Kënga e Këngëve (Cântarea Cântărilor)*

Shqipëroi Kopi Kyçyku


Kapitulli 1
Dashuria mes dhëndrrit dhe nuses

1.Puthmë me puthjet e gojës sate, se puthjet e tua janë më të mira se vera.
2. Aromat e tua janë balsam erëmirë, mir i derdhur është emri yt, prandaj vashat të duan.
3. Rrëmbemë, merrmë me vete! Haj të ikim! - Mbreti më çoi në këmishët e veta: do të zbavitemi dhe do të gëzohemi me ty. Do të ta madhnojmë dashurinë më shumë se verën. Kush të dashuron, me të drejtë të dashuron!
4. E zezë jam, moj vasha të Jerusalemit, por e bukur, si strehojat e Kedarit, si çadrat e Solomonit.
5. Mos më shihni që jam zeshkane sepse vetë dielli më ka nxirë. Bijtë e mëmës sime u mllefosën, më dërguan t’u ruaj vreshtët, por vreshtën time nuk e kam ruajtur!
6. Por, thuamë, i dashuri im, ku i kullot delet? Ku pushon në mesditë? Përse, vallë, të hallakatem nëpër kopetë e shokëve të tu?
7. Në s’e di ku, ti, moj më e bukura ndër femra, atëhere mos iu ndaj gjurmëve të deleve, kulloti qëngjat pranë kasolleve, kecat pranë barinjve.
8. Si një hamëshor i mbrehur në qerren e Faraonit, të dukem unë, e dashura ime!
9. Të bukura t’i shoh faqet e tua, të vendosura midis vathëve dhe qafës sate të zbukuruar nga sërë margaritarësh.
10. Do të farkëtojmë për ty varse të arta, me pikëza e thellina të argjendta.
11. Sa kohë mbreti ndenji në sofër, parfumi im derdhi aromë.
12. Valle prej mirti është i dashuri im, që fshihet mes gjinjve të mi.
13. I dashuri im është një veshul dëllinje, prej Engedi, vjelë nga vreshtët.
14. Sa e hijshme je ti, e dashura ime! Sa e bukur je! Sy pëllumbeshe janë sytë e tu.
15. Sa i hijshëm je, i dashuri im! Dhe sa kanakar je! Lëndinën me bar të gjelbër e kemi shtruar.
16. Kedrat i kemi çati të strehëzës, bujtës kemi qiparisët.