Histori dhe bashkëkohësi


Dukuritë dhe proceset që e veçorizojnë historinë tonë bashkëkohore nuk janë shfaqur rastësisht, nuk janë arbitrare, apo të lindura nga asgjëja, pa themel të mëparshëm. Ato janë përftuar nga një e shkuar me degëzime pafundësisht të ndryshme, me rrjedhoja jo rrallë të qëndrueshme dhe afatgjata. Në të njëjtën kohë, secila syresh mbart ngjyrën specifike të ngjarjeve historike konkrete që i kanë dhënë jetë. Për këtë arsye, ajo që po ndodh sot tek ne nuk mund të shkëputet nga ajo që ka ndodhur në të kaluarën. Për të njohur, fjala vjen, politikën kombëtare të shtetit tonë ka rëndësi të njihen etapat dhe shndërrimet nëpër të cilat ka ecur shoqëria në hapësirën mbarëkombëtare, mbarëshqiptare, si falë faktorëve të brendshëm, ashtu edhe atyre të jashtëm; si nën ndikimin e faktorëve ekonomikë, ashtu edhe të atyre joekonomikë. Duhet të njohim mënyrën e organizimit politik të shoqërisë shqiptare, evolucionin e formacioneve të ndryshme shtetërore, momentet e afirmimit tonë të epërm, sidhe ato të përballjes me vështirësi të tejskajshme; faktorët që kanë ndikuar në fuqizimin e disa lidhjeve të natyrshme dhe të shumëfishta ndërmjet etnisë shqiptare dhe elementeve të etnive të tjera të ngulitura në trevat tona.
Detyra e historianit, ashtu siç është kuptuar qysh në krye të herës dhe siç është vërtetuar edhe në ditët tona, është mospranimi i çfarëdo “përrallisjeje” dhe shtrembërimi faktesh. Kjo, në emër të nxjerrjes me vërtetësi në dritë botërisht të vlerave të pamohueshme të kombit tonë. Burimet e shkruara duhet të plotësohen me dëshmi nga studimi i mëtejshëm i gjuhës, i zakoneve, i mendësive, i gjurmëve arkeologjike. Të gjitha këto, në fund të fundit, janë të pazëvendësueshme dhe nuk i gjen dot askund tjetër.
Theksojmë se mënyra se si historiani bashkëkohor e koncepton profesionin e vet, përgjegjësitë ndaj së tashmes dhe së ardhmes së kombit, nuk mund të shkëputen nga periudhat më të hershme, praktikisht nga krejt historia jonë, sidomos nga momentet më përfaqësimtare të saj.
Historiografia shqiptare, qysh në fillimet e saj, është dalluar nga një prirje e theksuar angazhuese, e përcaktuar nga trysnia e problemeve sociale, ekonomike dhe politike me të cilat është ndeshur populli ynë. Gjithashtu, e kaluara është konceptuar vazhdimisht si mundësidhënëse për të kuptuar të tashmen e të ardhmen. Të ardhmen e projektojmë për ta modeluar dhe për ta pasur nën kontroll me synim që të përmbushë aspiratat dhe idealet tona. Gjithashtu, nuk duhet harruar se përvoja e së kaluarës na e ndriçon të ardhmen dhe e bën sa më të prekshme. Shqetësimi për të ardhmen, i këqyrur në kuptimin sa më të gjerë, është një dukuri e mirëdallueshme humane. Si dukuri njëherazi sociale dhe kolektive, interesimi për perspektivat e së ardhmes nuk ka intensitet të njëjtë në të gjitha epokat. Si rregull, njerëzit e shfaqin më fort shqetësimin për të ardhmen në kushtet e një paqëndrueshmërie të theksuar ose shndërrimesh strukturore të gjithëmbarëshme. Denduria dhe thellësia e ngjarjeve historike bashkëkohore, vëllimi i informacioneve që zotëron individi apo bashkësia rreth evenimenteve që zhvillohen, shpjegon faktin që njeriu i ditëve tona, bashkëkohësi ynë, ndjehet i lidhur përherë e më fort me historinë kombëtare, çka e bën më të vëmendshëm ndaj gjithçkaje që ndodh sot dhe ndaj asaj që pritet apo dëshiron të ndodhë nesër. Këtë dukuri e hasim edhe në kohërat e mëparshme. Por, në ditët tona orteku i ngjarjeve dhe i shndërrimeve të njëpasnjëshme shtron pikëpyetje më të shumta e më delikate lidhur me kahun e ecurisë së shoqërisë, pikëpyetje, përgjigjja e të cilave angazhon “perspektivën e së kaluarës”. Argumentet mbi vlerën që e kaluara ka për të sotmen, por edhe për të ardhmen, marrëdhënia konkrete që vendoset ndërmjet filozofisë si vizion tërësor mbi botën dhe historisë si shprehje e vetëdijës së një bashkësie, janë ato që na preokupojnë jo pak si shoqëri e shekullit XXI.
Duke u nisur nga ky "cakim" i sferës së interesit, vëmendja jonë duhet të përqëndrohet, në radhë të parë, në mënyrën se si populli ynë vetëpërkufizohet në momentin e tanishëm përmes së kaluarës, në kuadrin global. Kuptohet se - pa bërë abstragim për problemet themelore të zhvillimit të njerëzimit - çështje të tilla shtjellohen nga këndvështrimi ynë kombëtar, pa i ndarë nga momentet thelbësore të vetëqenies sonë historike. Në këtë kontekst, dy janë elementet që na duken themelorë: nga njëra anë mënyra se si vlerësohet historia kombëtare dhe, nga ana tjetër, mënyra se si ajo kuptohet. Përsa i përket elementit të parë, kemi parasysh përparimet substanciale që ka shënuar mendimi historik mbarëshqiptar në ditët tona, përparime që janë parapërgatitur nga paraardhësit tanë dhe janë favorizuar nga konteksti shkencor i përgjithshëm i epokës sonë. Shembullin më kuptimplotë e japin dhjetëvjetshat e fundit - dëshmitarë krijimesh shkencore origjinale me vlera të ngritura në lëmin e historiografisë. Njëkohësisht, ajo që e shquan epokën bashkëkohore është zgjerimi i paparë i përhapjes së njohurive historike.
Kalimi i vendit tonë në një etapë të re të afirmimit cilësor në kuadër të sistemit social global, me të gjithë përbërësit përkatës, të modernizimit e të zhvillimit të vrullshëm të të gjithë sektorëve - mbi bazën e arritjeve më të reja të shkencës, teknikës e teknologjisë - sjell në qendër të vëmendjes problemin e rritjes së frytshmërisë së veprimtarive që e pasurojnë botën shpirtërore të shqiptarit përmes “ridimensionimit” të tij në historinë bashkëkohore. Drejtimet e reja të zhvillimit cilësor, në të cilat rol vendimtar luan shkolla, arsimi, nënkuptojnë lartësimin e përgjithshëm të nivelit kulturor, profesional e politik, çka duhet të gjejë pasqyrim edhe në mënyrën e jetesës së njerëzve. Thënë ndryshe, duhet të krijojmë dhe të afirmojmë një koncept modern mbi botën, i cili të shndërrohet në normë jetese dhe të ndreqë, madje kur e do puna, të ndryshojë mendësinë dhe sjelljen e njerëzve në pajtim me idealet e vlerat e demokracisë. Rrjedhojat pozitive të çka sapo përmendëm, do të shihen qartësisht në begatimin e jetës sonë shpirtërore dhe lëndore.
Në shtjellimin e problematikës filozofike e sidomos të asaj socio-humane, këndet nga e këqyrim rolin e vendin e historisë në fatin e shoqërisë bashkëkohore shqiptare, lidhen me dialektikën e relatives dhe të përhershmes, e globales dhe të veçantës, e së përsëritshmes dhe origjinales, e individuales dhe kolektives. Këtu tejet aktuale është çështja e rolit të vetëdijës historike në ngjizjen e asaj fryme kombëtare, e atij solidarizimi të individit me interesin e përgjithshëm mbarëkombëtar, në një hap me modernen, që filozofia të bëhet histori konkrete.