Në emër të kombit



Ata që kanë fatin të njohin nga afër një politikan të vërtetë, e nderojnë dhe i binden (kur janë të të njëjtit orientim), ose nuk ia mohojnë meritat (është fjala për kundërshtarët, që i përmbahen parimit: "mos e duaj, por hakun ia thuaj"). Ndikimi i një politikani të tillë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, është i ndjeshëm në të dy krahët. Ai sikur u thotë kundërshtarëve: “Më goditët pa mëshirë, pa të drejtë, por kam ardhur t’ju zgjat dorën e t’ju them që po i harroj të gjitha, sepse një mendim i vetëm më mbisundon: të bashkohemi vllazërisht e t’i krijojmë vetes mundësinë që ta përmbushim me nder detyrën ndaj kombit”. Një burrë shteti si i mësipërmi, në fund të fundit nuk shqetësohet për gurët që i hedhin të tjerët, por për gurin që do t’i vihet mbi varr, në mbyllje të misionit të vet.
Ku qëndron “magjia” e një njeriu të tillë? Te talenti, te niveli i lartë kulturor? Këto kanë rëndësi, por nuk do të mjaftonin për të shpjeguar burimin e një force kaq të madhe. Te zgjuarësia? Kjo nuk mund të mohohet, por sa personalitete të brezit të tij nuk janë shquar për zgjuarësi? Te vullneti? Sigurisht, nuk mund të anashkalohet vlera e këtij virtyti, por edhe kjo nuk mjafton. Te shkathtësia? Në “modelimin” e njerëzve, në kanalizimin drejt të ngjarjeve, pa dyshim kërkohet një minimum i domosdoshëm shkathtësie, aftësie manovruese. Por edhe kjo nuk është mjaft. Te shpirtmadhësia, te prirja drejt gjërave pozitive?... Mendoj se çelësi i “enigmës” nuk duhet kërkuar në secilën nga këto veti veçmas, por në sintezën e tyre. Çelësi duhet kërkuar edhe në cilësi që i kundërvihen shoshoqes. Një politikani të tillë ka raste që i është dashur të jetë njëherazi sa idealist, aq edhe realist; sa i matur, aq edhe i hedhur; sa autoritar, aq edhe i butë]; sa modest (kur është fjala për veten), aq edhe i patundshëm (kur është fjala për kombin). Thamë idealist e realist - dy nocione që përjashtohen mesveti, ngaqë mendohet se idealistët nuk e kanë fort të zhvilluar shqisën e realiteteve praktike, konkrete dhe të kapshme. Të joshur nga vrrulli fisnik i mendimeve të tyre “flatruese”, idealistët zakonisht kanë një paaftësi organike për t’i shndërruar ëndrrat në fakte. Por ëndërrtarët e mëdhenj, që nuk rreshtin së qëni entuziastë, idealistë, kanë vërtet dhuntinë t’i shndërrojnë konceptet e tyre të qëndrueshme në fakte. Të ëndërrojnë dhe të ndërtojnë.
Politikani i madh, si çdo njeri, ka mëkatet e veta. Por, vjen momenti kur mëkatet harrohen, ndërsa vepra mbetet. Mund të jesh kundërshtar i vendosur i tij, ke ide dhe ideale krejt të kundërta me të tijat, nuk je i një mendjeje me taktikat e strategjinë që ai përdor në betejat politike. Mund të çmosh lart shumë gjëra që ai i përbuz. Por, nuk duhet harruar se, kur zhurma e përplasjeve në Parlament apo përpara kamerave televizive do të tulatet, kur mëkatet që struken pas tyre do të shuhen, ora e gjykimit të paanshëm do të tingëllojë ngadhnjyese për politikanin e vërtetë. Kur të përvijohet portreti i tij përfundimtar, i plotë, me të gjitha dritat e hijet, kur të flitet për të gjitha pa përjashtim e pa ndrojtje - edhe për mirësitë, edhe për shpërfilljen e mllefet ndaj të tjerëve, edhe për dobësitë e ambicjet, ashtu si edhe për shqetësimet e vrrullimet e tij shpirtërore, - kur të krijohen mundësitë që të kthjellohet fakti nëse, në rrethana e nën shtysa të tjera, një qenie kaq e pasur në virtyte do të duhej të kish një vlerësim tjetër, plotësisht të merituar, me siguri, jo vetëm bashkëkohësit, por edhe pasardhësit, do ta këqyrnin me nderim e nostalgji. Mjaft të kujtojmë se një luftëtari të tillë, ata që i vërsulen me tërbim nuk mund t’i mohojnë dot atdhedashurinë, në emër të së cilës ka lënë mënjanë un-in pa as më të voglin ngurrim, duke i shumëzuar me zero ata që do të hidhnin baltë mbi të. Ja një shëmbull nga jashtë, i një shekulli më parë. Më 1907 në Rumani shpërtheu një kryengritje fshatare e përmasave të papara deri atëhere. Opinioni publik ia hodhi fajin bashkëkreut të qeverisë, Take Joneskut, politikan i hollë, dashamirës i flaktë i shqiptarëve, me të cilin Ismail Qemali do të kuvendonte shtruar pesë vjet më pas në Bukuresht, në prag të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Jonesku vazhdoi të ngulte këmbë në Parlament se vetëm reformat rrënjësore në bujqësi mund ta ndreqnin gjendjen, por hasi sërish në kundërshtimin e të gjithë antarëve të kabinetit qeveritar. Duke e trajtuar si çështje të rëndësishme kombëtare, Jonesku vendosi të kërkonte ndihmë nga kundërshtarët e vet politikë. Madje nuk ngurroi t’u jepte gjithë përkrahjen për rrëzimin e qeverisë që drejtonte. Mbreti ia dorëzoi pushtetin princit Dimitri Sturdza dhe nënshkroi dekretin e reformave që përmbushnin kërkesat e fshatarëve kryengritës. Por duheshin votuar pa vonesë disa masa dhe duheshin anuluar ligje, disa prej të cilëve kishin autor vetë Joneskun. Me qëllim që uniteti në mendime dhe në veprime i të gjitha partive, të djathta e të majta, të ishte pa asnjë krisje, Jonesku këmbënguli që personalisht të merrte mbi vete rolin e raportorit të zhbërjes së ligjeve që pat hartuar. Kështu, Parlamenti i Rumanisë, dëshmitar i aq e aq skenash historike, mori pjesë aktive, njëzëri, në një eveniment vërtet të madhërishëm: për interesat e larta kombëtare, një kryeministër i hodhi në kosh ligjet e veta. Mbi kufijtë partiakë, mbi kundërshtitë politike, ky gjest shëndoshi më tej ndjenjën atdhetare në zemrat e mendjet e të gjithë përfaqësuesve të Parlamentit, me jehonë në krejt vendin e me rrjedhojë fuqizimin e unitetit kombëtar.
Qëndrime e veprime si të Take Joneskut burojnë nga një ndjenjë dinjiteti të kulluar..
Kush i sheh ndryshe dukuri të tilla, që janë të pranishme edhe në politikën e sotme shqiptare, ose nuk është i çiltër, ose është miop. Por po aq e mundshme ndodh të jetë fjala për smirë, që shprehet me gjuhën e mllefit, urrejtjes dhe hakmarrjes. Kjo e fundit është në natyrën e njeriut. Pas çdo goditjeje, të drejtë apo ta padrejtë, nganjëherë ky e ndjen të nevojshme të hakmerret për të "ndrequr" balancën e drejtësisë. Herë të tjera “dorëzohet”. Kjo ndodh kur i ve nën kontroll kundërveprimet, kur pjekuria e thotë fjalën, ose kur ndruhet se mos hakmarrja mund të kthehet kundër tij me një egërsi e intensitet më të madh.
Duke u nisur me parti pris për të nxirë gjithçka pozitive, me rrjedhoja dobiprurëse për mbarë shoqërinë shqiptare, kundërvënësve u errësohet logjika deri në atë shkallë, sa që bëhen qesharakë. Ata harrojnë se nuk mund të jesh njëherazi edhe smirëzi, edhe i lumtur. Në themel të smirës, pohojnë psikologët, qëndron ndjenja e pasigurisë. Individët përkatës e shohin veten të pazot për të pasur atë që kanë arritur të tjerë, në këtë rast guximin për vetëtejkalim në emër të kombit. “Përse nuk mund të kem edhe unë atë që ka ai, apo ajo?” Vetëpyetje të tilla janë të natyrshme dhe, po të mbahen “në fre”, mund të çojnë në një fillim të mbarë, në një proces vetënjohjeje dhe vetëkapërcimi. Vetëm se, po t’i lejosh këto vetëpyetje të t’i diktojnë përzgjedhjet që bën në jetë, mund të kesh pasoja shkatërruese edhe ndaj vetes, por edhe ndaj të tjerëve. Ndjenja e smirës nuk varet prej nesh, por me rëndësi është t’i kundërvihemi. Të gëzohemi për arritjet e të tjerëve, si për tonat, të mos gëzohemi me dështimet e të tjerëve. Teoricienët thonë se smira ze fill falë dy qëndrimesh kryesore: njëri ka lidhje me ndjenjat e inferioritetit, ndërsa tjetri me ndjenjat e armiqësisë, e keqdashjes. Bertrand Russell, filozof i etikës, i shkencës dhe i fesë, ka thënë se smira është një nga mëkatet më të thella e më universale të njeriut, që shkakton pakënaqësi dhe armiqësi. Dihet se individi që ka smirë, gjen llojlloj shkaqe që i sjellin dëshpërim e mërzi, në vend që të kërkojë qetësi dhe kënaqësi. B. Russell është i mendimit se smira është sidomos veçori e njerëzve eruditë të fushave të ndryshme.
Le ta “tulatim” smirën duke punuar sa më shumë, që të arrijmë nivelet e larta të të tjerëve. Kështu personi i ligur - fizikisht e shpirtërisht - nga smira, ka rastin të shpalosë çfarë ka më pozitive, përvojën e grumbulluar në vite, aftësinë për të gjetur zgjidhje të sa më shumë problemeve, madje edhe për vetëtejkalim..
Por, mbi të gjitha, duke ditur se smira është një emocion ndjesi e pakëndshme, duhet të bëjmë çmos për të mos ndjerë dhembjet që na shkakton. Kjo vlen edhe në politikë, sidomos kur objekti i smirës është ndonjë personalitet, i cili, në emër të interesave madhore kombëtare, nuk e anashkalon rrezikun e marrjes mbi vete të shigjetave të smirëzinjve.