Se afișează postările cu eticheta Të mos “bdaren e bastardohen”.... Afișați toate postările
Se afișează postările cu eticheta Të mos “bdaren e bastardohen”.... Afișați toate postările

Të mos “bdaren e bastardohen”...


-->
Kopi Kyçyku

Thuhet se goja e fëmijëve, ashtu si ajo e profetëve, thotë të vërtetën. Njëlloj si profetët, edhe fëmijët jetojnë në një univers ideal, në të cilin bota e brendshme dhe ajo e jashtme mund të ndërtreten, mund të ngjizen e madje të lindin nga shoshoqja. Tek të miturit e vërteta i avitet saktësisë së matematikës e relativitetit të fizikës. Për ta e vërteta nuk është më shumë apo më pak e vërtetë, por thjesht e vërtetë. Duke shkruar këto, sjell ndërmend vocrraken kolumbiane, për të cilën Markezi dëshmon se e pat portretizuar për një konkurs tregimesh. “Kur të rritem, dua të bëhem mjeke e shquar, në një spital të madh të Nju Jorkut dhe, kur të vdesin të sëmurët, të vdes edhe unë bashkë me ta” - ve në gojë të vogëlushes shkrimtari i famshëm.
Kam pasur gjithmonë një admirim thuajse fëmijëror për të vërtetat e për zbulimet e mëdha, jo rrallë ngazëllyese për nga thjeshtësia e sidomos për nga vërtetësia e tyre. Por edhe për nga mençuria, për nga përpjekjet shpesh titanike që ndryjnë në vete dhe jo më pak për shpresën për më mirë që rrezatojnë dhe, pse jo, për humanizmin që na përcjellin. Ndër këto shpikje, njëra është pikërisht rrota, ky njëpërmasim i sferës universale, ky nënshtrim i harmonisë ndaj barrës së mundit e djersës, sidhe ndaj “kruspullosjes” së hapësirës që kompasi modest i dykëmbëshit e mbidimensiononte. Janë të mirënjohura e të mbarëpranuara ndihmesat e mëdha dhe virtytet gatinjerëzore të rrotës. Prandaj me të drejtë çanga e alarmit e mediave këto ditë tingëlloi fort për mbrojtjen e një simotre të saj të vitit 168 para Krishtit, - të gjetur në Antigone, - objekt me rëndësi të veçantë për historinë e arkeologjisë sonë. Ajo nuk duhet lënë kurrsesi të pësojë fatin e qindra objekteve vlerërralla të kultit kristian e mysliman në kohën e monizmit në emër të luftës inkuizicioniste-mesjetare kundër “mbeturinave prapanike dhe paragjykimeve fetare”.