Për një shëndoshje të jetës sociale


(Tabletë)

 


Si pasojë e një shrregullimi të mekanizmit social, që veçorizohet nga mprehja e parreshtur e kundërshtive të të gjitha llojeve, kriza në botën eurojuglindore, pra edhe në Shqipëri e në Rumani, në kontekstin e krizës botërore, është bërë gjithëpërfshirëse. Flitet për krizë ekonomike, shoqërore, financiare, politike… „Është dukuri kalimtare, - dëgjojmë të çuçuritet ndonjëherë, - është një plogështim i organizmit, i cili, me kalimin e kohës mund të çojë drejt shëndoshjes…”. Ama mund të çojë edhe drejt shpërbërjes e rrënimit të tij!
Çdo ditë që kalon po na bind përherë e më shumë se shoqëria bashkëkohëse ka marrë goditje në pikat jetike të saj. Është një e keqe që ia bren rrënjët e kërcellin, ia pret udhën palcës mirëbërëse, e cila mund t’ia përtërinte indet e sëmura. Është, mbi të gjitha, një krizë morale-shpirtërore, e cila trajtohet nga zyrtarët e të gjitha kahjeve si tabu, në mos po edhe "sekretizohet", duke e maskuar vetëm me petkun ekonomiko-financiar. E, pra, kjo krizë është shumë më e rrezikshme se kriza ekonomiko-financiare, e cila, në fund të fundit, ka objekt „sulmi” stomakun, jo zemrën. Sa për ne, dhjetëvjetshat plot mungesa e privacione na kanë „kalitur”, na kanë „imunizuar” ndaj sëmundjes - varfëri, na kanë bërë të mjaftohemi me mbushjen e stomakut, pavarësisht me çfarë, pra edhe vetëm me barishte! Por, si i bëhet hallit me „mëkimin” e zemrës e të shpirtit, që janë „sqimatarë” e nuk pranojnë lakra apo karrota?!
Jo rrallë, brezave të sotëm, - nga gjashtëmbëdhjetë deri në gjashtëdhjetë e gjashtë e më shumë vjet, - u mungon, qoftë edhe pjesërisht, respekti ndaj përfytyrimit të së ardhmes së botës e të jetës, në varësi të të cilit të formulojnë mendimet e të përcaktojnë veprimet.
Vetvetiu shtrohet pyetja: Çfarë duhet të bëjmë për të përmbushur misionin tonë si qënie të arsyeshme, të lira, shoqërore? Shumë prej nesh jemi qaramanë, përjetësisht të pakënaqur, pa dhënë ndihmesë për ndreqjen e gjendjes. Ose kemi prirje pragmatike, utilitare, duke u shqetësuar vetëm e vetëm për rehatinë vetjake, të familjes e të rrethit të ngushtë shoqëror. Parapëlqejmë një jetë materiale të sigurtë, pa kokëçarje, me lehtësira dhe kënaqësira, mundësisht të fituara qyl, në kurriz të bashkësisë, ose duke mashtruar të tjerët. Na i ka ënda të përhumbemi në mirëqënien iluzore që mund të na e ofronte shoqëria evropiane apo ndërkombëtare e konsumit. Nuk e vrasim mendjen më tej, shpërfillim ndërgjegjjen tonë, e cila do të mund të na fuste në hullinë e përsiatjeve, e mendimeve produktive, krijuese.
Jo rrallë kujtojmë se vështirësitë financiare që na detyrojnë të bëjmë kursim në të holla, na detyrojnë të bëjmë kursim edhe në ndërgjegjje. Vramendja nuk para na pëlqen, madje na bezdis. Kërkojmë një kompensim jashtë jetës, në mjedise të caktuara sociale, në imazhet televizive. Kuptimin e jetës e kërkojmë pothuajse kryekëput tek perëndimorët, duke i marrë shembull, për të mos thënë duke i imituar në çdo gjë. Nuk e kërkojmë të vërtetën në shpirtin tonë. Padyshim është më lehtë të heqësh dorë nga arsyetimi, nga ndjenjat, nga vullneti, se sa të imitosh, të gjasmosh të tjerët. Kësisoj asnjë përgjegjësi nuk ta rëndon ndërgjegjjen: je "i vetëpërligjur" përderisa synon të ulesh në tavolinën „evropiane”, „globale”!…
Ku e ka burimin kjo krizë shpirtërore? Përgjigjja mund të ishte: në braktisjen e institucioneve tradicionale dhe të vlerave kombëtare. „Mburoja” - karakteri i fortë që u pat shërbyer të parëve tanë për t’u bërë ballë të këqiave, është dërguar në „muzeum”. Si rrjedhojë, jo pak elementë përbërës të identitetit kombëtar, - burrëria, besa, fjala e dhënë, dinjiteti, krenaria, respekti ndaj urtisë stërgjyshore etj, - janë zbehur.
Ka plot xhami, kisha, teqe e faltore të tjera; ka jo pak njerëz që marrin pjesë në shërbesat fetare, përulen me përvuejtni para ikonave e para Allahut, mbajnë kreshmë e ramazan, pra bëjnë, - sipas tyre, - gjithçka kërkohet nga një besimtar i përkushtuar. Ky „spektakël” me besimtarë duket qetësues, madje inkurajues. Por, në shumë raste, individi që vetëquhet besimtar, luan me dy „zare”: në shtëpinë e Perëndisë i lyp ndihmë e ndjesë, ndërsa, me të dalë prej saj, bie në kontakt me botën reale (lëndore), mohon bukurinë e ndjesive të grumbulluara gjatë lutjeve e faljeve dhe vishet sërish me petkat e interesit egoist, tërësisht material. Ku e ka burimin një sjellje e tillë? Pikërisht në mungesën e thelbësores, pra në mosvënien në zbatim të porosisë hyjnore të dashurisë për njëri-tjetrin. Është shqetësues fakti që, pas kaq e kaq shekujsh, krishterimi dhe islamizmi - dy fe të dashurisë, të mirëkuptimit e të vllazërimit, ende nuk po mundin ta koagulojnë njerëzimin rreth këtyre parimeve themelore të jetës sociale. Këtu, rol negativ jo të papërfillshëm luajnë tartufët, të cilët, duke gjalluar në shumë segmente të shoqërisë sonë, me veprimet dyfytyrse bëjnë çmos të na grishin me refrenin: „Bëni si them unë dhe mos bëni si bëj unë!”. Edhe solidariteti të duket sikur është katandisur në Hirushe. Domosdoshmëria e një mirëkuptimi mbarëkombëtar jo rrallë shihet si diçka qesharake nga individë antikombëtarë; sakrificat në emër të çështjeve madhore këqyren si naivitet e marrëzi. Duke mos u kuptuar sa e si duhet vlerat e demokracisë së mirëfilltë, vendin e dashurisë humane jo rrallë e zenë mohimi dhe urrejtja, të cilat epoka totalitariste i kishte mjete pune e mbijetese.

Dëshmi të qëndresës intelektuale


Në çdo diktaturë, veçanërisht në atë komuniste, intelektuali është i detyruar të zgjedhë, - publikisht ose në intimitetin e vet shpëtimtar, - një nga alternativat e mëposhtme:
a. të jetë aminollar i pushtetit, gjë që nënkupton jo vetëm heqjen dorë nga profesionalizmi, por edhe pranimin pa një pa dy të kompromisit;
b. “tërheqjen” në sferat ezoterike të kulturës, gjë që, në mungesë të çdo perspektive tjetër, mund të cilësohet si mënyra ideale e qëndresës pasive ndaj të këqijave të regjimit;
c. qëndresën me dinjitet, të hapur dhe energjike, ndaj ideologjizimit të kulturës dhe dëmtimit të skajshëm të marrëdhënieve ndërmjet pushtetit politik dhe shoqërisë civile.
Megjithse tek ne, - për arsye të njohura, që kulmojnë me pamundësinë e plotë për të shprehur apo shpallur në shtyp bindjet e kundërta me të regjimit, - nuk ka pasur një letërsi të dukshme disidente si në ish-Bashkimin Sovjetik, Poloni, Çeki, Sllovaki, Hungari dhe deridiku Rumani e Bullgari, - vende ku liria e shtypit dhe e shprehjes nuk ishte aq e kufizuar, - mund të qëmtojmë dhe të rindërtojmë disa momente, individuale, por edhe në grup, të qëndresës shqiptare. Në historinë e disidencës sonë intelektuale janë të mirënjohur emra si Trifon Xhagjika, Bilal Xhaferri, Agim Musta, Bedri Myftari, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Uran Kostreci, Ylber Merdani, Petraq Kolevica, Piro Kuqi, Zhaneta Ogranaja, Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli, Ali Oseku, Anton Çefa, Ferik Ferra, Maks Velo e shumë të tjerë, të cilët hodhën në letër, në telajo e në pentagram, ngjitën në skenë e në ekran vepra me përmbajtje e nivel të lartë (lexo: nivel të lirë estetikisht) ideor e artistik. Pra, edhe në kushtet e rënda të ndrydhjes së artit autentik prej vargonjve të ideologjisë zyrtare, mjaft vlera shpirtërore të vërteta mbijetuan. Në këtë drejtim ndikoi jo pak solidariteti mes krijuesve që, në rreth të ngushtë e kokë më kokë, (gjithnjë duke rrezikuar kokën) shkëmbenin mendime rreth të ardhmes së artit në një Shqipëri demokratike. Vetë qëndresa antitotalitariste e kërkonte dhe e nënkuptonte një solidaritet të tillë. Argumenti i fuqishëm i disidentëve ishte eliminimi i kompromiseve të çdo lloji, përfshi edhe kompromisin moral. Njëkohësisht, ata vinin me avantazhin e një kulture të tipit evropian. Në fillim, aparatçikët, kulturçikët, nuk i ranë dot hiles, por, me kalimin e kohës, kur gjithçka zuri të shpërthente hapur, konflikti ndërmjet të rinjve dhe atyre që kishin lidhur qysh herët pakt me djallin, u acarua.
Fillimisht cenzura e pa veten të papërgatitur dhe u befasua ngaqë krijimet e demokratëve, përveç erudicionit e finesës, aluzionet e alegoritë therrëse antitotalitariste i përçonin me një gjuhë të stërholluar e me nëntekste të mençur, të pakuptueshëm lehtë nga koka të mykura prej dogmash. Ndërkaq numuri i “rojeve” vigjilente u shtua me shpejtësi. Këta kalemxhinj servilë mezi prisnin të përgatisnin me “përkushtim parimor” raporte që i dërgonin në dy adresa: në Komitetin Qëndror të PPSh dhe në Sigurimin e Shtetit. “Gjah” i parapëlqyer për këto “ameba” pa shtyllë kurrizore, u bënë në radhë të parë dorëshkrimet që krijuesit përparimtarë çonin në gazeta, revista dhe në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Në çdo fjalë dhe mes rreshtave, inkuizitorët zorrëkuq përpiqeshin të gjenin qimen në vezë dhe ta paraqitnin të bardhën të zezë.
Kulmin e nivelit intelektual-ideor e të burrërisë disidenca shqiptare e shënoi me dërgimin e Letrave të hapura në udhëheqjen më të lartë të partisë-shtet, përfshi personin numur 1 të saj. Me këtë akt të pashëmbullt në atë periudhë të errët, intelektualë të shquar, që ndodheshin ende jashtë burgut, si shkrimtari e dramaturgu Kasëm Trebeshina, apo pedagogu i letërsisë Qani Çollaku, vëlla heroi, sidhe të tjerë, që ishin në pranga tashmë, si Fadil Kokomani e Vangjel Lezho, krahas denoncimit të diktaturës, guxonin t’i thoshin “ndal” edhe heshtjes ndaj krimeve të llahtarshme të regjimit. Në një kohë kur shumëkush, i mposhtur nga trysnitë e egra, kish arritur në përfundimin se nuk mund t’i bihej murit me kokë, Letrat e disidentëve të lartpërmendur, që ishin tekste thelbësore të filozofisë morale, rrëzonin murin e “sigurimzuar”, duke “ftuar” për dialog vetë kryeshkaktarin e të gjitha të këqijave që përjetonte prej vitesh një popull i tërë. Nuk ishte fjala, pra, për dialogje që zhvilloheshin kokë më kokë, në fshehtësi të plotë, midis miqsh, sa më larg veshit e syrit të “armës më të dashur të partisë”, por me zë të lartë, frymëzuar nga nevoja sokratike për të vërtetën, pas pamundësisë për të zgjidhur problemet me institucionet e tejpolitizuara të të gjitha shkallëve. Letrat e disidentëve përmbanin qëndrime kritike për gjendjen e mjeruar ekonomiko-sociale dhe sidomos për mungesën e të drejtave më elementare të njeriut. Kjo, në një kohë kur intelektualët e vendeve të tjera eurolindore dërgonin pa pengesë në Perëndim materiale me përmbajtje antikomuniste, të cilat botoheshin, ose transmetoheshin të plota nga radiot “Zëri i Amerikës”, “BBC” dhe “Evropa e Lirë”. Duke marrë rrezikun në sy dhe duke shpërfillur pasojat edhe më të rënda që do të shoqëronin këtë mënyrë komunikimi katarsiste, disidentët shqiptarë dëshmonin një etikë të re qytetare dhe një shpirt të pavarur, të paindoktrinuar e të panjollosur nga ideologjia komuniste. Në Letrat e disidentëve jepeshin gjykime të pjekura rreth përmbysjes së shkallës së vlerave nga regjimi totalitarist dhe, përmes një ironie të hollë, fshikulloheshin mjaft dukuri negative, që e kishin zanafillën në politikën miope dhe vetizoluese të partisë-shtet. Të konceptuara si një formë incipiente e një dialogu a debati publik të mundshëm, Letrat në fjalë përfaqësojnë analiza të mprehta, të sakta, të gjalla e të dokumentuara të kalbësisë së regjimit diktatorial, duke formuluar edhe ide të qarta dhe bindëse për rrugëdaljen nga kriza gjithëpërfshirëse dhe frymëzënëse. Letrat programatike të disidentëve shqiptarë, të këtyre njerëzve normalë që fati i zi i bëri të jetonin nën një regjim ano(r)mal, përbëjnë një aktakuzë pa të dytë ndaj komunizmit, i cili konsiderohet “marrëzia më e madhe e sajuar nga njerëzit kundër njerëzve”.
Nga frika se idetë e thella të Letrave mund të përhapeshin me shpejtësi në mbarë vendin duke pasur pasoja fatale për regjimin, ato nuk u kthyen kurrë në dialog. Në vend të përgjigjeve që duhej të jepte, diktatura i cilësoi akte vetëdënimi dhe i fundosi edhe më thellë në terr autorët e tyre.
Por, nga ajo që ke frikë, nuk shpëton dot. Regjimi totalitar u përmbys, ndërsa fryma e Letrave ndjehet ngado sot në botën shqiptare, bashkë me mirënjohjen ndaj autorëve të tyre që ishin zgjedhur, si duket, ta mposhtnin totalitarizmin dy herë me radhë, para dhe pas daljes së kombit nga skëterra.

Kultura në kontekstin e globalizimit


Dihet tashmë se globalizimi është procesi i zgjerimit, i thellimit dhe i përshpejtimit të ndërlidhjeve në shkallë botërore, jo vetëm në lëmin ekonomik, por edhe në atë shoqëror, politik, teknologjik e kulturor. Në kuadrin e marketingut global strategjia e firmave synon të promovojë marka universale, me ç’rast kultura e publicitetit bëhet një industri e vërtetë. Nga kjo pikë vështrimi, globalizimi përbën një dukuri që ka të bëjë me qarkullimin e informacioneve e të ideve, pra me diçka jashtë fakteve kulturore të mirëfillta. Hulumtimet shkencore kanë vërtetuar zanafillën e përbashkët të të gjitha qytetërimeve, të cilët, gjatë shekujve, janë çapitur në mënyra e trajta nga më të ndryshmet. Ky pohim mund të qëndrojë në themel të konceptit të ekzistencës së një bashkësie njerëzore të vetme, ndërsa kapërcimi i kufijve në hapësirë dhe në kohë nga ana e kombeve dhe e sistemeve ekonomike, çon drejt globalizimit kulturor. Një sërë zhvillimesh të sotme sjellin argumente në mbështetje të idesë se në themel të procesit të globalizimit qëndron pikërisht kultura.
Falë teknologjisë së informacionit njerëzit hyjnë në marrëdhënie me një larmi normash dhe vlerash kulturore, të cilat, me kalimin e kohës, përftojnë një sjellje, një qëndrim global. Por globalizimi, në parim nuk duhet t’u kundërvihet traditave dhe vlerave kulturore të një kombi. Madje ai lipset të ngjizë e të përhapë një kulturë të shumëpërmasore në pejzazhin e traditave kulturore kombëtare. Televizioni, radioja, „udhëtimi” elektronik virtual, interneti apo mësimdhënia e hapur në largësi, pa praninë fizike të mësimdhënësit, janë forma të globalizimit kulturor. Faktorin përcaktues të ndryshimeve në të ardhmen e përbën ecuria e teknologjive informacionale dhe digjitale, të cilat e ndryshojnë mjedisin rrethues dhe kufijtë institucionalë klasikë, përfshi ata kulturorë. Vlen të theksojmë se, në fund të fundit, e rëndësishme nuk është kultura në vetvete, por një cilësi e re e inteligjencës, për të cilën kultura mund të shërbejë si themelvënëse.
Një rol krejt të veçantë në fushën e kulturës ka aspekti etnik etnik i procesit të globalizimit, që parakupton mbartjen e vlerave të ndryshme kulturore kombëtare nga njëra anë në anën tjetër të globit. Bashkësi të fuqishme të popujve evropianë i gjejmë në kontinente të tjerë të globit dhe anasjelltas - bashkësi të Lindjes së Largët, apo të zonave të tjera, i hasim në vendet evropiane. Secila nga këto bashkësi ruan specifikën e vet kulturore. Në procesin e ndërlikuar të globalizimit, çështja e ruajtjes së identitetit kulturor përshfaq dy pamje: nga njëra anë ekziston rreziku i homogjenizimit kulturor, çka do të thotë që bota mund të kishte një formë të vetme kulture, ndërsa nga ana tjetër një rrezik akut i shpërbërjes kulturore dhe psikologjike, si për individët, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi. Të dy këta rreziqe janë të gërshetuar mes tyre.
Sipas përkufizimit që jep Anthony McGrew, globalizimi është një intensifikim i ndërlidhjes, një përhapje pa sforcim e të gjitha besimeve, vlerave, mallrave, përtej kufijve territorialë të çdo shteti. Kësisoj globalizimi çon drejt "tkurrjes" së nocionit të hapësirës e të kohës; distancat zvogëlohen, bota bëhet më "e ngushtë", si një fshat global (Global Village - sintagmë e famshme e Marshall McLuhan-it). Por edhe nëse ekziston një afëri e caktuar e kulturave (falë zhvillimit teknologjik), ato janë ende të ndara për shkak të specifikave përkatëse. Në të vërtetë globalizimi synon ta mpakë një gjë të tillë, duke mundësuar që në të gjitha kulturat të shfaqen "shënjat" e konsumit, duke bërë që, edhe në këtë aspekt, çdo vend të ngjajë, më shumë a më pak, me tjetrin.
Sa i takon përmasës kulturore të një shoqërie, kjo është e vështirë të përcaktohet sidoqë ka disa veçori:
a. Kultura mund të këqyret si sferë e ekzistencës, në të cilën njerëzit ndërtojnë domethënien e praktikave me ndihmën e simboleve;
 b. Është një mënyrë, me të cilën njerëzit i japin një kuptim jetës falë komunikimit ndërmjet tyre;
c. Qëllimi i kulturës është, gjithashtu, t’i japë një kuptim jetës;
d. Kultura mund të shihet edhe si «territori» i domethënieve nga këndvështrimi ekzistencial;
e. Si përfundim, kultura përmbyll krejt larminë e praktikave të përditshme, duke frytuar vetë ekzistencën njerëzore.
Në periudhën e globalizimit, përmasa kulturore jo rrallë ngatërrohet me kulturën mediatike, pra me atë të teknologjive audio-vizuale dhe të komunikimit, me anën e të cilave përcillen shfaqjet kulturore. Me «kulturë mediatike» kuptojmë tjetërsimin përmes konsumizmit, një demokratizim i konsumit, por edhe një "mediokrizim" i tij. Në epokën tonë të internetit e të televizionit, kultura bëhet relative: na thuhet çfarë dhe ku të shohim, çfarë të lexojmë e të dëgjojmë. Njëherazi me kulturën masive, sikurse ve në dukje Edgar Morin, nxjerr krye një «kolonizim» i dytë. Një kulturë e tillë synon «gërryerjen» e kulturave të tjera, deri në zëvendësimin e tyre. Kështu kultura masive bëhet kultura e parë universale në historinë e njerëzimit. Bota e sotme, siç tërheq vëmendjen Samuel Huntington, - autori i bestseller-it The Clash of Civilizations, - po shkon drejt pluriqytetërimit, duke fshehur «përthyerje» të pashmangshme. Kultura e mediave na përshfaqet si një "agjent" i globalizimit për shkak të universalizimit të zbavitje-argëtimit, mbivlerësimit të këtij të fundit, duke çuar, gati pashmangshëm, në një gjendje varësie. Sikurse ka theksuar hulumtesi rumun Adrian Rakieru, «kultura coca-cola i josh turmat dhe shkakton shqetësimin e kulturave të vogla. Globalizimi përjashton mbylljet kulturore dhe ekonomike». Më tej, ai shton se «Rrezikojmë që, në vend të një qytetërimi të diversitetit, të përfshihemi në një qytetërim të vetëm – të zbavitje-argëtimit».
Kështu, pra, masmedia përfaqëson vetëm një pjesë të procesit nëpërmjet të cilit përshfaqet ndërtimi i kuptimeve simbolike, duke qënë njëra nga trajtat e shprehjes së globalizimit nga pikëpamja kulturore. Në librin e J. Tomlinson, Globalizim dhe kulturë”, hasim pohimin sipas të cilit kultura do të përfaqësonte aspektin thelbësisht të pavarur të procesit të ndërlidhjes së shumëfishtë. Po ashtu, simbolet kulturore mund të përftohen gjithkund, kurdoherë, përderisa nuk ekzistojnë kufizime që lidhen me prodhimin apo riprodhimin e tyre. Në këtë kuptim, në sajë të marrëdhënieve dhe trajtave të saj, kultura është globalizuese. Bota i ngjan një tregu të pamatë mallrash. Veprimet e individëve përcaktojnë vetë kulturën së cilës ata i përkasin, duke arritur të kenë rrjedhoja globale. Globalizimi është me rëndësi të veçantë për kulturën. Ai bën të mundur që «negocijimi i përvojës kulturore të mbërrijë në qëndrën e strategjive të ndërhyrjes në fusha të tjera ndërlidhjeje: politike, ekologjike, ose ekonomike». Si rrjedhojë, me anë të globalizimit kultura fiton peshë në të gjitha fushat e mësipërme.
Sociologu Anthony Smith e paraqit kulturën globale si diçka artificiale, të patrajtë. Sipas tij, kultura në fjalë, në fund të fundit, është një kulturë e sajuar, e stisur, ahistorike. Por jo vetëm kultura globale është sajesë, por edhe kultura kombëtare. Veçse, në dallim nga e dyta, kultura globale nuk është specifike, as e përcaktuar në kohë dhe në shprehësi. Lidhur me pohimin e Smithit, sipas të cilit një kulturë kombëtare është ngrehina e disa mendjeve të mençura dhe përbëhet nga tradita të shpikura, duhet përmendur fakti që, - pa e vrarë mendjen shumë, - mund të ndërtohet edhe një identitet i rremë - parazit në shpinë të ndjenjës së identitetit të një kulture. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në rastin e komunizmit, kur “vlera” dhe “ide të reja” ua zunë vendin vlerave të Shqipërisë së përhershme.
Mund të flitet, gjithashtu, për një "imperializëm kulturor", të barasvlershëm me atë të një kulture globale. Ky vizion ka pikënisje faktin që kultura të caktuara, - le t’i quajmë të mëdha, mbizotëruese, - priren të lenë "pa frymë" kultura të tjera më të prekshme. Sidoqoftë, megjithëse është përqafuar nga disa kritikues të kapitalizmit, një teori e tillë nuk mund të ketë taban në praktikë, ngaqë lëvizja mes sferës kulturore dhe asaj gjeografike dikton ndryshime, shndërrime. Arsyeja është se globalizimi ka si tipar veçorizues kryesor lehtësimin e qarkullimit të informacioneve dhe nuk janë të pakët ata që shohin tek ai një proces të mbisundimit të të dobtëve nga ana e korporatave të rëndësishme të botës. Gjithsesi, globalizimi nuk ka karakter homogjenizues; përkundrazi, çon në diferencime të hapësirës globale.
Në librin e autores rumune Ekaterina Kokora me titull “Globalizim dhe menaxhim” ndeshim grupfjalët Think global, act local. Vetëkuptohet prirja e filialeve të kompanive të mëdha prodhuese për ta përdorur dhe për ta eksportuar më tej në shkallë planetare fuqinë puntore të pranishme në vendin pritës. Mund të themi se e njëjta ndodh edhe në rastin e kulturës, sidomos në kinematografi - art i cili nuk kërkon meditime të thella dhe kohë të kulluar psikologjike për të tejçuar kumtet dhe gjerdanët me simbole. Një shëmbull domethënës është seria e filmave me Harry Potter-in, ku regjisorët, aktorët, skenografët e kombësive dhe feve të ndryshme kanë bashkëpunuar për të jetësuar një projekt që ka themeluar tashmë një armatë fansash të përkushtuar, jo rrallë fanatikë, anembanë globit. Duhet thënë se në librin nga buron seria e lartpërmendur shtjellohen disa veçori të globalizimit, si:
1. ka teknologjitë e veta - kompjuterizimin, komunikimin me satelit, internetin;
2. ka modelin e vet demografik - përshpejtimin e ndjeshëm të zhvendosjes së njerëzve të mjedisit rural;
3. ka strukturën e vet të pushtetit, në kuadër të të cilit sistemi i globalizimit ndërtohet mbi tri baraspesha forcash - a. baraspesha tradicionale ndërmjet shteteve kombëtare; b. baraspesha ndërmjet shteteve kombëtare dhe tregjeve globale; c. baraspesha ndërmjet individit dhe shteteve kombëtare.
Globalizimi mund ta ruajë bashkekzistencën paqësore midis kulturave vetëm në kontekstin e pikënisjes nga specifika e "industrive kulturore" për të mbrojtur lirinë e informimit dhe për të shmangur përqëndrimin e kulturës vetëm në duart e një elite. Gjithashtu shkencat shoqërore lipset “të studiojnë identitetin e ri kulturor ashtu siç shfaqet në botën e çkolonizimit, e globalizimit ekonomik”. Për rrjedhojë, "komercializimi i lirë" i kulturës hëpërhë duket një veprim fisnik, përmes të cilit çdo qytetar i globit mund të përfitojë nga qarkullimi i lirë i ideve, i fjalëve, i pamjeve, duke nxitur njëlloj vendet e pasura e të varfra ta përhapin e ta bëjnë të njohur kulturën e tyre.
Nga ballafaqimi i opinioneve të ndryshme, pro dhe kundër, mund të dilet në përfundimin se globalizimi krijon vetëdijen e larmisë, fuqizon demokracinë dhe e bën individin të aftë të zgjedhë midis shumë variantesh të mundshme. Gjithashtu, ky individ mund të vetëmbrohet kundër manipulimit, sepse ka mundësi ta qëmtojë e ta zbulojë atë. Globalizimi ka rol të veçantë për të shkurtuar dhe «asgjësuar» distancat dhe hapësirat që i ndajnë kulturat. Bota po bëhet një vend i vetëm, ndërsa ne jemi të gjithë "fqinjë".

Rreth domethënieve të sintagmës “Shoqëria e Hapur”


“T’u kushtojmë fjalëve vëmendjen që u takon” porosiste Konfuciusi. Mund të vetëpyetemi në mënyrë ezopike, por edhe në frymën e Dhiatës së Re, nëse ekziston në këtë botë ndonjë gjë që shkakton dëme më shumë se sa fjala. Pikërisht këtu e ka zanafillën proverba: “Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen”. Fjala është mbartësja e informacionit midis subjekteve njerëzorë dhe ndërmjet gjendjeve të ndryshme të të njëjtit subjekt; ajo është shprehja e qartë e koncepteve dhe e domethënieve së tyre. Fjala është “operatori” që sjell larmi në sferën e koncepteve, që modulon kuptimet duke i bërë të njohshëm ose të panjohshëm, të qartë apo evazivë. Me rëndësi të posaçme është të mos harrojmë se shoqëritë dhe shtetet, fatet njerëzorë, emocionet, bota jonë shpirtërore, fetë dhe strukturat e mëdha intelektuale, të gjitha mund të ndërtohen, ose të rrënohen nga fjalët.
Në periudhën e tranzicionit politik, kur krejt sistemi i domethënieve, i kuptimësive, që përbëjnë historinë, gjendet në shndërrim të vazhdueshëm, asgjë tjetër nuk mund të cilësohet më e rrezikshme se sa mungesa e vëmendjes ndaj perceptimit sa më të hollë të synimeve dhe të nënteksteve të fjalëve e të termave, të cilat qarkullojnë mes nesh, rreth nesh e brenda nesh. Janë pikërisht fjalët ato që mbrujnë të ardhmen më fort se sa dëshirat dhe se sa aftësitë tona. Ndër togfjalëshat (grupfjalët), që orvaten sot të ndryshojnë sa më ndjeshëm kuptimin e historisë, është shoqëria e hapur. Kjo e fundit, prej dy dhjetëvjetshash, vazhdon të mbetet fjala-kyç e shtjellimit të ngjarjeve në shkallë globale, si për Perëndimin, ashtu edhe për Lindjen, si për të djathtën, ashtu edhe për të majtën politike, si për të rinjtë dhe tradicionalistët, ashtu edhe për intelektualët, puntorët, madje edhe për
zëdhënësit e shumicës së feve kryesore të botës.
Tre libra përcaktojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi ecurinë teorike të shoqërisë së hapur. Dy prej tyre - "The Open and Its Enemies" e Karl Popperit dhe "The Road to Serfdom" e Friedrich von Hayekut - kanë dalë në dritë shtatëdhjetë vjet më parë, ndërsa i treti - "Reflections on the Revolution in Europe" e Ralf Dahrendorfit - është botuar para dy dekadash.
Dihet se shkaku i shpërthimit të revolucioneve evropiane të viteve ’80 -’90 të shekullit të kaluar, ishte domosdoshmëria e rrëzimit të komunizmit, diktaturës, totalitarizmit, bashkë me pasojat e rënda ekonomike të tyre, me bllokimin e çdo lëvizjeje shoqërore pozitive, me varfërimin ekonomik dhe shpirtëror të kombeve.
Çështja nuk shtrohet nëse duhet të jemi të hapur apo jo, sepse nga kjo pikëpamje gjërat janë të qarta: mbyllja është frymëmbytëse. Problemi shtrohet: kush dhe çfarë duhet hapur. Sepse një hapje “me të katër kanatat”, pa kurrfarë plani e kufizimesh të natyrshme, e zhbën entitetin, njësinë apo organizmin që hapet. Një shoqërie të hapur i duhet të përballet me një sërë mbrapshtish, të shmangë rreziqet që quhen: dogmatizëm, tjetërsim, utopi. Veprimet e saj, në të gjitha aspektet, janë veprime politike dhe kushtetuese. Nga tre rreziqet e sapopërmendur, që duhen mënjanuar, më i dëmshmi është dogmatizmi. Nënshtrimi ndaj dogmës prish rrënjësisht të drejtën e një shoqërie për t’u quajtur e hapur. Komunizmi, ashtu si çdo totalitarizëm, është e kundërta absolute e shoqërisë për të cilën po flasim. Nuk mund të bëhet fjalë për shoqëri të hapur nën sistem njëpartiak, me ekonomi të
mbikontrolluar e të tejqëndërzuar, me aparat administrativ të egër, që censuron skajshëm kulturën, dhe me një regjim që mbahet më këmbë nga puna e detyrueshme e përgjithësuar. Shoqëri e hapur do të thotë demokraci, liri njerëzore, antidogmatizëm, antiideologjizim. Shoqëria e hapur është kundërshtare e utopive, të cilat përfaqësojnë braktisjen e së sotmes dhe paaftësinë e përfshirjes sonë në të tashmen. Utopitë janë mjete të tjetërsimit dhe njëherazi simptoma të tij. Ato i kanë sjellë shumë dëme njerëzimit. Hedhja poshtë e tjetërsimit, gjithashtu, është mëse e domosdoshme për një shoqëri joshtypëse si shoqëria e hapur.
Ka politologë që e venë në dyshim faktin nëse shoqëria e hapur mbart një koncept të përvijuar qartë, apo është thjesht sintagmë. Një fjalë a grupfjalësh, që nuk mbulon, që nuk përfaqëson një koncept të saktë, mund të çojë në rrugë të mbarë, por gjithaq edhe në rrugë të gabuar.
Nga sa thamë më sipër, mund të dilet në përfundimin se shoqëria e hapur është emër i më së mirës në histori, është emër shprese, që ia kundërvemë kërcënimit potencial totalitarist, amoralitetit dhe agresivitetit politik.
Por cilat janë perspektivat e përdorimit të togfjalëshit shoqëri e hapur?
Shoqëria e hapur i le një portë të lirë cilësdo tendence. Shoqëria amerikane dhe ajo frënge, për shëmbull, janë të dyja të hapura. Kushtetuta amerikane është e famshme ngaqë nuk kufizon me asgjë sistemin shoqëror të vendit. Por, gjithnjë në rrafsh kushtetues, në SHBA është i pamundur krijimi i jashtëligjshëm, jodemokratik, me grusht shteti etj, i disa strukturash të tjera pushtetare, paralele. Kushtetuta franceze ua ka vënë kufirin “te thana” prirjeve të çdo qeverisjeje që do të ligjëronte shtetëzimin e pjesës më të madhe të ekonomisë.
Nëse në lëmin e politikës kushtetuese dallojat ndërmjet varianteve të shoqërisë së hapur mund të jenë të mëdha, gjithaq të ndryshme mund të jenë edhe politikat e përditshme që praktikohen në gji të saj. Sidoqoftë, ekziston një pikë në të cilën puqen opinionet dhe kjo nuk është në favor të shoqërisë së hapur: çkulturimi i shkallëzuar në suazën e një shoqërie të tillë. Francisc Fukuyama dhe Ralf Dahrendorf, mendimtarë me vizione politike të kundërta, e paraqitin shoqërinë e së ardhmes si antikulturore, të dyndur nga kitsch-i, nga një mosangazhim i theksuar kulturor e, për rrjedhojë, nga mungesa e krijimtarisë së mirëfilltë, autentike.
Mund të thuhet se gjithçka, përfshi shoqërinë njerëzore, veçorizohet nga mbyllje dhe hapje të njëkohshme ose të përkëmbyera. Për shekuj me radhë, traditat kulturore dhe folklorike, zakonet e doket, kanë përfaqësuar njëherazi edhe hapje, edhe mbyllje. Besimi fetar ka vepruar në periudha të caktuara si mbyllje, ndërsa në të tjera si hapje. Tregtia, qarkullimi i vlerave, i përkasin në thelb hapjes. Shteti, ashtu si besimi fetar, ka qënë herë mbyllje dhe herë hapje sociale, herë në përkim kohor me kishën dhe herë në përkëmbim me të. Morali është mbyllje, e cila më pas kalon në hapje të mirëfilltë. Krijimtaria është, mbase, hapja e cila grish për mbyllje të përligjura dhe të kufizuara. Një shoqëri që nuk ka mbylljet e veta, i ngjan një bote në agoni. Shoqëria e hapur nuk është han me dy porta, sepse askush nuk e dëshiron bjerrjen e vlerave qytetëruese dhe të traditave kombëtare, madje as të
zakoneve me të cilat populli ynë është mëkuar e burrëruar dhe nuk i ka ndryshuar gjatë shekujve, pavarësisht nga forma e regjimit apo e sistemit, që i është imponuar apo e që e ka zgjedhur vetë, me vullnet të lirë. Kështu, bie fjala, shqiptari në asnjë mënyrë nuk i kthen shpinën, qoftë erës, qoftë armikut, - ky i fundit, siç dihet tanimë, mund të jetë edhe pervers, - që të mos gjendet në befasi nga goditjet e tyre. Shqiptari nuk i trajton njerëzit si kafshë ngarkese dhe as nuk lejon që të tjerët ta shndërrojnë në të tillë. Përfitimet e çdo natyre qofshin dhe ngado që të vijnë, në rast se sigurohen përmes shpërfilljes së traditave dhe zakoneve stërgjyshore, në fund të fundit rëndojnë në kurriz të dinjitetit tonë kombëtar, i cili nuk ka të paguar.
Vetëkuptohet se kërkohet një shoqëri për të cilën shteti të jetë kryesisht hapje, jo mbyllje. Nga ky këndvështrim, bëhet fjalë më fort jo për një shoqëri, po për një shtet të hapur. Duke mos iu nënshtruar kufizimeve politike, shoqëria jonë duhet dhe ka për të gjetur edhe caqet e kufizimet e veta të domosdoshme, pra të natyrshme, me mbyllje dhe hapje të tjera. Sepse duke dëgjuar vazhdimisht për hapje dhe shoqëri të hapura, njerëzit, në radhë të parë të rinjtë, ngandonjëherë harrojnë që ekzistojnë edhe mbyllje shpëtimtare, pa të cilat jeta nuk ka kuptim. Të tilla janë: mbyllja në rrethin e ngrohtë të intimitetit, të nderit e të premtimit të dhënë, të besës, etj.
Edhe krijimtaria kulturore, përmes etikës dhe estetikës që sjell në jetë, tregon se bota nuk është vetëm hapje e patrajtëshme. Po qe se shoqëria e hapur nuk do të njihte ca kufizime dhe do të shpërfillte baraspeshimin dhe inteligjencën kulturore, do të shndërrohej në portë të hapur për cilëndo diktaturë që do të tregohej "inventive" në manovrimin e shpirtrave të papërgatitur, që nuk duan t’ia dinë për kurrfarë kufiri.

Nikolae Jorga dhe popujt e lindur nën një “zodiak të pafat”


Rumunët e shqiptarët janë kushërinj të një gjaku… Por ndërmjet popullit rumun dhe shteteve të krijuar nga pasardhësit e grekëve dhe të sllavëve, ekzistojnë dallime të mëdha
Nikolae Iorga


Nikolae Jorga (17 janar 1871 - 27 janar 1940), historian, kritik letrar, dokumentarist, dramaturg, poet, enciclopedist, memorialist, parlamentar, ministër e kryeministër, profesor universitar dhe akademik, ka luajtur në kulturën rumune të dhjetëvjetshave të parë të shekullit XX rol të njëjtë me atë të Volterit në Francë. Universitetin në qytetin verior rumun Jash, - i cili, për traditat e pasura është quajtur Firencja e Rumanisë, - e kreu brenda vetëm një viti (më 1889) duke merituar diplomën magna cum laude. Studimet i vazhdoi në Paris , Berlin dhe Lajpcig dhe mbrojti doktoratën pa mbushur ende moshën 23 vjeç. Edhe kur u pranua në Akademinë Rumune , ky „patriark i kulturës rumune” ishte fare i ri. Ndërkaq, me konkurs, fitoi drejtimin e katedrës së historisë në Universitetin e Bukureshtit. Si nacionalist i moderuar, Jorga mendonte: „Vendi ynë ka, para së gjithash, një detyrë - atë të punës. Puna e vërtetë dhe e frytshme mund të kryhet vetëm me solidaritet kombëtar”.
Duke qënë i pajisur me një kujtesë të jashtëzakonshme, Jorga njihte me themel historinë botërore dhe veçanërisht atë të Rumanisë. Ka shkruar rreth 1.250 vëllime dhe 25.000 artikuj. Praktikisht nuk ekziston as edhe një temë nga historia rumune pa qënë e shtjelluar përsëthelli nga pena e Jorgës. Nikolae Jorga u vra nga legjionarët e lëvizjes ultrafashiste Garda e Hekurt, të cilët e fajësonin si nxitës në vrasjen e kreut të tyre Korneliu Zelea Kodreanu nga mbreti i Rumanisë, Karoli II. Me të marrë vesh lajmin për fundin e hidhur të Nikolae Jorgës, 47 universitete dhe akademi nga e gjithë bota ulën flamurin në gjysmë shtizë.
Në periudhën e regjimit komunist, vepra monumentale e Nikolae Jorgës u la mënjanë me prapamendim dhe historia e Rumanisë u rrenësua (u falsifikua), duke u vënë me servilizëm dhe pa rezerva në shërbim të ideologjisë marksiste.
Nikolae Jorga kishte vizion të qartë për të shkuarën e të ardhmen e Evropës, vizion që e freskonte në mënyrë të vazhdueshme përmes një bagazhi tejet të begatë informacionesh, duke vënë në lëvizje kujtesën e vet befasuese. Ky mik i zgjedhur i kombit shqiptar, që shprehej me bindje se „rumunët e shqiptarët janë kushërinj të një gjaku”, e dinte fare mirë se sa vuajtje është në gjendje të përftojë në jetën e popujve ballkanikë sajimi për ta, në pjesën tjetër të kontinentit dhe përtej tij, i një imazhi negativ apo të sipërfaqshëm.
Ky erudit dhe politikan aktiv në periudhën midis dy luftrave, e pat këqyrur Ballkanin si rajonin ku u lind, u përkund dhe u poq „fëmija”, i cili, me kalimin e kohës, do të bëhej „Kontinenti Plak”, ndërsa ballkanasit i cilësonte banorë autentikë të Gadishullit tonë. Duke u nisur nga këto konsiderata historike, dhe njëherazi shpirtërore, largpamësi i pashoq Nikolae Jorga përgatiti terrenin për brezat e ardhshëm, duke u dhënë në dorë armën e shkencës së vërtetë kundër insinuatave, fyerjeve dhe trillimeve antiballkanike të çdo lloji, të gatuara në kuzhinat e helmatisura të armiqve tanë. Dhe jo vetëm të tyre. Përmes argumentimit të faktit që Gadishulli Ballkanik, Evropa Juglindore, përfaqëson vatrën ku qëndron vazhdimisht ndezur flaka e përparimit dhe e qytetërimeve më të hershme, të ngjizura pò në këto treva, dijetari i shquar rumun nguliti në mendjen e popujve të rajonit tonë krenarinë që i përkasin kësaj zone.
Mund të pohojmë se jorgaizmi është filozofia e mbrojtjes së dinjitetit të Ballkanit, të Haemusit mijëvjeçar.
Më 17 shkurt 1930, gjatë darkës së dhënë për nder të Nikolae Jorgës nga këshilli pedagogjik i Universitetit Western Reserve i qytetit të madh amerika Klivlend Ohajo, - i pagëzuar nga Jorga si „metropoli i dytë i rumunëve”, për shkak të numurit të madh të emigrantëve rumunë me banim atje, - ky historian i përmasave evropiane mbajti një leksion në gjuhën angleze me titull The Background of Romanian History / Zanafilla e Historisë Rumune (shih E oare România un stat balcanic?/ A është Rumania shtet ballkanik?, Revista Secolul XX / Shekulli XX, Bukuresht, 1997, nr.7-9, f. 11).
Qëllimi i këtij leksioni të Jorgës dhe mbase i vetë vizitës që bëri në Klivlend Ohajo në periudhën 27 shkurt - 30 mars 1930, ishte pikërisht përmirësimi i imazhit të botës ballkanase në sytë e Përtejoqeanit.
Jorga filloi të vinte në pikëpyetje termin „Balcania”, i përdorur, me sa duket, për të parën herë, në parathënien e punimit Origine e evoluzione storica delle nazioni balcaniche / Prejardhja dhe ecuria historike e kombeve ballkanikë, i autorit Anxhelo Perniçe, botuar në Milano në vitin 1915. Ky term do të rimerrej më pas nga enciklopdi të ndryshme dhe nga libra historie, për t'u përdorur me një kuptim më të gjerë, të barasvlershëm me sintagmën hapësirë eurojuglindore, pikërisht ashtu siç pat propozuar Jorga.
Duke zbatuar metodën e „pastrimit” të një imazhi të shformuar të Ballkanit, - përmes përcjelljes në heshtje të një përqindjeje negative të papërfillshme rreth tij, - Jorga argumentoi përfshirjen vetëm nga pikëpamja terminologjike të botës rumune në atë ballkanike në përgjithësi.
Ja si shprehet ai në lidhje me çështjen e sapopërmendur:
„Duke u përpjekur të ndreq këto mendime të gabuara - pohon ai - as që më shkon ndërmend të denigroj trevat e bukura dhe të pasura ballkanike, banorët e të cilave janë tani (më 1930, sh.y.) zotër të disa shtetesh të pavaruara, njerëz të denjë për lavdërim plotësisht të merituar, për mënyrën se si e kanë përballuar për një kohë të gjatë zgjedhën turke, për burrërinë me të cilën kanë mbrojtur besimin e krishterë, sidhe për dashurinë e pakufishme që ushqejnë ndaj viseve zanafillore të sojit të tyre, i cili është lindur nën një zodiak të pafat. Por ndërmjet popullit rumun dhe shteteve të krijuar nga pasardhësit e grekëve dhe të sllavëve, ekzistojnë dallime të mëdha” (Revista Secolul XX, v.cit., p.10).
Jorga përshkruan dhe shpjegon ecurinë e jetës historike dhe kulturore të Balcania-s qysh para shfaqjes së shteteve kombëtarë, duke vërtetuar se ndikimi i perandorive bizantine dhe otomane nuk ka qënë i njëtrajtshëm. Nga pikëpamja kulturore disa popuj ballkanas kanë ecur drejt formash shtetërore me prejardhje orientale, pa mundur ose duke e ndarë mendjen të ruajnë të pacënuara strukturat drejtuese, sidhe vizionet gjeopolitike. Të tjerë, sikurse është edhe rasti i rumunëve, ia dolën mbanë ta ruanin pavarësinë de facto dhe të mbeten në Evropë megjithse ishin konsideruar si jashtë saj.
Idetë e parashtruara nga Jorga në leksionin e Klivlendit, të cilat fatkeqësisht janë studiuar dhe mediatizuar fare pak, mbeten të vlefshme edhe në ditët tona, sidomos në rrethanat e integrimit të hapësirës eurojuglindore në strukturat e Bashkimit Evropian.
Për „të ngjizur” një imazh pozitiv për këtë hapësirë të quajtur eurojuglindore, të çliruar dhe deridiku të imunizuar ndaj paragjykimeve dhe imagologjisë negative, Jorga hyri në lidhje me mbretin e Shqipërisë, Zogun I, - i cili në shënjë mirënjohjeje i dhuroi një terren pranë Sarandës, në bregdetin e Jonit, - për të hedhur themelet e një instituti për studime eurojuglindore. Vendi për ngritjen e institutit të lartpërmendur dukej i përkryer po të mbajmë parasysh edhe praninë në zonë të etnive të tjera - arumunëve dhe grekëve.
Mund të thuhet se dhurata e mbretit shqiptar ishte në një farë mënyre shpërblim për ndihmesën e vazhdueshme të Jorgës në historiografinë ballkanike. Ndër të tjera, Jorga përpiqej që elitat intelektuale të Evropës Juglindore të njihnin përsëthelli historinë e vendeve dhe të popujve përkatës, si parakusht për t'u ndërgjegjësuar e për t'i dalë për zot historisë së tyre, në mënyrë që rajoni ynë të përparonte duke u ballafaquar pa frikë me pengesa, të cilat, po qe se nuk kapërceheshin, mund të bëheshin fatale.
Në botën shqiptare figura e Nikolae Jorgës ze një vend ballor ndër miqtë e huaj të kombit e të popullit tonë. Liriku i madh dhe njëherazi memorialist, Lasgush Poradeci, personalitet tejet aktiv i Kolonisë së Bukureshtit, atëkohë më e fuqishmja dhe më aktivja e diasporës sonë, në bisedat e zhvilluara me mikun e vet të ngushtë, Petraq Kolevicën, ka dëshmuar se kur ishte sekretar i Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, kjo e kishte selinë në një godinë të bukur në qëndër të qytetit. Në atë ndërtesë kishte salla në të cilat zhvilloheshin mbledhje të kolonisë, organizoheshin shfaqje me rastin e Ditës së 28 Nëntorit, ftoheshin shumë personalitete të shquara të Rumanisë dhe të vendeve të tjera. Shqipëria e kishte formuar tashmë shtetin e saj, por shumë vetë pyesnin: „Çfarë është kjo, Shqipëria?!”
Që ta bënin të njohur Shqipërinë, ka vënë në dukje Lasgushi, ndjehej nevoja për një libër në të cilin të flitej me objektivitet e kompetencë për historinë e Shqipërisë, për të kaluarën e saj, për heronjtë e saj. Meqë një vepër si kjo ende nuk ekzistonte, e lutën Nikolae Jorgën ta merrte përsipër një barrë të tillë.
Nikolae Jorga u tha se nuk kishte kohë ta shkruante historinë e Shqipërisë, por premtoi se do të vinte në selinë e kolonisë për të mbajtur një leksion të gjerë me këtë temë. Njëkohësisht u tha drejtuesve të kolonisë që, me atë rast, të ftonin cilindo që do ta gjykonin të nevojshme. Gjithashtu duhej të merrnin dy stenografë që të mbanin shënime, të cilat më pas mund t'i botonin në trajtë libri. „Ashtu edhe bëmë” ka pohuar Lasgushi (Shih Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë, Tiranë 1995, f. 30).
Libri doli në Bukuresht në vitin 1919, në gjuhën frënge, me titullin Brève Histoire de l’Albanie / Histori e Shkurtër e Shqipërisë dhe u shpërnda me shpjetësi në të gjithë Evropën, sidhe edhe në botën e Përtejoqeanit.
Por ndihmesa e Nikolae Jorgës në historiografinë shqiptare nuk kufizohet vetëm me këtë vëllim dhe as vetëm në dashurinë e çiltër të shprehur gjatë gjithë jetës ndaj shqiptarëve.
Jorga ka qënë ai që, në vitin 1915 zbuloi në Bibliotekën Laurentiana të Romës dhe e botoi menjëherë Formulën e Pagëzimit në gjuhën shqipe, të përpiluar, më saktë të përkthyer nga latinishtja, të Pal Ëngjëllit, mik i afërt dhe këshilltar i Gjergj Kastriotit -Skënderbeut.
Me siguri Jorgës ia pat zënë veshi thënien profetike të princeshës rumune me prejardhje shqiptare Elena Gjika, alias Dora d’Istria: „Historia e Shqipërisë do të rilindet nga arkivat e Evropës”.
Besojmë se nga të njëjtat arkiva do të rilinden edhe histori të tjera.

Ahmet Zogu dhe Turqia


Në periudhën përkatëse, të dy udhëheqësit e Shqipërisë dhe të Turqisë, Ahmet Zogu dhe Mustafa Qemal Ataturku, i kanë kushtuar rëndësi të posaçme zhvillimit të marrëdhënieve miqësore tradicionale nëmes dy popujve tanë.
“Ne i duam popullin dhe kombin shqiptar - është shprehur krijuesi i shtetit modern turk, Mustafa Qemali. - Ne i konsiderojmë ata vëllezër tanët. Ata nuk janë larg nesh. Ne urojmë që Shqipëria, si shtet e si komb, të zhvillohet, të forcohet e të ecë përpara. Ne dëshirojmë që Shqipëria të zerë vendin që meriton në Ballkan, sidomos si një shtet i pavarur. Shqipëria të jetë e sigurtë për çiltërsinë tonë. Populli shqiptar nuk duhet të dyshojë kurrë në ndjenjat vllazërore që populli turk ushqen për të. Dhe kjo nuk është shprehje sentimentale, por ndjenjë e dalë nga thellësitë e zemrës së tij” (Bilal N. Shimshir, Direktivat e Ataturkut dhënë ambasadorit Ryshen Eshref Ynajdën, Ankara, 1981, f.2. Direktivat e sapopërmendura, autori i këtij shkrimi, Kopi Kyçyku, i ka gjetur më 1981 në Arkivat e Shtetit Turk (Türk Devlet Arşivleri) dhe i ka përfshirë në të dy botimet e librit të vet: “Mustafa Qemal Ataturku”, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1986 dhe Shtëpia Botuese “Arbri”, Tiranë, 1993, f. 99-116).
Qysh më 1907, në një bisedë me Fuat Pashën, Mustafa Qemali kishte theksuar: “Fuqitë e Mëdha, prej kohësh kanë vendosur ta coptojnë Perandorinë Osmane. Ato presin momentin e përshtatshëm për të vënë në zbatim planet e tyre. Gjithsesi, Shqipëria duhet dhe do të mbetet e pavarur” (Ali Fuat Xhebesoj, Shoku im i klasës, Ataturku, Stamboll, 1980, f.116).
Më 1908, në një takim të ngrohtë në Selanik, atdhetarët shqiptarë Mihal Grameno, Bajo Topulli e të tjerë, kuvenduan me Mustafa Qemalin gjerë e gjatë për drejtësinë e luftrave që zhvillonin populli ynë dhe popujt e tjerë për flakjen tej të zgjedhës otomane. Ata do t'i kujtonin më vonë me nderim fjalët e Ataturkut për “rëndësinë e lirisë, e cila do t'i bashkojë kombet në një punim për lumturinë...” e tyre (Mihal Grameno, Kryengritja shqiptare, Vlorë, 1926, f.114).
Pikërisht në momente vështirësish e sakrificash të mëdha, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Mustafa Qemalit, i cili në atë periudhë ndodhej në ballë të luftës së popullit të vet kundër forcave të huaja intervencioniste, midis qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës (më 1920) dhe qeverisë turke, u vendosën kontakte. Një delegacion ushtarak turk, i kryesuar nga koloneli Selahedin Sahip, bëri një vizitë në Shqipëri. Më 1 mars 1921, Mustafa Qemali do të deklaronte para Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë: “Me popullin shqiptar jemi miq për shekuj. Së toku ndajmë të mirat e të këqijat e jetës e të fatit të përbashkët” (Nga procesverbalet e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, sipas Nexhip Allpan, në: Shqipëria e sotme në dritën e historisë, Ankara, 1975).
Më 1922, konsulli shqiptar në Stamboll vinte në dijeni Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se sulltanati ishte përmbysur dhe se Republika e re Turke tashmë ishte fakt i kryer (Arkivi Qëndror i Shtetit/AQSH, Fondi 251, viti 1922, dos. 61, dok.10).
Dhe nuk ishte aspak rastësi që bisedimet shqiptaro-turke për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona zunë fill pikërisht pas krijimit të Republikës Turke. Më 15 dhjetor 1923 në Ankara u nënshkrua Traktati i Miqësisë midis Turqisë dhe Shqipërisë. Po atë ditë u nënshkruan Marrëveshja e Qëndrimit dhe Marrëveshja e Shtetasve (konsullore). Të tre dokumentet e lartpërmendur hynë në fuqi në vitin 1925. Këta hapa drejt afrimit të dy vendeve tona u hodhën në një kohë kur forcat përparimtare shqiptare, me borgjezinë demokratike në krye, e dëshironin mirëkuptimin e bashkëpunimin me Turqinë e re dhe në kushtet kur forcat regresive, duke mos i pasur pozitat të forta dhe as orientimet në politikën e jashtme të qarta, e kishin të vështirë ta kundërshtonin një gjë të tillë.
Më 1923 Ahmet Zogu ishte kryeministër, ndërsa më 1925 u zgjodh President i Shqipërisë. Kur u nşnshkrua Traktati i Miqësisë Shqiptaro-Turke, Ahmet Zogu, me cilësinë e kreut të qeverisë shqiptare, i dërgoi një letër miqësore Gazi Mustafa Qemal Pasha Ataturkut (Gjenerali Ngadhnjimtar Mustafa Qemali, Babai i Turqve), në të cilën i paraqiste urimet më të çiltra për “lumturinë dhe miqësinë me kombin e madh turk” dhe theksonte: “Shpresoj plotësisht se historia e lidhjeve të përbashkëta të kombeve tona, në një të ardhme të afërt do të jetë faktor i sigurtë paqeje” (Arkivi i MPJ të Turqisë /AMPJT: Shpallja e Republikës, 1923. Telegram i A. Zogut dërguar kryeministrit turk, 31.10.1923).
Në vitin 1926 midis dy republikave të reja u vendosën marrëdhënie diplomatike. Për herë të parë, në kryeqytetet përkatëse u çelën ambasadat. Tahir Lytfiu (Tekaj) u emërua ambasador i Turqisë në Tiranë. Duke qënë ambasadori i parë turk që vinte në Shqipëri, Tahir Lytfiu kishte sjellë për Presidentin shqiptar, Ahmet Zogun, një letër të Ataturkut, me anë të së cilës e falenderonte për mesazhin që ky i pat dërguar, e uronte për zgjedhjen në krye të shtetit shqiptar dhe shprehte ndjenjat e miqësisë për shqiptarët (AMPJT, dosja 94: Letër e M. Qemalit për A. Zogun, 22.12.1925).
Ambasadori Tahir Lytfi, më 17 shkurt 1926 i paraqiti Ahmet Zogut letrat kredenciale, sidhe letrën vetjake të Ataturkut. Me atë rast u mbajtën fjalime për ndjenjat e miqësisë e të vllazërimit, që buronin nga “fati i përbashkët pesëshekullor”. U ngritën edhe dollì. Atë ditë ambasadori dërgoi këtë telegram në Ankara: “Sot i paraqita Presidentit letrat kredenciale. Ceremonia ishte më se e shkëlqyer. I dorëzova edhe letrën vetjake të Shkëlqesisë së Tij, Gazi Pashait. Fola frëngjisht. Presidenti foli shqip. Gjatë bisedës, Presidenti, Ahmet beu, foli me një gjuhë plot respekt dhe vlerësim për Shkëlqesinë e Tij Gazi Pashain, për qeverinë tonë republikane dhe për kombin tonë. Duke ngritur kupën me shampanjë, ai tha: E ngre këtë gotë për lumturinë dhe miqësinë e Gaziut të Madh dhe të kombit të madh turk. Për reciprocitet, edhe unë e ngrita gotën time për lumturinë e Presidentit dhe të Republikës Shqiptare”.
Në fillim të vitit 1926 ambasador i Republikës së Shqipërisë në Ankara u emërua Rauf Fico. Ky diplomat i zgjedhur, që në të ardhmen do të bëhej edhe ministër i Punëve të Jashtme, kishte për detyrë të forconte më tej marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve (AMPJT, dok. 4/1: Letrat kredenciale të Rauf Ficos, 17.1.1926).
Më 13 mars 1926 Rauf Fico i paraqiti Gazi Mustafa Qemalit letrat kredenciale. Gjatë ceremonisë përkatëse, ai tha se do të përpiqej me të gjitha forcat “për të konsoliduar lidhjet miqësore që ekzistojnë prej shekujsh midis dy kombeve që kanë pasur fate të përbashkëta gjatë rrjedhës së historisë” (Po aty: Fjalimi i Rauf Ficos, 13.3.1926).
Ataturku iu përgjigj ambasadorit shqiptar me këto fjalë: “Mund të jeni i sigurtë se do të keni ndihmën time dhe të qeverisë republikane në punën tuaj për konsolidimin e lidhjeve të miqësisë midis dy popujve që kanë pasur fate të përbashkëta në shumë fusha, në periudha tepër të hershme të historisë, në punën tuaj për t'u shërbyer interesave të të dy vendeve dhe për të çelur një periudhë bashkëpunimi të ngushtë midis dy kombeve”.
Kështu u vendosën marrëdhëniet diplomatike turko-shqiptare. Ato patën një zhvillim pozitiv për afro dy vjet.
Por vendosja e monarkisë dhe shpallja më 1 shtator 1928 e Ahmet Zogut “Mbret i Shqiptarëve”, nuk u pritën mirë nga republikani Mustafa Qemali. Krahas qëndrimit mosmiratues, Presidenti i Turqisë e cilësoi aktin e mësipërm si anakronizëm politik, që nuk përputhej me frymën e demokracisë borgjeze, sidomos të vendeve që ua kishin parë dëmin monarkive mesjetare. Ndryshimi i formës së qeverisjes në Tiranë mjaftoi për ftohjen e menjëhershme të marrëdhënieve shqiptaro-turke. Turqia, siç dihet, ishte republikë e re dhe udhëheqësit e saj tregoheshin tepër të ndjeshëm në këtë çështje.
Ndërkaq, fill pas shpalljes së Monarkisë Shqiptare, shtypi botëror filloi të bënte komente nga më të ndryshmit, madje nuk munguan spekulimet që lidheshin veçanërisht me qëndrimin e Ataturkut ndaj regjimit të ri në Tiranë.
Sapo u kthye nga pushimet verore, Ataturku e thirri ambasadorin ministër fuqiplotë nga Tirana. Urdhëri për këtë iu dërgua me telegramin e datës 3 tetor 1928, në të cilin thuhej: “Shkëlqesia e Tij, Presidenti, u kthye. I folëm për ndryshimin e regjimit në Shqipëri. Pas kësaj ndodhie të rëndësishme, nga qeveria shqiptare nuk na u dhanë shpjegime të mjaftueshme. Prandaj Shkëlqesia e Tij ka nevojë të vini këtu (në Ankara) për t'i dhënë informata të mjaftueshme për gjithë këtë aventurë. Ju lutem të vini këtu pasi të keni shpjeguar në një mënyrë të përshtatshme arsyen e udhëtimit tuaj” (AMPJT – Shqipëria m/32/ MPJ-së, telegram i shifruar nga përfaqësia në Tiranë, 3.10.1928, nr. 49701/55).
Ministri fuqiplotë turk, Tahir Lytfi, shkoi në Ankara dhe nuk u kthye më në Tiranë. Sekretari i parë, Fuat beu, mbeti i ngarkuar me punë ad interim.
Të nesërmen e kthimit të Tahir Lytfiut nga Tirana, në shtypin francez u botua një intervistë e Ataturkut, në të cilën, pasi ritheksonte kritikat për veprimin e Ahmet Zogut, deklaronte se, edhe sikur të mbetej i vetëm, nuk do ta njihte mbretërinë e tij (“Le Petit Parisien”, 7.10.1928).
Në të vërtetë, Ataturku shpresonte dhe parashikonte që marrëdhëniet midis dy vendeve të zhvilloheshin një ditë normalisht. Ky ishte shkaku që ai tërhoqi nga Tirana vetëm ministrin fuqiplotë, Tahir Lytfiun, pa e mbyllur përfaqësinë. Mirëpo titulli zyrtar i të ngarkuarit me punë ad interim të Turqisë nuk njihej nga qeveria shqiptare. Fuat beu, - dhe më pas diplomatët e tjerë turq me detyrën e mësipërme, - qëndroi në Tiranë jo si i ngarkuar me punë ad interim, por thjesht si shtetas turk. Mbreti Zog I, i prekur thellë e i zemëruar nga mosnjohja e regjimit të tij nga Ataturku, çka përbënte një sfidë të mirëfilltë, jo vetëm e tërhoqi ministrin shqiptar nga Ankaraja, por, duke nxjerrë në pah “vështirësitë financiare”, e mbylli përfaqësinë shqiptare në kryeqytetin turk e më pas edhe konsullatën në Stamboll, duke i lënë të drejtat e interesat e shtetasve shqiptarë në Turqi në dorë të ambasadës italiane në Ankara.
Edhe shtypi turk filloi të botonte artikuj kundër Mbretërisë Shqiptare. Ndërkohë, qeveria shqiptare ndaloi futjen në Shqipëri të të gjitha gazetave turke. Gazeta “Shekulli i ri”, që dilte në Durrës, pat nisur të botonte Diskutimin e madh të Ataturkut, mbajtur në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë, më 1923. Ky botim u ndërpre. Gjithsesi, shtypi shqiptar i kohës, në mënyrë sistematike, botoi një numur të madh shkrimesh të gjinive të ndryshme, nga njoftimet e thjeshta e kronikat, deri te portretet e komentet e hollësishme - pasqyrë e pikëpamjeve të forcave të ndryshme politiko-shoqërore për Lëvizjen Nacionalçlirimtare turke dhe për shndrrimet demokratike në Turqi. Bie fjala, në disa numura të revistës përparimtare të mirënjohur “Bota e Re”, zuri vend seria e artikujve “Pse dhe si u shkatërrua Turqia e vjetër”, që arrinte në përfundimin se Turqia po shpëton nga “imperializmi evropian dhe nga klasa drejtuese e vjetër” (“Bota e Re”, nr.7, 10, 11, 12, 13, Korçë, 1936).
Megjithëkëtë, lidhjet shqiptaro-turke për tre vjet me radhë vazhdonin të qëndronin në nivelin zero.
I ngarkuari me punë ad interim i Turqisë në Tiranë theksonte se “… me qeverinë (shqiptare, sh.y.) nuk kam as edhe një kontakt. Pres udhëzime” (AMPJT, Shqipëri-Turqi, 1926-1931. Një faqe nga marrëdhëniet Turqi-Shqipëri. 18.11.1931).
Në përgjigjjen që iu dërgua nga Ankaraja, vihej në dukje: “Me qeverinë nuk duhet të mbash kontakte dhe të shmangësh në mënyrë të prerë çdo ballafaqim” (AMPJT, Shqipëri-Turqi, 1926-1931. Një faqe nga marrëdhëniet Turqi-Shqipëri. 18.11.1931).
Pra, i ngarkuari me punë ad interim do të qëndronte në Tiranë si vëzhgues. Ai nuk do të zhvillonte bisedime me qeverinë shqiptare. Lipsej të tregohej i duruar, nuk duhej të reagonte e as t'u jepte përgjigjje skandaleve që mund të sajonin persona të ndryshëm. Pikërisht në ato momente delikate hyri në mes Ataturku. Ai i ktheu marrëdhëniet shqiptaro-turke drejt normalizimit. Më 20 tetor 1931, në Stamboll u mbajt Konferenca e Dytë Ballkanike, ku mori pjesë edhe Shqipëria. Delegatët, për seancën e fundit shkuan në Ankara. Ataturku i priti ata dhe në të njëjtën ditë u dërgoi nga një telegram kryetarëve të shteteve ballkanike, pjesëmarrëse në Konferencë. Telegrami drejtuar mbretit shqiptar Zog I kishte këtë përmbajtje. “Duke pritur sot në Ankara pjesëmarrësit në Konferencën e Dytë Ballkanike, ndjeva kënaqësi të vërtetë. U preka thellë nga urimet e shprehura për mua dhe për kombin turk nga përfaqësuesit e organeve kombëtare shqiptare. Me këtë rast, duke formuluar urimet më të përzemërta për lumturinë e Shkëlqesisë Suaj dhe për mirëqënien e popullit shqiptar, mendoj se nuk shpreh vetëm ndjenjat e mia, por edhe ndjenjat e kombit turk” (Anadolu Ajansi, Shërbimi i Dytë, Buletini Politik, 29.10.1931. Përgjigjja e mbretit Zog: “Jam thellësisht i prekur nga urimet e përzemërta për kombin shqiptar dhe për mua. Në emrin tim dhe të kombit shqiptar, ju uroj lumturi, ndërsa kombit fisnik turk urimet më të ngrohta për begati”).
Ky telegram i Ataturkut ngjalli gëzim në Shqipëri dhe e mbylli menjëherë periudhën e “luftës së ftohtë”. Lidhur me gjendjen në Tiranë, i ngarkuari me punë ad interim i Turqisë njoftonte Ankaranë:
“Telegrami i Presidentit tonë të madh ka krijuar në Shqipëri një atmosferë hareje dhe mirënjohjeje të çiltër. Gjithkush mbeti i mahnitur nga delikatesa. Ish-ministri i Jashtëm Jobek erdhi në ambasadë, shprehu kënaqësinë e madhe që ndjente, m'u lut t'u transmetoja ndjenjat e tij Shkëlqesisë Gazi, kryeministrit e funksionarëve të lartë dhe uroi për festën tonë të Republikës. Erdhën, gjithashtu, të ngarkuarit me punë ad interim të Gjermanisë e të Greqisë dhe shprehën urimet e gëzimin e tyre” (AMPJT: Turqi-Shqipëri, 1931. Telegram i shifruar drejtuar MPJT-së nga Ambasada në Tiranë, 28.10.1931).
I ngarkuari me punë ad interim i Turqisë në Tiranë u bë sakaq njeriu i ditës, ftohej në çdo vend e veprimtari dhe qarkohej nga njerëz që e këqyrnin miqësisht. Madje mbreti Zog I po tregonte interesim dhe kujdes të posaçëm për të. Në telegramin që i ngarkuari me punë ad interim i Turqisë i dërgonte Qëndrës më 29 nëntor 1931, vinte në dukje: “Për të uruar përvjetorin e Pavarësisë, dje shkova në pallat sëbashku me trupin diplomatik. Kur po shtrëngonte duart, mbreti qëndroi veçanërisht para meje, të ngarkuarit me punë ad interim, dhe më pyeti me respekt të madh për Shkëlqesinë e Tij Gazi” (AMPJT: Shqipëri-Turqi 2/5. Telegram i shifruar dërguar MPJT-së nga ambasada turke në Tiranë, 6.12.1931, nr. 310).
Pas një jave, ai dërgoi telegramin e mëposhtëm: “Dje u prita në audiencë nga mbreti. Pranë Tij nuk kish njeri tjetër. Me një turqishte të saktë, mbreti tha me çiltërsi të jashtëzakonshme këto fjalë: Lidhjet që na bashkojnë me Turqinë janë të shënjta. Ato nuk mund të cënohen. Turqisë i jemi borxhli për shumë gjëra. Jam i lumtur që, më në fund, u arrit mirëkuptimi. Shkëlqesia e Tij Gazi, të cilin e nderoj shumë, në çështjen e gjallërimit të vendit ka mbajtur qëndrim gjenial, çka e çudit njeriun. Ajo që po përpiqemi të bëjmë ne, nuk është asgjë para asaj që ka kryer Ai. Juve nuk ju shoh si diplomat të huaj. Ejani menjëherë tek unë, edhe për gjëra të parëndësishme, që nuk do të mund t'i zgjidhni me Ministrinë e Punëve të Jashtme (AMPJT: Shqipëri-Turqi, 1931. Telegram i shifruar dërguar MPJT-së nga ambasada turke në Tiranë, 6.12.1931, nr.359).
Mbreti Zog I e përcolli pastaj deri tek dera të ngarkuarin me punë ad interim të Turqisë, Zeqi Haki beun, dhe i shprehu sërish respektin për Ataturkun.
Pa kaluar as një javë, Zogu I e priti përsëri dhe, këtë radhë, duke folur për një aleancë midis Shqipërisë dhe Turqisë, tha: “Turqia është aleatja e natyrshme e Shqipërisë. Do t'i qëndroj gjithmonë besnik Gaziut. Kam simpati të veçantë për ju. Ejani tek unë sa herë të dëshironi” (Po aty. Telegram i shifruar dërguar MPJT-së nga ambasada turke në Tiranë, 12.12.1931).
Kishte filluar kështu përsëri periudha e vllazërimit mes Shqipërisë dhe Turqisë. Mbreti Zog I shprehte dëndur admirimin që ndjente për Ataturkun dhe i dërgonte përshëndetje. Edhe Ataturku i përgjigjej. Në përvjetoret e Republikës së Turqisë, mbreti Zog I i dërgonte Ataturkut telegrame urimi dhe merrte falenderimet e Ataturkut. Po kështu, për festën e Pavarësisë së Shqipërisë, Ataturku i çonte mesazhe urimi mbretit Zog I.
Gjatë vitit 1933, në Ballkan pati zhvillime të rëndësishme politike. Në atë periudhë dha frytet e veta politika e Ataturkut për shndrrimin e Ballkanit në një rajon të paqes e të sigurisë. U hodhën hapa drejt krijimit të Paktit Ballkanik. U nënshkruan traktate miqësie dhe mossulmimi ndërmjet Turqisë dhe vendeve ballkanike. Traktatin e Miqësisë midis Turqisë dhe Greqisë, të nënshkruar më 14 shtator 1933, e pasuan traktate të njëjtë edhe me Rumaninë (17 tetor 1933) e me Jugosllavinë (27 nëntor 1933). Me një protokoll të 24 shtatorit 1933, Traktati Turko-Bullgar i Miqësisë dhe i Asnjanësisë, i nënshkruar më parë, u zgjat edhe për pesë vjet.
Në këtë frymë miqësie të gjithëmbarëshme u kremtua edhe përvjetori i dhjetë i krijimit të Republikës së Turqisë. Në veprimtaritë e organizuara me këtë rast, morën pjesë edhe shtetet ballkanike, pra edhe Shqipëria. Mbreti Zog I i dërgoi Ataturkut një mesazh të çiltër urimi, me të cilin shprehte besimin se Republika e Turqisë, të cilën e cilësoi “vepër e pavdekshme të krijuar dhjetë vjet më parë”, do të zhvillohet vazhdimisht (Po aty. Fjala e përgjigjjes e Mustafa Qemalit).
Duke e falenderuar me ngrohtësi Ahmet Zogun për këtë mesazh, Ataturku formuloi urime të çiltra për përparimin e kombit shqiptar “nën administratën e ndritur” të mbretit Zog I (Po aty, 23.10.1933).
Pas një muaji, në nëntor 1933, me rastin e përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ataturku dhe mbreti Zog I shkëmbyen sërish telegrame urimi dhe falenderimi. Krahas marrëdhënieve shqiptaro-turke, u zhvilluan edhe marrëdhëniet e Turqisë me vendet e tjera të Ballkanit. Më 9 shkurt 1934, ndërmjet katër shteteve eurojuglindore, - Turqia, Greqia, Jugosllavia dhe Rumania, - u nënshkrua Pakti Ballkanik. Bullgaria dhe Shqipëria mbetën jashtë tij.
Pak kohë pas nënshkrimit të Paktit Ballkanik, sekretari i përgjithshëm i Ataturkut, Ryshen Eshref (Ynajdën), u emërua ambasador i Republikës së Turqisë në Tiranë. Duke dërguar në kryeqytetin shqiptar bashkëpuntorin e vet të ngushtë, Ataturku desh të tregonte se i jepte rëndësi edhe Shqipërisë, - në një kohë që ishte krijuar Pakti (apo Antanta) Ballkanik, - për të fituar zemrat e shqiptarëve. Ai e pa të udhës t'i jepte direktiva të hollësishme ambasadorit të ri, që do të shkonte në Tiranë. Edhe mosdërgimin atje për një periudhë të gjatë të një ambasadori, Ataturku e lidhte me faktin se deri atëhere nuk ishte gjendur një person i përshtatshëm për atë detyrë. Në udhëzimet me shkrim, që i dha Ryshen Eshrefit për këtë çështje, Ataturku përcaktoi një “formulë”, të cilën Rysheni do ta përdorte: “Ju e dini se unë kam qënë sekretar i përgjithshëm i Shkëlqesisë së Tij, Presidentit Gazi Mustafa Qemalit. Kur iu kërkua nga Ministria e Jashtme të emëronte një ambasador në Shqipëri, ai u lëkund. Pas kësaj lëkundjeje, kaluan ditë. Për të kuptuar shkakun e lëkundjes së Tij, ministri i Punëve të Jashtme m'u drejtua që të ndërhyja. I thashë shefit tim të madh për çka më ish lutur ministri i Jashtëm, dhe Ai m'u përgjigj:
“Kam të drejtë të lëkundem… Unë dëshiroj që përfaqësuesi që do të shkojë në Shqipëri, të jetë një zotni që e njoh nga afër, që i besoj moralit të tij dhe që njeh nga afër mendimet e mia. Derisa nuk do të gjendet një njeri i tillë, nuk do t'i miratoj ambasadorët e propozuar. Unë, si sekretar i përgjithshëm i Presidentit, e kreva me sinqeritet detyrën time, me një fjalë mendimin e Gaziut ia kumtova ministrit të Punëve të Jashtme. Paskëtaj, ministri i Punëve të Jashtme bëri propozimin e vet të fundit e të prerë. Si rezultat i këtij propozimi, me të cilin u bashkua edhe Shkëlqesia e Tij, kryeministri Ismet Pasha, u caktova ambasador. E pranoj se kjo më shkaktoi shqetësim në një drejtim. Nuk është nevoja ta shpjegoj shqetësimin tim. Por shqetësimi im zhduket prej faktit që shefi im më parapëlqeu mua për Shqipërinë e nderuar, ndaj së cilës ka treguar miqësi të madhe. Këtë shqetësim ma zhduk edhe fakti se do të jem pranë Tij si specialist përsa kohë që do ta kryej me sukses detyrën time në Shqipëri, sikurse pret Ai. Kjo detyrë është të ngre lart vllazërinë dhe miqësinë turko-shqiptare” (Bilal N. Shimshir: Direktivat e Ataturkut ambasadorit Ryshen Eshref Ynajdën Mbi marrëdhëniet turko-shqiptare, Ankara, 1981, f.5).
Në porositë që i dha me shkrim Ryshen Eshrefit, Ataturku preku edhe probleme të ndryshme politike, si marrëdhëniet turko-shqiptare, Shqipëria dhe Pakti Ballkanik, politika e Turqisë në Ballkan, qëndrimi ndaj Italisë dhe veçanërisht orientime për qëndrimet që duhej të mbante ambasadori. Lidhur me çështjen “Shqipëria dhe Pakti Ballkanik”, Ataturku theksoi: “Nëse ende nuk janë ndërmarrë nisma të qarta dhe të prera për futjen e Shqipërisë në Paktin Ballkanik, janë mbajtur parasysh interesat e Shqipërisë. Mendimi im është ta shoh Shqipërinë si pjesëtare të natyrshme dhe të përhershme të këtij pakti. Presim momentin dhe ruajmë shpresën se kjo dëshirë do të përmbushet në një kohë të afërt, kur shteti shqiptar ta shohë veten në kushte të përshtatshme. Megjithse Shqipëria nuk bën pjesë në këtë pakt, është rregulluar në një mënyrë të tillë që qeveria shqiptare siguron kufijtë ballkanikë” (Po aty).
Në direktivat e tij, Ataturku e përmblidhte kështu politikën ballkanike të Turqisë: “Punon për miqësi të vërtetë, serioze, në të gjithë Ballkanin e në garanci e çiltërsi të ndërsjellë për çdo çështje. Ndërkaq, edhe për bullgarët ushqejmë të njëjtat ndjenja”. Lidhur me këtë politikë, Ataturku e porositi ambasadorin: “Të punosh me besnikëri e dashuri me përfaqësuesit e shteteve ballkanike dhe t'i nxitësh ata t'u bëjnë thirrje shteteve e qeverive të tyre për të punuar në këtë drejtim” (Po aty).
Në direktivat që Ataturku i dha Ryshen Eshrefit, përfshihen edhe mjaft këshilla. Ataturku sillej si një mësues, që dëshiron ta përgatisë nxënësin e vet. Ai po e përgatiste për detyrën e re bashkëpuntorin e tij të afërt, i cili, për herë të parë, ngarkohej me një detyrë diplomatike. Këshillat e Ataturkut janë të dobishme edhe sot për diplomatët e rinj. Po citojmë disa syresh:
1. Në kontaktet me popullin shqiptar duhet të propagandoni, pa bujë, se jeni mik, vëlla i sinqertë dhe përkrahës i flaktë i interesave dhe i pavarësisë së Shqipërisë. Por duhet të mos hiqni nga mendja faktin që, midis shtresave të ndryshme të popullit ka disa kategori njerëzish, siç ndodh në çdo vend. Një pjesë e tyre ankohen nga qeveria e nga regjimi dhe në këtë terren diskutojnë. Ndaj këtyre personave asnjëherë nuk duhet mbajtur qëndrim e nuk duhet folur me një gjuhë përkrahëse dhe, sapo t'i dalloni se cilët janë këta tipa, t'i ndërprisni kontaktet me ta, sepse ambasadori dhe ambasada nuk janë përfaqësues të një komiteti apo ndonjë organizatë e prirur për të shkatërruar shtetin në të cilin ndodhen. Me një fjalë, ambasadori punon për farkëtimin e miqësisë së ngushtë midis shtetit ku është akredituar dhe shtetit të vet, sidhe për konsolidimin e shtetit mik…
2. Përsëri në popull ka një kategori të dytë. Këta njerëz janë edhe kundër vendit të tyre, edhe kundër Turqisë, që ka miqësi me vendin e tyre. Këta në përgjithësi janë spiunë të shteteve të huaj. Sa për qëndrimin ndaj tyre, duhet t'i dëgjojmë, të mos u japim përgjigjje të shkoqur dhe, ndonjëherë është me dobi të flasim siç e kërkojnë interesat e shtetit dhe të politikës sonë.
3. Ka disa persona, që janë miq të Turqisë, ashtu siç janë miq të shtetit dhe kombit të tyre. Me këta duhet mbajtur qëndrim sa më dashamirës e të sillemi me ngrohtësi. Ky është një ndër frontet më dobiprurës për të fituar opinionin në favor të Turqisë.
4. Duhet t'i kushtoni rëndësi të qënit i kujdesshëm gjithmonë në bisedat që do të keni me personalitetet gjatë kontakteve dhe takimeve miqësore dhe documentés (të dokumentuar, frëngjisht, sh.y.) në problemet që trajtohen. Përsa kohë që nuk do të jeni i bindur se fjalët tuaja nuk do të përgënjeshtrohen nga realiteti, është veprim i pranueshëm të tërhiqeni nga biseda. Kur ju drejtohen për të mësuar mendimin tuaj dhe kur u japin rëndësi fjalëve tuaja, do të thotë se keni tërhequr vëmendjen…
5. Duhen ndjekur me ndjeshmëri të lartë dhe vazhdimisht marrëdhëniet me qeverinë, pranë së cilës ndodheni. Duhet ta bëni zakon që t'u kushtoni rëndësi ngjarjeve të përditshme në shtetin ku ndodheni dhe të njoftoni menjëherë me raport për ato ngjarje që i gjykoni me interes për qeverinë tonë, politikën tonë dhe interesat tona. Mos u ndruani se mund të keni gabuar në pikëpamjet e në mendimet tuaja për këto çështje. Edhe nëqoftëse do të keni ndonjë mendim apo pikëpamje të pasaktë, kjo zgjidhet me shkëmbim mendimesh. Nga kjo kemi shumë dobi për të nxjerrë pikat kryesore të nevojshme për të qënë syçelët në të ardhmen.
6. Para çdo veprimi që shkel materialisht dhe moralisht pavarësinë, krenarinë, interesat e larta të shtetit, në rast se duhet mbajtur qëndrim, për përfaqësuesin tonë është tejet i rëndësishëm vendimi i çastit. Në rast se janë të përshtatshme kushtet dhe koha për të dhënë vendimin, ai duhet të kërkojë menjëherë udhëzime nga Qëndra. Në rast se kjo mundësi nuk ekziston, atëhere nuk duhet të ngurrojë të vendosë për të vepruar personalisht, duke marrë përsipër pa frikë përgjegjësinë.
7. Kur merret vendimi, duhet menduar vetëm për këtë pikë: t'i impononi mendjes dhe ndërgjegjjes suaj se keni të drejtë dhe të jeni i bindur se do ta mbroni dhe argumentoni këtë vendim para kujtdoqoftë.
Ryshen Eshrefi, pasi i shkroi dhe i futi në çantë këto këshilla të Ataturkut, më 2 prill 1934 u nis nga Ankaraja dhe më 8 prill mbërriti në portin e Durrësit. Pas një jave, pra më 15 prill, i paraqiti mbretit Zog I letrat kredenciale. Ndërkaq njoftoi me një raport të hollësishëm për fillimin e detyrës, për takimet e para në Shqipëri dhe për mbresat e para.
Lidhur me takimin me mbretin Zog I, në raport shkroi:
“Mbreti më priti në një sallë mjaft të madhe. Vetë qëndronte më këmbë në mes të sallës. Pranë kish ministrin e Jashtëm dhe një nëpunës tjetër. Biseda do të zhvillohej vetëm midis ne të dyve, kokë më kokë. U drejtua tek unë. Në fillim foli ai në turqisht: Mirseardhët, bej efendi! Në ecje ishte i shkathët dhe energjik. Turqishten e fliste bukur, por me theks paksa shqiptar.
Para se të ulesha, paraqita letrat kredenciale dhe dokumentin e largimit të paraardhësit tim, të nderuarit Tahir Lytfi beut. I thashë që sjell përshëndetjet miqësore të Shkëlqesisë së Tij, Presidentit. Më falenderoi dhe më bëri me shënjë të ulesha. Ndërkaq më zgjati një cigare nga kutia e argjendtë, prodhim italian, që e kishte pranë. Mori edhe një për vete. Pa më lënë kohë të merrja shkrepsen, e mori vetë, u ngrit më këmbë dhe tregoi respekt duke ma ndezur cigaren” (AMPJT: Shqipëria, K 5/12. Raport dërguar MPJT-së së Turqisë nga ambasada turke në Tiranë, 19.4.1934, nr. 8.7/997/68).
Si një mjeshtër i reportazheve, Ryshen Eshref Ynajdëni na e paraqit me imtësi takimin e tij me sovranin shqiptar. Ai i thotë përmendësh mbretit fjalët e Ataturkut, që i jepnin Shqipërisë garanci për miqësi. Në vazhdim, Ynajdëni shkruan: “Para se ta thithja cigaren, i thashë tekstualisht pjesën e parë të direktivave të Shkëlqesisë së Tij, Presidentit. Në këtë kohë edhe mbreti e la cigaren dhe nga fytyra dukej tepër i kënaqur prej fjalëve me peshë. Me të mbaruar këtë pjesë, shtova se detyra ime është të veproj në bazë të kësaj porosie e direktive të lartë dhe të punoj me besnikëri për të afruar e forcuar më tej lidhjet e ngushta e të çiltra që kanë dy vendet tanë vëllezër. Gjithashtu vura në dukje se dëshirat tuaja për këtë çështje do t'ia paraqis qeverisë sime. Madhëria e Tij, mbreti, tha se Shkëlqesia e Tij, Presidenti Gazi Mustafa Qemali, duke dërguar në Shqipëri një person të vet të afërt, i ka bërë një kompliment Shqipërisë. Ai theksoi se kjo gjë këtu do të vlerësohet dhe do të pritet me mirënjohje. Pasi bëri disa komplimente për mua, tha: Për pesë shekuj jetuam në unitet ndjenjash dhe kulture me Turqinë. Kjo bashkëjetesë ka lënë tek ne ndjenja të pashlyeshme dashurie dhe mirënjohjeje. Për pesë shekuj unitetin e kombit shqiptar e mbrojti Turqia. Po të mos ishte Turqia, Shqipëria nuk do të shpëtonte as nga pushtimi sllav e as mund të pengonte dot fshirjen e saj nga harta e botës prej latinëve. Thelbin e ekzistencës sonë ia kemi borxh Turqisë. Kombin fisnik turk ne e shohim si vëlla të madh dhe shtetin e tij si shtet të madh. Madje edhe sot, shumica a antarëve të qeverisë së Shqipërisë së re janë arsimuar dhe edukuar në Turqi. Prandaj gëzohemi shumë kur shohim këtu ambasadorin e Turqisë. Ju këtu nuk jeni i huaj; konsiderojeni veten si në vendin tuaj. Sigurisht do të keni kontakte të ngushta me qeverinë, por mos u kufizoni vetëm me këtë. Ju lutem të shëtisni sikur të jeni vendës, krijoni kontakte të ngushta dhe të afërta me popullin. Do të shihni me sytë tuaj ndjenjat dhe dashurinë që ushqen vendi ynë për popullin fisnik turk. Krijoni kontakte të ngushta me qeverinë, pyesni çfarë të dëshironi, mësoni madje edhe çështjet sekrete. Këtë e them sinqerisht nga zemra. Tek unë do të gjeni një mik tuajin, të kombit tuaj, të të mëdhenjve tuaj… Kur të dëshironi, ejani të takohemi. Bile edhe po s'patët ndonjë punë, ejani qoftë edhe vetëm për t'u fjalosur. Në fakt, ambasadorët e tjerë do të bëhen pak xhelozë për këtë, por s'ka asnjë rëndësi. Sepse secili duhet ta dijë që ambasadori turk në Shqipëri nuk konsiderohet i huaj” (Po aty).
Kësisoj, takimi i parë midis ambasadorit Ryshen Eshref Ynajdën dhe mbretit Zog I zgjati mjaft. Nuk ishte vetëm një ceremoni e paraqitjes së letrave kredenciale dhe e kapërceu kuadrin e protokollit normal. Mbreti Zog I tregoi interes të madh për zhvillimin e Republikës së Turqisë dhe bëri pyetje të ndryshme për këtë çështje. Kërkoi edhe libra ku flitej për Turqinë dhe tha se do t'i lexonte ato. Pastaj, mbreti u ankua se në Shqipëri nuk kishte kapitale të mjaftueshme dhe njerëz të përgatitur. Më tej shfaqi interesim të posaçëm për faktin që Turqia përparonte pa marrë borxhe të jashtme dhe preku vështirësitë ekonomike në Shqipëri.
Pasi ambasadori tha se kishte parë me sytë e veta se në Shqipëri bëheshin përpjekje për zhvillim dhe se në çdo anë të vendit “mbizotëron rregull i plotë”, mbreti Zog i shpjegoi përse hoqi dorë nga republika dhe parapëlqeu monarkinë. E, sikur të dashkej t'i kërkonte ndjesë Ataturkut, shtoi: “Ky rregull nuk ishte në të kaluarën. Shumë ngatërresa të brendshme rrezikonin ekzistencën e Shqipërisë. Veprimtaritë e huaja rreth nesh dëshmonin se ekzistonte rreziku për të na coptuar. Këtë rrezik e kapërcyem vetëm me përpjekjet tona, duke bërë sakrifica. Në thelb, edhe unë jam përkrahës i republikës, jam republikan po aq sa është edhe Shkëlqesia e Tij, Gaziu. Të jetë i sigurtë për këtë. Por kushtet na detyruan të garantojmë unitetin e brendshëm, prandaj vepruam në këtë mënyrë. Lutemi që Ai ta dijë këtë. Admiroj Shkëlqesinë e Tij Gazi dhe veprat e Tij. Thuajini të më pranojë si një vëlla të vogël, të mos më mbajë larg këshillave e paralajmërimeve. Vendin tuaj, që çapitet drejt Perëndimit, e marrim shëmbull për vendin tonë, ju marrim si model” (Po aty).
Po kaq e ngrohtë dhe e frytshme pat qënë edhe paraqitja e letrave kredenciale nga ambasadori shqiptar Xhavit Leskoviku në Ankara, Presidentit Ataturk, në pranverën e vitit 1933.
Në marrëdhëniet shqiptaro-turke filloi një periudhë e re mirëkuptimi e simpatie të ndërsjellë, që vazhdon edhe në ditët tona.

Pse ti PO dhe unë JO?




(Replikë për pseudot antishqiptarë)


Gjuha e një populli tjetër, sado thellë ta mësosh, sado mirë ta flasësh e ta shkruash, për ty mbetet përfundimisht e huaj. E huaj, sepse nuk është gjuha me të cilën të ka mëkuar nëna dhe me të cilën janë marrë vesh të parët e tu qyshse kanë dalë në jetë, me të cilën kemi thurrur këngët e djepit, e trimërisë e të atdhetarisë, vajtimet e mallkimet, thirrjet për luftë çlirimtare e dinjitet kombëtar, protestat e kundërveprimet ndaj padrejtësive që na kanë bërë ata, të cilët, denbabaden, kanë dashur e duan të na nënvleftësojnë.
Të gjithë i ndjejmë drithërimat shpirtdhembëse, tronditëse e krenare, saherë që ushton Himni i Flamurit dhe, me lotë në sy, përsërisim, më fort me kordat e zemrës, se sa me ato të zërit: „ … Se Zoti tha vetë me gojë / Që kombe shuhen përmi dhé, / Po Shqipëria do të rrojë, / Për të, për të luftojmë ne…”
Të gjithë ne që gjendemi, - dashtë Zoti, përkohësisht, - në dhera të tjera, joshqiptare, mallin për atdhe, për gjithçka, me frymë e pa frymë, që ndodhet apo thith ajrin e maleve e të fushave shqiptare, e shuajmë sadopak duke këmbyer fjalë në gjuhën amtare. Dhe, kur një mundësi e tillë ndonjëherë të mungon, ngaqë rretheqark veshi të zë vetëm e vetëm fjalë të huaja, je gati të thuash: „Ah, ç’nuk do të jepja sikur të dëgjoja një fjalë shqip”! Edhe sharje po të ishte, - në atdhe do t’i hidheshe në grykë fyesit, - këtu, mbase, do ta pranoje, sepse, në fund të fundit, do të të vinte mirë që një i huaj po të flet në gjuhën tënde. Kjo do të thotë që ky i huaj ta do sadopak kombin, përderisa gjuha është shëmbëlltyra më besnike e kombit.
Cili nga ne nuk është ndjerë krenar kur i ka rënë rasti fatlum të njohë të huaj, të cilët merren, në një mënyrë apo në një tjetër, me shqipen. Kush nuk ushqen nderimin më të madh për albanologët, që nuk janë më midis nesh, - Gotfrid Vilhelm Lajbnic (1646-1717), Hans Erik Tunman (1746-1778), Johan Georg Fon Hahn (1811-1869), Franc Bop (1791-1867), Eduard Shnajder (187?-19??), Holger Pedersen (1867-1953), Kristian Sanfeld-Jensen (1873-1942), Norbert Jokl (1877-1942), Maksimilian Lamberc (1882-1963)…, - apo që janë në jetë, si Hans-Joachim Lanksch, Armin Hetzer, (Istvan Shutz), Robert Elsi, etj, këta „agjentë” të vetëdijshëm të gjuhës, kulturës, historisë, traditave dhe qytetërimit iliro-shqiptar.
Gjithçka thamë më sipër nuk përbën ndonjë gjë të re. Atëhere vetvetiu shtrohet pyetja: Përse flasim për ato që dihen? Sepse, - sa të rrosh, do të mësosh, - ndodhka edhe ndryshe. Megjithse, për fat të mirë, janë të paktë, prapëseprapë gjenden edhe individë kombësish të tjera, madje të shkolluar, që, kur shohin se ti, jo vetëm e flet, por edhe krijon vepra letrare e shkencore në gjuhën e tyre, në vend që të gëzohen, pezmatohen. Kundërveprimet e tyre mund të përmbylleshin në fjalinë: „Përse ti ta dish gjuhën time, ndërsa unë tënden jo?”. Natyrisht, askush nuk ua ka mbyllur ndonjëherë dyert e shqipes bujare dhe askush nga ne nuk mund të fajësohet që këta të huaj nuk duan ose nuk janë të aftë ta përvetësojnë gjuhën e Naimit, Fishtës, Poradecit...
Por nuk duhet të çuditemi shumë nga qëndrime të tilla. Sidomos kur, fatkeqësisht, ndokush e ka bërë zakon të na shohë me syrin e njerkës e të na vendosë në fund të rreshtit. (Pa shihni, edhe shqiptari mësoka gjuhë të tjera, madje shkëlqyeshëm!).
Ligësia hiqet zvarrë, fshihet si nepërka, por sulmon edhe majat. Se edhe tufanet fryjnë pikërisht në majat më të epërme.
Sa më lart të ngjitesh, aq më i vogël dukesh në sytë e ligësisë miope. Dhe ne, shqiptarët –fatmirësisht, por edhe fatkeqësisht - nuk u jemi ndarë majave asnjëherë.
Në fund të fundit, më mirë të bëhesh objekt i ligësisë, se sa i mëshirës.
Po qe se natyra do të na kishte bërë të gjithë të barabartë, mbase nuk do të ekzistonte keqdashja. Ata që çapiten nën diell, i ndjek nga pas hija, ndërsa ata që çapiten drejt lavdisë, i shoqëron ligësia. Na ka rastisur të hasim dashakeqë të pikëlluar në kulm dhe kemi menduar: „Ose u ka ndodhur ndonjë gjëmë, ose kanë dëgjuar se dikush ka pasur gëzim të madh”.
Në kohët tona, të vetmet gjëra, të cilat ligësia nuk i ve në shënjestër, janë fatkeqësitë dhe mungesa e meritave të të tjerëve.


Shkencë, art, gjuhë....



Njerëzimi gjendet në “ekspansion” të plotë të njohjes shkencore. Zhvillimi i shkencës tani po synon njësimin e fizikës, biologjisë, psikologjisë dhe informacionit. Zbatimi i shkencës nëpërmjet teknologjive të reja, që përcaktojnë deri edhe natyrën e forcave të prodhimit të shoqërisë, po merr përpjestime gjithnjë e më të mëdha. Zbatim i shkencës mund të cilësohet edhe ndikimi që kjo e fundit ushtron mbi ndërgjegjen e njeriut.
Mund të flitet edhe për të mirat që shkenca ka sjellë përmes lehtësimit dhe “hijeshimit” të jetës së njeriut, shtimit të kujdesit për shëndetin, ngritjes së prestigjit të individit e të mbarë shoqërisë. Përderisa punët qëndrojnë kështu, zhvillimi i shkencës dhe zbatimet e saj duhen këqyrur si një e vetme, e pandarë. Përparimi i shkencës përmes zbulimeve të reja duhet vlerësuar si një e mirë e mundshme, por e shoqëruar me rreziqe të shumta në rrafsh shpirtëror. Shndërrimi i përparimit në diçka të keqe varet nga faktorë që nuk rrjedhin drejtpërdrejt nga shkenca.
E mirë shkencore e mirëfilltë nuk ekziston përderisa shkenca garanton, sikurse theksuam më lart, vetëm një të mirë potenciale. I vetmi realitet konkret i së mirës është e mira sociale. Përsa i përket vetëdijës së njeriut, mund të flitet edhe për një të mirë filozofike atëhere kur zhvillimi social jetësohet në pajtim me ligjësitë më të thella të materies.
Natyra është ndërtuar në mënyrë të atillë që e mira filozofike dhe e mira sociale të mos përputhen. Përkundrazi: e dyta e ndihmon të parën. Nga ana tjetër, duke marrë pjesë edhe në zhvillimin e vizionit filozofik mbi botën, në të kuptuarit e së mirës filozofike, shkenca mund të ndriçojë tërthorazi edhe rrugën e së mirës sociale.
Dihet se shkenca është një dukuri sociale dhe kërkesa që ajo të përfshijë sa më shumë njerëz, tingëllon natyrshëm përderisa jetojmë në një epokë të revolucionit të vrullshëm shkencor e teknik. Frytshmëria e punës së gjithsecilit dhe cilësia e prodhimeve të saj varen, në një shkallë gjithnjë e më vendimtare, nga shkenca.
Kjo e fundit mundëson thellimin e vazhdueshëm në fushën e në specialitetin përkatës, krahas ngritjes së nivelit dhe zgjerimit të horizontit të mendimit ndaj realitetit rrethues.
Shkenca nuk mund të zëvendësojë krejt plotninë e jetës shpirtërore të njeriut, por mund të ushtrojë ndikim mbi të. Përvetësimi nga njeriu i arritjeve të shkencës në tërësi, ose në një fushë të saj, nuk është i lehtë, por bën pjesë në natyrën e njeriut, në kërshërinë e në dëshirën e tij për të krijuar. Shoqëria jonë ofron sot një mjedis të favorshëm për përvetësimin e shkencës. Janë të panumurt shembujt e vënies së shkencës në themel të veprimtarisë shoqërore. Shkenca nuk po zhvillohet vetëm në mënyrë të institucionalizuar, në qëndrat kërkimore, por në çdo veprimtari, praktikisht gjithkund, po të marrim parasysh format e zbatimit të saj. Sot shkenca ka më shumë nevojë se asnjëherë, sa për faktorë të institucionalizuar në trajtë laboratoresh kërkimore, aq edhe për faktorë individualë. Roli i këtyre të fundit në shkencë nuk duhet shpërfillur aspak. Po ta vështrojmë shkallën e zhvillimit të jetës shkencore në shoqërinë tonë moderne, ndeshim në një fluks të “shërbëtorëve të shkencës”, që bëjnë përpjekje të lavdërueshme për të njohur e për të prodhuar të renë, artikuj e linja teknologjike kulmore, për të çuar deri në fund çdo hulumtim, për të formuluar hamendësime dhe përgjithësime. Mund të pohohet, pra, se një numur aspak i vogël njerëzish ngjiten në shkallët e shkencës. Fluksi i “shërbëtorëve të shkencës” zhvillohet pikërisht në sfondin e këtyre shkallëve, të cilave, në një shoqëri demokratike si e jona, duhet t’u përgjigjen vlerësime dhe inkurajime.
Shkenca përfaqëson një të mirë edhe për mendjen e njeriut, për punën e tij. E mira e shkencëtarit është, para së gjithash, një e mirë morale, rezultat i luftës me të panjohurat, me plogështinë në vete dhe në të tjerët. Shoqëria duhet ta njohë dhe ta vlerësojë këtë të mirë morale të shkencëtarit, si faktor me rëndësi në zhvillimin dhe zbatimin e shkencës në dobi të përparimit të shoqërisë.
Ndërkaq, vend e rol të posaçëm ka gjuha. Ajo duhet të jetë e gjallë, dinamike dhe, ashtu si në politikë, tu përshtatet në mënyrë krijuese realiteteve të reja që nxirren në pah nga arritjet e shkencës e të teknologjisë. Kur bëhet fjalë për një risi absolute, si kompjuteri, me t’u „pagëzuar”, emri i tij menjëherë fillon të përdoret nga shkencëtarët, duke u bërë shpejt edhe „pronë” e të gjithë njerëzve. Natyrisht, këtu kemi parasysh termat që mund të kapërcejnë sferën e specialiteteve të ngushta.
Me interes të veçantë është mënyra se si mendojmë sot për realitetin përmes fjalëve që përdorim në marrëdhënie me çdo lëmë në veçanti. Trajtimi me moskokëçarje apo përdorimi i reduksionizmit dhe i analogjizmit në emërtimin e proceseve dhe të objekteve, pa dashur mund të çojë në „shformime” të përfytyrimit tonë mbi botën, ose mund ta mbyllë atë brenda caqeve dogmatike. Shkencëtarët e fushave të ndryshme dhe sidomos gjuhëtarët po fillojnë të kuptojnë se edhe gjuhësia e përgjithshme duhet të ecë në një hap me revolucionin shkencor e teknik, pra edhe me vizionin e ri që ofron shkenca mbi botën. Duke nxjerrë në pah marrëdhëniet e reja ndërmjet formave të realitetit, secilës klase të madhe të marrëdhënieve specifike duhet t’i përgjigjet një term specifik, i cili t’i japë domethënien gjithëpërfshirëse tipit përkatës të marrëdhënies. Dinamika e gjuhës duhet të mbajë qëndrim të përgjegjshëm ndaj modelit që shkenca ka ndërtuar mbi botën. Thënë ndryshe, gjuha lipset të mbajë parasysh edhe risitë në të gjitha fushat e veprimtarisë kulturore dhe shoqërore. Një ekspozitë e çelur kohët e fundit në Pogradec me 48 krijime të piktorit të mirënjohur kosovar Jetullah Haliti - ETI, paraqiste një „suitë” punimesh që ngjiznin një univers të vetë piktorit, të cilave ndjen nevojën t’u vesh një emër. I quajta “tablotë e Qenies e të qenieve” duke pranuar gjithsesi karakterin subjektiv të një emërtimi të tillë. Përndryshe, në raport me dukuritë e studjuara me saktësi shkencore, kemi nevojë për sa më shumë objektivitet. Por edhe subjektivizmi, veçanërisht në rastin e artit, mund të përmbajë një notë objektiviteti, madje jo rrallë është një shprehje e epërme, prijëse e tij.
Meqë sapo cekëm diçka nga bota shpirtërore kulturore, - pa të cilën botës shpirtërore në përgjithësi do t’i mungonte njëra nga ngjyrat e veshjes sociale dhe humane - po shtojmë se shkenca nuk është e huaj për qenien njerëzore përderisa filozofia mbështetet edhe në shkencë. Brenda shpirtërimit filozofik mund të pleksen në një arkitekturë të përkryer shkenca dhe kultura, shkenca dhe humanizmi. Kjo është e vlefshme edhe për teknologjinë. Nëse teknologjia nuk qëndron shpërfillëse ndaj qëllimeve të cilave u shërben, ndërkohë që në qëndër të këtyre qëllimeve vendosim qytetërimin socio-human (ky i fundit është rrjedhojë, sidoqë tani për tani më shumë një dëshirë e botës shpirtërore të njeriut), atëhere mes teknologjisë dhe shpirtërimit, mes teknologjikes dhe humanes ndehet një urë e fortë.
Në mbyllje duhet nënvizuar se flasim për botë shpirtërore apo shpirtërim jo vetëm kulturor, filozofik e fetar, por edhe për shpirtërim shqiptar, veçorizues për popullin e kombin tonë. Të gjitha shpirtërimet zënë vendin e tyre të merituar, por shpirtërimi shqiptar ka përparësi absolute për ne sa herë hyjmë në lidhje apo nisim të ndërtojmë marrëdhënie me botën. Ai për ne është shkenca e shkencave, sepse mbart gjithçka të vlefshme tonën, përfshi krenarinë që jemi shqiptarë.