Esse non vidare (Besim Sahatçiu, pionieri i regjisurës së mirëfilltë shqiptare në Kosovë)


Vendlindja – djep kulture dhe vatër atdhetare
(Në vend të prologut)

Më 2 tetor 1935, në Pejë, qytet me tradita të hershme atdhetare e kombëtare, i trevës së Rrafshit të Dukagjinit, djep i Kanunit të Lekë Dukagjinit, u lind një personalitet i shquar i kulturës mbarëshqiptare, regjisori dhe intelektuali poliedrik, Besim Sahatçiu. Lagjja ku u lind Besimi quhej Kapeshnicë dhe cilësohej si çerdhe e “pjesës më të shëndoshë e më atdhedashëse” të asaj treve.
Peja, në të vërtetë, përbën një qendër të vjetër banimi. Nga të dhënat që ofron historia e që gjejnë pasqyrim në materialet e ndryshme mbi komunën e Pejës, kjo e fundit, si vendbanim daton që nga kohërat më të hershme ilire, duke qenë qyteti më i rëndësishëm i Dardanisë së lashtë dhe një nga kryeqendrat administrative të krejt Rrafshit të Dukagjinit. Dëshmi bindëse në këtë aspekt janë objektet e shumtë që janë zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike. Si një vendbanim me jetë të gjallë sociale e kulturore, Peja, deri në shekullin XV shtrihej në fushë, duke filluar nga arat e quajtura ,,Gradinë”, - ku janë gërmadhat e Pejës antike, - nga tyrbja e ,,Sarë Salltëkut” ku tani gjendet fabrika e baterive, në Lindje, e deri te stacioni hekurudhor dhe kalaja, në Perëndim.
Pejën gjatë historisë e hasim me emra të ndryshëm: në periudhën e hershme iliro-romake ka qënë „pagëzuar” Siparantum, kurse gjatë mesjetës Pech (Pekë, P(j)ekë)), Peka, Pentza dhe Forno. Në një dokument latin të vitit 1202, - më i vjetri i gjetur deri më sot, - na shfaqet si Pechi. Në atë kohë në Pejë ishte e zhvilluar tregtia. Aty gjendej edhe Kolonia e Dubrovnikasve. Peja, si „Siparantum Dardan”, përmendet në një hartë në librin ,,Gjeografia” e Ptolemeut, në shekullin III-IV. Duke qënë nën sundimin e romakëve, Peja, me statusin e Municipium-it, shënoi shkallën më të lartë të lulëzimit, duke u radhitur ndër qytetet kryesore të Dardanisë, fill pas Ulpianës (Prishtina e sotme).
Peja, bashkë me rrethinat, pas betejës së Fushë Kosovës (1389) e deri më 1462, u administrua fillimisht nga Balshajt e më pas nga dukagjinasit Lekë dhe Pal, të cilët lanë gjurmë në historinë e saj. Nuk është e rastit që lugina e Drinit të Bardhë edhe sot e kësaj dite thirret Rrafshi i Dukagjinit.
Më tej, deri në dhjetëvjetshin e katërt të shekullit XVI, Peja bëri pjesë në Sanxhakun e Shkodrës. Turqit osmanë e quajtën Pejën „Ipek”, që ka kuptimin “mëndafsh”. Në të vërtetë, mund të hamendësohet se emri i qytetit vjen nga fjala “pe”, pra “fije” - në përgjithësi, dhe fije mëndafshi - në veçanti.
Gjatë shekujve Peja ruajti dhe trashëgoi ndikime nga më të ndryshmit, çka “lexohet” lehtësisht në ngrehinat romake, bizantine, sllave dhe osmane, që, gjithsesi, shumë-shumë „bashkëjetuan”, por nuk mundën të zhbënin vlerat kulturore popullore shqiptare, të mishëruara në ngrehinat, arkitekturën, skulpturën, doket e zakonet dardane. ]
Dyndja e turqve osmanë u shoqërua me një prani të ndjeshme të kulturës islame në jetën shpirtërore dhe në kulturën materiale të kësaj treve. Le të përmendim për ilustrim, - krahas kompleksit të Patrikanës së Pejës, - kullat e shekujve XII-XIX, sarajet, xhamitë, teqetë, mesxhidet, varrezat, tyrbet, mullinjtë, hanet, sahatkullat, urat, shatërvanët, krojet publike (çezmat), kajnakët, hamamet (banjot publike) etj.
Nga qendër tradicionalisht ekonomike - kulturore, në fundshekullin XIX Peja u bë edhe qendër e Rilindjes Kombëtare. Më 23 janar 1899 në këtë qytet u mblodh një kuvend i madh, ku morën pjesë rreth 500 delegatë të ardhur kryesisht nga Vilajeti i Kosovës, sidhe përfaqësues nga vilajetet Manastir e Janinë. Pas gjashtë ditë punimesh, u formua Lidhja e Re Shqiptare - Lidhja e Pejës ose Besa-Besë, me kryetar Haxhi Zekën. Në vendimet e Kuvendit të Pejës (Kararname-ja prej 11 pikësh), si detyrë kryesore shtrohej lufta kundër çdo orvatjeje të Serbisë, të Bullgarisë, të Greqisë dhe të Malit të Zi për coptimin e trevave shqiptare. Rryma atdhetare, e drejtuar nga Haxhi Zeka, shtroi edhe çështjen e autonomisë, por, për shkak të rrezikut të coptimit, nga njëra anë, dhe të qëndrimit të elementëve konservatorë e turkomanë, nga ana tjetër, ajo nuk u përfshi në vendimet e marra. Atdhetarët parashikonin që Lidhja të formonte degët e saj, të cilat, në fakt, u shtrinë në Shqipërinë e Veriut, në Shqipërinë e Mesme dhe pjesërisht në Shqipërinë e Jugut. Njëkohësisht u bënë përpjekje për të organizuar një kuvend të përgjithshëm mbarëshqiptar, që do të miratonte Programin Kombëtar të Lidhjes. Me anë të shtypit shqiptar dhe të thirrjeve drejtuar popullit kërkohej bashkimi rreth Lidhjes së Pejës dhe programit për autonomi.
Pikërisht në këtë kohë (mars 1899) Sami Frashëri botoi veprën ,,Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhetë ?’’. Në të Samiu jo vetëm që përshkruante gjendjen e vështirë të Shqipërisë dhe rreziqet që i kanoseshin nga armiqtë e jashtëm, por tregonte edhe rrugën që duhej të ndiqnin populli shqiptar dhe lëvizja e tij kombëtare. Samiu shtronte nevojën e sigurimit, në fillim të autonomisë, e pastaj të pavarësisë së plotë, çka shqiptarët duhej ta arrinin „me hir ose me pahir”. Samiu e vlerësonte shumë Lidhjen Shqiptare të Pejës dhe kërkonte që ajo të shndërrohej në një organ të përhershëm qeveritar.
E shqetësuar nga formimi i Lidhjes së Pejës dhe nga zgjerimi i veprimtarisë së saj, qeveria e Stambollit nxori një numër urdhërash për të çarmatosur shqiptarët dhe për ta shtypur Lidhjen. Për këtë qëllim sulltani përdori edhe disa feudalë reaksionarë, me Riza bej Kryeziun në krye, të cilët qysh në fillim i ishin kundërvënë Lidhjes së Pejës. Qeveria osmane ndaloi mbledhjen e kuvendit të përgjithshëm, që ishte paraparë të mbahej në Prizren në maj 1899. Në fillim Lidhja e Pejës u qëndroi trysnive të Portës së Lartë, madje në vjeshtë 1899 ajo filloi luftën e armatosur kundër administratës osmane, me synim zëvendësimin e kësaj të fundit me administratë shqiptare.
Lëvizja antiosmane përfshiu kryesisht Kosovën e Dibrën, por nuk u shtri në gjithë Shqipërinë. Veprimet e armatosura kundër autoriteteve osmane vazhduan deri në maj të vitit 1900. Atëherë Porta e Lartë dërgoi forca të mëdha ushtarake dhe e shtypi Lidhjen e Pejës, e cila, pa dyshim, shënoi një shkallë të re, më të lartë, në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Më 29 tetor 1912, Peja flaku tej zgjedhën osmane, por ra nga shiu në breshër, pra u pushtua nga forcat malazeze, për të kaluar në vazhdimësi: nën sundimin e Austro-Hungarisë (1915), të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (1919), të Italisë fashiste (1941), të Gjermanisë naziste (1943) dhe të Jugosllavisë (1945), derisa, pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s, të përkrahura nga mbarë populli i Kosovës, më 16 Qershor 1999 u çlirua njëherë e përgjithmonë nga zgjedha e huaj.
Pejanët ishin njerëz si të gjithë njerëzit - të zakonshëm, në një vendbanim gjithaq të zakonshëm, me shumë gjëra të përbashkëta me qytete të tjerë, sidomos me ata ku shkolla ngjason me bashkinë e me kinemanë, me restorantin e me të gjitha ngrehinat e tjera, që rrinë në radhë, të ndërtuara gati-gati me të njëjtin stil, ndonjëherë me ngjyra të papërshtatshme, por që nuk i bezdisnin pronarët përkatës. Edhe prindët e të afërmit e Besimit ishin pjesë përbërëse e këtij qyteti dhe e bashkësisë së tij. Gëzonin shëndet të plotë, hanin mirë dhe nuk e tepronin në pije, qofshin ato alkoolike, por edhe kafe e çaj.
Pra, në një mjedis të tillë, të mbushur plotpërplot me tradita e ngjarje historike, e pa dritën e diellit Besim Sahatçiu.
Një përkim i hidhur bëri që plot shtatë dhjetëvjetsha më vonë, shifra dy e tetorit (02) të përmbysej duke marrë me vete jetën e çmuar të këtij burri të mençur dhe erudit. Dhembja ishte e madhe për familjen, për miqtë dhe për të gjithë lëvruesit e artit, qofshin profesionistë, apo amatorë. Zbrazëtia që la në kulturën mbarëshqiptare humbja e këtij biri të devotshëm, pati si ngushëllim faktin që vepra e tij e mbarti në krahët e amëshimit.
Gazeta “Lajm” e Prishtinës, e datës 22 tetor 2005, duke iu referuar mbledhjes përkujtimore, të organizuar me rastin e vdekjes së Besim Sahatçiut, theksonte se miqtë, shokët e kolegët e çmuan lart punën e tij, si regjisor profesionist dhe si njeri i qetë, gjithmonë i gatshëm për këshilla. Më tej, artikullshkruesi Shpend Çoçaj vinte në dukje: “Besim Sahatçiu do të mbahet mend si njeri i urtë e fjalëëmbël dhe do të kujtohet gjatë nga gjeneratat e reja për filmat e tij, të cilëve ua kushtoi pjesën më të madhe të jetës”.
Në mbledhjen e mësipërme, e morën fjalën mjaft personalitete të kulturës e të artit. “Ai dëshiroi gjithmonë të qëndrojë në Kosovë dhe vuajtjeve e brengave që kishte, ashtu si edhe personazhi i Lisit në filmin e tij ‘Era dhe lisi’, dëshiroi t’iu bëjë ballë vetë këtu, përkundër ftesave që kishte gjithmonë për të punuar jashtë” u shpreh aktori Hazir Myftari, i cili ka luajtur pothuajse në të gjithë filmat e Sahatçiut.
Aktori Dibran Tahiri tha se Sahatçiu ishte njëri prej intelektualëve më të shquar shqiptarë. ”Eshtë mëkat i madh që ai kurrë nuk ligjëroi në asnjë akademi tonën, në asnjë fakultet të arteve dramatike, sepse ka pasur shumëçka të thotë. Ishte njeri jashtëzakonisht i qytetëruar, jashtëzakonisht i kulturuar, shok i mirë dhe bashkëpuntor i mrekullueshëm” theksoi ai.
Miku dhe kolegu i Sahatçiut, Ekrem Kryeziu, vuri në dukje se vdekja e tij është humbje e madhe për artin e Kosovës. “Punimet e mia, - vazhdoi Ekremi, - gjithmonë jam munduar t’i mas me punën e Besimit. E kam ndjerë veten të lumtur kur një vepër e imja i ka pëlqyer atij”. Gjithnjë sipas Kryeziut, me filmat “Era dhe lisi” dhe “117”, Sahatçiu e prezantoi kinematografinë kosovare me dinjitet para botës.
Jehonat e fuqishme të skenës e të ekranit do të përcjellin jetemot me mjete artistike të zgjedhura mesazhin human të veprës së Besim Sahatçiut. Nuk është fjala kurrsesi për bujë apo vetëlavdërime. Këto për Besimin ishin krejt të huaja. Madje shpirti i tij zhbirues, përherë në gjurmët e në kërkim të së përkryerës, fillonte nga vetvetja. Vetëm kur bindej se kishte bërë gjithçka, duke shkuar deri në cak të mundit e të shfrytëzimit të aftësive dhe të mjeteve shprehëse, Besimi merrte guximin që, me ndërgjegjje të kulluar e, para së gjithash, me kompetencë, të pretendonte nga cilido me të cilin e lidhte puna e sidomos nga bashkëpuntorët e afërt, ta shfaqnin veten me dinjitet.
Kjo shpjegohet me faktin që për Besimin Vox populi vox Dei, zëri i popullit ishte zëri i Zotit. Besimi ishte i gatshëm të hynte në debate me homologë e me kolegë, të dëgjonte me vëmendje çdo mendim a sugjerim të tyre, qofshin edhe kritika, por nuk harronte asnjëherë që në krye të vendit të vinte fjalën e njerëzve që mbushnin sallat e teatrove apo të kinemave, ku luheshin drama apo filma, regjinë e të cilave e kishte firmosur e “vulosur” vetë. Arsyeja ishte se opinioni i artdashësve të të gjitha moshave, niveleve dhe shijeve, ishte i paanshëm. Pavarësisht se nuk ishte profesional i mirëfilltë, ky opinion ishte krejt i zhveshur nga subjektivizmi dhe nga ca “sëmundje” profesionale, si: subjektivizmi, keqdashja, zilia, ambicja, xhelozia, smira… Nga ana tjetër, zërin e kumbueshëm e pa “dizonanca” të njerëzve të thjeshtë, sugjerimet, vërejtjet, dëshirat e tyre, Besimi i vlerësonte si ndihmë konkrete dhe të pazëvendësueshme për ta përsosur më tej punën e vet e për të qënë në një hap me kërkesat në rritje të kohës.
Rëndësi të posaçme u kushtonte mendimeve që shfaqnin intelektualë të fushave nga më të ndryshmet, të cilët, duke qënë, në radhë të parë, specialistë të dalluar në profesionin përkatës, ishin edhe dashamirës të artit të skenës dhe të ekranit. Këtu mund të përmendim një numur të madh personalitetesh, si Azem Shkreli, Abdurrahman Shala, Shefqet Deçani, Istref Begolli, Muharrem Qena, Ramiz Kelmendi, Ali Podrimja, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Bekim Fehmiu, Naum Prifti e të tjerë. Me ta jo rrallë e bashkonte një miqësi e çiltër e dobiprurëse, që ndikonte në krijimin e një klime të pastër e të shëndetshme në komunikimin ndërnjerëzor e që kishte rrjedhojë të drejtpërdrejtë shpërthimin e frymëzimit krijues.
Duke qenë se Besim Sahatçiun, - emri i të cilit më kish jehuar në vesh prej shumë vitesh, - nuk pata fatin ta njoh personalisht, në përpjekjet për portretizimin e tij, krahas “dokumenteve” artistike: drama e filma të ngjitura në skenë apo të ekranizuara nga Besim Sahatçiu, jehonat në shtyp të tyre, - të cilat sëbashku përbëjnë dëshmi të sakta dhe me vlerë krejt të veçantë, - e quajta të natyrshme dhe bindëse të thërres në ndihmë dhe t’ua zgjoj kujtesën të afërmve të tij, sidhe personash të tjerë, që e kanë njohur nga afër, në punë e në jetë.
Dëshirën për t’u marrë me figurën e Besim Sahatçiut ma ngjalli një ese e ngrohtë e kolegut dhe mikut të tij, kompozitorit, muzikologut, studiuesit, eseistit dhe publicistit, profesor Akil Kocit, me të cilën hapet libri “Vibracione të shpirtit shqiptar”. Këtë material me vlera pata nderin ta redaktoj e ta shoqëroj me një pasthënie.
Në esenë e sapopërmendur, Akil Koci ndalet në disa momente thelbësore që e veçorizojnë më së miri e me qartësi personalitetin e Besim Sahatçiut, si krijues e si njeri.
Akil Koci e cilëson Besim Sahatçiun “… prijësin e themelvënësin e kinematografisë në Kosovë, eruditin dhe, - çka është më qënësorja, - njeriun me virtyte të larta njerëzore, i pakompromis në profesion kur ishte fjala për saktësinë e ideve dhe koncepteve të veta gjatë realizimeve të projekteve madhore të kinematografisë sonë” (Akil Mark Koci, Vibracione të shpirtit shqiptar, vëllimi I, Shtëpia Botuese Librarium Haemus, Bukuresht, 2008, f. 17).
Në vijim të këtij karakterizimi të plotë, gjithëpërfshirës, hulumtuesi Koci hyn në hollësi të domosdoshme për të ilustruar thëniet që ka formuluar për mikun e kolegun e vet. Para së gjithash, ai e ve theksin në faktin se, duke pasur si bazënisje artin, Sahatçiu “ka zhvilluar mendimin teorik dhe estetik, duke e shprehur e duke e shoqëruar në veprat e veta artistike në një zhanër aktual, modern dhe pa dyshim më të vështirin nga të gjitha artet ekzistuese” (po aty). Në këtë kontekst, Koci nxjerr në pah të vërtetën e madhe, sipas së cilës idetë dhe mesazhin e vet estetik, regjisori Sahatçiu i kumton e i përcjell “jo vetëm nga këndvështrimi i sotëm, por edhe i nesërm”. Kësisoj marrim vesh se Besim Sahatçiu është njeriu i arritjeve madhore jo vetëm në procesin e krijimtarisë së përditshme. Ai është gjithaq artist e filozof, estet e mendimtar me përfytyrime largpamëse e të guximshme, shtigjeçelës në sferën e skenës e të ekranit.
Për t’i bërë sa më të besueshme vlerësimet e larta, Akil Koci dëshmon se, me cilësinë e kolegut të afërt të Besim Sahatçiut, ka bashkëpunuar ngushtë me të në disa filma, duke kompozuar muzikë për ta. Jo vetëm kaq. Gjatë periudhës që punonin në Radiotelevizionin e Prishtinës, binomi Sahatçiu-Koci ka krijuar një unitet mendimi e veprimi të mirëfilltë përmes gërshetimit të dy arteve – të teatrit e të muzikës, të mjeteve shprehës specifikë përkatës, duke i pasuruar ndërsjelltas, pa cënuar individualitetin e secilit. Duke bashkëvepruar në këtë mënyrë, në një frymë të shëndoshë kolegjiale, Akil Koci pat kompozuar e pat përshtatur muzikë, jo vetëm për filma, sikurse nënvizuam më lart, por edhe për disa drama, të shfaqura në skenën e Teatrit Krahinor të Kosovës, gjithnjë me regji të Besim Sahatçiut. Vlerësimet e ngrohta e tejet dashamirëse të Akil Kocit përshkallëzohen me crescendo, - që të përdorim një term nga lëmi i muzikës, - duke u konkretizuar në formulime të tilla, si: “Fuqia e tij krijuese (e Besim Sahatçiut, sh.y.), un-i empirik i mirëdallueshëm, kanë krijuar antinominë e Orfeut me Prometeun si dy forca armiqësore, si synim për të shprehur në artin e vet, pra në film, unitetin e kundërthënieve në konceptet regjisoriale, gjë që nënkupton sferën e paarritur të idealit estetik, pse jo edhe artistik, edhe pse idealja në art është ngushtësisht e lidhur me këndin nga i cili vështrohet” (po aty, f.18).
Në përpjekje për të nxjerrë në pah plot dritë karakterin burrëror dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë profesionale e qytetare të Besim Sahatçiut, Akil Koci i referohet një dukurie krejt të veçantë, e cila është e papërfytyrueshme dhe e papranueshme për çdo regjisor të botës së qytetëruar. Fjala është për ndërhyrjet e shumta të një numuri individësh, të cilët, meqënëse ishin autorë skenaresh, apo kishin ndihmuar në sigurimin e bazës materiale modeste për realizimin e veprave skenike apo kinematografike të Besim Sahatçiut, i rezervonin të drejtën vetes t’i propozonin, madje edhe ta detyronin mjeshtrin Sahatçiu që t’u jepte të afërmve të tyre role në filma apo në drama. Kuptohet shqetësimi që përjetonte në kësi rastesh regjisori Sahatçiu, i cili ishte një “gjahtar” i palodhur i cilësive gjithnjë e më të larta artistike, i majave, pra.
Nga ana tjetër, dhembjen e çiltër e “të pashërueshme” për mungesat, mangësitë e zbrazësitë, që vëreheshin në botën artistike kosovare, Besimi e ndante me kolegët e vet të besës. Nga kuvendimi i dendur me Akil Kocin për këtë problem, ky i fundit pat konstatuar: “Gjithmonë ishte i pakënaqur nga niveli i arritur, gjithmonë gjente mungesa dhe vihej në kërkim të diçkaje më të mirë, me synim kapjen e së përkryerës” (po aty). Dhe kjo nuk përbënte ndonjë qëllim në vetvete. Qëndrimi i tij kritik i bënte jehonë pikësynimit fisnik për të përshpejtuar, jo vetëm nga pikëpamja sasiore, por sidomos cilësore, procesin e lartësimit shpirtëror të Kosovës përmes artit. Këtë e bënte “i shtyrë jo thjesht nga kurreshtja, por nga thellësia spontane e mendimit artistik të tij, nga aftësia për të krijuar vizione të qarta” (po aty, f.19).
Dihet se imagjinata, përfytyrimi, janë të pamata. Ato të çojnë ndonjëherë drejt honesh, duke adoptuar shpejtësinë përshkuese të mendimit në zona të pakapshme nga reperet e gjërave dhe të ndodhive të përditshme. E, pra, Besimi ishte „i ankthuar” nga përsosmëria, nga ky koncept - ide pa fillim, pa fund dhe pa ndonjë kontur të përcaktuar në vetvete. Ata që janë orvatur ta konkretizojnë këtë koncept-ide, në shumicën e rasteve janë bërë qesharakë. E, pra, Besim Sahatçiu, si ndër të rrallët që „u përball” me këtë koncept-ide, ishte, pa dyshim, njeri i pazakontë. Në bisedat me kolegët, ai shprehej se parapëlqente sferën, e cila, sipas Besimit, mishëronte një koncept ideal, një konkretizim të përsosmërisë, një cilësi me të cilën nënkuptohet simetria absolute. Në të njëjtën kohë, për çudinë e të gjithëve, Besimi „kundërshtonte” vetveten duke pohuar se bukuria lidhet me një shkallë të caktuar asimetrie të moderuar. Nganjëherë, shtonte ai, falë mosperfeksionit të fytyrës, një femër tërheq vëmendjen e shumëkujt. Përsosmërinë Besimi e lidhte shpesh me përpikmërinë, deri në mani, në kryerjen e detyrave.
Preokupimi i çiltër prej atdhetari të madh, që dëshiron ta shohë kombin e vendin e vet sa më të zhvilluar, në një hap me shtetet më të përparuar, jo vetëm ekonomikisht, por edhe kulturalisht, bëhej edhe më i thellë, kalonte në zhgënjim të hidhur kur shikonte se “shumë nga planet që kish në kokë, nuk kishin shanse të zbatoheshin në praktikë, pasi në krye të institucioneve kulturore gjendeshin njerëz pa njohuritë e aftësitë e nevojshme…” (po aty).
Të drejtën morale për të qënë i pakënaqur e i pezmatuar nga çapitjet prej breshke të shumë segmenteve të jetës kulturore e artistike në Kosovë, Besim Sahatçiu e përligjte me arritjet e tij të panumurta, që pasqyronin e shpalosnin talent të rrallë, shije të hollë, guxim krijues, shpirt novator.
Besimi njihej si njeri i urtë e i duruar dhe dinte të falte kur ndokush i binte në qafë, apo orvatej t’ia zbehte e t’ia mohonte vlerat. Por nuk bënte kurrfarë lëshimi kur ishte fjala për fatin e të ardhmen e artit mbarëkombëtar. Kësisoj, kur në rrugën drejt gjetjes së mjeteve shprehëse sa më të arrira, i dilnin pengesa të qëllimshme, që synonin t’ia prishnin projektet e planet krijuese, - fryte të natyrshme të imagjinatës së tij përherë pjellore dhe të mjeshtërisë profesionale, - ndeshej me guxim me mbartësit e mediokritetit e të regresit. Por, mjerisht, nuk ia dilte dot mbanë t’ua frenonte hovin keqdashësve, sepse këta ishin gjithnjë e më të shumtë, shtoheshin si kërpudhat pas shiut dhe e mbështetnin shoshoqin. E atëhere shpërthente, e nxirrte dufin me zë të lartë. Thëniet e tij në raste të tilla tingëllonin si mallkim për ata që shpërfillnin dhe nëpërkëmbnin shpirtin e kombit.
Të njëjtin qëndrim mbante edhe ndaj pseudokrijuesve që nuk punonin me ndërgjegjje, pra nuk i honepste ata që punonin „sa për të kaluar radhën” e që, bie fjala, ua servirnin artdashësve sapunin për djathë. Këtu përfshinte sidomos ca palo seriale pa kurrfarë domethënieje dhe të zhveshur nga vlerat artistike të mbarëpranuara.



Besimi, Besa, Besniku
Copëza nga jeta e Besim Sahatçiut

Shkollën fillore dhe të mesmen, Besim Sahatçiu i kreu në qytetin ku u lind. Më tej ndoqi dy vjet letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Pas ndërprerjes së studimeve për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, punoi katër vjet si përkthyes në “Rilindja”. Fill paskëtaj u regjistrua në degën e regjisurës pranë Akademisë së Teatrit e të Filmit në Zagreb, të cilën e përfundoi më 1972. Temën e diplomës e mbrojti me vënien në skenë në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës të komedisë “Revizori” të autorit të madh rus Nikollaj Gogolit. Ndërkohë kishte ngjitur në skenë edhe pjesën tridhjetëminutshe “Dervishi dhe vdekja”, në të cilën rolin kryesor, atë të Dervishit, e luajti aktori i mirënjohur Shani Pallaska.
Tradita e familjes, me prejardhje nga Shkodra, nga trungu i mirënjohur i Kazazëve, i sugjeronte përvehtësimin me themel të zejes së orëndreqësit.
Në intervistën që i pat dhënë për RTV 21, në janar 2003, profesorit të Fakultetit të Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës, Florin Kelmendit, - edhe ky pejan, - në muzgun e jetës së vet, Besimi flet nga një pikë, e ndodhur diku në afërsi të shtëpisë, tashmë të rrënuar, ku pat parë dritën e diellit dhe shpreh dëshirën që ajo të mos kapet nga kamera. “Jemi ngopur tashmë me pamje të tilla” tingëllon si rënkim zëri i tij. Fill paskëtaj, Besimi përmend prindërit e vet: të atin, Ademin, dhe nënën, Besën, gjakovare. Besimi ishte fëmija i nëntë, më i vogli. Vëllezërit më të rritur iu përveshën punës për ta mësuar e për ta përvehtësuar me themel zejen tradicionale të orëndreqësit, e cila ishte përherë e kohës, nuk i humbte vlera, përderisa jeta e kujtdo që mbante në dorë një orë apo në xhep një sahat, lypte saktësi e precizion, në çdo hap e në çdo veprim a punë. Por, Besimi mendoi se edhe aq sa kishin ecur në këtë fushë paraardhësit e vet, mjaftonte. Të gjithë shquheshin si profesionistë të vërtetë dhe, si të tillë, gëzonin respektin e të gjithë bashkëqytetarëve dhe të bashkëkrahinasve.
Fisi i Sahatçinjve nderimin e gëzonte edhe për një meritë më të madhe. Duke qënë atdhetarë brez pas brezi, dera e tyre pat qëndruar përherë e hapur e sofra përherë e shtruar për luftëtarët e lirisë. Fisi Sahatçiu kishte shërbyer jetemot si strehë e sigurtë edhe për “kokat” drejtuese të kryengritësve. Njëri nga këta, i famshmi Haxhi Zeka, ka të ngjarë ta ketë lënë amanet me gojë që të prehet në oborrin e një xhamie, bash përballë dyqanit, aq të dashur për të, të Sahatçinjve.
Ndërkaq, prindërit i patën thënë shprehimisht Besimit të mitur: “Shko, bir, të mësosh në shkollë, të bëhesh sa më i dijshëm!” Kështu “shpëtoi” nga lupa e nga veglat e imta me të cilat çdo zejtar zbërthente e mbërthente “të përbrendshmet”e kohëmatësve të të gjtha përmasave e markave. Fjalën “shpëtoi” Besimi e fuste në thonjza, jo vetëm figurativisht, por edhe realisht, sepse, sikurse pat theksuar edhe në intervistën e “orëve” të mbrame, muzgore, ”çdo zeje ka vlerat e veta dhe nuk duhet përbuzur kurrsesi”. Në shkollën fillore Besimi shkëlqeu në të gjitha lëndët. Por në gjimnaz nuk ndodhi e njëjta gjë. Duke rënë në kontakt me teatrin e me muzikën e duke marrë pjesë gjallërisht, si shumë bashkëmoshatarë, në mbrëmjet e vallzimit që organizoheshin çdo javë, Besimit iu zbeh deridiku interesi për mësimet, që rroknin lëndë nga më të ndryshmet. Por çdo e keqe e ka një të mirë: afrimi me librat e sidomos me teatrin, do t’i shërbente si “oreks-hapës” për të përqafuar një herë e mirë skenën dhe ekranin. Qetësinë e vërtetë ia jepte hedhja në letër e mbresave nga leximi i gjithçkaje që lidhej me skenën: libra, artikuj, fletë-palosje, afishe etj. Thuhet se, ende fëmijë, kur nuk i pat mbushur të dhjetë vjetët, shkroi një farë tregimi a hartimi me temë: “Ata që luajnë jetën në skenë”. Deri sa e përfundoi, Besimi nuk u duk pothuajse fare në sheshet ku e kalonin kohën bashkëmoshatarët e tij. Rrinte i tërhequr dhe i heshtur, duke bluajtur parreshtur frazat që i hidhte më pas në letër.
Në intervistën për RTV 21, së cilës po vazhdojmë t’i referohemi, Besimi kujton me nostalgji ato vite kur pejanët këqyrnin me admirim cilindo aktor që ngjitej në skenë dhe e drejtonin me respekt gishtin tregues kur e hasnin në rrugë, para apo pas çdo shfaqjeje teatrore. Atëhere nuk kish televizion, ndaj skena dhe ekrani i madh ishin vërtet “të privilegjuar”. Duke e vënë theksin në këtë aspekt, Besimi shfaqte keqardhjen që, pas kaq vitesh, sallat e teatrove apo të kinemave në shumicën dërrmuese të rasteve mbeteshin të zbrazta. Njerëzit kishin nisur të parapëlqenin “gozhdimin” me orë të tëra para televizorit, i cili as për nga larg nuk është në gjendje të krijojë atmosferën e ngrohtë që ngjiz komunikimi i drejtpërdrejtë i skenës me sallën. E, pra, ekrani televiziv, shumë-shumë mund të kumtojë e të përcjellë ca jehona të vagëta e të vakta, sepse “fotografia”, në fund të fundit, mbetet një “kopje” e zbehtë e origjinalit,vinte nëdukje Besimi. Përveç kësaj, shumëkujt i pëlqente të shkonte në eskursione, të vizitonte vende të huaja. „Edhe gjëra të tilla mund të cilësohen kulturë - thoshte Besimi, „por jo kulturë e mirëfilltë, sepse kjo e fundit është shumë më e thellë për nga përmbajtja, për nga niveli e për nga përmasat”.
E, pra, Besimi e ndau mendjen që të çelte një “dritare” tjetër në fushën e traditave stërgjyshore: t’i shërbente çështjes kombëtare përmes artit. Qysh në mituri, nga goja e më të moshuarve të fisit pat dëgjuar me vëmendje, me etje të pashuar e me kërshëri për bëmat trimërore e për dramat e tragjeditë nëpër të cilat pat qënë e detyruar të kalonte Kosova martire. Tani besonte se kish ardhur çasti që, së paku një pjesë nga therroria e vetëflijimi i heronjve të kombit të vet në altarin e lirisë e të pavarësisë, u duhej bërë e njohur brezave të rinj përmes skenës dhe ekranit. Kjo do të ndikonte që ta ndjenin veten krenarë për luftrat e të parëve të lavdishëm dhe të përgatiteshin, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, për t’u dalë zot fateve të atdheut. Aq më shumë kur dihej që sërbomëdhenjtë, duke angazhuar mendjet e sëmura të Çubrilloviqëve e kompani, përhapnin teori pas teorish sikur kombi ynë gjoja nuk ishte në gjendje të ecte përpara në shkencë e në art. Na quanin “qytetarë të dorës së dytë”, që duhej të mjaftoheshim, madje t’ua dinim për nder ca të vetëquajturve regjisorë, që vinin në Kosovë nga Beogradi për t’ua “ngritur” nivelin kulturor shqiptarëve, pa e pasur aspak haberin për pasurinë shpirtërore, për traditat tona stërgjyshore dhe për mendësinë e shqiptarit. Edhe ndonjë biçim filmi që stisnin pseudokineastët e Beogradit, ishte i mbushur me konotacione e nëntekste antishqiptare. Besimi shprehej me indinjatë të thellë: “Jo vetëm ne, shqiptarët, por edhe filmat tanë kanë qënë të pushtuar nga sërbomëdhenjtë”.
Besimi pat pohuar se në Akademinë e Teatrit në Zagreb shkoi për të mësuar profesionin përkatës, për të cilin kish nevojë kultura shqiptare, pikërisht në një kohë kur shpërfillja e përbuzja ndaj vlerave tona nga ana e sërbomëdhenjve, sikurse e përmendëm më sipër, ishin të pranishme gjithkund e kurdoherë. Duke e quajtur veten me modesti të pashoqe thjesht “puntor të skenës e të ekranit”, Besimi theksonte se përpiqej të jepte ndihmesën e vet, aq sa kish mundësi.
Nëse puna e kryer nga ai gjatë katër dhjetëvjetshave, mund të cilësohet vërtet artistike, kjo varet nga “konsumatorët” e artit të tij, pra nga shikuesit e dramave e të filmave që mbajnë vulën e firmën e tij, shprehej Besimi.
Gjithsesi, viti 1972 shënonte një moment të rëndësishëm, jo vetëm në rrafsh vetjak për Besim Sahatçiun, por edhe për kulturën kombëtare, sepse kjo e fundit mori si “dhuratë” regjisorin e parë të shkolluar. Besimi erdhi në Kosovë me energji dhe plot frymëzim, duke mbartur një botëkuptim të përparuar e njohuritë më të thella të artit modern teatror e kinematografik. Ai solli freski në tematikë e në mjete shprehëse. Me po aq rëndësi ishte fakti që regjisori i ri vuri në themel të krijimtarisë së vet afirmimin e së resë progresive, të cilën e veshi me petkun kombëtar. Temat me taban kombëtar filluan të merrnin përparësi. Në këtë kontekst, Besimi tregoi kujdes të veçantë që dramat e repertorit të huaj të kumtonin mesazhe domethënës, me vlera universale, që e pasuronin kulturën, ua zgjeronin horizontin dhe ua begatonin shijet spektatorëve vendës. Të tilla ishin, bie fjala, komeditë e Molierit “Tartufi” dhe “Mizantropi”.
Njëherazi, Besim Sahatçiu nxiti e u dha zemër krijuesve të rinj duke i ngjitur me guxim në skenën e Teatrit Popullor të Prishtinës dramat e tyre. Duke vepruar në këtë mënyrë, Besim Sahatçiu jo vetëm jepte ndihmesë të vyer për afirmimin e dramaturgëve me perspektivë, por edhe shënonte progres në dramaturgji, në lartësimin e modernizimin e mjeshtërisë artistike në këtë fushë sa të ndjeshme, aq edhe delikate. Për të ilustruar sa thamë pak më sipër, po përmendim vënien me sukses në skenë prej tij të pjesëve dramatike “Genci” dhe “Nëna shkon në parajsë” të Ymer Shkrelit e “Ora” të Shaip Grabovcit.
Të gjithë ata që e kanë njohur nga afër Besimin, dëshmojnë njëzëri se zelli dhe etja e tij për punë i tejkalonin jo pak mundësitë e kufizuara që ofronin kushtet e atëhershme.
Le të bëjmë një prapakthim në periudhën kur Besimit i ishte lëkundur besimi se mund të bëhej regjisor. Shkakun e kësaj mëdyshjeje e gjejmë në moshën relativisht të madhe, “tejstudentore” të tij, që numuronte tri dekada e gjysëm. Zemra i thoshte të mos ngurronte, por ta hidhte hapin me guxim. Themi zemra, sepse mjeshtëria që ëndërronte ta bënte të vetën, nuk ishte fitimprurëse, si, bie fjala, jurisprudenca apo mjekësia, ku tashmë ishin regjistruar apo edhe i kishin përfunduar studimet mjaft shokë të rinisë së hershme të tij. Në vend të të ardhurave të majme, regjisura i lypte mund e sakrifica të vazhdueshme, përsiatje të thella, punë hulumtuese e zhbiruese, harxhim nervash e netë pa gjumë, ankthe që do të shoqëronin çdo vënie në skenë apo ekranizim, sepse nuk i dihej si do t’i priste e si do t’i përcillte ato kritika e specializuar dhe artdashësit. Ishte qysh tani i vetëdijshëm se mund të quhej vetëm e vetëm thjesht letërsi, jo dramë apo skenar, vepra që nuk arrinte të ngjitej me dinjitet në skenë apo të zinte vend si duhej në ekran.
Paraqitja në konkurs dhe sidomos dalja fitues ose jo, ishin sprova me rrezik e me pasoja të rënda, sepse një dështim i mundshëm, përveç pezmatimit e fyerjes në sedër, do të sillte vetvetiu edhe humbjen e vendit të punës.
Komisioni provues kishte në gjirin e vet personalitete të shquara të jetës teatrore kroate, si Ranko Marinkoviq, Dushan Vukotiq, Ante Babaja. Dy të parët mbaheshin si profesorë të mëdhenj, ndërsa i treti si regjisori më i shquar i Kroacisë. Ndërkaq, nga disa qindra kandidatë, do të dilnin „fatlumë” vetëm katër ose pesë syresh. Komisioni ishte tepër rigoroz dhe njihte vetëm vlerat e mirëfillta, jo mosvlerat apo antivlerat. Ç’është e vërteta, Besimi vinte aty me një bagazh të rëndësishëm njohurish nga letërsia botërore, që e kish grumbulluar dhe “përtypur” imët gjatë dy viteve të studimit në Universitetin e kryeqytetit sërb. Shekspirin, sidhe mjaft klasikë të shekullit XIX, sidomos ata rusë, i njihte me rrënjë. Për kaq i hynte në punë Beogradi, sepse, sidomos pas punimeve të Plenumit IV të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ashtu si të gjithë shqiptarët e vërtetë, as Besimi nuk donte të kthehej më atje. “Të paraqitej apo të mos paraqitej në konkurs? Kjo ishte çështja!” po ta perifrazonim Hamletin. Në ato çaste vendosi t’ia hapte zemrën profesorit Ranko Marinkoviq.
“Përderisa Branko Gavella, regjisori më i mirë i Zagrebit, i një moshe me ty, e kaloi sprovën me sukses, pse të mos ia dalësh mbanë edhe ti? Mos iu ndaj konkursit, pra!” - i dha zemër profesori, i cili, padyshim, ia njihte aftësitë dhe prirjen Besimit. Pejani i mençur ia dëgjoi fjalën dhe gjithçka i doli për hajër!
Besimi ishte përkrahës i zjarrtë i të rinjve që kishin zgjedhur “shok jete” artin skenik e kinematografik. Jo rrallë përmendte një personazh të Shekspirit, Pollonin, i cili nxirrte në pah energjitë e pashtershme dhe risitë që sillnin brezat “e njomë”, në krahasim me të moshuarit. I mbështeste edhe planet e projektet “e mëdha” të të rinjve, por nuk harronte t’i porosiste që të tregoheshin realistë, “t’i shtrinin këmbët sa e kishin jorganin”. Gjithashtu ndikonte, përmes shëmbullit vetjak, që të mos u bënin bisht të ashtuquajturave “gjini të vogla”, ku përfshihen emisionet televizive apo radiofonike, skeçet, filmat dokumentarë, koncertet folklorike e recitalet e ndryshëm. Në konkretizim të kësaj këshille, Besimi vinte në dukje se arti i vërtetë nuk i njeh recetat e as megalomaninë. Ka filma madhorë nga pikëpamja e nivelit cilësor dhe e mesazhit që kumtojnë, realizimi i të cilëve kërkon angazhimin e qindra vetëve, siç është rasti i “Titanikut”, por ka edhe filma, po kaq madhorë, që janë ekranizuar me jo më shumë se dy aktorë. Si ilustrim në këtë rast sillte krijimet e regjisorit të madh Ingvar Bergman.
Duke mos nënvlerësuar përbërësit e tjerë të filmit: muzikën, kamerën e xhirimit, regjistrimin e zërit, skenografinë apo dekorin, Besimi ishte i bindur se “arkitekti” dhe përgjegjësi kryesor në këtë punë, ashtu si edhe në skenë, ishte regjisori. Që ta meritonte këtë cilësim, regjisori duhej të pajisej me njohuri të gjithanshme, jo vetëm artistike, por edhe kulturore-shkencore. Ai nënvizonte se nuk është aspak e rastit që shumë regjisorë janë bërë të tillë, madje kanë shkëlqyer, pasi kanë kryer dy a më shumë fakultete në fusha ku nuk ia kanë dalë dot mbanë të afirmohen.
Tek i grishte kuadrot e reja të punonin me sa më shumë zell, - sepse diploma nuk e bën artistin dhe as prirja apo talenti nuk mjaftojnë po qe se nuk “ushqehen” pandërprerje me punë, me djersë e me mund, - Besimi u rekomandonte të gjithë atyre që i ishin futur rrugës sa fisnike, gjithaq edhe të mundimshme të artit teatror e kinematografik, të mbanin në tavolinë “Leksikonin” e shkrimtarëve botërorë të të gjitha kohrave. Aty, theksonte ai, do të merrnin vesh se, duke filluar nga Homeri i lashtë e duke vazhduar me Shekspirin, Markezin, Borhesin e të tjerë, të gjithë, pa përjashtim, kanë qënë të pajisur me njohuri të gjera nga të gjitha fushat. Pra, për t’u bërë mjeshtër i vërtetë në çdo profesion, conditio sine qua non është zgjerimi pandërprerje i horizontit kulturor e shkencor, ndjekja hap pas hapi e zhvillimeve të sotme, udhëzonte Besimi. E njëjta gjë, madje ca më shumë, kur shtrohej dega e regjisurës. I dhënë me mish e me shpirt pas saj, Besimi e quante këtë profesion një “alkimi”, sepse parakupton si të domosdoshëm zotërimin e një bagazhi sa më të gjerë e të larmishëm nga fusha të dijes në përgjithësi: muzika, psikologjia, filozofia, letërsia, historia etj. Sepse, shtonte Besimi, diksioni, lëvizjet dhe ecja në skenë, grimasat, mizanskenat, mund të mësohen shpejt e të shndrrohen në shprehi, njëlloj si reflekset e kushtëzuar të Pavlovit, por regjisor mund të bëhesh vetëm pas përpjekjesh të mëdha e sistematike, që vazhdojnë me vite e dekada, sa në rrafsh teorik, aq edhe në rrafsh praktik. Ai u rekomandonte të gjithëve ta studionin me laps në dorë veprën e Zhan Mitrisë “Estetika dhe psikologjia e filmit”, e cila, qysh në titull parashtronte dy përmasa të qenësishme të këtij zhanri tejet popullor, edukativ dhe shijeformues.
Besim Sahatçiu hidhte poshtë si të paqenë çdo “argument”, që sajonin individë të ndryshëm, për të përligjur përtacinë, pra edhe dështimet e tyre, të cilat e kishin zanafillën pikërisht te kjo e fundit. Duke e nuhatur qysh nga larg se tipa të tillë nuk kishin kurrgjë të përbashkët me artin e vërtetë dhe ishin futur si pyka në “kurmin” e ndjeshëm e delikat të skenës e të ekranit për qëllime përfitimi material, - sikur arti të qënkej jo një tempull i shenjtë shpirtëror, por një ndërmarrje tregtare dhe allishverishesh, - u drejtohej qortueshëm duke ua bërë të qartë se ai që ka pasion për artin e letërsinë, për kulturën e progresin, kapërcen çdolloj pengese në rrugën ku e çon puna e ndershme dhe me përkushtim. Në vijim sillte shëmbuj konkretë nga jeta e krijuesve të mëdhenj, si Servantesi, i cili, për të siguruar minimumin e mjeteve financiare që do t’ia mundësonin marrjen me shkrime artistike, nuk e kish për turp t’ua mbante kuajt pasanikëve në teatër; Dostojevski nuk e ndante lapsin nga dora për asnjë çast, pa përfillur “ankesat” e vazhdueshme e të drejta të barkut të panginjur; apo të tjerë njerëz të artit e të letrave, që kanë krijuar vepra madhore në qelitë e errta të burgjeve apo në skutat e akullta të internimeve.
Individët e lartpërmendur, që, siç e thamë, ishin futur si pyka në “kurmin” e artit, vërtet ishin të rinj fizikisht, por “të plakur” shpirtërisht e, mbi të gjitha, pa shkëndija talenti. Ca më keq akoma, ata nuk ishin aspak të vetëdijshëm se përfshirja e sforcuar e tyre në radhët e shërbyesve të pasionuar të artit, kishte rrjedhoja negative të dyfishta: së pari, i sillnin dëm e pengesa ecurisë normale të punës së kolegëve krijues dhe, së dyti, duke qënë të paaftë e të pandjeshëm ndaj mesazheve artistike, dashur pa dashur do ta ndjenin veten keq, si dhija në mes të dhenve, siç thotë fjala e urtë e popullit.
Për të mos e përgjithësuar një dukuri të tillë të papranueshme, Besimi ndalej në rastin krejt të veçantë të së bijës së Ivan Cupekut, kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë. Kjo 26-vjeçare shkëlqente në të gjitha lëndët teorike të degës së regjisurës, të cilën i kish vënë detyrë vetes ta kryente pasi kish mbaruar me sukses të madh dy fakultete të tjerë, nga të cilët njërin për matematikë. Në vitin e dytë të regjisurës, programi parashikonte etude psikologjike dhe prova skenike. Aty e apasionuara pas teorisë e pa veten ngushtë dhe nuk po dinte si t’i realizonte. Njëri nga profesorët, tek vuri re se ajo vajzë aq e zgjuar po vuante si të ishte kapur në çarg, i foli me çiltërsi: “Ti, moj bijë, mund të bëhesh gjithçka tjetër, po regjisore kurrsesi jo!”. Vajza, jo vetëm nuk ia mori për keq, por edhe e falenderoi për çka i tha profesori. Më pas, ajo u shqua si kritike e mprehtë e artit kinematografik.
Në vijim të kësaj ideje, Besimi nuk ngurronte të qortonte me guxim e me qëllim të mirë, përpjekjet e dëshpëruara të disa kolegëve të vet, në fusha të ndryshme të artit, që t’ua linin si trashëgim stafetën pinjollëve të tyre, duke i nxitur dhe “pompuar” të bëheshin medoemos, me hir a me pahir, kompozitorë, aktorë, piktorë, skulptorë e kështu me radhë. Kjo, në shumicën e rasteve, ishte krejt e pamundur dhe ilogjike. Ndërkaq, secili syresh mund të bëhej mjek, inxhinier, historian, mësues gjuhe apo gjeografie i talentuar.
Besimi kërkonte me ngulm nga aktorët që, përpjekjet e tyre të synonin përshtatjen ndaj larmisë së gjerë stilistike. Thënë ndryshe, të bëheshin njëlloj të aftë për të interpretuar role lirikë, role epikë, role karakteri apo edhe role me nuanca satirike. Edhe zëri, përmes vokalizave dhe ushtrimeve të posaçme e të vazhdueshme, duhej “të thyhej”, të përpunohej, të modelohej, për t’iu përshtatur sa më mirë personazhit përkatës. Në këtë kontekst, tingulli zanor dhe lëvizjet skenike lipsej të “saldoheshin” në një të tërë artistike „të pacoptueshme”. Vetëm duke u kushtuar rëndësinë e duhur të gjithë elementëve të mësipërm, por edhe të tjerëve të kësaj natyre, pra “zhvillimit të shumanshëm të të gjitha burimeve”, mund t’u ofroheshin spektatorëve vepra skenike apo të ekranizuara, që çapiteshin në një hap me kërkesat e kohës.
Kur të dilnin nga salla, të pranishmit duhej të kishin tashmë të ngulitur në kujtesë dhe në vetëdijë thelbin e veprës, por edhe individualitetin e çdo personazhi. „Mbresat nuk kanë të bëjnë medoemos me përmasat e rolit, ngaqë bëhet fjalë që cilido aktor të jetë në gjendje, në vetëm disa çaste, të krijojë një imazh aq mprehtësisht të ngjizur, aq thelbësisht të përcaktuar për mendjen dhe shpirtin, saqë më tej të “mos na ndahet” për vite me radhë nga kujtesa” saktësonte Besimi.
Ndonjëherë, për shkak të paaftësisë për ta „zhbiruar” botën e brendshme të tjetrit, nuk kuptojmë kurrgjë nga drama e një qenieje, e cila, sidoqë mund të na jetë mjaft e afërt, nuk dimë të shtrijmë një „urë” komunikuese drejt saj. „Kalojmë pranë një njeriu dhe nuk nuhatim që shpirti i tij është një shtëpi e djegur” ka shkruar Aleksei Tolstoi. Do të ish dashur ta bëjmë këdo të na i hapë zemrën si lulja nën diell.
Frojdi u përpoq të zhbironte thellësitë e shpirtrave përmes pyetjesh, në dukje të parëndësishme, të pakuptimta, duke kapërcyer, me durim, „rezistencën” e brendshme të njeriut. Për t’ia dalë mbanë deridiku, - sepse njohja mbetet empirike, pa mundur ta reflektojmë mendimin e tjetrit si në një pasqyrë, - nevojitet talent.
Sipas Besimit, regjisori duhet “të rropatet” sikur të qenkej një Sizif, por një Sizif, i cili, në rraskapitje e sipër, ndërgjegjësohet se vdekja është e pashmangshme. Në rrethana të tilla, edhe vetëmundimi i tij është i kufizuar. Gjithsesi, duhet ta shpërfillë vdekjen, në emër të krijimit të veprave për kohë në të cilat nuk ka për të jetuar më, për brezat që vijnë. Duhet që të ketë forcën të qeshë, edhe atëhere kur do të duhej të qante. Nuk ka rrugë tjetër! Sepse njeriu është e vetmja qenie, ndër trajtat e forcat e gjithësisë, - qofshin pjesëza tejet të imta, qofshin galaktika të stërmëdha apo energji të pamata e të pashtershme, qofshin atome, bimë, kafshë, - e cila e di që ka për të vdekur, e vetmja që zotëron dhuntinë e së qeshurës, e vetmja që, duke perceptuar kohën e hapësirën, krijon iluzione dhe shpresa. Natyrisht, njeriu është edhe i dobët - i vetmi frymor që ka nevojë për veshmbathje, por edhe i paarritshëm përderisa është i vetmi që ka arritur në Hënë. “Por, sidoqë synon ta përsosë trurin, nuk dimë ç’synime ka shpirti i tij. E themi këtë se jo rrallë vepron si kriminel, robëron të tjerët. Mbase ka për të ardhur dita kur do t’i vijë turp nga vetja që, për t’u ushqyer, ka asgjësuar qenie të tjera të gjalla, në vend që të “shpikte” të tjera burime jetese. Urojmë që atëhere do të mirësohet shpirtërisht dhe do të aftësohet për ta kuptuar më mirë botën” përsiatte Besimi.
Sidoqoftë, dihet se, ashtu si Odiseu, që përshkruan Kazanxaqis, vjen çasti që “u lemë shëndenë” të pesë shqisave: pamjes, dëgjimit, shijës, nuhatjes e prekjes, duke i falenderuar për shërbimin që na kanë bërë gjatë jetës. Odiseu hap krahët, lëshon një klithmë, i grish gjithë të dashurit, - të afërm, miq e shokë, të gjallë apo të vdekur, - i hip në anijen e vet dhe, me zë prej ngadhnjyesi, jep sinjalin e nisjes për udhë: “Ngrini velat, të shkojmë para se të na kapë era e vdekjes!” Përmes Odiseut, edhe Sizifi orvatet t’i bëjë bisht erës së vdekjes.

* * *

Punësimi në Televizionin e Prishtinës qysh me themelimin e këtij institucioni, në fillimvitin 1974, i çeli Besim Sahatçiut hapësira të reja për veprimtari më të gjerë e më të frytshme në lëmin e filmit, ku, sikurse e zumë në gojë më lart, kineastët sërbë nga Beogradi ishin futur si mish i huaj në mjediset kulturore shqiptare me ndonjë ekranizim që do të kujtohet më shumë për keq, se sa për mirë. Duke e përjetuar përsëthelli rëndësinë që ka puna e regjisorit në kinematografi, Besim Sahatçiu vazhdonte të mbante fort parasysh se: “Në film regjisori është në sprovë më të madhe, ka fort më shumë konsumues e vlerësues dhe ballafaqimi me ta është ngacmim dhe përgjegjësi e madhe” (Revista “Ekskluzive”, nr. 24, Prishtinë, maj 2002, f.115).
Edhe gjatë periudhës që punoi në Televizion, Besimi nuk i shkëputi lidhjet me teatrot. Gjithsesi, krijimtaria në fushën e kinematografisë përbën shtyllën kurrizore ku shpaloset më fort e plotësisht pasioni dhe talenti i Besim Sahatçiut. Kjo është arsyeja që vetë Besimi e ka quajtur filmin “krijimtarinë e vet më të mirëfilltë e normalisht edhe më jetëgjatë” (Revista “Ekskluzive”, nr.24, Prishtinë, maj 2002, f.115). Lidhur me këtë, deri në çastet e mbrame të jetës, Besimi pati një merak të madh: nuk ndjehej i sigurtë nëse, në rrethanat e luftës e të pasluftës, janë ruajtur apo jo filmat e tij. I vetëdijshëm për situatat e ndërlikuara nëpër të cilat kalonte jeta në përgjithësi dhe ajo artistike në veçanti, në Kosovë, ai e vinte theksin në ruajtjen e veprave me bindjen se ato, sikurse e përsëriste shpesh, - “shpresoj se … do të na mbrojnë” (po aty).



Veprat e Besim Sahatçiut, për skenën dhe ekranin

Besimi gjatë punës
Besim Sahatçiu ka realizuar filmat artistikë për ekranin e madh “Era dhe lisi” (1978), “Përroi vërshues” (1983), me muzikë të Akil Kocit, filmat për ekranin e vogël “Trimi” (1976), pò me muzikë të Akil Kocit, “Pasqyra” (1977) dhe “Tre vetë kapërcejnë malin” (1980).
“Era dhe lisi” duhet veçuar nga të gjitha ekranizimet e tjera si vepra me vlera më të spikatura, si për nga tema që shtjellon, ashtu edhe për nga niveli artistik e profesional. Ajo mban vulën e metodës dhe të stilit të tij krijues, modern e të zhdërvjelltë.
“Era dhe lisi” ndërtohet mbi një subjekt kompleks e të ndërlikuar, që mbart një fabul që nuk ishte trajtuar më parë në ekran në mënyrë aq origjinale. Boshtin e filmit e përbëjnë jeta dhe fati i shqiptarëve në vitet e rënda e plot privacione 1946-1966. Në sfondin e ngjarjeve të zymta të atyre dy dhjetëvjetshave, nxin si pus i errët aparati policor i Aleksandër Rankoviqit, i cili u përmbys nga Plenumi i Brioneve, i mbajtur në qershor 1966.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve Skënder Blakaj e Jusuf Buxhovi (Revista “Ekskluzive”, cit.), lidhur me lindjen e projektit të filmit “Era dhe lisi”, Besim Sahatçiu, me guxim të rrallë, me vizion të qartë, me atdhedashuri të flaktë, me përkushtim të thellë ndaj kombit e me nuhatje prej takticieni të hollë, ve në dukje: “Eshtë aq e njohur që dhuna serbomadhe mbi shqiptarët, edhe përmes politikës e institucioneve shtetërore jugosllave, me zbutje të vogla në periudha të caktuara, vijonte e ushtrohej pandalë. Në Plenumin e Brioneve, më 1966, edhe për arsye të luftës së brendshme, u fajësua dhe u shkarkua kryepolici i Jugosllavisë Rankoviq dhe, aty-këtu, ndonjë fajtor jo aq i madh. Një strategji e tërë antishqiptare u përpoq të mjegullohej e të shpëlahej me shpunësimin e kryepolicit. Për serinë e për filmin që realizuam, kishte rëndësi që autori i romanit, Sinan Hasani, ishte zyrtar i lartë shtetëror dhe ne e përdorëm këtë që t’i trajtojmë pak më ashpër egërsitë e aparatit policor jugosllav ndaj shqiptarëve, që asokohe u cilësuan butë si ‘deformime’. Filmi e seria u pranuan fort mirë. Edhe pasqyrohej artistikisht një realitet, edhe, në një farë mënyre, krijues e shikues të ‘Era dhe lisit’, e shfrynin mllefin e brendshëm dhe e derdhnin helmin disi kundër atyre ‘deformimeve’, siç i quanin. Më duhet të them që është sodisfaksion i madh për krijuesin kur qëllon damarin e preokupimeve, të ndjenjave e të vlimeve shpirtërore të kolektivitetit të vet”.
Sikurse edhe pritej, zëdhënësit e ngjirur të politikës shoviniste sërbe në truallin e kulturës, nuk mund të rrinin gojëkyçur ndaj një realizimi artistik kaq të suksesshëm. Tellalli i Beogradit Miodrag Bullatoviq, - autori i librit antishqiptar “Njerëzit me katër gishta”, - i njohur për sajim skandalesh, iu kundërvu në Zagreb, në prani të rreth katërqind gazetarëve vendës e të huaj, me ashpërsi të papërmbajtshme jo vetëm filmit, por edhe regjisorit të tij, Besim Sahatçiut, duke përdorur pa kursim krejt arsenalin e fjalëve fyese kundër shqiptarëve dhe kulturës së tyre. Meqënëse “Era dhe lisi” u nderua me çmimin më të lartë, Bullatoviqi u xhindos ngaqë arti kinematografik shqiptar i la në baltë sajesat e ekranizuara të beogradasve. Polemika vazhdoi fort gjatë dhe, gjithçka u tha gjatë zhvillimit të saj, u botua në trajtë libri. Ndërkohë, shkrimtari i mirënjohur hungarez nga Vojvodina, Danillo Kish, në librin e vet “Libri i anatomisë” ia nxori edhe një herë të palarat politikës kulturore fashisto-shoviniste sërbomadhe, përmes demaskimit të zëdhënësit të saj Miodrag Bullatoviq.
Kompleksiteti i thurrjes së subjektit të filmit “Era dhe lisi” lypte edhe një lojë aktoreske të nivelit më të lartë. Një interpretues i kalibrit të tillë, në rolin kryesor, ishte Abdurrahman Shala, i cili, më 1979, në Festivalin e Pulës, në Kroaci, meritoi “Arenën e argjendtë”, ndërsa Petrit Imami “Arenën e artë” për skenarin e këtij filmi. Në role të tjerë u shquan jo më pak aktorët e talentuar Istref Begolli, Melihate Ajeti, Shani Pallaska, Hazir Myftari, Xhevat Qena dhe Xhevat Qorraj.
“Era dhe lisi” e “Përroi vërshues” u shfaqën edhe si filma televizivë serialë. “Era dhe lisi” u ndërtua me gjashtë episode njëorëshe dhe korri sukses të jashtëzakonshëm. Si rrjedhojë, regjisori Besim Sahatçiu u nderua me “Shpërblimin e dhjetorit”, pra me çmimin më të lartë të Kosovës. Për lojën elegante në filmin tjetër të Besim Sahatçiut, “Pasqyra”, aktori Shani Pallaska fitoi Çmimin e parë në Festivalin e Portorozhit. I njëjti nderim iu rezervua edhe filmit “Tre vetë kapërcejnë malin”, sipas tregimit me të njëjtin titull të shkrimtarit të mirënjohur Naum Prifti dhe skenar të Skënder Blakajt. Ky ishte i pari film artistik, që e merrte temën nga një autor i Shqipërisë.
Me kthjelltësinë e largpamësinë që e mirëdallonin, përmes ekranizimit të tregimit të një krijuesi që vinte nga dheu mëmë, Besimi po i sillte shërbim të vyer fuqizimit të lidhjeve shpirtërore midis dy pjesëve të mëmëdheut - të Përtej e të Përkëtej Drinit.
Megjithë vlerat e mëdha që kishte, si në përmbajtje, ashtu edhe në formë, mjerisht filmi mbeti dy vjet rresht në sirtaret e kyçur të Arkivit të Televizionit të Prishtinës, ngaqë realizimi i tij përkoi me demonstratat e vitit 1981, që u përgjakën nga regjimi shovinist sërbomadh. Duke iu referuar bllokimit të filmit në fjalë, Besim Sahatçiu do të shkonte edhe më tej, kur shprehej me dhembje të thellë: “Më vjen keq që ky i fundit lere që nuk mori pjesë në asnjë festival, por as që u shfaq si duhet, sepse u embargua plot 20 vjet nga ata që vërtet i dëmtuan kinematografinë dhe televizionin kosovar” (po aty, p.116).
Jashtë sferës së interesit të Besim Sahatçiut nuk mbetën as filmat dokumetarë. Ndër këta vlen të përmenden: “Bukë e kripë e zemër” (1975), “Pehlivanët” e “117”. Ky i fundit, në Festivalin e Beogradit, më 1978, u nderua me çmimin kryesor (Grand Prix).
Le të hapim një parantezë për historikun e kësaj vepre të ekranit të madh.
Pas një pune të gjatë e të kujdesshme hulumtuese në trevat shqiptare në fundvitet ’70 të shekullit të kaluar, Besim Sahatçiu u ndal në komunën e Gjakovës. Aty, “sonda” e tij depërtoi në brendësi të kullës së Nevokazit, jo vetëm në ngrehinën e gurtë, por sidomos në shpirtin e saj, që e përbënin dhe e përfaqësonin 117 vetë. Harmonia shëmbullore, respektimi i çiltër i të parit të familjes, - kjo e fundit përfaqësonte, si të thuash, një fis, një bashkësi, një shoqëri tradicionale në miniaturë, - gjenin mishërim e konkretizim në zbatimin me seriozitet e me përpikmëri të të gjitha porosive dhe urdhërave të tij. Por edhe “personi numur një” nuk e shpërdoronte besimin që i ishte dhënë, jo vetëm me “akt trashëgimie” nga të parët e vet, por edhe nga pinjollët e të gjitha moshave, që ndanin të njëjtën hapësirë e të njëjtin kulm me të. Ai dëgjonte me vëmendje zërin e çdo pjesëtari të familjes, - i mitur apo i rritur, mashkull apo femër, - siç i ka hije çdo prijësi të një Ode Burrash.
Filmin “117”, Besim Sahatçiu e ka cilësuar “portret shpirtëror i popullit tonë”. Kritika e specializuar nuk ka heshtur, madje, ashtu si filmave të tjerë të Besim Sahatçiut, edhe këtij filmi i ka kushtuar vëmendje të merituar. Ja disa ilustrime: “Për artin e filmit në Kosovë, filmi ‚117’ është një moment kthese, sepse me anë të tij, më në fund, vendosen kriteret artistike serioze, dhe diletantizmit e joprofesionalizmit u jepet grusht” (Petrit Imami, “Fjala”, 15.IV.1978); “Me fuqinë e dokumentit filmik, kjo vepër kritike dhe e angazhuar e Besim Sahatçiut ka gjuhë të pastër, të thjeshtë dhe sugjestive të filmit… Harmonia e të gjitha komponenteve krijuese, këtë film e radhit ndër krijimet më të spikatura të prodhimtarisë së sivjetme jugosllave në lëmin e filmit dokumentar” (Dushan Vukotiq, regjisor kroat, i shpërblyer me çmimin “Oskar” në vitet ’70); “Besim Sahatçiu e ka punuar serinë e vet ‘Era dhe lisi” me dinjitetin e intelektualit dhe me ndershmërinë e artistit autentik” (Ranko Marinkoviq, akademik kroat, riprodhuar sipas revistës “Ekskluzive”, cit., f.117); “Besim Sahatçiu, i ngërthyer me këtë projekt të madh (‘Era dhe lisi’, sh.y.), duke pasur para vetes edhe rrezikun, sepse përgjegjësia e madhe që i është dhënë, ta vizualizojë një projekt të tillë, nuk ishte punë e vogël dhe e papërgjegjësi, arriti ta realizonte atë që kemi synuar të gjithë” (Beqir Musliu, “Rilindja”, 20.III.1981); “Edhe pse romani kishte mjaft mungesa artistike (është fjala për romanin që shërbeu si “lëndë e parë” për skenarin, sh.y.), falë punës së përkushtuar të regjisorit, episodet e serialit u pritën mirë nga publiku që donte botë shqiptare, personazhe që flisnin po atë gjuhë e kishin të njëjtat përjetime. Edhe sot shfaqen mendime se ky serial filmik, që hodhi bazat e serialit televiziv, ende nuk është tejkaluar” (Rafaela Prifti, Besim Sahatçiu - i prirur drejt klasikes dhe kombëtares, “Illyria”, Nju Jork, 2005).
Për hir të së vërtetës, vetë Besim Sahatçiu ka pohuar se “Era dhe lisi“ u mirëprit, sidomos nga opinioni i jashtëm. Duhet thënë se, pasi mori mirënjohje të larta, filmi në Kosovë nisi të vlerësohej si duhet” (Revista “Ekskluzive”, cit., po aty).
Duke bërë fjalë për karakterin specifik të filmit dokumentar, Besim Sahatçiu ka theksuar: “Trajtimi i dokumentit në mënyrë artistike paraqet një provokim dhe kjo më ka joshur ngaherë” (Revista “Ekskluzive”, cit., f.116).

Besimi, skena dhe ekrani (i madh)

Pllakati 117
Besimi shprehej shpesh se kurrgjë nuk i pëlqente më shumë se sa një film i mirë. Me „film të mirë” nuk kishte parasysh një radhitje të rëndomtë skenash pa nënshtresë psikologjike, vetëm si diçka zbavitëse, argëtuese. Në kontratën e lidhur ndërmjet autorit të skenarit dhe entit kinematografik përkatës, përfshihet një pikë që i lejon regjisorit të bëjë çdo ndryshim që e sheh të arsyeshëm. Por kjo, sipas mendimit të Besimit, nuk duhej ta shtynte regjisorin t’i jepte krahë fantazisë pa fre, „të fluturonte me presh”, sepse, gjithnjë sipas tij, „asgjë nuk e nervozon më shumë autorin e skenarit se sa kur e sheh të shfytyruar, të gjymtuar” atë që ka hedhur në letër me mund e përkushtim.
Duke bërë fjalë për vështirësitë e ekranizimit të një filmi, Besimi vinte në dukje se kur krijuesi letrar shkruan një novelë, krijon karaktere, atëhere edhe ndodhitë rrjedhin prej tyre dhe janë në varësi të tyre. Ndërsa filmi është e anasjellta e kësaj ecurie, pra: „sajon një sërë ndodhish, ngjarjesh, të cilave personazhet duhet t’u përshtaten”.
Sa për skenaristin, Besimi shprehej me bindje se ky duhet të mbajë fort parasysh para së gjithash se kur shkruan për filmin, nuk duhet ta mërzitësh publikun. Aksioni lipset të jetë i ngjizur mirë, në mënyrë që të mos zbehet për asnjë çast. Në një novelë a roman mund të të lejohet të paraqitësh disa pasazhe mediokër, madje edhe pa kurrfarë vlere, ama aksioni në ekran duhet të jetë parreshtur interesant.
Besimi kishte një këndvështrim tejet origjinal në lidhje me happy-end-in. Për korrjen e suksesit praninë e happy-end-it ai nuk e quante diçka „absolutisht të nevojshme”. Si argument në këtë aspekt sillte filmimin e një numuri të madh rrëfimesh të famshme, „fundi tragjik i të cilave nuk ka ndikuar aspak për keq mbi vlerat e tyre”.
Në plan të parë Besimi nxirrte filmat e xhiruar sipas romanesh të mirënjohur ose tepër të shitshëm në librari, që, zakonisht, merren me jetëshkrimin e ndonjë personaliteti të shquar apo heroi popullor. Në kategorinë e dytë vendoste prodhime më pak „të bujshme”, por që kërkojnë angazhimin e të paktën dy-tre vedetave.
Sikurse kanë dëshmuar mjaft bashkëpuntorë të afërt të Besimit, si: Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Ibrahim Rugova, Esat Mekuli, Gazmend Zajmi,Vehap Shita, Rifat Kukaj, Rexho Mulliqi, Akil Koci, Avni Spahiu, Naum Prifti, Hazir Myftari, Eqrem Basha, Arbër Xhaferi, Istref Begolli, Faruk Begolli, Ragip Loxha, Nyredin Loxha, Fehmi Agani, Enver Petrovci, Smalj Smaka e shumë te tjerë, ai, tek vihej në kërkim të rezultateve sa më të kënaqshme, i jepte rëndësi vendimmarrjes së shpejtë e të drejtë, por edhe aftësisë për ta ndryshuar mendimin, në momentin e duhur, në pajtim me rrethanat përkatëse. Besimi theksonte se regjisori lipset të jetë i vëmendshëm ndaj ndryshimeve e luhatjeve të modës; mundësisht t’i mësojë këto para se publiku ta ketë nuhatur një gjë të tillë. Kjo binte menjëherë në sy kur, bie fjala, një tip i caktuar filmi, i prodhuar me seri nuk honepsej më nga spektatorët e moshave dhe niveleve të ndryshme. Në këtë kuadër Besimi përmendte faktin se një film që do të ishte dashur të fillonte të xhirohej pas dy ditësh, të themi, mund të ndërpritej papritmas nga sëmurja e një aktori kryesor apo e vetë regjisorit, sidhe nga konstatimi, qoftë edhe në momentet e fundit, që skenari çalon e, si i tillë, nuk është më i përshtatshëm. „Pra, regjisori asnjëherë nuk duhet të bjerë pre e rastësive” vinte në dukje Besimi. Dhe vërtet: regjisori i filmit është jo vetëm përgjegjësi, por edhe krijuesi kryesor i tij. Cilësia e regjisorit në rolin e udhëheqësit të krejt procesit krijues i mundëson atij të ngarkojë bashkëpuntorët me detyra specifike: operatorët, skenografët, kompozitorët, aktorët, ekipin teknik etj. Regjisori bashkërendon veprimtarinë e të gjithë të mësipërmve për të përmbushur pikësynimin artistik qysh në fazën e konceptimit të veprës që do të ekranizohet apo inskenohet. Këto janë arsyet që regjisori është i pranishëm në të gjitha momentet e rëndësishme të përgatitjes së filmit, në hartimin e platformës regjisoriale, në përcaktimin e roleve, në miratimin e skicave të dekoreve e të kostumeve, në udhëzimin e aktorëve para e gjatë filmimit, në drejtimin e krejt procesit të filmimit, në kryerjen e montazhit të filmit, në përcaktimin e kolonës zanore dhe në përcaktimin e formës përfundimtare të filmit...
Në rastin e filmit, regjisori është personi që siguron unitetin konceptual të realizimit të veprës kinematografike. Theksojmë se, në fund të fundit, ky unitet konceptual artistik do s’do ndikohet nga konceptet ideologjike të vetë regjisorit, por edhe të sistemit politik-shoqëror në të cilin jeton.
Regjisori administron veprimtarinë “prodhuese” të krijimit të filmit, të programeve radiotelevizive dhe teatrore, qofshin këto skenike apo radiofonike dhe televizive. Mbi këtë bazë, regjisorët klasifikohen në regjisorë filmash, të televizionit, të radios e të teatrit. Të tjerë akoma janë të specializuar për spektakle muzikore, për dublim zëri etj. Veprimtaria e regjisorit mbështetet në skenarë të përgatitur qysh më parë sipas veprash letrare apo sipas subjektesh të tjerë, në të cilat merr pjesë jo rrallë edhe regjisori, i cili, fill paskëtaj, i përshtat për film apo për pjesë teatrore. Me fjalë të tjera, regjisori i filmit drejton filmimet. Regjisori i teatrit udhëheq provat dhe shfaqjet e pjesëve teatrore. Regjisori i televizionit apo i radios bashkërendon filmimet dhe transmetimin e programeve të një stacioni televiziv apo radiofonik në pajtim me specifikën përkatëse, bashkërendon përfshirjen në program të reklamave tregtare, që transmetohen në intervalet midis programeve të mirëfilltë dhe bën ndryshimet e nevojshme në to. Regjisori i dublimit bashkërendon dublimin e filmave të huaj, të serialeve televizivë, të programeve dokumentare dhe të programeve të tjerë, duke vënë në punë aktorë vendës; përzgjedh muzikën dhe efektet zanore, sidhe bashkërendon të gjithë përbërësit e dublimit. Disa nga veprimtaritë e xhirimit të filmit, të provave të teatrit apo të emisioneve radiotelevizive mund të kryhen edhe nga zëvendësi i regjisorit.
Përderisa regjisori është numuri 1 i realizimit të spektaklit në ekran apo në skenë, “është e natyrshme që kritikat për dobësinë e saj e për lojën e pakënaqshme të aktorëve, të bien mbi të” shprehej Besimi. Po sipas tij, regjisori duhet të bëjë çmos që, në ndarjen e roleve të pleksë tek çdo aktor temperamentin me pamjen fizike, me inteligjencën skenike të tij, çka duhet të shkrihet sa më mirë me të tërën, duke krijuar një trupë homogjene.
Duke hyrë në shpirtin e një vepre kinematografike, Besimi vinte në dukje se koha e “vret” dhe e “ringjall” aksionin e filmit. Aty, shtonte më pas, gjithçka zhvillohet në kohë dhe në hapësirë dhe, gjithçka duhet ndjekur hap pas hapi, që nga etapat e rrëfimit e deri në lojën e aktorëve. “Lënda e parë” e tyre janë gjestet, theksat logjikë e artistikë në ligjërim, përjetimi i rolit deri në “ndërprerje” frymëmarrjeje, përmes pezullish... Jeta e njeriut mund të rrëfehet edhe me katër rreshta, në pesë a gjashtë sekonda: jam lindur në qytetin a fshatin x, në vitin y, u martova në moshën z, kam dy fëmijë... Ama filmin nuk mund ta tregosh kaq shpejt. Jo vetëm që, zakonisht, zgjat rreth dy orë, por ngërthen gjithato probleme e personazhe, situata e të papritura...
Kur i kërkuan një herë t’u jepte “falas” një leksion se si përgatitet një skenar filmi, u përgjigj me humor: “Janë gjithsej nja tre rregulla. Por nuk jua them ngaqë m’i kërkuat falas. Megjithatë njërën po jua dhuroj: kur dy personazhe dialogojnë, nuk mjafton që vetëm njëri prej tyre të shprehet qartë dhe bukur”.
Kur, në një rast tjetër, dikush donte të dinte se çfarë kish në ato çaste në kokë Besimi, ky ia ktheu: “Po përpiqesh të më zbulosh të fshehtat? Përse nuk më pyet çfarë mbaj në xhepa apo në kasafortë?” Të gjitha këto Besimi ua thosh edhe bashkëpuntorëve me një ton miqësor, duke i këqyrur e trajtuar si kolegë e partnerë. Këtë e bënte jo vetëm ngaqë shquhej për modesti të rrallë, por edhe për t’i aftësuar që t’u dIlnin për zot të gjitha hallkave të punës, madje, po qe se do të ndodhte ndonjëherë, të vepronin me kompetencë edhe në mungesë të atij vetë.
Shpeshherë, pas pune, Besimi i tërhiqte kolegët e bashkëpuntorët e vet edhe në biseda të lira, “jashtë teme”. Ndër të tjera, mendonte se dëshirat e njerëzve jo rrallë katandiseshin në diçka të pasaktë dhe konfuze, ashtu sikurse edhe vetë shoqëria.
Sidomos kur vërente me keqardhje se rrallëkujt i shkonte në mendje të bëhej më bujar, më i dashur, më i afrueshëm. “Sidoqoftë, ajo çka më shqetëson dhe që ia kam vënë detyrë vetes është të jem përherë i kthjelltë mendërisht, të mos bëj marrëzira” shtonte pastaj.
Kur vinte fjala për librat, nuk bënte dallime mes tyre, nuk i ndante në “të mirë” e “të këqinj”. “Nganjëherë, thoshte, leximi që u bëj librave më duket më i rëndësishëm se sa mënyra në të cilën janë shkruar ato. Ndihem krenar për të gjitha librat që kam shfletuar apo nënvizuar. Rrallë lexoj për kënaqësi, sidoqë nuk njoh kënaqësi më të madhe se sa leximi”.
Pranonte t’ia lexonin fatin në pëllëmbë të dorës ose në kafe, jo thjesht për kurreshtje, apo sa për të kaluar kohën, por me qëllim që të njihte botën e kësaj kategorie njerëzish, - zakonisht jevga, - dhe të krijonte një ide se deri ku mund të arrinte fantazia e tyre e çartur, e pleksur fort me gënjeshtrën, gjithnjë në emër të fitimit të ca të hollave.
Kur e pyetën se si mund ta kishte të ardhmen ai vetë, por edhe bota, u përgjigj me modesti: ”Më vjen keq, por nuk kam haber fare për parashikime. Megjithse regjisori duhet të jetë profet dhe gjeneral, diplomat dhe arbitër. Ai duhet të shohë larg, të ketë durimin e një shënjtori dhe grushtin e një kampioni boksi”.
Shpërthimet spontane të Besimit kanë qenë rrjedhojë e një zelli drobitës në punë, e një rraskapitjeje fizike dhe shpirtërore, gjë që e shtynte ta këqyrte me shqetësim të ardhmen në të cilën, ndoshta, “nuk do të kem më vullnetin e tanishëm, pa mundur të çoj deri në fund gjithçka që kam filluar”.
Besimi lidhej me njerëzit më lehtë se sa mund të ndahej prej tyre. I pranonte pa ngurrim e pa kryeneçësi mendimet e të tjerëve, por hiqte dorë me vështirësi nga mendimet e veta. Ishte i pajisur me një kujtesë thuajse kryekëput afektive. Nga ana tjetër nuk mund të mësonte përveçse ato që i pëlqenin, ndërkohë që harronte me zor gjithçka që nuk e kish për zemër. Dëshmi për këtë ishin moria e vargjeve artistikisht të dobët, që vazhdonte t’i dinte përmendësh!
Besimi kish bindjen se krejt “arti” i krijimit të një filmi konsiston në përzgjedhjen e subjektit të tij. Burimet e skenarit janë të ndryshme e gjithaq të shumta. Puna e parë që duhet kryer është përshtatja e skenarit “brut” për t’u shndrruar në një skenar “filmik”, i dialoguar. Që batutat të mishërohen në imazhe të kapshme nga të gjithë dhe të kumtojnë tonet dhe shpirtin e filmit. Thoshte dendur se në fazën fillestare skenari i dialoguar zakonisht është tepër i gjatë, pra duhet “krehur” ose “qethur”, gjithnjë me kujdes. Ndarja e roleve ka rëndësi të veçantë. Pasi të ketë studiuar e zbërthyer deri në imtësi skenarin, regjisori bëhet i vetmi specialist, që njeh secilin personazh, nga kryesorët deri te figurantët. Në mendjen e tij këta personazhe janë tashmë “të gjallë” dhe, si të tillë, e ndihmojnë të zgjedhë aktorët përkatës. Ca më shumë: sipas Besimit, aktori duhej të njësohej edhe “trupërisht” me heroin që interpretonte, të cilit duhej t’i “huazonte” sa më shumë gjëra nga jeta e vet, duke përndjerë luhatjet e çdo replike, e çdo batute, bërthamën e çdo situate - me rrjedhojat përkatëse në rrafshin e shprehshmërisë skenike, falë një nuhatjeje të veçantë, të pangatërrueshme. Për këtë arsye batutat e lëshuara nga aktorët do të kenë një autenticitet që, përmes udhës së artit, na e pasurojnë përvojën e jetës; ato janë të ndërtuara me atë që mund ta emërtonim “sharm” vetjak i artistit që kumton doza të caktuara ndjeshmërie me frytshmëri që mund të provohet, pa më të voglin dyshim, nga çdo ndjekës i spektaklit përkatës. Besimi porosiste se, para se të ngjitet në skenë, aktori duhet të jetë bërë njësh me “shpirtin” e tekstit. Që të mbërrihet deri këtu, duhet zgjeruar horizonti kulturor dhe duhen përkryer mjetet profesionale. Natyrisht, në radhë të parë dhe para së gjithash duhet ta njohë me themel, deri në nuanca, veprën e inskenuar apo të ekranizuar; të ketë menduar dhe eksperimentuar variante të ndryshme, krejt gamën e intonacioneve, domethënien e “linjave të forcës” të çdo fjalie, ngjyrën e çdo rrokjeje; të ketë dozuar intensitetin e thekseve ekspresivë dhe logjikë. Emocioni i freskët dhe vibrimi i mishërimit të çdo personazhi të ri janë veçorizuese për një artist që e përjeton rolin gjithnjë si herën e parë që ka dalë në skenë, pa u prekur nga “sëmundja” e rutinës dhe e mërzisë. Zëri kumbues e i fuqishëm, timbri veçorizues, i pangatërrueshëm me të tjerët e me rezonanca të shumëfishta, loja me forcë emocionale, dramatizmi i aktorit, që duhet të ta “ndërpresë” frymëmarrjen, pleksja e natyrshme e talentit me mjeshtërinë profesionale, janë të domosdoshme që aktori të gëzojë nderimin e dashamirësve të artit, qofshin thjesht amatorë, apo njohës të thellë të tij. „Falë lojës me nivel të lartë të aktorëve, vlerat e veprave të autorëve shqiptarë shkojnë larg, duke kaptuar kufijtë kombëtarë” nënvizonte Besimi. Nga ana tjetër, ai vinte në dukje se „jeta, karriera, arti i një aktori, në tërësinë e tyre, pasqyrohen në vetëdijën e publikut. Brezat e spektatorëve të dramës e të filmit rriten në mënyrë të vazhdueshme dhe kompaktësohen”. Në vijim theksonte: „Por ndodh edhe diçka tjetër, që nuk mund të cilësohet paradoksale. Forca tërheqëse e skenës dhe e ekranit, natyrisht falë talentit të aktorëve, nuk është veçse një “mjegull artificiale”. Vetëm nëqoftëse “shërbimi meteorologjik” i studios së provave pranon ta davaritë për një çast, mund të jemi në gjendje të tregojmë se cilat do të ishin kushtet që do të duhej t’i përmbushte një aktor, në përpjekje për të krijuar bindje për dy gjëra: në radhë të parë që, në studio aktorët nuk janë veçse disa punonjës të thjeshtë dhe, së dyti që ata bëjnë çmos që të kryejnë diçka që do t’u pëlqente artdashësve”.
Zgjedhjen e subjektit Besimi e cilësonte si diçka tejet e rëndësishme: „Pa një skenar të mirë, janë fare të paktë aktorët që mund të ngjiten në majat e suksesit. Rrallëherë ndonjë kritik arti merr mundimin të gjejë një interpretues të mirë në një film apo dramë të dobët. Pjesa dërrmuese e publikut nuk kërkon gjë tjetër përveçse të argëtohet dhe fuqia zbavitëse e një skenari nuk mbështetet asnjëherë në një aktor të vetëm”.
Ja disa momente nga shqetësimet e Besimit, të shprehura në raste të ndryshëm: Janë të shumtë rastet kur regjisori ka përpara një skenar gati për ta xhiruar, por për rolin kryesor që përmbahet në të nuk gjendet aktori i përshtatshëm. Nuk është fjala për mungesë aktorësh të talentuar, por thjesht për faktin që nuk janë “të prerë” për rolin që u kërkohet të luajnë. Ç’ndodh atëhere? I detyron aktorët të interpretojnë në filma që nuk janë për ta, që nuk u shkojnë për shtat. Duan s’duan, jashtë vullnetit, aktorë të mirënjohur “i binden” urdhërit, paçka do të humbin pikë në sy të publikut. Njëlloj i rëndësishëm sa zgjedhja e rolit është edhe numuri i filmave që i duhet një vedete të luajë çdo vit. Spektatorët mërziten shpejt me të njëjtin aktor kur e shohin tepër shpesh. Edhe paraqitja e personazhit nuk duhet lënë pas dore. Kur kemi të bëjmë me një personazh historik, një hero romani apo një person që nuk ka një theks jo dhe aq “familjar”, detyra vështirësohet së tepërmi. Makjazhi duhet bërë me kujdes të veçantë, që t’i përshtatet të folmes së tij, ndërsa kostumet e kohës në të cilën ka jetuar duhet të studiohen me vëmendje për të shmangur çdo anakronizëm apo gabim sado të vogël. Për një personazh fiktiv edhe e folmja duhet kërkuar ndryshe, në sferën e hamendësimeve. Numuri i artistëve që paraqiten para objektivit me fytyrën “që ua ka bërë nëna” është tepër i kufizuar. Më të shumtët janë të detyruar të bëjnë “modifikime” më fort a më pak të rëndësishme në paraqitje: flokët, sytë, veshja etj lipset të jepen ndryshe nga ç’janë në natyrë, që të bëjnë efekt sa më të ndjeshëm. Makjazhi apo “tualeti” marrin rëndësi të posaçme sidomos kur luhet një rol komik. Për të dhënë imazhin e një mësueseje pedante dhe të ligë, bie fjala, mjafton që aktorja të sajojë një “kukull” majë kokës dhe syze mbi hundë. Por, duhet thënë se janë të rralla femrat që, për hir të rolit, të “vetëshëmtohen”. Për më tepër kur dihet që ca nga këto “operacione” shëmtimi, jo zbukurimi, vazhdojnë “të mbijetojnë” edhe pas dramës apo filmit. Si shëmbull (“mashkullor”) në këtë drejtim Besimi jepte atë të aktorit Peter Lorre, i cili, gjatë xhirimit të filmit “M” u detyrua të rruante zero kokën.
Gjuhës dramaturgjike Besimi i qëndronte besnik si rrallëkush. Ndoshta më shumë se gjini të tjera letrare, dramaturgjia është këqyrur shpesh nga perspektiva e njës shkence të ndërtimit letrar, e krahasueshme sidomos me atë të arkitektit. Besimi thoshte se kodi i artë i saj, i kumtuar qysh në lashtësi përmes Poetikës së Aristotelit, ka përfaqësuar një nga „marrëveshjet” më të qëndrueshme të strategjisë letrare, të pahasur gjetkë. Gjuha dramaturgjike parakupton përmbushjen e një kushti të dyfishtë: për të luajtur rolin e suportit të anës letrare të tekstit, duhet të zbulojë teatralitetin e dramatikes si agjent konfliktor i dorës së parë. Pjesa teatrore dhe vlerësimi i gjuhës dramaturgjike janë në varësi të „konkretizimit” të veprës - rezultat i takimit të dy faktorëve të ndryshëm, të veprës dhe të spektatorit. Vetëm atëhere kur pjesa teatrore përshfaq karakterin e vet, mund të shkoklojmë veçantitë e gjuhës së saj. Besimi kish bindjen se kritika e gjuhës dramaturgjike nuk mund të kufizohet vetëm me analizimin e personazheve, me modalitetin e realizimit të konfliktit nëpërmjet procedimeve verbale apo joverbale. Nevojitet një këqyrje kritike sintetizuese edhe e elementëve të tjerë: ritmit të zhvillimit dramatik,marrëdhënies ndërmjet dialogut dhe pauzave, zonës leksikore, replikave, ndërtimit të akteve dhe të skenave etj. Përmes një kritike të tillë, marrëdhënia gjuhë-vepër ka për të qenë më afër pikësynimit të autorit të saj dhe shprehshmërisë artistike. Kësisoj mundësohet që të mos kënaqemi vetëm me „përse bëhet fjalë” në dramën përkatëse, nëse ajo është „e mirë” apo „ edobët”, por të përfitojmë nga „alkimia” e gjuhës dramaturgjike, çka nuk na e jep asnjë lloj tjetër gjuhe apo të folmeje.
Dialogu dramaturgjik, sipas Besimit, “synon të pasqyrojë tërësinë e qenies”, e gjendjes së personazhit. Konciziteti i shprehjes ndjehet në krejt “ngrehinën” ngaqë koha dramaturgjike, për nga natyra e saj është e koncentruar. Nëse në roman gjasmohet gjuha e folur, në teatër dialogu nuk përfaqëson vetëm kuvendimin e personazheve, por, sikurse e theksuam, tërësinë e qenies së tyre.
Besimi ishte thellësisht i vetëdijshëm për kapërcimin nga ana e dramaturgut të një vështirësie të madhe: Janë tepër të pakët dramaturgët, të cilët shkruajnë literaturë dramatike pa mbajtur parasysh spektaklin ka destinacion final i tekstit letrar. Shpesh herë Besimit i kishte zënë veshi pohime dhe “vetërrëfime” të autorëve, sipas të cilëve situatat dramatike, konflikti, personazhet dhe gjuhën dramatike në përgjithësi i kishin menduar deri në imtësi. Por, bash paskëtaj nisnin “kokëçarjet” e regjisorit: mbartja e letrares drejt teatrores, riorganizimi i materialit të shkruar, njëherazi me sistemin e marrëdhënieve skenike, madje enjë pjese të madhe të tekstit, krahas reduktimit apo “tkurrjes” së tij në dobi të shprehshmërisë skenike. Këtu nuk duhet harruar njëkohëshmëria e aktit skenik, fakti që ndërkohë që një personazh flet, me vetveten apo me të tjerët, në skenë ndodh edhe diçka tjetër. Kjo është një e vërtetë e njohur, thelbësore për teatrin, çka dramaturgu jo gjithmonë e ka parasysh dhe që ka qenë përcaktuese për zhvillimin e artit regjisoral në shekullin e shkuar. Besimi theksonte se atëhere kur talentin dhe origjinalitetin letrar, dramaturgu e bashkëshoqëron me aftësinë përfytyruese, me imagjinatën pjellore, - gjë që është e njëvlershme edhe në rastin e filmit, në momentin e përpunimit të skenarit, - për të sugjetuar njëkohshmërinë e teatralitetit, do të kemi të bëjmë me vepra letraro-dramaturgjike me shprehshmëri teatrore. Këtu gjendet edhe kufindarja ndërmjet autorëve dramatikë, të cilët tregohen më të vëmendshëm bie fjala ndaj “historisë” faktike, dhe atyre që mbajnë parasysh “diskursin” dramatik. Kjo ndarje rigjendet sidomos në strukturën e situatave dramatike dhe të dialogut. Në dallim nga teksti letrar-dramatik, ku shprehshmëria letrare është e qartë, në rastin e tekstit dramatik-teatror ndërtimi i tekstit dramatik-teatror ndërtimi i veprës dramatike lidhet me një ndjesi veçorizuese për skenën, për shprehshmërinë teatrore të materialit letrar. Duke iu referuar tekstit dramatik bashkëkohor, Besimi vinte në dukje se ky, ndryshe nga romani, mundëson një strukturë elastike, arkitektura letrare e tij paraqet konstante, por edhe variabla, ndryshore, - natyrisht jo në kuptimin që çdokush mund të bëjë ç’të dojë me të, - që bien në sy gjatë interpretimit dhe që prodhojnë domethënie të freskëta skenike. Më tej Besimi shtonte se integraliteti i tekstit dramatik nuk nënkupton detyrimisht kanonizimin e tij, siç ndodh në roman apo në poezi, - që, nga ana e tyre, i nënshtrohen shpesh procesit të varianteve të botuara, - atëhere kur autori parasheh spektaklin si aktin final të destinacionit të materialit letrar. “Me këtë nuk dua të them se vlera e tekstit është në varësi të vlerës së spektaklit. Materiali letrar përmban mundësi të shumëfishta, të cilat një spektakël i vetëm nuk mund t’i shpalosë të gjitha njëheresh. Që këtu del përfundimi se, mbi të njëjtin tekst ekziston një larmi e gjerë regjisoriale” shprehej Besimi. Specifika e tekstit dramatik, siç e përmendëm më sipër, mund të përkufizohet si nga pikëpamja letrare, ashtu edhe teatrore, por një shqyrtim i plotë, gjithëpërfshirës mbi të duhet të përfshijë medoemos shumë elemente, si gjuha, koha dhe hapësira, vizioni i autorit etj.
Meqënëse repertori që pati në dispozicion gjatë karrierës së vet, nuk i krijoi mundësi për të ngjitur në skenë apo për të ekranizuar vepra “gazsjellëse”, të hareshme, në bisedat që zhvillonte në mjedise të ndryshëm, këtë “zbrazëti” Besimi përpiqej ta mbushte me episode që lidheshin me aktorë të mëdhenj komikë. Ai kujtonte se si një mik e pat pyetur Stan Laurelin: “Çfarë është komedia?” “Nuk e di, - ishte përgjigjur Stani - dhe kish vijuar: “Nuk e di... Di vetëm që mia kam dalë mbanë t’i bëj njerëzit të qeshin, kaq mund të them!”. Pastaj citonte Çarli Çaplinin. Në një rast ky ishte shprehur: “Që të shkaktoj të qeshurën në ekran jam përpjekur të zbuloj disa të vërteta rreth natyrës njerëzore, të cilat më pas i kam përdorur në zanatin tim”. Vjedhësit e biçikletave, lojtarët e bilardos, pijanecët që mezi e gjejnë udhën për në shtëpi, këngëtarët dështakë që çnuk bëjnë për të interpretuar një këngë, por nuk arrijnë ta bëjnë dot kurrë, prestigjatorit që nuk i dalin “marifetet” - të gjitha këto përbënin subjektet për një comic show, pra të një shfaqjeje komike engleze të shekullit XIX, të ndërtuar kryekëput mbi pantomimën. Vite më pas, dikush i pat përmendur Besimit një fakt kërshëritës: asnjë klloun i dorës së parë nuk ka dalë nga shtresat e kamura. Komedia, humori, është një “supapë” sigurie emotive e të vobegtit. Po qe se nuk do të kish ekzistuar humori, e qeshura, njeriu nuk do të kish mundur të mbijetonte. Ta bësh publikun të qeshë është preokupim i madh i shkrimtarëve, i njerëzve të teatrit e të kinemasë, të cilët montojnë pjesë komike. Në studiot e Përtejoqeanit, veçanërisht në ato që janë ngritur posaçërisht për filma komikë, ky problem shndërrohet në një ankth të vërtetë, njëherazi edhe një kusht për mbijetimin e sipërmarrësve. Sa më shumë të gajasen spektatorët, aq më shumë të holla derdhen në biletari. Aktorëve u ngarkohet detyra të sajojnë detaje dhe situata të pazakonta, për të ciklat, natyrisht, jo kushdo është i aftë. Muskujt, fibrat nervore, që rrezatojnë të qeshurën, njihen. Por e qeshura nuk përbën thjesht një shprehje anatomo-funksionale neuro-motore e domosdoshme për humorin; më fort se sa funksion, e qeshura është një gjendje komplekse, jehona spontane e disa përpunimesh ideative dhe afektive, shumë më të epërme se e qeshura, që është një shprehje e thjeshtë neurologjike, që haset dendur edhe tek të metët, edhe tek mediokrët, edhe tek të mençurit, por që nuk kanë dhuntinë e humorit. Ndjesia e humorit përshfaq mundësinëe njeriut për t’iu dukur vetja, herëpashere, si perëndi, si në fëmijëri.
Besimi i jepte vend të veçantë humorit shqiptar, aq të pasur e të larmë, që kishte mundur të përftonte një histori gazmore me përmasa kombëtare dhe botërore, duke pasur për objekt e subjekt ngjarje dhe personalitete të periudhave të ndryshme, por edhe njerëzit e thjeshtë. Qysh në vogëli, në Odat e Burrave Besimi pat dëgjuar me vëmendje, nderim e kurreshtje fjalët e të mençurve të fisit e të krejt qytetit. Ndër ta, nuk ishin të pakët ata që, jo vetëm në çaste e në ngjarje të gëzueshme, - dasma, synetllëk, - por edhe në vdekje, lëshonin batuta humoristike, - helmi e gazi janë motër e vëlla, - të cilat, në shumicën e rasteve, i shoqëronin me lëvizje të duarve e të muskujve të fytyrës. Ndonjëri, madje, bënte vetëm gjeste, të cilat “flisnin” qartë, papasur nevojë për fjalë. E tillë ishte edhe një grua e moshuar, jo larg shtëpisë së Besimit. Kjo ka qenë “pantomomistja” e parë, që pat njohur dhe që e pat “ndjekur” hapa pas hapi, duke e këqyrur si një aktore pa shkollë, por me talent të lindur. I pat lënëmbresë një thënie e saj: “Kur venë buzën në gaz, njerëzit nuk janë më të zot të urrejnë”. E, meqë ajo grua ishte e vobegtë, Besimit të mitur iu ngulit në mendje bindja se çdo njeri me humor të shëndetshëm vjen nga një mjedis që ka halle koke: shpirtërore, financiare ose të dyja bashkë (Qeshim se s’qajmë dot!). Gjithsa thamë më sipër ka si pikësynim shkrirjen e plotë, organike, të natyrshme, të aktorit me personazhin. Vërtetimin më të saktë të një dukurie të tillë e bënin vetë artdashësit me qëndrimin ndaj aktorëve të skenës apo të ekranit, kur këta dilnin në rrugë për shëtitje. Ai që kishte luajtur ndonjë rol pozitiv përshëndetej nga të gjithëme respekt e dashuri, ndërsa interpretuesi i një personazhi negativ merrte si “dhuratë” vështrime plot mllef, madje edhe sharje e fyerje, paçka se e kishte “qarë” rolin, që i ishte besuar.
Fjala është se, në përgjithësi, nga një brez në tjetrin, nxjerr krye një dukuri “mospranimi”. Kjo bie në sy sidomos në lëmin e muzikës. Të moshuarve, që janë “velur” me dëshirë me tingujt e Beniamino Xhilit e të Mario del Monakos, nuk mund t’u mësohet veshi me zërat e Hoze Karreras apo Placido Domingos. Nga ky kënd vështrimi, mund të thuhet se në momentin e fillimit të karrierës së vet, artisti mund të “sabotohet” nga brezi që ka krijuar ndërkaq një shijë, një “listë” kërkesash e pretendimesh, ka “miratuar” një stil, një mënyrë të interpretuari: bëhet fjalë, pra, për problemin “e përjetshëm” të dorëzimit të stafetës, situatë kjo kur, ngandonjëherë, një artist i ri mund të favorizohet nga një ”zbrazëti” e përkohshme në aksh “kompartiment” skenik.
Mendja e Besimit përdorte me shkathtësi e lehtësi abstragimet, por, sikurse shprehej, “memorizonte vetëm imazhet”. Mençuria ishte në “garë” dhe ia kalonte ndjeshmërisë, ama gjente zbatim vetëm e vetëm në gjëra të ndjeshme. Mund të thuhet se ishte një teoricien që ndruhej të ngrihej në ajër, si Anteu prej Herkulit dhe njëherazi prakticien që mërzitet t’i mbajë këmbët në tokë.
Besim Sahatçiu ishte njeriu i përshtatshëm në vendin e në momentin e përshtatshëm. Duke pasur qysh në agim të jetës vokacionin e jokonformistit, nuk kish se si të mos i kundërvihej dogmatizmit në të gjitha trajtat në të cilat shfaqej. “Familiarizimi” i plotë i tij me problemet e kinematografisë dhe të dramaturgjisë, kishte si burim energjie bindjen e patundur se arti i ekranit dhe ai skenik përfaqësojnë diçka tejet të rëndësishme dhe që meriton t’i përkushtohesh. Ky ishte një “fanatizëm” i llojit laik, jo mistik, pra edhe më befasues, më mbresëlënës.

Besim Sahatçiu në kujtesën e djemve të vet

Në verën e vitit 2008 kalova një javë në Londër, si i ftuar nga miku im, profesori Akil Koci. Ndër të tjera, shkuam të dy në seksionin shqiptar të BBC-së, ku u takuam e kuvenduam me pjesëtarët e tij, të gjithë të përgatitur më së miri, ashtu siç e kërkon një radiostacion kaq i fuqishëm, figurativisht e realisht.
Falë gazetares së re e me perspektivë Irena Luto, bijë e dy miqve të mi, Timo e Vjollca Luto, gjithaq të njohur në fushën e gazetarisë radiofonike e televizive, pata fatin të dëgjoj live zërin e dy vëllezërve Faik e Ragip Luta. Me të parin, në prani të Irenës e të Akilit, “e zgjatëm muhabetin” edhe përtej caqeve të profesionit të mirëfilltë të tij, me ç’rast u bëra dëshmitar i horizontit të gjerë kulturor e i thesarit atdhetar që mbart në qenien e vet modeste ky bir i Kosovës. Kënaqësi jo të pakët më fali edhe takimi me botuesin e hulumtuesin e talentuar e të përkushtuar Bejtullah Destani, të cilin e pata njohur disa muaj më parë në një veprimtari shkencore në Zagreb. Prekëse ishin për mua edhe çastet e takimit me të birin e mikut tim të vjetër, shkrimtarit Vath Koreshi, Dastidin, sekretar i parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin britanik. Evokuam talentin e virtytet njerëzore të Vathit. Gjithashtu përmendëm edhe agronomin e njohur Thanas Piu, vjehrri i Dastidit, të cilin e kam njohur në fillimvitet ’60 kur studionim sëbashku në Bukuresht. Dastidi ia përcolli pa vonesë të falat e mia Thanasit, për të cilat ky më falenderoi disa muaj më vonë, më 1 shtator 2008, kur e takova gjatë punimeve që Albshkenca zhvilloi ato ditë në Tiranë. Po më 1 shtator, profesori Akil Koci kremtonte 72-vjetorin e lindjes së vet, çka organizatorët e asaj veprimtarie shkencore mbarëshqiptare ia uruan në një mënyrë krejt origjinale: ia promovuan librin e sapodalë nga shtypi, me titull “Vibracione të shpirtit shqiptar” (vëllimi I), të cilin e kemi përmendur më parë.
Por le të kthehemi sërish në ditët kur ndodhesha në Londër. Në orët e pragkthimit në Bukuresht, Akili më dhuroi një dulcis in fundo të vërtetë, duke më njohur me Besnik Sahatçiun. I hijshëm e shtatlartë, fjalëkursyer e buzagaz, i matur e i shtruar, i mençur e bujar, atdhetar e intelektual evropian, ky mesoburrë, me flokët e zbardhur para kohe, më bëri të them me vete: ”Dëbora në maja malesh bie, jo në fushë”. I entusiazmuar nga atmosfera e ngrohtë që m’u krijua në restaurantin luksoz e po aq serioz, të cilin Besniku e administron bashkë me dy pjesëtarë të “triumviratit”: Bekimin, vëllain, dhe Besim Sylajn, - lokal ky, që është shndrruar në një mjedis ku mblidhen herëpashere shqiptarë na Përkëtej dhe Përtej Drinit, për të qarë hellet e sidomos për të zhvilluar veprimtari kulturore e atdhetare, fillova të flas “pa protokoll”, sikur të ndodhesha në gjirin e familjes sime. Pra, po lëshoja të pjekura e të papjekura, të njoma e të thata, siç thotë populli. Besniku dhe Besimi, që na e kishin shtruar sofrën tashmë me të gjitha të mirat, jo vetëm nuk ma ndërprenë “vrrullin” qoftë edhe një herë të vetme, por edhe gojën e kishin shndrruar në një vesh të tretë. Domethënia e atij dëgjimi aq të vëmendshëm, tamam sy e veshë, siç thotë një fjalë tjetër e urtë e jona, ishte dëshmi e respektit për mikun, i cili, - le të më lejohet një shaka, - është budalla, sepse nuk dihet kur vjen e çfarë kërkon. Pra, respekti për mikun e për më të moshuarin, kishte mbetur i pacënuar në këtë skaj të Londrës me emrin Miçam, ashtu siç na e patën lënë të parët tanë gjatë historisë sonë shumëshekullore.
Pasi “u ngopa” jo vetëm me gjellët e shijshme, por edhe i “ngopa” gjithë ata burra me “konferencën e shtypit” që u mbajta, e ndjeva për detyrë t’u lutesha të më flisnin edhe ata diçka për jetën e punën e tyre.
Nga goja e Besnikut, e cila “u çel” vetëm pas këmbënguljes sime, mësova se kish ardhur në Londër qysh më 1990. Ky dyzetvjeçar i pajisur me energji të brendshme të pashtershme, që ka kryer Fakultetin për anglisht në Prishtinë dhe është njëherazi absolvent i Fakultetit të Ekonomisë, në po atë qytet, i ka ngjitur shkallët e karrierës në lëmin e biznesit me mund, kompetencë e ndershmëri, duke u çapitur në pajtim me edukatën dhe porositë e vyera të prindërve të vet: e ëma, Esmaja, pinjolle e një dere të njohur nga Peja, ku edhe pat kryer shkollën e mesme, dhe i ati, Besimi, regjisori i shquar i botës mbarëshqiptare.
Familja e Besnikut ka një frymëmarrje të shëndetshme intelektuale, që rrezaton në fusha të ndryshme. E shoqja, Vera, është mjeke; djali, Doni, është nxënës; vajza e madhe, Elena, merret me biznes, ndërsa vajza e vogël, Rita, mban gjallë dhe e çon më tej dëshirën e zjarrtë-amanet të gjysh Besimit, duke shkëlqyer në muzikë si këngëtare me të ardhme të sigurtë. Portreti artistik i kësaj vajze gjendet “i vizatuar” me ngjyra të gjalla në faqet e gazetës VIP të datës 4 maj 2008, përmes artikullit me titull “Rita Ora, shqiptarja në duet me Craig Davidin”, në të cilin thuhet: “Rita Ora Sahatçiu, një këngëtare kosovare pak e njohur, pritet të jetë befasia më e re në mesin e yjeve shqiptare, e cila për albumin e saj është duke punuar së bashku me kompozitorët e yllit britanik të muzikës Craig David. Rita Ora, sipas ‘Telegrafit’, ka kënduar edhe krahas Craig David-it në albumin e fundit të tij. Fjala është për këngën ‘Awkward’ të albumit të ri ‘Trust me’, ndërsa edhe vetë Craig David-i ka thënë se është mahnitur nga talenti i saj dhe se është duke punuar në albumin e saj. ‘Albumi do të dalë në vitin 2009. Nuk dua të ngutem, dua të dalë sa më mirë që mundet’ ka thënë 17-vjeçarja për emisionin ‘Projekti Londër’ të BBC-së. ‘Stili i muzikës sime nuk është R’n’B si i Craig David-it, por është më shumë xhaz’, ka shtuar këngëtarja, e cila e ka shoqëruar këngëtarin britanik edhe në shumë koncerte të tij. Rita Ora, e lindur në Prishtinë, jeton në Londër për gati 16 vjet, ku u vendos me familjen e saj kur ishte më pak se një vjeç. Rita Ora, e cila mes yjeve botërore pëlqen zërin e Amy Winehouse-s, por jo sjelljen e saj, ka provuar veten edhe në film, duke marrë pjesë me një rol në filmin ‘Spivs’”.
Duke lexuar me vëmendjen e duhur thëniet e Ritës, bindesh në çast se ke para syve një vajzë të pjekur para kohe, që trashëgon dhe ruan me pasion e vendosmëri të admirueshme traditat e kombit tonë të fisëm: durimin a mosngutjen për të dalë sa më parë para publikut për bujë kalimtare (në një kohë që, sikurse dihet, bashkëmoshatarët e bashkëmoshataret e saj mezi presin t’i djegin etapat për t’u vendosur në qëndër të interesit mediatik); individualitetin identitar, pa imituar apo kopjuar të tjerët ose stilin e tyre, qoftë edhe kur këta janë të famshëm, si Craig David-i; korrektësinë dhe ndershmërinë, duke vlerësuar vetëm e vetëm anët pozitive profesionale, por jo edhe sjelljen e papëlqyeshme të ndonjë aristeje, edhe kur kjo është e njohur për talentin që zotëron, sikurse është rasti i këngëtares Amy Winehouse.
Pra, sidoqë në moshë të brishtë, traditat stërgjyshore dhe edukata e shëndoshë familjare, e kanë orientuar drejt në jetë Ritën, duke e pajisur me nuhatjen dhe me aftësinë për të dalluar të mirën nga e keqja, të bardhën nga e zeza, si parakusht për të mbajtur qëndrimin e duhur në momentin përkatës.
Gjatë fjalës së vet, Besniku shfaqi mendime të pjekura, optimiste dhe bindëse për të tashmen e të ardhmen e bashkësisë shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, e cila, nga disa qindra pjesëtarë në fillimvitet ’90, tani numuron rreth pesëdhjetë mijë bashkëkombës. Duke shtruar nevojën e një organizimi e bashkërendimi sa më të efektshëm të aksioneve dhe pikësynimeve të bashkësisë sonë, Besniku shprehet me siguri të plotë se integrimi gjithnjë e më i mirë i shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës angleze, do të japë fryte dhe do të ushtrojë ndikim të ndjeshëm jo vetëm në ekonomi e në kulturë, por edhe në politikën e këtij vendi, çka do të ketë rrjedhoja pozitive konkrete në konceptimin e zbatimin e një politike gjithnjë e më dashamirëse të qarqeve drejtuese britanike, por edhe të atyre shkencore, ndaj Kosovës e Shqipërisë.
Duke vlerësuar ndihmesën që japin personalitete shqiptare në fusha të ndryshme, - çka e këqyr si kontribut në fuqizimin e lidhjeve shqiptaro-angleze dhe në afirmimin e mëtejshëm të vlerave intelektuale kombëtare, - Besimi e ve theksin në domosdoshmërinë e përvehtësimit me themel të gjuhës amtare nga fëmijët shqiptarë, fillimisht në familje e më pas në shkolla e kurse, rrjeti i të cilëve duhet të vijë duke u zgjeruar pandërprerje. “Gjuha shqipe është sinonimi i kombit, i identitetit tonë. Gjuha është edhe pasuria më e çmuar që e kemi ruajtur dhe e kemi pasuruar brez pas brezi” thekson me emocion Besniku. Në këtë aspekt, ai shprehet i gatshëm të ndihmojë edhe financiarisht, aq sa i lejojnë mundësitë, por, sipas tij, “violina e parë”, si në çdo aksion të përmasave të tilla, duhet të jenë Tirana dhe Prishtina zyrtare. Duke e vijuar ligjërimin në të njëjtën hullì, Besniku ve në dukje se ekziston tashmë një përvojë e mirë, që e ka zanafillën qysh në dhjetëvjetshin e fundit të shekullit të kaluar, kur mërgimtarët jepnin ndihma materiale e monetare për arsimin në Kosovë e më pas për të mbështetur luftën çlirimtare të zhvilluar nga UÇK-ja. “Tani që Kosova është shtet, mundësitë janë pakrahasimisht më të mëdha dhe gjithçka duhet kanalizuar përmes ambasadës së porsaçelur këtu, në Londër”, nënvizon Besniku.
Kur pohova me kënaqësi se nga mënyra dhe rrjedhshmëria e parashtrimit të problemeve prej tij, krijova një përfytyrim të qartë e të saktë për gjendjen e sotme dhe të ardhmen e bashkësisë shqiptare në Angli, Besniku vuri në dukje me modesti se për to ia pat hapur horizontin i ati i ndjerë. “Sa herë që takoheshim në Prishtinë apo këtu, në Londër, çështjet që kanë lidhje me kombin i trajtonte me zell të veçantë. Unë dhe im vëlla, Bekimi, ia përpinim çdo fjalë, çdo ide e mendim”, shtoi Besniku. Dhe, ndërsa një lot i nxehtë i rrëshqiti në faqe, e zgjoi kujtesën në ditën kur pat zhvilluar bisedën e fundit me të atin. Vetëm disa ditë para se të ndrronte jetë, ky kish nxjerrë nga goja frazat-amanet: “Ta doni njëri-tjetrin, se jeni vëllezër. Si vëllezër t’i trajtoni të gjithë shqiptarët, se të gjithë kemi të njëjtën nënë e babë: shqipen dhe atdheun. Të silleni mirë me të huajt, me të cilët ju lidh puna në mërgim, që t’u tregoni se jemi racë e kulturuar dhe e qytetëruar”.
Bekimi, djali tjetër i Besimit, merret me biznes, fushë në të cilën shkëlqen për shkathtësi, aftësi dhe ndershmëri. Gati-gati përlotet kur kujton çastet kur i ati nxehej që ta bindte për të mësuar sa më shumë. „Isha ende i papjekur në atë moshë të njomë dhe nuk i kuptoja sa e si duhej këshillat e qortimet e tim eti. Por, në një farë mënyre, - më mirë vonë se kurrë, - dëshirën e të ndjerit babë ia plotësova tani që im bir shquhet për rezultate të larta në mësime. Por edhe ime shoqe ka ecur me vrrull në udhën e shkencës. Së shpejti do të mbrojë doktoratën” shprehet me krenari të ligjshme Bekimi.
Kur u largova atëhere nga Londra, takimet me Besnikun dhe me Bekimin nuk po më shqiteshin nga mendja. Në rastin e Besimit po përjetoja një ndjenjë si ato që të krijon ndarja përgjithmonë prej një njeriu të dashur, qoftë farefis, qoftë mik a shok i afërt, me të cilin ke ndarë të mira e të këqia, ke qarë halle e ke marrë vendime me rëndësi jetike për vete e për familjen. Më dukej, pra, sikur me vdekjen e Besim Sahatçiut kisha humbur një njeri të shtrenjtë. Herë-herë më vinte të besoja se, po ta kisha njohur, do të kisha përfituar nga përvoja, nga kultura, nga horizonti i gjerë, mjaft që të shtrohesha të paktën një herë të vetme në kuvend me të. Sakaq qeshja me vete që fantazia kalonte nëpër monopate të tilla të denja për një tregim a novelë të mirëfilltë, me personazhe të krijuar, jo realë, diku afër rrëfenjave fantastiko-shkencore. Pastaj sërish u kthehesha mbresave, dialogoja me vetveten, si për të përligjur ato arsyetime të çuditshme: “Përderisa gjëra të tilla më vijnë në mendje, me siguri që kanë një farë baze”. Dhe vazhdoja t’i bluaja parreshtur, të jepja e merrja me këto përsiatje.
Në Bukuresht më kapluan punët e përditshme. Ndër gjërat e ngutshme, në ballë fare doli detyra që m’u ngarkua nga universiteti i kryeqytetit rumun për të shkruar një tekst historie tejet të vëllimshëm, me afro pesëqind faqe. Megjithse vapa filloi të shtrëngonte fort, desha s’desha, me hir me pahir, u ngula në karrike me orë të zgjatura. Në atë valë tensioni krejt të pazakontë, përmes e-mail-it, nga Londra më erdhi një mesazh nga mikpritësi im, profesori Akil Koci, i cili më lutej t’ia redaktoja librin e tij, ku kishte përfshirë pesëmbëdhjetë artikuj studimorë kushtuar artistësh, kompozitorësh e muzikologësh të njohur nga të gjitha trevat shqiptare. U mata t’i përgjigjesha negativisht, por një gjë e tillë, mendova, nuk do të tingëllonte aspak mirë. Për më tepër, gjatë qëndrimit në Londër, Akili kish lënë çdo punë të vetën dhe ishte vënë me mish e me shpirt në dispozicionin tim, vetëm e vetëm që të m’i përmbushte të gjitha dëshirat e tekat. “Pavarësisht se jam kaq i ngarkuar, duhet të gjej një rrugëzgjidhje. Të shtoj numurin e orëve të punës në kompjuter dhe t’ia përmbush kërkesën mikut” po i imponoheasha vetes. Sakaq, rilexova mesazhin dhe mendova t’i hedh një sy krejt materialit që duhej redaktuar. Një drithmë kënaqësie e lehtësimi ma përshkoi krejt qënien kur pashë se një nga esetë ishte për Besim Sahatçiun. E përpiva me sy me një frymë. Më pëlqeu. Siç e kam përmendur qysh në faqet e para të këtij libri, përmes një morie dëshmish të shkruara e gojore, Akili ia kishte dalë mbanë t’i bënte një përshkrim të përkryer figurës së këtij pionieri të regjisurës së mirëfilltë e profesioniste të Kosovës. Pa e vrarë mendjen më gjatë, iu përgjigja pozitivisht kërkesës së Akilit duke e lutur që të më jepte afat disa ditë më shumë. Kur e përfundova redaktimin e krejt librit, i propozova që kriteri i rreshtimit alfabetik të personaliteteve të bëhej sipas gërmës së emrit, jo të mbiemrit të secilit. Synimi im ishte i qartë: eseja kushtuar Besim Sahatçiut të dilte në vend të parë, duke çelur librin.
Nga ai çast m’u kujtua sërish biseda me Besnikun, të birin e Besimit. Por nuk u ndala me kaq. Vendosa të shkruaja, jo thjesht një artikull, por një libër të plotë për regjisorin e madh. Tanimë mezi prisja të rikthehesha në Londër për t’u dokumentuar në lidhje me jetën e veprimtarinë artistike të Besimit. Kjo ndodhi në fund të tetorit 2008. Bashkë me Akilin, i cili u gëzua pa masë kur u njoh me projektin tim, i drejtuam hapat për në Londrën jugore, në Miçam. Atje Besniku na priti me të njëjtën ngrohtësi, ahtu si herën e parë dhe, sigurisht, u tregua i gatshëm të më ndihmonte me ç’të mundte për ta çuar deri në fund nismën time. Besim Sylaj, partneri i Besnikut e i Bekimit, më tha se lidhja me të dy djemtë e të ndjerit Besim Sahatçiu nuk ishte aspak e rastit. Ky dhe i ati i Besim Sylajt, Ibrahimi, profesor i sociologjisë, jo vetëm ishin nga e njëjta trevë, por i lidhte një miqësi e ngushtë dhe e çiltër, të cilën ua shtinë në gjak edhe pasardhësve të tyre.


Disa “merake” - amanete të Besim Sahatçiut

Besimi i çmonte shumë kolegët dhe gëzohej, si për veten e vet, sa herë që ata shënonin arritje në punën e tyre. Vlerësime të larta bënte edhe për talentin e artistëve në përgjithësi e të aktorëve në veçanti. Me këta të fundit, - rreth 120, - pat bashkëpunuar ngushtë dhe sillej sikur t’i paskësh pasur pjesëtarë të familjes apo farefis. Madje, për ata që, ndërkohë ishin ndarë nga jeta, thosh: “I kam në mendje e në zemër, komunikoj vazhdimisht me ta”. Të njëjtën simpati shfaqte edhe për personalitetet e arteve të tjera. Për Nexhmije Pagarushën, për shëmbull, shprehej se ishte jo vetëm bilbili, por edhe dallëndyshja e Kosovës, simbol e sinonim i gjithçkaje pozitive. Qëndrimi dinjitoz i Nexhmijes, si artiste dhe si njeri, “na bën të mendojmë se te jeta e saj fokusohet krejt jeta jonë e pasluftës”, kishte saktësuar Besimi në intervistën e dhënë gazetarit të RTV 21, Florin Kelmendit, në janar 2003. Kur një ndjekës i programeve të këtij stacioni telerviziv, e pyeti nëse kishte ndonjë skenar filmi, ku Nexhmija, kjo këngëtare dhe njëherazi aktore e madhe, të luante rolin e një femre bashkëkohore, Besim Sahatçiu tha se, mjerisht nuk posedonte diçka të tillë. Por, shtoi, se Nexhmija meriton të shkruhet një skenar i posaçëm për jetën e ndihmesën e madhe që ka dhënë. Dhe nuk është e domosdoshme ta luajë rolin vetë, sidoqë vërtet ka edhe talent aktoresk, çka e ka dëshmuar, ndër të tjera, me lojën në filmin “Tre vetë kapërcejnë malin”. Roli ishte “i vogël”, por mesazhi që kumtoi ishte i madh.
Duke marrë shkas nga një farë “psherëtimë” që kishte ndjerë në zërin e Bekim Fehmiut, gjatë një emisioni televiziv në kryeqytetin e Shqipërisë, një tjetër telespektator e luti Besimin t’i tregonte përse ky aktor i madh nuk kishte pasur rast ta fliste shqipen e tij në skenat apo ekranet e Prishtinës e të Tiranës. Duke nxjerrë në pah qysh në fillim meritat e padiskutueshme, talentin e rrallë, punën e madhe të Bekim Fehmiut dhe mospranimin nga ana e tij që t’ia ndrronin emrin shqiptar në asnjë formë, qoftë edhe në Hollivud, me zë të qetë dhe me urtësinë prej filozofi, Besimi sqaroi: “I pari, të cilit i kam ofruar role në të gjitha filmat e dramat, ka qënë pikërisht Bekim Fehmiu”. Natyrisht, shtoi më tej, “nuk kam ngulur këmbë fort që të pranonte, sepse kushtet e xhirimit nuk ishin aspak të përshtatshme për një aktor me famë botërore”. Fill paskëtaj, për hir të së vërtetës, Besimi vuri në dukje se edhe Bekimi mban pjesën e vet të përgjegjësisë. “Duke harruar se koha bën të sajën dhe njeriu, me kalimin e viteve, nuk mbetet ai që ka qënë, shëndeti fillon ta lerë, Bekimi e ka shtyrë herëpashere afatin e marrjes përsipër të roleve në shqip”. Më tej, Besimi shprehu shpresën e madhe se do të vijë dita që kjo dëshirë e shfaqur nga Bekim Fehmiu, “që është edhe e jona”, do të përmbushet, për kënaqësinë e krenarinë e të gjithë shqiptarëve. Në fund, Besimi theksoi se e ruan me kujdes, si diçka të shënjtë, një fotografi që ka bërë vite më parë me Bekim Fehmiun, Melihate Ajetin e Istref Begollin.
Dihet se Konferenca e Bujanit dha shpresa që, në mbarim të luftës antifashiste, do të shikohej edhe çështja e bashkimit të Kosovës me mëmëdheun. Mjerisht, kjo “u harrua” nga regjimi komunist jugosllav. Madje, u bënë orvatje që Shqipëria të shndrrohej në republikë të shtatë të Federatës Jugosllave. Kjo temë me rëndësi të pakrahasueshme për informimin e drejtë e korrekt të brezit të sotëm e sidomos të atyre që do të vijnë, sipas Besim Sahatçiut meriton të bëhet objekti i një vepre për skenën apo ekranin. “Për këtë qëllim, duhen vënë në lëvizje jo vetëm skenaristë, por edhe njohës e studiues të njohur të historisë sonë kombëtare. Sepse ana artistike dhe dokumenti duhet të bashkëveprojnë për ta pasqyruar të vërtetën në mënyrë bindëse dhe tërheqëse”.
Rëndësisë që kanë dokumentet, veprat e bazuara mbi dokumente dhe të gjitha vlerat e paraqitura në trajtë veprash artistike, Besimi i është kthyer jo një herë. “Me to nuk mund të sillemi si me prodhimet ushqimore, që konsumohen e mbetjet flaken tej”. Ruajtja e krijimeve artistike, të cilave Besimi u kushtoi plot katër dekada të jetës, aktori Abdurrahman Shala - gjashtë dekada, dhe lista mund të zgjatej pa fund, është jo vetëm një e drejtë, por edhe një detyrë e lartë kombëtare. “Nuk do të desha t’ia uroja askujt përfshirjen në listën e zezë të eliminuesve të vlerave artistike, sikurse vepruan nazistët dikur” ka thënë Besimi. Në këtë aspekt, ai e ka ngritur fort zërin të bëhet çmos me synim që materialet e filmotekës të tërhiqen nga arkivat e Beogradit, sepse ka rrezik të zhduken, ose të paktën të dëmtohen.
Besimi i nxiste njerëzit e penës të shkruanin sa më shumë skenare dhe pjesë dramatike, pa pasur frikë se nuk do të jenë të përkryera. Në fund të fundit diçka do të mbetet, se sasia çon në cilësi. Ai shtonte se në Kosovë duhet të ketë sa më shumë teatro, - të paktën tetë të tillë në Prishtinë: për të rritur e për fëmijë, estradë etj, - kinema dhe institucione të tjera kulturore, që jeta të jetë e gjallë dhe niveli kulturor i njerëzve të ngrihet parreshtur.
Duke bërë fjalë për rrugët e mjetet për shëndoshjen e jetës kulturore në Kosovë, Besim Sahatçiu vlerëson veçmas se “nevoja që krijimtaria të ruhet, bëhet edhe më e madhe, sepse mbetemi pa kontinuitet, pra i presim rrënjët tona. Meqë ne sot jetojmë për të nesërmen dhe ky mbijetim është i lidhur ngushtë me çështjet e shpirtit, nevoja për njohjen dhe respektimin e vlerave të njimendta nga e djeshmja shfaqet si domosdoshmëri, që i lidh hallkat kryesore, pa të cilat nuk bën…”. Në përgjigjje të një pyetjeje në RTV 21, në janar 2003, Besim Sahatçiu shprehu edhe një herë shqetësimin qytetar për faktin se “hallakama dhe mishmashi ia kanë dalë të ngulfasin edhe ato vlera që u krijuan me aq mund e përkushtim, dhe se e gjithë kjo nuk le pa prekur teatrin e filmin… Në këto rrethana, mediokri ka koniukturë, ndërkohë që krijuesit heshtin e ballafaqohen me vështirësi mbijetimi. Një shoqëri e organizuar e me koncept civilizues, duhet t’iu kthehet vlerave fondamentale para se ta pushtojë kaosi i përgjithshëm. Mungesa e institucioneve kompetente dhe konsumimi i hallakamës, siç po ngjet aktualisht, u hap rrugë prirjeve destruktive, ku rrënimi kthehet në sprovë kryesore të dëshmimit të vetvetes a më gjerë. Ndonëse të gjitha këto i kundroj nga pozita ‘jashtë lojës’, vlerësoj se po kalojmë nëpër një katrahurë të rrezikshme”.
Në mënyrë të veçantë, Besimi u ka tërhequr vëmendjen zyrtarëve të administratës për mangësitë e ndjeshme në lëmin e kulturës. Besimi u kujtonte atyre se mund ta mbajnë veten si më të rëndësishmit në Kosovë, por vetëm përkohësisht, aq sa ekzistojnë biologjikisht, ndërsa artistët mbeten të tillë për një periudhë shumë më të gjatë: Ars longa, vita brevis.
Me tolerancën dhe shpirtmadhësinë që e shquanin, Besimi nxjerr në dukje se prapambetja që vërehej në fushën e kulturës nuk e kish burimin në ndonjë nënvleftësim qëllimkeq të saj, por nga mosnjohja sa duhej e vlerave të kulturës nga aparati administrativ i ngarkuar me problemet e saj. Burokratët duhet ta kenë të qartë, thoshte Besimi, se kultura dhe artet janë për popullin si buka, si ajri.
Më në fund, Besimi shprehet optimist për të ardhmen e kulturës e të jetës së shoqërisë kosovare. Gjithsesi, e mbyll me refrenin plot nota optimiste: “Shpresoj se veprat do të na mbrojnë”.
Duke cituar disa turistë zviceranë, të cilët, gjatë vizitës në Pejë, e cilësuan këtë qytet po aq të bukur sa edhe vendi i tyre, Besimi thoshte me bindje se Kosova do të përparonte një ditë si Zvicra sepse „shqiptarët janë atdhetarë e jo më pak të mençur e të papërtuar në punë se sa zviceranët”.
Në përgjigjje të pyetjes: “Çfarë ju ka dhënë jeta?”, Besimi theksoi qysh në fillim se jeta e artistit i ngjan ndeshjes së njeriut me lokomotivën. Pas kësaj lufte të pabarabartë dhe raskapitëse, Besimi e nuhat, madje tre vjet para se të kalonte në amëshim, se “do t’ia prish mesataren e jetëgjatësisë familjes sime. Im atë jetoi 90 vjet, nëna -91, daja -101, vëllai, që banon në Pejë, i kaloi të nëntëdhjetat…”.
Të gjithë ata që e kanë njohur, të gjithë artdashësit e, në radhë të parë djemtë Besnik e Bekim, bashkë me farefisin, do të dëshironin që parandjenja e të madhit Besim të mos realizohej, por ja që edhe këtë herë nuhatja, mjerisht nuk e tradhtoi.
Ishte njeri dhe u bë kujtim. Një kujtim i ndritur, që jehon nga skena dhe ekrani… Megjithse tërë kohën qëndroi prapa tyre dhe vigjëloi që ato të rrezatojnë sa më shumë kulturë, dije dhe humanizëm të kulluar. Pa rënë në sy: Esse non vidare.