Poezi/i

Mbi litar

Mund të ec mbi litar pa frikë,
Megjithse nuk jam pehlivan,
Por duhet të sqaroj një pikë:
Ç'njeri është ai që litarin ma mban.


Ka raste

Ka raste që, kur gdhihem, fryn, bie shi,
Por ndjehem, për çudi, fort i gëzuar;
Ka raste kur ndrit dielli bukuri,
Por shpirtin e kam tejet të trishtuar.

Ka raste kur një mik tamam armik
Më duket, e qarkoj plot me dyshim;
Ka raste kur i ligu më ngjan mik,
Dhe gati jam t'i jap një ngjatjetim.

Ka raste kur dhe punën nuk e dua,
Megjithse e çmoj lart, me adhurim;
Kur sherrit i them "lepe" dhe kur mua
Më erren sytë dhe s'kam më as gjykim.

Ka raste kur një dasmë më ndjell zi,
Dhe vdekjen e shijoj si lehtësim;
Lajthitje, brenda trurit - penallti?
A ka, vallë, për të gjitha një shpjegim?

18 maj, 2011, në të gdhirë.


Distikët e liqenit

Ai që për të fjetur, shtrat ka zgjedhur tokën,
S'ka frikë se përmbyset kur rrotullon trupin apo kokën.


Përjetë gjallë...

Shkel mbi guriçka,
Më tej mbi rërë,
Lagem në gjolin
E thellë, të gjerë;

Vështroj nga malet
Me sy nga qielli,
Që rrezellijnë
Nën dritë dielli;

Pyes: "Jofrymorët
Jan' përjet' gjallë,
Apo gjallesat,
Tok me ne, vallë?"


Motiv "i peshkuar" në treva vllahe...

E fsheha dashurinë...

E fsheha dashurinë
në gjethet e vjeshtës - stinë,
në drithërimën e muzgut të skuqur fare,
në ca pika shiu udhëtare,
e groposa dalngadal'
në të trëndafilit petal,
e vara tek një ëndërr të bukur, të parrëfyer,
që shëtiste nën hënë duke fishkëllyer,
bëra çmos ta shndrroja në yll,
e hodha sa hap sy e mbyll
në detin që turfullonte, ngrinte çuka
mes dëborave e struka,
i dhashë një të shtyrë i dëshpëruar
drejt cepit të ëndrrës së zhgjëndrruar
dhe kryqetërthor e shtriva
mbi shinat e trenit që arriva...
Por nuk dha shpirt nga kaq mundime!
Mbeti gjallë në zemrën time,
ajo, dashuria trime,
e pamposhtura intime.
Më në fund, emrin dikur
ia skalita në një gur,
ia gërvishta me thonjtë që m'u coptuan,
me cfilitje, me mall, me mendimet që buruan
dhe sakaq, pasionin tim,
si ngushëllim,
e bëra kryq mbi varrin tim.


Udha...

Asnjëherë nuk e kam parë me të njëjtin sy,
udhën që më njeh qyshse bëra "xa" në jetë.
U çapita mbi të, kapur për dore në fëmini,
në rininë e hershme me vrap e përndeza, si trim me fletë;
eca pa e vënë re, kur zura të piqem me të vërtetë,
në moshë të thyer pyes veten shpesh e më shpesh:
Përse nuk zgjodha tjetër udhë më të lehtë?
Mendime që ma bëjnë kokën përshesh,
Që më bëjnë të qaj, por dhe të qesh!


Më thirre, bir?

(Duke marrë shkas nga balada e murosjes)

E linin kokën femrat për mua,
Mes tyre ndjehesha si trim azgan,
Një ditë nuk di si m'u kujtua,
Balada e murosjes në Ballkan.

- Kësaj, mendova, i thonë punë!
Përse traditën mos e rizgjoj?
Kështu do le gjurma dhe unë,
Qysh sot kështjellë do të ndërtoj! -

I thirra femrat një e nga një,
E tyrja listë ish fort e gjatë,
Me alfabet: a, bë, cë, dë...
Një muaj prita, ditë edhe natë.

Kush vinte e para do të kish fatin
Si gur themeli shpejt të renditej,
Ta nxirrte sisën jashtë, për evlatin:
Qumësht t'i jepte gjersa të rritej.

Por, nga të gjitha, që ditn' e parë,
Veç një më erdhi dhe duke qarë:
- Më thirre, bir? Ke ndonjë hall?
Ish nëna ime - lot edhe mall!


Për prindët...

Më kapi prapë malli i pashuar,
Për dy të shtrenjtët prindët e mi,
Mbrëmë në ëndërr i kam takuar,
U thashë: "Do vini, apo të vi!"

Për prindët qënkan tri dashuri:
E para: ndihi sa ke fuqi!
E dyta: kurrë mos i pezmosh!
E, mbi të gjitha: fort t'i durosh!

Veten e pashë sot në pasqyrë,
Një lot i nxehtë më përvëloi,
M'u end ngadalë nëpër fytyrë,
Një zë në vesh ëmbël jehoi:

- O bir, mos qaj porsi fëmi,
Se na dhemb zemra, kur të shikojmë,
Ndonjë gabim bëre dhe ti,
Por ne, si prindër, shpejt e harrojmë!

Këtu, ku jemi, në dhe të zi,
Zotin e lusim: mos na vish kurrë!
Të rrosh i lumtur e pa kufi,
Për ne mos qaj, se tash je burrë!


Me pushkën time...

Më ftove buzëqeshur në shtëpi,
Kur hyra, me besim pushkën e vara,
Aty ku vare rrobat edhe ti,
Më pas krahpërkrah ecëm përpara.

Kur flija, pushkën time e grabite,
(Me plumba plot e mbaj atë gjithnjë),
Më vure në shënjestër, më cfilite,
U ndje rënkimi im, ti s'bëre zë.


Lutje për egërsirat...

Po numuroja ngadalë, me nge,
(Nuk di në ishte natë apo ditë)
Të gjithë ata, që s'di përse
Më kanë ngritur shpesh kurth e pritë.

Bobo, pohova, qënkan kaq shumë!
Pyeta sakaq si u ka shkuar:
Të gjithë në hon apo në lumë
Njëri pas tjetrit paskan mbaruar.

Ndonjë prej tyre më pat sulmuar,
Aq barbarisht dhe me aq vrer,
Sa për një çast pata tentuar
Të vrisja veten me revolver.

Por ndrrova mendje, më ndihu Zoti,
Se, po të vdisja, fill paskëtaj,
Do uturonin, siç gjëmon moti:
"I dha fund jetës se ish me faj".

O ju shpirtshtazë, o besëprerë,
Që as urrejtjen s'e meritoni,
Lus Perëndinë mbi ju mos bjerë
Ndëshkimi i epërm që meritoni.

(E gjithëkohëshme)


Nepërka
 
Sot një nepërkë udhën ma preu,
Doli nga ferrat, shkonte në breg;
Më pa dhe vrik m'u hodh, kërceu,
Të më helmonte në timin breg.

Me shkop e vrava sa hap-mbyll sy,
Shpirti i pashpirt me zor i doli,
Të gjith' pushuesit që qenë aty,
Më admiruan, asnjëri s'foli.

U them të liqve që më jan' hedhur,
Shpesh, si nepërka, të më bëjn' çikë:
Në grushtin tim lotët kam mbledhur,
Më mos guxojnë, të kenë frikë!


Vdekja
Skicë-portret

Mos e vraj mendjen, jam gjah i lehtë,
Pra, mos rrih gjoksin, mos u mburr kaq!
Kosën e zezë, draprin e mprehtë,
Ngulma pa zor, haj, ngulma paq!
Veç mos u mburr, se krejt meritën
E ka rivalja e jote - jeta,
A di pse sytë tash m'u venitën?
Ajo më lodhi, hallet e shkreta.
Taksën përditë ta kam paguar,
Me disa orë gjumë të thellë,
Por s'ngopesh kurrë, moj e paftuar,
Mbyllmi pafund sytë në shpellë.


Mjaft më...

Netë edhe ditë, dhe ditë prapë,
Me ty t'kaloja, pa ngopje kurrë,
Të vrazhdit dimër, a kur bën vapë,
Prej epshit ndezur, si asnjë burrë.

Por, ah, sa larg, sa larg që je...
Me sy të shoh rrallë, sa rrallë!
Veç syri i shpirtit rri zgjuar, s'fle,
Më jep kurajo e më mban gjallë.

Më the: "SIKUR të jem aty!" -
Pesë gërma sa pesë kontinente,
Aq tej më mbart kjo fjalë nga ty,
Si nga e hëna gjer në të premte!

Kam ndrydhur ndjenjat që xhelozia,
Të mos të hajë si bish' të gjallë,
Por s'po më shqitet as marrëzia,
Më sjell tek ti, s'i bëj dot ballë.

Mjaft më me ndrojtjet, si burracaku,
Në gjinë e ndezur do të pushtoj,
S'e fsheh më tej: zemrën fort laku
Ma ka mbërthyer, dot s'i shpëtoj!


O nëna ime!...

U bë një gjysëmshekull që ike si puhizë,
Pa zhurmë, që mos zgjoje asnjërin në shtëpi,
Nuk deshe që as gjethja e brishtë të lëvizë,
As kokërrza e rrushit të tharë në hardhi.

Na vjen me mall në ëndërr, e qeshur, faqezbehtë,
Në maja gishtërinjsh, njëlloj siç ishe gjallë,
Na prek në qafë e faqe dhe prapë me të shpejtë,
Largohesh se mos gjumi s'na rri më në qëpallë.

U trete, moj shënjtore, por mbeti i paprekur,
Kujdesi yt mahnitës për ç'mbajte në atë gji,
S't'u mpak ty dhembshuria, të mbeti i pamekur
I brendshmi zë i shpirtit, ta ndjej  njëlloj tani.


Në shi fjalësh...

O perëndim i përgjakur diellor,
Të lutem varrosmë me afshin zjarror,
Mes qiellit dhe erës të sertë e të fortë,
Të qaj sa të nginjem me sytë mbi tokë.
Me fyellin e ëmbël, që zemrat i vel,
Një mall dua sot ta zbut, përkëdhel.
Ta zbut sadopak me duart e ashpruara,
Në shpirtrat e vuajtur, në zemrat e coptuara;
Të ndizem, të digjem në detin vajtim,
Nën shira prej fjalësh që s'njohin kursim;
Nën shira të lindur tamam në dru-arrë,
Q'ësht' djep që përkund heronj, luftëtarë.


Si çilimi...

Si çilimi,
në breg të gjolit luaj i përhumbur.

Mbi guriçkat e njomura hedh shur bardhosh,
si mbi themelet e një kështjelle.
Mjaft e paskam një guriçkë
të lëmuar nga valët e gjolit,
apo një guaskë pa shpirt.

Jo rrallë,
kaq iu dashka njeriut:
një lojë në breg të vetvetes,
i përhumbur,
kur larg e ka shpirtin,
kur larg e ka zemrën,
kur larg ka gjithçka.

9 korrik 2011, pra 18.42


Mos ndoshta...

A ndoshta ngaqë smira, si bisha s'më është ndarë
dhe shpesh më ka plaguar, por dot nuk më ka vrarë;
a ndoshta ngaqë nëna m'u tret qysh në të ri,
dhe motra pas e ndoqi, në ankth e tragjedi;
pa dashkam të më falin një çikë mall më shumë,
paçka se zemra e shkretë dhe bën, por dhe s'bën gjumë.
A ndoshta se lakmia në shpirt më paska hyrë
e rrudhat çnuk po bën t'm'i fshijë në fytyrë,
pa dashkam tej së drejtës, me afsh, por dhe me duf,
një yll nga më të rrallët? I gjori plak matuf!

Copyright Kopi Kyçyku