Në periudhën 20 janar - 10 shkurt 2010 bëra një vizitë mjaft të frytshme në Zvicër e në Francë, i ftuar nga kryetari i Shoqatës së Frankofonisë Francë-Zvicër-Rumani, profesori i gjermanishtes Arthur De Guio. Ashtu si tre vite të shkuara, ky intelektual i hollë më kushtoi vëmendje të madhe që të njihesha me mjaft personalitete të vendeve të lartpërmendura dhe të vizitoja sa më shumë qëndra e monumente kulture.
Gjithashtu, Arthuri më dha mundësinë të kaloja çaste të paharrueshme midis vëllezërve kosovarë, me të cilët tashmë kish vendosur marrëdhënie miqësore. Në qytetin Monthey, bashkëshortët Sylë e Nurie Baftiu, prej afro tre dhjetëvjetshash mësues të përkushtuar të gjuhës shqipe, më ftuan në një orë mësimi. Mbi njëzet nxënës të moshave të ndryshme më prekën thellë me njohuritë e shëndosha në gramatikën e në leksikun e gjuhës amtare dhe me interpretimin plot pasion e hijeshi të vjershave, valleve dhe këngëve popullore e atdhetare.
Syla është duke përgatitur një metodë për mësimin e shqipes, ku vend të rëndësishëm ze ana pamore, sidhe fjalët e urta, proverbat e shprehjet e figurshme të gjuhës sonë.
Në ditën e parafundit të janarit, në qytetin Delemont përjetova orë të tëra që nuk kanë të krahasuar me simotra të tyre të të gjitha viteve qyshse jam gjallë. Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë «Naim Frashëri», në prani të mbi pesëqind bashkëkombësve të ardhur nga vise e treva të ndryshme, shpalosi një buqetë të begatë të traditave tona përmes kostumeve popullore dhe programeve artistike të përgatitura me nivel të lartë profesional nga një numur i madh ansamblesh. Ishte një festival i shpirtit e i vitalitetit të pashtershëm, i atdhedashurisë dhe i unitetit mbarëshqiptar. Në përshëndetjen e vet të ngrohtë, kryetari i bashkisë i qytetit Delemont, Pierr Kohler, shfaqi respektin për karakterin e ndihmesën e vyer që shqiptarët japin për zhvillimin e pandalshëm e për fuqizimin e mirëkuptimit ndërmjet bashkësive etnike të ndryshme që jetojnë e punojnë në Zvicër.
Të pranishëm ishin edhe ambasadorët e Shqipërisë e të Kosovës në Bernë, sidhe poeti i njohur, profesori Agim Vinca, i cili bashkë me pedagogun Sylë Baftiu, paraqiti librin «Diellit tim» të poetit të talentuar Besnik Camaj. Në tavolinë kisha pranë krijuesin tjetër të shquar, Shaip Beqirin, dhe gazetarin e ri Blerim Shabani, të cilët, ashtu si të gjithë pjesëmarrësit, më përgëzuan për fjalën që mbajta i grishur nga moderatori i palodhur Mahir Mustafa, profesor i shqipes e i gjermanishtes.
Nuk mund të le pa përmendur pritjen e përzemërt që më bënë në shtëpitë e tyre Sylë e Nurie Baftiu, Azem e Sabrie Hajdari dhe vëllezërit Dervish e Luan Dabiqaj. Djali i Sylës, Albani, student për informatikë në Universitetin e Lozanës, krahas faktit që është tejet i aftë në fushën e vet, shquhet edhe për një vizion të kthjelltë prej luftëtari të vendosur për të sotmen e të ardhmes e Kosovës e të mbarë trevave shqiptare, ndërsa Lirimi, djali i Luanit, më befasoi me pjekurinë e parakohëshme e me talentin në recitimin në gjuhën amtare. Ramush Gashi, kryetar i Bashkësisë Shqiptare në Monthey, më dhuroi një bluzë të ekipit shqiptar të futbollit. Ai është trajner i tij dhe njëherazi përfaqësues i Ministrisë së Kulturës e të Sporteve të Republikës së Kosovës pranë homologes së saj në Bernë. Me këtë cilësi dhe falë autoritetit që gëzon si stërvitës i skuadrës zvicerane të futbollit në Monthey, kish marrë miratimin përkatës të FIFA-s dhe kish bërë të mundur organizimin në Prishtinë të ndeshjeve miqësore të ekipit kombëtar të futbollit të Kosovës me tetë skuadra kombëtare të futbollit: të Brazilit, Spanjës, Argjentinës, Francës, Italisë etj.
Në Gjenevë më priti në shtëpi sipas zakoneve shqiptare, profesori erudit e atdhetar Astrit Leka, i cili më çoi tek busti i Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, që e ka vendosur në një park buzë liqenit të Lemanit, pranë selisë së OKB-së. U takova edhe me mikun tim të vjetër, diplomatin e shkrimtarin Alfred Papuçiu, sidhe bëra miq të rinj: Malësi e Luan Gashin, Fejzi Rragamin e të tjerë. Krahas frëngjishtes, pata rastin ta ushtroj edhe turqishten në bisedat me përfaqësues të bashkësive turke e kurde. Me profesorë të Universitetit të Gjenevës zhvillova një bashkëbisedim dyorësh për zhvillimet më të fundit në Evropën Juglindore, ndërsa ditë më parë kisha marrë fjalën si i ftuar në një simpozium me temë "Gjuha e folur".
Në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës lashë një numur librash të tim biri, Ardianit, e të miat, duke marrë falenderimet e drejtueses së tij, zonjës Albana Malaj (Krasniqi).
Të njëjtën gjë bëra edhe në bibliotekën e qytetit Monthey e me bashkëkombës të mi.