Dihet tashmë se globalizimi është procesi i zgjerimit, i thellimit dhe i përshpejtimit të ndërlidhjeve në shkallë botërore, jo vetëm në lëmin ekonomik, por edhe në atë shoqëror, politik, teknologjik e kulturor. Në kuadrin e marketingut global strategjia e firmave synon të promovojë marka universale, me ç’rast kultura e publicitetit bëhet një industri e vërtetë. Nga kjo pikë vështrimi, globalizimi përbën një dukuri që ka të bëjë me qarkullimin e informacioneve e të ideve, pra me diçka jashtë fakteve kulturore të mirëfillta. Hulumtimet shkencore kanë vërtetuar zanafillën e përbashkët të të gjitha qytetërimeve, të cilët, gjatë shekujve, janë çapitur në mënyra e trajta nga më të ndryshmet. Ky pohim mund të qëndrojë në themel të konceptit të ekzistencës së një bashkësie njerëzore të vetme, ndërsa kapërcimi i kufijve në hapësirë dhe në kohë nga ana e kombeve dhe e sistemeve ekonomike, çon drejt globalizimit kulturor. Një sërë zhvillimesh të sotme sjellin argumente në mbështetje të idesë se në themel të procesit të globalizimit qëndron pikërisht kultura.
Falë teknologjisë së informacionit njerëzit hyjnë në marrëdhënie me një larmi normash dhe vlerash kulturore, të cilat, me kalimin e kohës, përftojnë një sjellje, një qëndrim global. Por globalizimi, në parim nuk duhet t’u kundërvihet traditave dhe vlerave kulturore të një kombi. Madje ai lipset të ngjizë e të përhapë një kulturë të shumëpërmasore në pejzazhin e traditave kulturore kombëtare. Televizioni, radioja, „udhëtimi” elektronik virtual, interneti apo mësimdhënia e hapur në largësi, pa praninë fizike të mësimdhënësit, janë forma të globalizimit kulturor. Faktorin përcaktues të ndryshimeve në të ardhmen e përbën ecuria e teknologjive informacionale dhe digjitale, të cilat e ndryshojnë mjedisin rrethues dhe kufijtë institucionalë klasikë, përfshi ata kulturorë. Vlen të theksojmë se, në fund të fundit, e rëndësishme nuk është kultura në vetvete, por një cilësi e re e inteligjencës, për të cilën kultura mund të shërbejë si themelvënëse.
Një rol krejt të veçantë në fushën e kulturës ka aspekti etnik etnik i procesit të globalizimit, që parakupton mbartjen e vlerave të ndryshme kulturore kombëtare nga njëra anë në anën tjetër të globit. Bashkësi të fuqishme të popujve evropianë i gjejmë në kontinente të tjerë të globit dhe anasjelltas - bashkësi të Lindjes së Largët, apo të zonave të tjera, i hasim në vendet evropiane. Secila nga këto bashkësi ruan specifikën e vet kulturore. Në procesin e ndërlikuar të globalizimit, çështja e ruajtjes së identitetit kulturor përshfaq dy pamje: nga njëra anë ekziston rreziku i homogjenizimit kulturor, çka do të thotë që bota mund të kishte një formë të vetme kulture, ndërsa nga ana tjetër një rrezik akut i shpërbërjes kulturore dhe psikologjike, si për individët, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi. Të dy këta rreziqe janë të gërshetuar mes tyre.
Sipas përkufizimit që jep Anthony McGrew, globalizimi është një intensifikim i ndërlidhjes, një përhapje pa sforcim e të gjitha besimeve, vlerave, mallrave, përtej kufijve territorialë të çdo shteti. Kësisoj globalizimi çon drejt "tkurrjes" së nocionit të hapësirës e të kohës; distancat zvogëlohen, bota bëhet më "e ngushtë", si një fshat global (Global Village - sintagmë e famshme e Marshall McLuhan-it). Por edhe nëse ekziston një afëri e caktuar e kulturave (falë zhvillimit teknologjik), ato janë ende të ndara për shkak të specifikave përkatëse. Në të vërtetë globalizimi synon ta mpakë një gjë të tillë, duke mundësuar që në të gjitha kulturat të shfaqen "shënjat" e konsumit, duke bërë që, edhe në këtë aspekt, çdo vend të ngjajë, më shumë a më pak, me tjetrin.
Sa i takon përmasës kulturore të një shoqërie, kjo është e vështirë të përcaktohet sidoqë ka disa veçori:
a. Kultura mund të këqyret si sferë e ekzistencës, në të cilën njerëzit ndërtojnë domethënien e praktikave me ndihmën e simboleve;
b. Është një mënyrë, me të cilën njerëzit i japin një kuptim jetës falë komunikimit ndërmjet tyre;
c. Qëllimi i kulturës është, gjithashtu, t’i japë një kuptim jetës;
d. Kultura mund të shihet edhe si «territori» i domethënieve nga këndvështrimi ekzistencial;
e. Si përfundim, kultura përmbyll krejt larminë e praktikave të përditshme, duke frytuar vetë ekzistencën njerëzore.
Në periudhën e globalizimit, përmasa kulturore jo rrallë ngatërrohet me kulturën mediatike, pra me atë të teknologjive audio-vizuale dhe të komunikimit, me anën e të cilave përcillen shfaqjet kulturore. Me «kulturë mediatike» kuptojmë tjetërsimin përmes konsumizmit, një demokratizim i konsumit, por edhe një "mediokrizim" i tij. Në epokën tonë të internetit e të televizionit, kultura bëhet relative: na thuhet çfarë dhe ku të shohim, çfarë të lexojmë e të dëgjojmë. Njëherazi me kulturën masive, sikurse ve në dukje Edgar Morin, nxjerr krye një «kolonizim» i dytë. Një kulturë e tillë synon «gërryerjen» e kulturave të tjera, deri në zëvendësimin e tyre. Kështu kultura masive bëhet kultura e parë universale në historinë e njerëzimit. Bota e sotme, siç tërheq vëmendjen Samuel Huntington, - autori i bestseller-it The Clash of Civilizations, - po shkon drejt pluriqytetërimit, duke fshehur «përthyerje» të pashmangshme. Kultura e mediave na përshfaqet si një "agjent" i globalizimit për shkak të universalizimit të zbavitje-argëtimit, mbivlerësimit të këtij të fundit, duke çuar, gati pashmangshëm, në një gjendje varësie. Sikurse ka theksuar hulumtesi rumun Adrian Rakieru, «kultura coca-cola i josh turmat dhe shkakton shqetësimin e kulturave të vogla. Globalizimi përjashton mbylljet kulturore dhe ekonomike». Më tej, ai shton se «Rrezikojmë që, në vend të një qytetërimi të diversitetit, të përfshihemi në një qytetërim të vetëm – të zbavitje-argëtimit».
Kështu, pra, masmedia përfaqëson vetëm një pjesë të procesit nëpërmjet të cilit përshfaqet ndërtimi i kuptimeve simbolike, duke qënë njëra nga trajtat e shprehjes së globalizimit nga pikëpamja kulturore. Në librin e J. Tomlinson, “Globalizim dhe kulturë”, hasim pohimin sipas të cilit kultura do të përfaqësonte aspektin thelbësisht të pavarur të procesit të ndërlidhjes së shumëfishtë. Po ashtu, simbolet kulturore mund të përftohen gjithkund, kurdoherë, përderisa nuk ekzistojnë kufizime që lidhen me prodhimin apo riprodhimin e tyre. Në këtë kuptim, në sajë të marrëdhënieve dhe trajtave të saj, kultura është globalizuese. Bota i ngjan një tregu të pamatë mallrash. Veprimet e individëve përcaktojnë vetë kulturën së cilës ata i përkasin, duke arritur të kenë rrjedhoja globale. Globalizimi është me rëndësi të veçantë për kulturën. Ai bën të mundur që «negocijimi i përvojës kulturore të mbërrijë në qëndrën e strategjive të ndërhyrjes në fusha të tjera ndërlidhjeje: politike, ekologjike, ose ekonomike». Si rrjedhojë, me anë të globalizimit kultura fiton peshë në të gjitha fushat e mësipërme.
Sociologu Anthony Smith e paraqit kulturën globale si diçka artificiale, të patrajtë. Sipas tij, kultura në fjalë, në fund të fundit, është një kulturë e sajuar, e stisur, ahistorike. Por jo vetëm kultura globale është sajesë, por edhe kultura kombëtare. Veçse, në dallim nga e dyta, kultura globale nuk është specifike, as e përcaktuar në kohë dhe në shprehësi. Lidhur me pohimin e Smithit, sipas të cilit një kulturë kombëtare është ngrehina e disa mendjeve të mençura dhe përbëhet nga tradita të shpikura, duhet përmendur fakti që, - pa e vrarë mendjen shumë, - mund të ndërtohet edhe një identitet i rremë - parazit në shpinë të ndjenjës së identitetit të një kulture. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në rastin e komunizmit, kur “vlera” dhe “ide të reja” ua zunë vendin vlerave të Shqipërisë së përhershme.
Mund të flitet, gjithashtu, për një "imperializëm kulturor", të barasvlershëm me atë të një kulture globale. Ky vizion ka pikënisje faktin që kultura të caktuara, - le t’i quajmë të mëdha, mbizotëruese, - priren të lenë "pa frymë" kultura të tjera më të prekshme. Sidoqoftë, megjithëse është përqafuar nga disa kritikues të kapitalizmit, një teori e tillë nuk mund të ketë taban në praktikë, ngaqë lëvizja mes sferës kulturore dhe asaj gjeografike dikton ndryshime, shndërrime. Arsyeja është se globalizimi ka si tipar veçorizues kryesor lehtësimin e qarkullimit të informacioneve dhe nuk janë të pakët ata që shohin tek ai një proces të mbisundimit të të dobtëve nga ana e korporatave të rëndësishme të botës. Gjithsesi, globalizimi nuk ka karakter homogjenizues; përkundrazi, çon në diferencime të hapësirës globale.
Në librin e autores rumune Ekaterina Kokora me titull “Globalizim dhe menaxhim” ndeshim grupfjalët Think global, act local. Vetëkuptohet prirja e filialeve të kompanive të mëdha prodhuese për ta përdorur dhe për ta eksportuar më tej në shkallë planetare fuqinë puntore të pranishme në vendin pritës. Mund të themi se e njëjta ndodh edhe në rastin e kulturës, sidomos në kinematografi - art i cili nuk kërkon meditime të thella dhe kohë të kulluar psikologjike për të tejçuar kumtet dhe gjerdanët me simbole. Një shëmbull domethënës është seria e filmave me Harry Potter-in, ku regjisorët, aktorët, skenografët e kombësive dhe feve të ndryshme kanë bashkëpunuar për të jetësuar një projekt që ka themeluar tashmë një armatë fansash të përkushtuar, jo rrallë fanatikë, anembanë globit. Duhet thënë se në librin nga buron seria e lartpërmendur shtjellohen disa veçori të globalizimit, si:
1. ka teknologjitë e veta - kompjuterizimin, komunikimin me satelit, internetin;
2. ka modelin e vet demografik - përshpejtimin e ndjeshëm të zhvendosjes së njerëzve të mjedisit rural;
3. ka strukturën e vet të pushtetit, në kuadër të të cilit sistemi i globalizimit ndërtohet mbi tri baraspesha forcash - a. baraspesha tradicionale ndërmjet shteteve kombëtare; b. baraspesha ndërmjet shteteve kombëtare dhe tregjeve globale; c. baraspesha ndërmjet individit dhe shteteve kombëtare.
Globalizimi mund ta ruajë bashkekzistencën paqësore midis kulturave vetëm në kontekstin e pikënisjes nga specifika e "industrive kulturore" për të mbrojtur lirinë e informimit dhe për të shmangur përqëndrimin e kulturës vetëm në duart e një elite. Gjithashtu shkencat shoqërore lipset “të studiojnë identitetin e ri kulturor ashtu siç shfaqet në botën e çkolonizimit, e globalizimit ekonomik”. Për rrjedhojë, "komercializimi i lirë" i kulturës hëpërhë duket një veprim fisnik, përmes të cilit çdo qytetar i globit mund të përfitojë nga qarkullimi i lirë i ideve, i fjalëve, i pamjeve, duke nxitur njëlloj vendet e pasura e të varfra ta përhapin e ta bëjnë të njohur kulturën e tyre.
Nga ballafaqimi i opinioneve të ndryshme, pro dhe kundër, mund të dilet në përfundimin se globalizimi krijon vetëdijen e larmisë, fuqizon demokracinë dhe e bën individin të aftë të zgjedhë midis shumë variantesh të mundshme. Gjithashtu, ky individ mund të vetëmbrohet kundër manipulimit, sepse ka mundësi ta qëmtojë e ta zbulojë atë. Globalizimi ka rol të veçantë për të shkurtuar dhe «asgjësuar» distancat dhe hapësirat që i ndajnë kulturat. Bota po bëhet një vend i vetëm, ndërsa ne jemi të gjithë "fqinjë".