Tregim
Dimri, me sa shihej, e pat ndarë mendjen të godiste furishëm me dy armë njëheresh: me dëborë e me stuhi. Megjithse xhamet e veturës “Varshava” ishin të puthitura mirë, të ftohtët hynte brenda dhe shtrohej si në shtëpi të vet. Fatmiri, shoferi, dukej sikur bënte ushtrime të rrezikshme akrobatike tek fërkonte tërë kohën duart me njëra-tjetrën, në vend që t’i mbante në timon.
Kapllani, në të djathtë të tij, kish ngritur jakën e palltos dhe po vërshëllente ngadalë një melodi të përvajshme rumune.
- Prapë ajo vllahinka... Nuk të ndahet! - e ngacmoi Fatmiri me shpoti Kapon, duke ia hedhur fjalën tek vitet e studimeve jashtë shtetit. Kapo e thërriste shokun e vet të fëminisë, çka nënkuptonte edhe funksionin shtetëror që ky mbante.
- Edhe ajo... - mërmëriti Kapllani.
- Si “edhe ajo”?! - u habit Fatmiri. - Paske pasur më shumë se një?
- Jo, bre, jo. Por...
Ndërkaq para tyre qe përshfaqur një mbishkrim që tregonte kahun drejt Burrelit.