Brezat në mirëkuptim


Një nga “origjinalitetet” e betejave sociale dhe kulturore është futja e rivalitetit ndërmjet brezave. Historia ka njohur luftën raciale, luftën klasore dhe luftën për besimin fetar. Aktualisht vazhdojmë të jemi dëshmitarë të ndeshjes midis brezave.
Gjithë historia e botës së qytetëruar veçorizohet nga njëpasnjëshmëria e brezave. Të gjithë popujt, duke nisur me ata primitivë dhe duke vazhduar me botën greko-romake e më tej me popujt mesjetarë, kanë ruajtur rituale të “inicjimit”: të moshuarit i ndihmonin të rinjtë të zhvilloheshin, të përparonin, ndërsa të rinjtë respektonin përvojën dhe mençurinë e më të moshuarve. Miti i pishtarit-stafetë qysh në lashtësi simbolizonte pikërisht vazhdimësinë e brezave. Madje edhe periudhat “revolucionare” kanë ruajtur një pjesë nga traditat e nga përvojat e më të moshuarve. Kuvende të posaçme veteranësh, seniorësh, janë organizuar edhe në kohëra të turbullta. Është fakt që kanë ekzistuar gjithmonë dallime mendësish mes të rinjve dhe të vjetërve, por jo si ato të sotmet që, jo rrallë, ngjajnë me kundërvënie të ashpër, me përçarje ndërbrezëshe. Të rinjtë e kudondodhur, pra jo vetëm në vendin tonë, duket se e pandehin veten të ngarkuar me mision të posaçëm, “mesianik”, të frymuar nga një mendësi krejtësisht origjinale vetjake, që nis njëheresh me ata, nga zeroja, të pajisur me strukturë shpirtërore krejt të re, që s’ka kurrgjë të përbashkët me atë të “pleqve”. Qëndrimet shpërfillës, për të mos thënë përbuzës, të të rinjve ndaj pararendësve, e kanë zanafillën në mendimin sipas të cilit brezi i tanishëm nuk mund të bashkëpunojë me ta ngaqë paska tjetër moral, tjetër logjikë, tjetër politikë. Burime të hershëm, si, bie fjala, tek romani “Etër e bij” i Turgenievit, tregojnë se kjo dukuri ka qënë mëse e pranishme edhe në shekullin XIX. Por jo me ashpërsinë e sotme. Mos vallë u dashka që të përjashtohen nga bashkësia e kombit ata që janë lindur para e gjatë Luftës së Dytë Botërore? Një lajthitje e tillë do të bënte që brezi i sotëm të shndërrohej në një rreth të mbyllur, me një mendësi të vetën, me qëllime dhe ideale të huaja për brezat e tjerë. Kësisoj do t’i bëhej jehonë një “sociologjie të brezit” për të përligjur mospranimin e bashkëpunimit të të rinjve me të moshuarit. Nuk mund të themi se kjo dukuri është e përgjithshme, por, sidoqoftë, është mjaft e përhapur dhe meriton përsiatje të thellë e të vëmendshme. Aq më tepër që një gjendje shpirtërore e tillë paraqet rrezik të veçantë për zhvillimin normal të kombit.
Së pari, ajo është e rreme nga këndvështrimi i së vërtetës, ngaqë brezi i tanishëm nuk vjen sot me një program kryekëput të huaj për brezat e mëparshëm. Po të mbajmë parasysh faktin që asnjë revolucion moral nuk përbën shkëputje absolute nga traditat, madje ruan një pjesë të mirë të së shkuarës, do të vërejmë se rivendikime dhe aspirata të kësaj natyre kanë karakter konservator. Në të vërtetë, ato që dëshiron të ruajë një pjesë e të rinjve të sotëm: kombin, fenë, rregullin e qetësinë, janë vlera të cilat njerëzimi i ka pasur në programin e vet politik e social të paktën qysh dy shekuj më parë. Si nuk gjetka, pra, brezi i tanishëm pika të përbashkëta me të moshuarit, që kanë qenë të frymëzuar nga të njëjtët ideale? Për ta thënë më troç: prirjet për të etiketuar si të tejkaluara apo si të vjetëruara, parti, doktrina apo personalitete, që kanë dhënë ndihmesë vendimtare në përmbysjen e diktaturës në Shqipëri; ftesat e thirrjet që u bëhen me cinizëm e papjekuri për t’u “vetëlarguar” nga skena politike, bien erë miopi, vetëkënaqësi, arrivizëm e mosmirënjohje. Katër anomalitë që sapo zumë në gojë, dalin më në pah kur “anti-të-vjetrit” nuk vijnë me ndonjë program më të pjekur, apo me ndonjë platformë të re, më të përparuar, paçka se emrat e formacioneve “të reja” politike që krijojnë e që i rreshtojnë në krah të formacioneve të majta apo të djathta, kanë tingëllime joshëse. Ca të rinj (në moshë) shprehen hapur fare: “E ardhmja na takon vetëm neve”. Të tjerë, ngaqë, “mjerisht”, kanë më shumë vite në kurriz, e shfaqin veten të rinj në politikë. “Politika e re” e tyre i kundërvihet “politikës së vjetër”, duke futur në të njëjtin thes të majtë, të djathtë, të qëndrës, pra gjithë të tjerët, pa përjashtim.
Së dyti, vazhdimësia e brezave është e vetmja dorëzani e progresit. Po qe se, të themi, në çdo njëzet vjet do të bëhej nga një shkëputje nga e kaluara dhe rinia do ta niste çdo gjë nga e para, duke fshirë me sfungjer a me zmeri atë që kanë bërë pararendësit e saj, kombi do të përballonte një stërmundim prej Sizifi, ndërsa progresi që parakupton shtim e grumbullim, jo asgjësim të mirash shpirtërore, do të ishte praktikisht i pamundur.
Së treti, mbrothtësia e kombeve bazohet në një baraspeshim ndërmjet përvojës dhe entusiazmit. Proverba franceze ”Si jeunesse savait et si vieillesse pouvait”, shpreh domosdoshmërinë e dozimit të drejtë të dy përbërësve të lartpërmendur.
Së katërti, largimi kuturu nga vendi i punës i njerëzve të moshuar, pra me përvojë, çon në rrënimin ekonomik të vendit. Sepse, përderisa punë do të thotë pasuri, mospërdorimi i të gjitha moshave çon drejt një humbjeje të madhe. Në vendet e zhvilluar të moshuarit “shfrytëzohen” deri në momentin që nuk kanë më rendiment. Të heqësh dorë nga gjysma e këtij rendimenti pune dhe të mbash me bukë më shumë pensionistë, qoftë edhe me shpenzime të vogla, do të thotë ta mpakësh aftësinë për punë të kombit deri atje ku s’mban më.
Së pesti, - çka përfaqëson aspektin më dëmprurës - jo pak të rinj, edhe kur, pavarësisht nga papunësia, mund të gjenin një vend pune, nuk do të parapëlqenin t’i ngjitnin shkallët e karrierës me stazh pune dhe me provime. Mënyra e afirmimit individual mund t’u dukej e gjatë, e ngadaltë dhe mediokre. Shumë të rinj, pra, do të dëshironin një shtënie në dorë kolektive - në emër të brezit - të të gjithë posteve drejtues në shtet. Ata do të ishin për një “suprimim” të viryteve të luftës vetjake të bazuar në merita, të punës e të durimit. Kështu do të “hiqeshin qafe” të gjithë pararendësit, ndërsa të rinjtë do të merrnin të gjitha frenat në dorë, pa sforcim e me komoditet maksimal. Këto perspektiva “parajsore” do t’i nxitnin të aderonin në cilëndo perspektivë “revolucionare” për të pasur shpejt dhe me lehtësi gjithçka. “Suprimimi i përpjekjeve individuale do të thotë asgjësim i personalitetit” vinte në dukje afro një shekull më parë filozofi rumun Mihai Ralea. Në rast se kushdo synon të çajë në jetë pa meritë, “kolektivisht” dhe pa ndjenjë përgjegjësie, atëhere çdo frymë gare, çdo zhvillim i individualitetit del jashtë loje. Kur dikush e arrin suksesin jo me meritë, jo si “solist”, por si pjesëtar i një “kori” dyndës, brutal, vetë ideja e qytetërimit vihet në rrezik.
Kjo mendësi e rrezikshme ka shkaqet e veta. Përçarja dhe izolimi i brezave vijnë si rrjedhojë e papunësisë intelektuale, e një organizimi të papërshtatshëm shkollor e social, e “barbarizimit” të shoqërisë për arsye ekonomike dhe morale. Luftimi i saj duhet bërë njëherazi: në rrafsh ekonomik e moral. Nga ana tjetër, paragjykimi i rëndë lidhur me luftën ndërmjet brezave, formon deridiku platformën teorike, postulatin nga i cili merr fill krejt çorientimi i të rinjve të sotëm. Por ata që, në emër të një shteti demokratik të fuqishëm, kërkojnë solidarizimin e të gjitha klasave në unitet të përkryer kombëtar, nuk mund t’i përjashtojnë brezat e pjekur nga bashkësia kombëtare dhe nuk mund të mbështesin një “diktaturë” të të rinjve, sikurse as edhe një "diktaturë" të të moshuarve.