Përshtatshmëria jonë


Duke u ndodhur gjeografikisht e shpirtërisht midis Lindjes e Perëndimit, kemi pasur ndikime të dyfishta, sa nga njëra anë, aq edhe nga tjetra. Këto ndikime nuk kanë qënë në gjendje konfliktuale, as në dualizëm, dhe janë shkrirë në shpirtin tonë duke krijuar një sintezë të re, një baraspeshim, i cili mund të quhet përshtatshmëri. Pikërisht përmes përshtatshmërisë ne dallohemi si nga bota lindore, ashtu edhe nga ajo perëndimore. Gjatë shekujve, në karakterin tonë kanë gjetur vend edhe tepri përtacie e plogështie, që na kanë penguar të ndjehemi perëndimorë. Por, më anë tjetër, jemi shquar edhe për zell, për nuhatje të së mirës e të së keqes; për vlerësim të së resë, të së përparuarës; për aftësi që të mos kapemi në befasi e të mos e humbim toruan. Të gjitha këto na largojnë jo pak nga apatia orientale.
Ngjarjet që kemi përjetuar, peripecitë nëpër të cilat kemi kaluar, shpesh na e kanë shtuar çoroditjen në idetë dhe në ç’kemi besuar. Të flakur majtas-djathtas nga tufanet trandës të historisë, nuk kemi pasur veçse rastësisht qetësinë për ta vrarë mendjen rreth anëve thelbësore të gjendjes sonë. Por, po ta këqyrim me vëmendje rrugën e vërtetë të shpëtimit, ajo ka kaluar përmes mospranimit të oportunizmit, përmes vetmohimit dhe mospëruljes para vështirësive. Nuk na kanë lënë kohë të “ndërtojmë” shumë gjëra të reja. Megjithatë, cili popull i vogël mund të krenohet me një numur kaq të madh artistësh, dijetarësh e biznesmenësh të suksesshëm sa i yni? Kemi pasur meritën të kuptojmë dhe të përthithim gjithçka që ka lidhje thelbësore me progresin njerëzor. Këtë përshtatshmëri e kemi përkryer duke e shndërruar në armë në luftën për ekzistencë. Shpirti luftarak, që na ka shoqëruar gjatë shekujve, në të gjitha betejat, e ka mposhtur frymën e transaksioneve dhe të lëshimeve gjithfarësh. Keqdashja, egërsia, pabesia, nuk janë në natyrën e shqiptarit. Mirësia e tij është e njohur dhe e shfaq veten në trajta nga më të larmet: nga mikpritja, deri tek vetëflijimi për të mbajtur fjalën e dhënë (besa e shqiptarit si purteka e arit). Tiparet e ndritshme të karakterit tonë, që i gjejmë të mishëruara edhe në fjalët e urta, në proverbat, në këngët epike e në poezi, na mundësojnë të përshtatemi në çdo rrethanë e kudo që na çon fati. Le ta shohim një bashkëkombës tonin në dhé të huaj. Në një kohë që kombe dhe etni të tjera i përthithin e i “përtypin” me vështirësi të madhe kulturën dhe zakonet e vendit të huaj, shqiptari, falë tolerancës në përgjithësi dhe asaj fetare në veçanti, falë dhuntisë për të qenë element stabiliteti e jo përçarjeje, ia del mbanë që, pas një periudhe relativisht të shkurtër, të ndjehet si në shtëpi të vet. Mëson të veçantat e jetës së atjeshme, u përshtatet me shkathtësi e me dinjitet dhe jo rrallë bën karrierë në fushën përkatëse. Është botërisht e njohur aftësia e shqiptarit në përvehtësimin me themel të gjuhëve të huaja. Natyrisht, zotësia jonë për të kaluar me lehtësi nga një mjedis në tjetrin, nuk na shtyn të shkëputemi shpirtërisht nga vendlindja dhe nga dëshira përherë e gjallë për t’u rikthyer në atdhe.
Me aftësinë për t’u përshtatur shpjegohen edhe ritmet tona të papara në të gjitha fushat, qoftë edhe në periudha krizash botërore, si e tanishmja. Janë të paktë vendet që kanë bërë si Shqipëria një hop të tillë cilësor kaq të shpejtë nga terri mesjetar në dritën e përparimit.
Aftësia për t’u përshtatur siç duhet dhe shpejt nënkupton zgjuarësi të zhvilluar, që nuk njeh gjurmë misticizmi. As mjegullnajat nuk ia turbullojnë mendjen shqiptarit. Ai që përshtatet ka nevojë për reflektim të qartë dhe nuk para i duhen “ëndërrimet poetike”, as mitet që e shfytyrojnë realitetin dhe e paraqitin ndryshe nga ç’është në të vërtetë. Nga kjo pikëpamje, shqiptari nuk ua ka nevojën silogjizmave, por mirëkuptimit. Tek shqiptari në thelb nuk gjen asgjë monstruoze, as të çpërpjestuar. Përkundrazi: e ka tejet të zhvilluar qëndrimin kritik dhe filozofik ndaj shoqërisë dhe jetës. Mençuria e shqiptarit e përjashton sidomos naivitetin, mendjelehtësinë. Ai është gjithmonë realist, me këmbët në tokë, i vëmendshëm, rrallëherë i hutuar. Shqiptari ka besim në njerëzit, por gjithçka e “verifikon” në dritën e fakteve, jo të fjalëve. Këtë ia ka mësuar dhe diktuar përvoja shumëshekullore. Ai është më i gatshëm të mbrohet, se sa të dorëzohet para ligësisë. Pra, nuk është luftënxitës, por, po i shpalli ndokush “luftë”, nuk i ngre duart përpjetë, e pranon sfidën dhe ndeshet me guxim me kundërshtarin, sado i rrezikshëm qoftë ky. Më shumë se me vajtjet në xhami e në kishë, besimin në Zot shqiptari e shfaq përmes ndershmërisë në marrëdhëniet me njerëzit, në punë e në jetë. Por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se nuk i le mënjanë as bestytnitë: nuk niset për udhë të martën, nuk ulet në tavolinë po qe se numuri i drekuesve apo i darkuesve është trembëdhjetë, kthen rrugë kur i del përpara një mace e zezë etj.
Nga shkëputja rastësore e shëmbujve të mësipërm prej jetës shpirtërore të popullit tonë, mund të arrihet në përfundimin se vlerat që ia mundësojnë përshtatshmërinë shqiptarit janë, para së gjithash, ato intelektuale, sidomos aftësia për të vëzhguar e zhbiruar në thellësi e me paanësi. Shqiptari jo rrallë punon me “tahmaqarllëk”, me tepri. Ndodh që të mos zerë gjë me dorë për ditë e javë të tëra, ama pastaj e gdhin deri sa ta çojë në fund atë që ka premtuar, apo që i kërkohet. Jeta e tij është objektive dhe gjen pasqyrim në veprime konkrete, larg humbjes së kohës me kotësira.. Këto cilësi përshtatëse shpjegojnë më së miri se si, megjithse i rrahur egërsisht nga rrebeshet çkombëtarizuese të kohërave, ia ka dalë mbanë të mos e humbë identitetin dhe karakterin kombëtar.
Në jetën e disa qenieve të gjalla që nuk flasin, hasim në një instinkt tepër të veçantë, që quhet “gjasmimi i vdekjes”. Kur sulmohen, ato nuk lëvizin, bëjnë sikur kanë vdekur. Kësisoj i shpëtojnë coptimit vdekjeprurës. Kur ballafaqohesh me historinë tonë, të vjen të mendosh se, në periudha të caktuara, edhe ne kemi mbijetuar në sajë të të njëjtit instinkt. Përshtatshmëria jonë ka qënë nganjëherë, në momentet më të vështira, pothuajse e njëvlershme me një gjasmim të vdekjes. Kemi duruar sa më s’thuhet, i kemi lënë hasmit, dashakeqit, përkohësisht përshtypjen sikur kemi hequr dorë nga qëndresa ndaj tij, kemi gjasmuar vdekjen, pra, për ta marrë veten, për t'i përtërirë energjitë e për t’u hedhur më pas në sulm me fuqi të shumëfishtë. Përndjekjet shekullore na kanë detyruar t’u përshtatemi situatave, çka është baraz me aftësinë për të mbijetuar - tregues i vitalitetit tonë proverbial.
Përshtatshmëria ka një domethënie aktive dhe nënkupton vullnet për shndërrime pozitive. Në një kohë që mund të imitohet gjithçka, mund të përshtatesh vetëm në diçka. Pra, përshtatshmëria është përzgjedhje, përzgjedhje e së vetmes gjë të dobishme mes një morie “ofertash”. Në thelb, të përzgjedhësh e t’i përshtatesh asaj që është e mirë, dobiprurëse, është thuajse si ta rikrijosh atë. Njeriu që ka ndjenja dhe ide të bukura është po aq i çmuar e i vlerësuar sa ai që i zbaton ato. Sepse që të mundësh t’i afrohesh një ideje me peshë, duhet të përmbushësh kushtet për t’iu afruar asaj. Përshtatshmëri do të thotë edhe kërshëri, pra shënjë rinore, syhapje ndaj gjithçkaje të mirë, progresive, moderne. Hapja e vazhdueshme drejt arritjeve kulturore, shkencore dhe teknike është pikërisht aftësi e qenieve të reja e të zhdërvjellta. Përshtatshmëria është kryesisht një çështje e së tanishmes. Ka të ngjarë që ajo të jetë refleks i moshës rinore të kombit tonë dhe, me kalimin e kohës, t’ua lerë vendin tiparesh të tjera, gjithnjë përtëritëse. Por, tani për tani na duhet ta mbajmë mirë parasysh përshtatshmërinë. Duke e kanalizuar dhe drejtuar ku e si duhet, ajo do të na çojë drejt përkryerjes së pandalshme. Sepse nuk është pak që, në luftën për ekzistencë, të zotërosh mprehtësi, zhdërvjelltësi, takt, mirëkuptim e kthjelltësi. Përvoja po dëshmon bindshëm se një popull i mençur e i zellshëm si i yni është në gjendje të shndërrojë në vlera gjithçka, të begatojë edhe djerrinat e ta nxjerrë ujin nga guri.
Cilësitë pozitive, virtytet, po të kuptohen e të përdoren drejt e si duhet, do të prodhojnë të mira materiale e shpirtërore të pazakonta për të ardhmen e popullit tonë. Por, në rast se keqpërdoren, mund të kthehen në faktor regresiv, ngaqë përshtatshmëria është thikë me dy presa. Ajo mund të jetë zhvillim, inteligjencë, elegancë, shkathtësi, progres, por gjithaq edhe poshtërsi, dyfytyrësi, dinakëri, cektësi. Brenda përshtatshmërisë gjenden virtualisht edhe mundësitë për të ecur përpara, edhe ato që të çojnë në rënie. Në fund të fundit, gjithçka do të varet nga strategjia shpirtërore, kulturore, sociale dhe morale që do t’i ofrohet popullit nga udhëheqësit e tij. E ardhmja që na pret është kësisoj e dyfishtë. Në udhëkryq kërkohet më shumë mençuri se kurrë.