GRIGORE VIERU: Bota është plot me ura (Poezi)

U lind më 14 shkurt 1935 në katundin Pererata të ish-qarkut Hotin, në territorin e sotëm të Republikës së Moldavisë, në famile bujqve rumunë Pavel dhe Eudokia Vieru, me mbiemrin vajzëror Didik. Kreu shkollën shtatëvjeçare në fshatin e lindjes në vitin 1950 dhe vazhdoi shkollën e mesme në qytetthin Lipkan, të cilën e përfundoi më 1953.
Filloi të botojë më 1957, kur ishte student. Më 1958, Vieru mbaroi Institutin Pedagogjik “Ion Kreanga” të Kishinjevit, Fakultetin e Filologjisë dhe Historisë. Në të njëjtin vit iu botua vëllimi i dytë poetik për fëmijë dhe nisi punën si redaktor në revistën për fëmijë “Shkëndija leniniste”. Ka qenë redaktor edhe i revistës “Dnjestri”, organ i Bashkimit të Shkrimtarëve të Republikës së Moldavisë, i Shtëpisë Botuese “Libri Rumun”, i Shtëpisë Botuese “Libri Moldovas”, ku iu botuan dy vëllime të tjera me vjersha dhe një poemë kushtuar Mihai Emineskut. Më 1965 i jepet Çmimi Republikan i Komsomolit për vëllimin “Vargje për lexuesit e të gjitha moshave” etj.
Më 1968 boton vëllimin me poezi lirike “Emri yt”, që u vlerësua nga kritika si vepra më origjinale. Në vitet 1969, 1970, 1973, 1974, 1977, 1981, 1982, 1989, Grigore Vieru boton në Kishinjev e në Bukuresht njëri pas tjetrit vëllime të tjera poetike, që gëzojnë popullaritet të madh.
Më 1990 u zgjodh Anëtar Nderi i Akademisë Rumune, më 1991 anëtar i Komisionit Shtetëror për Çështjet e Gjuhës, ndëra më 1992 Akademia Rumune e propozoi kandidat për Çmimin Nobel për Paqe.
Në vitin 1993 Grigore Vieru u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë Rumune.
Më 16 janar 2009, poeti pësoi një aksident të rëndë automobilistik në afërsi të Kishinjevit, çka i solli vdekjen.


Nëna
(Mama)

Ngadalë, çapitu, ngadalë,
Mos shkelësh, pa dashur, nënoke
Mbi farat që krahin si valë
Mes qiellit e kësaj toke!

E ndrojtur më je në vështrim,
E lumtur në shpirt, gjithsesi -
Veç bari ta njeh çdo mendim,
Dhe ylli si quhesh e di.

VALERIU MATEI: Ka diçka përtej fjalëve... (Poezi)

Valeriu Matei u lind në të njëjtën datë, pra më 31 mars, me poetin e madh rumun Nikita Stanesku. Për këtë arsye, çdo fundmars, Matei vjen nga Kishinjevi në Plojesht, në qytetin e Nikitës, për të ripërjetuar  momentin yjor ndërmjet qenies, metafizikës dhe historisë. Valeriu Matei është një nga figurat emblematike të lëvizjes së Rilindjes Kombëtare të Besarabisë. Kur ka qenë e nevojshme, poeti ka veshur edhe përkrenaren e politikanit. Nuk u kaplua nga ky mision dhe i dha poezisë zgjidhje estetike të mbamendshme. E ka përqafuar fort metaforën me historinë, duke u bërë poet modern, me zotërim të shkëlqyer të gjuhës rumune. Ka përkitje të thella me poezinë e madhe rumune. Ioan Aleksandru ka zbuluar tek Valeriu Matei “një fuqi të fjalës dhe një thellësi të ligjërimit si rrallëherë mund të haset tek një i ri i sotëm, në gjuhën e Emineskut” . Për Valeriu Matein poezia është një mënyrë përjetimi yjnor, një mjet mbijetimi, por, në rast nevoje, edhe një mburojë e shtizë. Një poet i shquar dhe një njeri me mirësi të madhe. Një mik i rrallëgjetshëm. (George Parzha)


Ekuacionet e pezmit
(Ecuaţiile disperării)

1.
qytetthe mbi eshtra, Xhokonda të mbështjella në
veshjen e tymtë të një buzëqeshjeje
të hapur si një stacion treni,

Danubi prej lotësh nuk ka më shtrat
kripa e dherave është kalbur në gjak,

jo fitore, jo vetmi,
qeni hipur majë piramidës
do të vdesë në trekëndshin vigjilues
i dërrmuar në mesnatë
prej një fije bari


2.
përmes mendimit kolektiv të rrugës
kalon rinia e përskuqur e mjegullës
                   hipur mbi kalë të bardhë,
kalon shqiponja e mbarsur e shënjuar
në të vetmen vijë të trurit
me yllin e kuq në pesë cepa të verbër,

kalon kamioni me xhamat të vrimuar
nga mustaqet e mëdha të xha xho-së,
kalëron një bullafiq i vrenjtur
mbi jetën politike
dhe një rreze e përkthyer në prapashtesat e habisë
puthitur me një emër apostulli,

kalojnë, kalojnë, na kalojnë,
nëpër mendimin kolektiv, nëpër
mënyrën e të menduarit të përbashkët
kurrgjëja, orvatja e kurrgjësë,
fjalimet e kameleonëve gagaçë
gjasmues të mendimit kolektiv të rrugës


3.
ka diçka përtej fjalëve -
domethënia e fshehur e çastit që ka ikur,
kuptimi i kuptimit ku lëviz
si në një kënetë që ka zënë
kore të hollë në diell,
asnjë hap majtas,
asnjë hap djathtas
kuptimit të kuptimit -
përtej është shurdhimi i dritës
dhe zhurma pa ngjyrë,

Haemus Plus I / 2015