiale, po bëhej gjithnjë e më i vetëdijshëm
për fatet e veta, aq më tepër që edhe ardhja në pushtet e Turqve të Rinj
(1908), i zhgënjeu keq, duke mos mbajtur asnjë premtim.
Rilindasit tanë e
kuptuan se zjarri i dyfekut mund të bëhej më përcëllues e më i ndritshëm po të
shoqërohej me armët e dijes e të mirëkuptimit fetar mbarëshqiptar. „Njëri me
kisha, tjetri xhamia / Jemi vëllezër, s'na ndajnë dot!” ushtonin këngët e
luftëtarëve të lirisë, duke i bërë jehonë të fuqishme thënies-kushtrim të
Pashko Vasës: „Feja e shqyptarit asht shqyptaria”, çka farkëtoi unitetin
kombëtar e i shpejtoi hapat drejt Shpalljes së Pavarësisë së Atdheut.
Një ndër paraprirësit
e aktit madhor të 28 Nëntorit 1912, ishte, padyshim, Kongresi i Parë i
Përgjithshëm për Diskutimin e një Alfabeti të Njësuar, i thirrur më 14 nëntor
1908 nga Shoqëria „Bashkimi” e Manastirit. Roli i pazëvendësueshëm që luajti ky
forum i shqiptarizmës, lidhet me faktin se, kokat e ndritura të kombit i dhanë
përparësi absolute pikërisht sinonimit të kombit - gjuhës shqipe. Nxjerrja në
pah dhe mbrojtja e vlerave të gjithanshme të gjuhës sonë amtare, përbënin një
frymëzim të pashtershëm për cilindo folës të saj, ia rritnin krenarinë për
historinë e virtytet e të parëve dhe i jepnin krahë për t'i dalë për zot fateve
të trevave shqiptare. Në këtë kontekst nuk është aspak e rastit që i madhi Dom
Ndre Mjeda, pjesëmarrës aktiv në Kongres, ligjëronte: „Ndër komb' tjera,
ndër dhena tjera / ku e shkoj jetën tash e mot, / veç për ty rreh zemra e mjera
/ e mallit derdhi lot. / Nji kto gjuhë q'jam tue ndie, / janë të bukra me
temel; / por prep' këjo, si diell pa hije / për mue t' tanave ju del”.
Alfabeti i njësuar,
që, me argumente shkencore, ia doli mbanë të siguronte përparësi mbi
pararendësit e vet, të hartuar në Bukuresht e Stamboll, - që, gjithashtu,
përbënin ndihmesa të rëndësishme të atdhetarëve të dijshëm të kombit, - do të
shërbente si mjet modern për drejtshkrimin e drejtshqiptimin e gjuhës amtare, e
cila duhej të çapitej pangurrim drejt njësimit. Gjatë procesit të pasurimit të
parreshtur të shqipes, nuk duhej harruar se „lëndën e parë”, pra fjalët, gjuhës
së njësuar do t'ia jepnin të gjitha trevat shqiptare, me të folmet e të
nënfolmet e tyre, me dialektet e nëndialektet. Çdo fjalë a shprehje burimore
duhej trajtuar me kujdesin e nevojshëm, duhej modernizuar e përditësuar, pa iu
cënuar thelbi e ca më pak të flakej tej! Sepse çdo fjalë a shprehje, e ngjizur
në Jug a në Veri të Shqipërisë, në çdo trevë tjetër shqiptare apo në të cilat
jetonin shqiptarë, ishte thërrmijë e të njëjtit miell, që pat kaluar nëpër
sitën e shekujve.
* * *
Intermezzo…
Sipas statistikave,
çdo javë në botë zhduket një idiomë, ose një dialekt. Sado e lartë qoftë
përqindja e pasaktësisë, gjendja nuk paraqitet aspak e mirë, po të mbajmë
parasysh shpejtësinë me të cilën globalizimi po imponon thjeshtëzimin,
ngandonjëherë deri në skaj, të gjuhës së njeriut.
Këtu e një shekull e
gjysmë më parë, dijetari Humboldt, duke u ndodhur në vendet e Amerikës Latine,
u befasua nga fjalët që nxirrte me dëshpërim në treg një papagall. Humboldti u
interesua për „të folmen” e zogut dhe mori vesh se pronari ia pat mësuar
papagallit gjuhën e vet, duke qënë njëherazi i fundmi ligjërues i saj.
Jeta pasmoderne nuk
na jep kohë të përsiatim rreth çështjesh të mëdha, përfshi edhe ato gjuhësore.
Ritmi i kësaj jete na pengon, gjithashtu, të vlerësojmë me korrektësi rrezikun
e prishjes e të zhdukjes së një idiome, të një dialekti apo të një të folmeje vendore.
Çdo komb ka përpjekjet e veta veçorizuese dhe ndërton një strategji të vetën
për të përballur ose për t’i bishtuar njëtrajtësimit shpirtëror. Sepse të
flasësh njëlloj do të thotë të ndjesh njëlloj, të jesh njëlloj. Në këtë
kontekst, popujt ballkanikë, të shquar për autenticitet dhe origjinalitet, kanë
ende shumë për të bërë.
Dialektet dhe gjuha
zyrtare shqipe
Sikurse dihet,
tekstet e para të gjuhës shqipe, që datojnë qysh në shekullin XV, kanë qënë
përkthime ose traktate të shkurtër fetarë[1].
Ato u përkasin disa murgjsh françeskanë, të cilët, njëherazi me plotësimin e
regjistrave kishtarë, u përpoqën të predikojnë në gjuhën shqipe t’i
„alfabetizojnë” besimtarët në një kohë që latinishtja ishte duke vdekur. Në
vitin 2003, hulumtuesi shqiptar nga Kroacia, Musa Ahmeti, deklaroi se zbuloi në
Bibliotekën Sekrete të Vatikanit një libër 208 faqësh, të shkruar në gjuhën
shqipe nga i quajturi Theodhor Shkodrani, qysh më 1210! Ky lajm ngjalli
kundështime të shumta. Por, është me interes të vemë në dukje faktin që, të
gjithë tekstet e vjetër të shqipes, me përjashtime tejet të rralla, janë
shkruar në dialektin geg, i cili, sikurse e dimë, flitet në Shqipërinë e Mesme
dhe Veriore, sidhe në Kosovë, Maqedoni e në një hapësirë të gjerë të diasporës
shqiptare. Ky dialekt i ka dhënë filozofisë, fesë, kulturës e qytetërimit
shqiptar, pra edhe letërsisë shqiptare, disa nga kryeveprat në periudhën e
Rilindjes Kombëtare dhe në atë midis dy luftrave botërore. Shkrimtarë si Gjergj
Fishta, Ernest Koliqi, Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Ndre Mjeda, Martin
Camaj, Arshi Pipa e shumë të tjerë, që bëjnë pjesë ndër themelvënësit e letërsisë
shqiptare moderne, i kanë shkruar veprat e tyre, pò ashtu, në dialektin geg,
diçka më se e natyrshme dhe e logjikshme. Vepra folklorike monumentale „Visaret
e Kombit”, e mbledhur dhe e nxjerrë në dritë nga At Shtjefën Gjeçovi, në
fillimvitet '30 të shekullit të kaluar, është „rrëfyer” nga lahutarët, është
shkruar dhe botuar pò në dialektin geg. Por muzikaliteti krejt i veçantë dhe
begatia leksikore, mjerisht nuk ndikuan aspak që, në Kongresin e Drejtshkrimit
të Gjuhës Shqipe, më 1972, i cili vendosi adoptimin e gjuhës shqipe zyrtare
(standard), dialekti geg të zinte më shumë se 30% të lëndës gjuhësore, që u
cilësua e vlefshme dhe e detyrueshme. Pikësynimet e Kongresit iu nënshtruan
verbërisht platformës së regjimit komunist, i cili nuk e honepste gegërishten
ngaqë ishte prona shpirtërore e intelektualëve dhe e krijuesve eruditë veriorë
- tradicionalisht frymëzues, mbrojtës dhe përhapës të mendimit të lirë,
demokratë të mirëfilltë, antidogmatikë, të përkushtuar idealit atdhetar
stërgjyshor shqiptar.
Ndonjë diskutim, si
ai i Preng C. Lleshit, „për pranimin si normë letrare të trajtave dialektore - venë,
lakën, gjarpën, emën etj, … për mbajtjen në gjuhën e shkruar vetëm të
mbiemrave - i verbën, i shurdhët dhe përjashtimin e mbiemrave
- i verbër, i shurdhër, i shtrembër, … për ngulitjen e
trajtave dialektore, gjithashtu të pjesoreve dhe të mbiemrave prejpjesorë, të
paskajores dhe të urdhërores” (shih Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës
shqipe, Tiranë, 1972, f. 643), as që u përfillën. Ashtu siç u
shpërfillën ligjet fonetike të shqipes - themeli i çdo gjuhe letrare etj, etj.
Dihet se dialekti
tjetër i gjuhës shqipe, që flitet në Jug të vendit, quhet tosk.
Dikur Shqipëria ishte e ndarë në Toskëri dhe Gegëri, ndërsa
banorët e tyre thirreshin toskë dhe gegë. Në dialektin tosk, gjithashtu, janë
shkruar vepra të panumurta, madje edhe kryevepra në fushat e letërsisë,
historisë, fesë, që mbajnë firmat e disa personalitetesh me përmasa evropiane,
si Faik Konica, Fan S. Noli, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Eqrem Çabej, Ismail
Kadare etj, Mund të pohojmë se të dy dialektet e gjuhës shqipe në të
vërtetë po bashkëpunojnë ngushtë në krijimin e një gjuhe letrare të pasur e të
pajisur me mundësi të jashtëzakonshme në zbërthimin e pasqyrimin e realitetit.
Dobinë dhe domosdoshmërinë e marrjes dhe frytëzimit të gjithçkaje të dobishme
nga secili dialekt, e pat nuhatur qysh në fundshekullin XIX intelektuali i
hollë, dijetari dhe shkrimtari Faik Konica (1875-1942), kur mbështeti njësimin
e shkrirjen e dialekteve, duke e parë këtë ndërmarrje jo vetëm si një shans të
bashkimit të të gjithë shqiptarëve në mendime e në veprime, por edhe një
mundësi për kapërcimin e vetizolimit kulturor.
Hic et nunc
Natyrisht që problemi
i madh i dialekteve të lartpërmendur, siç ndodh shpesh në ditët tona, nuk
kufizohet në hapësirën e lëmit të gjuhësisë. Kushtet gjeopolitike të Shqipërisë
së sotme dhe të shpirtit shqiptar në përgjithësi, kanë imponuar pakësimin e
skajshëm, madje, de facto, ndalimin e përdorimit publik të
dialektit geg, çka rrezikon t’i detyrojë mbi gjashtë milionë gegërishtfolës të
jetojnë në tjetër dialekt. Në realitetin imediat, apo për dy-tre breza, nuk
mund të thuhet se kjo përbën ndonjë tragjedi, sepse gjuha zyrtare ka qënë shkruar
dhe folur për një kohë të gjatë dhe askush nuk është i pazoti ta përdorë, të
paktën për të realizuar një komunikim normal dhe për të zgjidhur probleme me
karakter administrativ e social. Por, në një perspektivë më të largët, të atyre
që nesër do të jenë stërnipër, zbrazëtia do të marrë hak dhe trauma më e vogël
ka për të qënë pafuqia e tyre për të pasur akses në tekstet (mesazhet)
arketipale. Gjithsesi, të mirat e gjuhës zyrtare nuk janë të papërfillshme.
Pas shndrrimeve
social-politike të viteve '90 të shekullit që shkoi, shumë shkrimtarë dhe
njerëz të kulturës besuan se ishte rasti ta çonin më tej punën e nisur nga
Fishta e Camaj me shokë. U rishfaqën në treg gazeta, revista dhe libra të
shkruara në dialekt dhe u ripohuan vlerat e mohuara nga regjimi i kaluar. Ishte
vështirë të pranohej që rigjallërimi i një dialekti me synim zëvendësimin e një
gjuhe, që e pat dëshmuar vlershmërinë e vet, nuk mund të çonte përveçse në
regres. Numuri i lexuesve ra ndjeshëm, ndërsa joshja e tyre sipas kriteresh
krahinore dhe dialektore thelloi ose vetëm sugjeroi thellimin e
mosmarrëveshjeve që lidheshin me shumicën e temave të nxehta, që mbizotërojnë
në kulturën shqiptare. Një shembull kuptimplotë dhanë intelektualët kosovarë,
të cilët iu përmbajtën në vazhdimësi idesë së zhvillimit të natyrshëm të gjuhës
kombëtare, duke argumentuar me vepra dhe me kumtesa të vërtetën universale,
sipas së cilës gjuha, si shpirt i kombit dhe shtëpi e qënies njerëzore (Heidegger
dixit) nuk mund të detyrohet të zgjedhë një rrugë apo një tjetër: ajo u
nënshtrohet vetëm ligjeve të veta të brendshme. Ata mbajtën fort mirë parasysh
çka pat parathënë këtu e shtatëdhjetë vjet të shkuara kryegjuhëtari ynë, i
ndjeri profesor Eqrem Çabej: „Dihet se dialektet me freskin’e tyre dhe me
pasurin’e fjalëve janë një burim i pashterrur për një gjuhë. Por, m’anë tjetër,
kur një popull, si ne sot, është duke formuar një nacion dhe një kulturë
nacionale, ahere i duhet dhe një gjuhë e përbashkët. Kjo do formohet dhe ndër
ne, dhe do të jetë shprehja e frymës shqiptare. Patriotizmi lokal i duhet
sakrifikuar këtij qëllimi etik bashkues”[2].
Ndërkohë, njëherazi
me klasicizimin e shkrimtarëve të shquar të të dy dialekteve, u vërejt qartë se
disa vepra themeltare janë të vetëmjaftueshme, zenë fill dhe mbyllen në një
kontekst kulturor të mirëpërcaktuar dhe nuk kanë nevojë për vazhdimësi të
drejtpërdrejtë. I tillë është edhe rasti i monumentales „Lahuta e Malcisë”, me
të cilën frati françeskan Gjergj Fishta OFM, i pari kandidat për Çmimin Nobel i
letërsisë shqiptare, u përpoq dhe pjesërisht ia doli mbanë ta ringjallte Eposin
e Kreshnikëve, të krijuar në Alpet Shqiptare. Vepra e At Gjergj Fishtës është
përkthyer në italisht, anglisht dhe gjermanisht, duke ruajtur në një masë të
madhe vlerat artistike, sëtoku me origjinalen e papërsëritshme në dialektin
geg.
Në vend të
përfundimeve
Gjuha shqipe është
vazhduesja e njërit prej dialekteve të lashta ilire. Gjithashtu, ata elementë
që i njohim nga leksiku i ilirishtes dhe i trakishtes, e gjejnë veten dhe
shpjegimin në gjuhën e sotme shqipe, e quajtur edhe kombëtare apo zyrtare.
Gjuhëtari Norbert Jokl, bie fjala, ka zbuluar marrëdhënie gjenealogjike edhe
jashtëleksikore, pra në sistemin gramatikor e, përgjithësisht në strukturën e
këtyre gjuhëve. Jokli vëren se në sistemin fonetik e në morfologjinë, në
fjalëformim e ilirishtes e të trakishtes disa trajta janë analoge me dukuritë
përkatëse të sistemit të shqipes: zanore, bashkëtingëllore (veçanërisht
grykoret), grupe bashkëtingëlloresh, prapashtesa, parashtesa. Dihet se
ngjashmëritë në lëmin fonetik e gramatikor janë tregues më i saktë se sa leksiku
në përcaktimin e shkallës së farefisnisë gjuhësore. Kjo është arsyeja që këto
përputhje kanë rëndësi të posaçme. Duke u mbështetur në këto argumente, Jokli
arrin në përfundimin se shqipja është tepër e afërt, si me ilirishten, ashtu
edhe me trakishten. Teoria e lartpërmendur është pranuar edhe nga dijetarë të
tjerë, si Ribezzo e Tagliavini[3].
Studiues dhe
gjuhëtarë të mëvonshëm, - Magnani, Cacopino, Kolia etj, - mbështesin me
argumente tezën që shqipja moderne, ajo e të dy dialekteve, jo vetëm e njërit
syresh, është në gjendje të shkoqitë mbishkrimet e mbetura nga qytetërimi i
etruskëve, madje mund të përkthejë bindshëm, përmes trajtash gjuhësore
jashtëzakonisht të ngjashme, fjalët e quajtura pellazge, që hasen në veprat
homerike dhe që nuk kanë asnjë lidhje me korrespondueset e tyre në greqishten e
re[4].
Mund të themi se
gjuha shqipe moderne përmban, ruan dhe zhvillon më tej thelbin identitar që i
ofrojnë njëheresh të dy dialektet e saj, tosk dhe geg. Nga ana e vet, shqipja u
jep të dyve lirinë e plotë për të kumtuar dhe për të pasuruar informacionin
kulturor dhe civilizues që e shquan.
Do të desha që këto
rreshta t’i mbyll me fjalët udhërrëfyese të Çabejt: „Atje në Shqipëri të
Mesme, ku gegërishtja e toskërishtja duke u përpjekur zbutin veçorit’e tyre
dalluese, ku ka dialekte gjysmë gege e gjysmë toske, atje duhet kërkuar djepi i
gjuhës së përbashkët që do vijë. Sëpari duhen studiuar dialektet e Shqipërisë
së Mesme. Këto përgjithësisht dhe pas një selektimi do të japin bazën e gjuhës
në fonetikë dhe në format gramatikore. Në thesarin e fjalëve (leksikut) do
kontribuojnë dhe dialektet e tjera shqiptare”[5].
2009
[1] Rikujtojmë
që, si dokument i parë i shkruar në gjuhën shqipe, deri më sot është cilësuar
„Formula e Pagëzimit”, që i atribuohet priftit shqiptar Pal Engjëlli. Ky
dokument u zbulua nga historiani rumun Nikolae Jorga në Biblioteca Laurentiana
(Itali) në vitin 1915 dhe u botua për herë të parë pò prej tij.
[2] Dr.
Eqrem Çabej, Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, Tiranë,
1936.
[3] Shih
N. Jokl, Zur vorgeschichte des Albanischen und der Albaner, Wörter u.
Sachen, XII, 1929, f. 63-91; N. Jokl, Shënime gjuhësore për
historinë e lashtë të shqiptarëve, PHGSHq; E. Çabej, Einige
Grundprobleme der alteren albanischen Sprachgeschichte, Studia Albanica I, 1,
1964, f.. 69-79; Vasmet M., Studien zur albanesischen Wortforschung,
Dorpat, 1921, 74 f.; Ribezzo Fr., Le origini illiriche della lingua
albanese, Riv. Alb., I, 1940; Ribezzo Fr., Premesse
storico-linguistiche sull’autoctonia illirica degli Albanesi, Riv. Alb., I,
1940, f. 114-141; II, 1941, f. 187-189, 334-346; C. Tagliavini, La
lingua albanese, Studi albanesi, V-VI, 1935-36, f. 1-33; C. Tagliavini, I
dialetti albanesi di tipo ghego orientale, Roma, 1941.
[4] Shih
revistën Haemus, nr. 2/25, Bucureşti, f. 48.