Disa fjalë për Ronsard-in dhe veprën e tij


Kur vjen fjala për klasikët e letërsisë, sidomos në këto kohëra me një zhvillim të paparë të teknologjisë, vetiu na shfaqet më qartë kahja e lexuesit të gjerë, i cili ka gjithnjë e më pak kohë për poezinë. Situata më sjell ndërmend fjalën ”ngarendje”. Po të përdorim etimologjinë popullore, - jo rrallë po aq e aftë sa edhe ajo shkencore, - ”ngarendja” nuk është veçse një motërzim i Quo vadis-it. Për fat të keq, lexuesit të sotëm i është krijuar bindja se klasikët janë vjetëruar, nuk i drejtohen më dot shpirtit të tij, nuk ia plotësojnë shijet estetike. Ngarendja pas mbijetesës, mirëqënies dhe gjetjes së një identiteti të qartë, e përgjumin vetëdijën dhe shpesh, kur beson se, duke ecur në një hap me kohën, po lartohet shpirtërisht, njeriu i sotëm thjesht harxhon kohën që mund ta kish pasuruar me letërsi të zgjedhur dhe vërtet formuese. Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth rëndësisë së përkthimeve, nobelisti Boris Pasternak (poet, prozator e përkthyes i shquar, 1890-1960), shprehej: Në fakt, i vetmi lloj përkthimi interesant është ai i klasikëve. Është një punë sfiduese. Sa i përket shkrimit modern, përkthimi i tij rrallë është i dobishëm, megjithëse mund të jetë i lehtë.[1]

Një shqyrtim i paanshëm i gjendjes së sotme të përkthimeve, - tematikë, stile, autorë, - na bind se nuk janë klasikët të vjetëruar apo të prapambetur, por shoqëria e sotme nuk gjen e ndoshta nuk do të gjejë kohën e domosdoshme për t’u pasuruar shpirtërisht.

Ndër emrat me vepër të ndritshme poetike, bën pjesë edhe Pierre de Ronsard, sonetist i shquar francez, që u lind më 11 shtator 1524 në Couture-sur-Loir, Centre-Val de Loire dhe ndërroi jetë më 27 dhjetor 1585 në La Riche, Centre-Val de Loire. Ishte poeti i Oborrit, (aspak i ngjashëm me shkrimtarët e mëvonshëm të ”oborreve”) i vlerësuar lart nga mbreti për idetë dhe përkrahjen e politikës së nënës mbretëreshë kundër hygenotëve, të shprehura në veprën e tij “Discours de la Misère de ce Temps (1562-1563)”. Falë dhuntive të tij të shumanshme, në vizionin poetik, por edhe politik, poeti gëzonte të drejtën të ulej në të djathtë të sovranit.

Shqipërime / Traduceri / Translations

 




Poradeci dhe Kuteli – vepra që rriten

 

Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli janë dy autorë të zgjedhur edhe ngaqë veprat e tyre vazhdojnë të rriten e të pasurohen sëbrendshmi pa u varur nga gjerdanët me epitete e kërkime shkencore që mundohen të imponojnë hierarki kalimtare. Zemra e njerëzve na duhet fituar, i shkruante dikur Lasgushi Asdrenit. Mund të thuhet se veprat e Lasgushit dhe të Mitrushit fitojnë prore zemra lexuesish, pavarësisht nga mosha e formimi, zgjojnë shqisën e së vërtetës, dashurinë për shqipen e përhershme dhe atdhetarinë e kulluar. Sepse veprat e tyre janë nga fort të rrallat që e shndërrojnë lokalen në universale pa pasur nevojë të përkthehen në shumë gjuhë.

 

Po përveçse Lasgush e Mitrush, të dy këta gjení të padiskutueshëm që lindi Poradeci, kanë qenë edhe Llazar Gusho e Dhimitër Pasko, sidomos në në shoqëri që i ndante njerëzit për së gjalli, ashtu siç i ndante edhe të vdekurit sipas kriteresh ideologjikë.

 

Dëshmi më të sakta e më të pasura për marrëdhënien mes Lasgushit e Mitrushit padyshim që mund të sjellin vetëm fëmijet e tyre, që, për nga kultura e përkushtimi, shpjenë më tej me dinjitet dhuntitë e prindërve.

Mishërim i mënçurisë, durimit dhe atdhetarisë

Damiani i Shqipërisë / fotografi nga interneti

 - në nderim të Fortlumturisë së Tij Damian Kokoneshit, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë në periudhën 1966-1967.

Fortlumturia e Tij Damiani i Shqipërisë, (Dhimitër Kokoneshi, Llëngë 1886 – Pogradec 1973) është një personalitet, mbi jetën dhe veprimtarinë e të cilit nuk rëndon asnjë hije paqartësie, aq më pak dyshimi. Gjatë gjithë jetës së tij, Uratë Damiani pati bekimin dhe përkushtimin të ruante një baraspeshë të rrallë e frymëzuese ndërmjet besimit të mirëfilltë dhe veprimtarisë në të mirë të bashkësisë.

 

Qysh i ri, duke zbatuar kredon e fetarëve shqiptarë, pavarësisht nga dallimet, “Fe e atdhe”, Uratë Damiani u përfshi me armë në dorë në Luftën Nacional-Çlirimtare, për të mbrojtur atdheun, i cili, për një prift të lindur si ai, nuk shquhet ndjeshëm nga feja, sikurse anasjelltas.

Zbatimi i kredos së mësipërme lidhet drejtpërdrejt me urdhëresën e shpëtimtarit Jezu Krisht: “Jepi Qesarit atë që i takon Qesarit dhe Zotit atë që i takon Zotit”. Në të katër Ungjijtë e Shënjtë, marrëdhënia mes shtetarëve dhe fetarëve sqarohet plotësisht. Shtetarët (duhet të) bëjnë politikë, ndërsa fetarët (janë zgjedhur dhe) duhet të luten për ta, me dëshirën që Zoti t’u hapë sytë, t’i mësojë për mirë dhe, nëse nuk do të mundin të bëjnë mirë, të paktën të mos bëjnë, ose të bëjnë sa më pak keq.

 

Historia e Kishës Lindore ka mjaft shembuj priftërinjsh e murgjish që kanë dhënë ndihmesë në mbarëvajtjen e punëve të shtetit, duke nisur mbase me Shën Maksim Dëshmitarin, - martir që ishte kryesekretar perandorak dhe të cilit, si ndëshkim për shkrimet e jashtëzakoshme shpirtërore, i prenë dorën e djathtë dhe gjuhën, - e duke vijuar me Fan S. Nolin, si dhe me klerikë të ditëve tona. Përfshirja e klerikëve në zonën shtetërore duhet këqyrur si një aftësi e forcë për të mos shmangur sprovat, jo si nevojë për pushtet e ofiqe.