Tym pa zjarr


Këto ditë isha në Korçë. Takimet me miq e shokë të shumtë më bënë të ndjehem si jo më mirë. Para largimit u ndala në Bibliotekën e qytetit për të parë në skedarë botimet më të reja. Rënkimin e thellë me të cilin më priti bibliotekarja - Vera quhej - e shpjegoi me dhembjen që i pat shkaktuar një ditë më parë vdekja e parakohëshme e “burrit të shoqes më të ngushtë”. Kjo e fundit është një e njohura ime e hershme, qysh nga periudha studentore.. U trondita dhe vendosa t’i shkoja për ngushëllim (një fjalë e ngrohtë në kësi rastesh e përgjysmon hidhërimin). Shtëpia ndodhej mjaft larg dhe vajtjen deri atje ma rëndonin vapa përvëluese dhe trishtimi. Kur po mbërrija në destinacion, u binda se gjithçka ishte një trillim i pështirë. Burrë e grua ishin shëndoshë e mirë në plazh. Ky lajm më gëzoi, por më revoltoi lehtësia me të cilën bibliotekarja e lartpërmendur - që më solli ndërmend “ngjelkat”, përgojueset e periudhës ndërmjet dy luftrave, të mbartura tashmë nga dyert buzë rrugicave me kalldrëm, në një tempull dije, në bibliotekë - vuri në qarkullim një tragjedi të stisur. Paskëtaj s’e pati për gjë të shfajësohej: “Kështu më tha një mësues tek gazetashitësi”(!)
Thashethemet janë një nga mëkatet që e çojnë njeriun drejt greminës. Prej kësaj sëmundjeje të rëndë, që sjell dëme të panumurta individuale dhe sociale, njerëzit e të gjitha niveleve kulturore nuk janë “të imunizuar”. Thashethemet i këpusin nga shoqëria marrëdhëniet miqësore, të mirëqënies, të mirëbesimit, të përkushtimit. Njëherazi ato janë një armë e ngrehur drejt atij që i ka kryer. Në shumicën e rasteve autori i thashethemeve e vuan ndëshkimin e tyre në trajtë autogoli: menjëherë, ose gjatë jetës.
Thashethemet janë një "dramë" e çuditshme që ze fill nga koncepti shkatërrues i përhapjes së çuçuritjeve. Lajmi i rremë ka përhapje dhe ndikim fantastik e, siç ndodh rëndom me shtypin, fillon të shpëtojë nga kontrolli dhe të ketë një „jetë” të vetën. Kështu, brenda një kohe të shkurtër, krijohet një opinion i gjithëpranuar, paçka se në themel të tij rri këmbëkryq gënjeshtra, sajimi.
Asgjë tjetër nuk i barazon kontrastet më shumë se përgojimi. Të varfër apo të pasur, të shkolluar ose jo, nga fshati apo nga qyteti, pavarësisht nga ora e ditës ose e natës, qoftë kur janë me receptorin e telefonit në dorë apo përballë televizorit, shumë shqiptarë nuk heqin dorë pa bërë „një dorë thashetheme”. Duke mbajtur në gojë të tjerët, u duket sikur zbaviten, pa e kuptuar se, po të vazhdojmë kështu, ka rrezik që thashethemet të shndërrohen në një modus vivendi, në një përftues ekzistence, në një mbivendosje të ireales në zonën e reales. Shkurt fjala: thashethemet mund të fitojnë valenca njerëzore, të bëhen entitet më vete.
Në të kaluarën përgojimet zëvendësonin televizorët, radion, kompjuterët. Fshatarët tanë, antarët e shoqatave „të mbyllura” realizonin një sërë lidhjesh ndërnjerëzore, por edhe përjashtime morale në bazë të thashethemeve. „Kam dëgjuar që Hasani e ka rrahur Hysenin për një vijë uji”, „Kam marrë vesh se Ksanthipi e kaloi natën me një burrë të huaj”…
Tani, kur masmediat na i dominojnë jetën, thashethemet janë ulur në „vend nderi”. Të gjithë jemi të rrethuar, me dije ose në befasi, nga drita e reflektorëve. Ca prej nesh mburren se kanë në dispozicion të dhëna „me zarar”, madje kanë në dorë të ardhmen, në mos po edhe jetën e fqinjit, kolegut, të lakmuarit. Mekanizmi i thashethemeve është i ulët, pa fair-play dhe thellësisht i gabuar. Në nivelin e nënvetëdijës ai përfaqëson një shmangie të rëndë sjelljeje. Më e keqja është se, duke gjalluar, thashethemet na përçajnë, na sundojnë dhe na i udhojnë mendimet e veprimet. Të tria fetë e mëdha monoteiste e dënojnë përgojimin, si kur ky mbështetet në të ashtuquajtur fakte realë, ashtu edhe kur nuk lidhet me të tillë. Përgojimi i largon njerëzit nga njëri-tjetri; thashethemsit, përgojuesit, nuk kanë miq të vërtetë, sepse cili nga ne mund të durojë dikë që, ashtu siç bën sot me të tjerë, nesër mund të të mbajë edhe ty në gojë oreçast, kudo, pa asnjë shkak e sidomos me cilindo. Përgojuesit janë njerëz që ngrohen në ujrat e ndenjura të mediokritetit, lëshojnë rrënjë aty për të mos i dhënë llogari askujt. Megjithëse janë të vetmuar, dëmin e sjellin për një masë të madhe njerëzish. Veçanërisht të rrezikshëm janë ata, të cilët, duke u hequr si miq që ua duan të mirën të tjerëve, u shtjenë në vesh thënie negative që pretendojnë se i kanë dëgjuar nga filan fistëku. Këta „gjeneralë” të ligësisë janë gjithmonë të shtyrë nga qëllime të ulta. Në fjalët e tyre fshihet kurdoherë një gëzim keqdashës. Goditja është e drejtuar kundër të dyve, u sjell dëm të dyve, sepse i urren të dy. Për më tepër, në shumicën e rasteve, „mesazhet” janë fund e krye të sajuar. Në këto raste, për t’ua prerë hovin një herë e mirë, „viktima” duhet t’u përgjigjet me rreptësi: „Si munde të dëgjosh fyerje të tilla për mua, pa i treguar vendin shpifësit? Po të isha në vendin tënd, unë do t’ia kisha zënë frymën!” Paskëtaj, keqdashësi, i turpëruar e i befasuar, do të çoroditet, do të kërkojë falje dhe do ta kuptojë se mësimi që mori duhet vlerësuar, se, në fund të fundit, është edhe në dobi të tij.
Ekziston edhe një rrugë tjetër: heshtja relative ndaj thashethemeve, sepse paskëtaj ka pak të ngjarë që përfolësi të merret sërish me „viktimën” e vënë në shënjestër. Por, edhe në mos heqtë dorë nga huqi, „viktima” do të japë të njëjtën „replikë”, pra heshtjen, dhe „gjarpëri” i thashethemeve do ta ndjejë veten të lodhur e të paaftë për të kafshuar.
Të gjithë duhet të luftojmë që bartësit e thashethemeve, të këtij mikrobi shoqërisht të rrezikshëm, të shërohen, sepse, ashtu si zjarri i kthen në hi drutë, edhe thashethemet kthejnë në shkrumb ndjenjat e unitetit e të vllazërimit.