Për një shëndoshje të jetës sociale


(Tabletë)

 


Si pasojë e një shrregullimi të mekanizmit social, që veçorizohet nga mprehja e parreshtur e kundërshtive të të gjitha llojeve, kriza në botën eurojuglindore, pra edhe në Shqipëri e në Rumani, në kontekstin e krizës botërore, është bërë gjithëpërfshirëse. Flitet për krizë ekonomike, shoqërore, financiare, politike… „Është dukuri kalimtare, - dëgjojmë të çuçuritet ndonjëherë, - është një plogështim i organizmit, i cili, me kalimin e kohës mund të çojë drejt shëndoshjes…”. Ama mund të çojë edhe drejt shpërbërjes e rrënimit të tij!
Çdo ditë që kalon po na bind përherë e më shumë se shoqëria bashkëkohëse ka marrë goditje në pikat jetike të saj. Është një e keqe që ia bren rrënjët e kërcellin, ia pret udhën palcës mirëbërëse, e cila mund t’ia përtërinte indet e sëmura. Është, mbi të gjitha, një krizë morale-shpirtërore, e cila trajtohet nga zyrtarët e të gjitha kahjeve si tabu, në mos po edhe "sekretizohet", duke e maskuar vetëm me petkun ekonomiko-financiar. E, pra, kjo krizë është shumë më e rrezikshme se kriza ekonomiko-financiare, e cila, në fund të fundit, ka objekt „sulmi” stomakun, jo zemrën. Sa për ne, dhjetëvjetshat plot mungesa e privacione na kanë „kalitur”, na kanë „imunizuar” ndaj sëmundjes - varfëri, na kanë bërë të mjaftohemi me mbushjen e stomakut, pavarësisht me çfarë, pra edhe vetëm me barishte! Por, si i bëhet hallit me „mëkimin” e zemrës e të shpirtit, që janë „sqimatarë” e nuk pranojnë lakra apo karrota?!
Jo rrallë, brezave të sotëm, - nga gjashtëmbëdhjetë deri në gjashtëdhjetë e gjashtë e më shumë vjet, - u mungon, qoftë edhe pjesërisht, respekti ndaj përfytyrimit të së ardhmes së botës e të jetës, në varësi të të cilit të formulojnë mendimet e të përcaktojnë veprimet.
Vetvetiu shtrohet pyetja: Çfarë duhet të bëjmë për të përmbushur misionin tonë si qënie të arsyeshme, të lira, shoqërore? Shumë prej nesh jemi qaramanë, përjetësisht të pakënaqur, pa dhënë ndihmesë për ndreqjen e gjendjes. Ose kemi prirje pragmatike, utilitare, duke u shqetësuar vetëm e vetëm për rehatinë vetjake, të familjes e të rrethit të ngushtë shoqëror. Parapëlqejmë një jetë materiale të sigurtë, pa kokëçarje, me lehtësira dhe kënaqësira, mundësisht të fituara qyl, në kurriz të bashkësisë, ose duke mashtruar të tjerët. Na i ka ënda të përhumbemi në mirëqënien iluzore që mund të na e ofronte shoqëria evropiane apo ndërkombëtare e konsumit. Nuk e vrasim mendjen më tej, shpërfillim ndërgjegjjen tonë, e cila do të mund të na fuste në hullinë e përsiatjeve, e mendimeve produktive, krijuese.
Jo rrallë kujtojmë se vështirësitë financiare që na detyrojnë të bëjmë kursim në të holla, na detyrojnë të bëjmë kursim edhe në ndërgjegjje. Vramendja nuk para na pëlqen, madje na bezdis. Kërkojmë një kompensim jashtë jetës, në mjedise të caktuara sociale, në imazhet televizive. Kuptimin e jetës e kërkojmë pothuajse kryekëput tek perëndimorët, duke i marrë shembull, për të mos thënë duke i imituar në çdo gjë. Nuk e kërkojmë të vërtetën në shpirtin tonë. Padyshim është më lehtë të heqësh dorë nga arsyetimi, nga ndjenjat, nga vullneti, se sa të imitosh, të gjasmosh të tjerët. Kësisoj asnjë përgjegjësi nuk ta rëndon ndërgjegjjen: je "i vetëpërligjur" përderisa synon të ulesh në tavolinën „evropiane”, „globale”!…
Ku e ka burimin kjo krizë shpirtërore? Përgjigjja mund të ishte: në braktisjen e institucioneve tradicionale dhe të vlerave kombëtare. „Mburoja” - karakteri i fortë që u pat shërbyer të parëve tanë për t’u bërë ballë të këqiave, është dërguar në „muzeum”. Si rrjedhojë, jo pak elementë përbërës të identitetit kombëtar, - burrëria, besa, fjala e dhënë, dinjiteti, krenaria, respekti ndaj urtisë stërgjyshore etj, - janë zbehur.
Ka plot xhami, kisha, teqe e faltore të tjera; ka jo pak njerëz që marrin pjesë në shërbesat fetare, përulen me përvuejtni para ikonave e para Allahut, mbajnë kreshmë e ramazan, pra bëjnë, - sipas tyre, - gjithçka kërkohet nga një besimtar i përkushtuar. Ky „spektakël” me besimtarë duket qetësues, madje inkurajues. Por, në shumë raste, individi që vetëquhet besimtar, luan me dy „zare”: në shtëpinë e Perëndisë i lyp ndihmë e ndjesë, ndërsa, me të dalë prej saj, bie në kontakt me botën reale (lëndore), mohon bukurinë e ndjesive të grumbulluara gjatë lutjeve e faljeve dhe vishet sërish me petkat e interesit egoist, tërësisht material. Ku e ka burimin një sjellje e tillë? Pikërisht në mungesën e thelbësores, pra në mosvënien në zbatim të porosisë hyjnore të dashurisë për njëri-tjetrin. Është shqetësues fakti që, pas kaq e kaq shekujsh, krishterimi dhe islamizmi - dy fe të dashurisë, të mirëkuptimit e të vllazërimit, ende nuk po mundin ta koagulojnë njerëzimin rreth këtyre parimeve themelore të jetës sociale. Këtu, rol negativ jo të papërfillshëm luajnë tartufët, të cilët, duke gjalluar në shumë segmente të shoqërisë sonë, me veprimet dyfytyrse bëjnë çmos të na grishin me refrenin: „Bëni si them unë dhe mos bëni si bëj unë!”. Edhe solidariteti të duket sikur është katandisur në Hirushe. Domosdoshmëria e një mirëkuptimi mbarëkombëtar jo rrallë shihet si diçka qesharake nga individë antikombëtarë; sakrificat në emër të çështjeve madhore këqyren si naivitet e marrëzi. Duke mos u kuptuar sa e si duhet vlerat e demokracisë së mirëfilltë, vendin e dashurisë humane jo rrallë e zenë mohimi dhe urrejtja, të cilat epoka totalitariste i kishte mjete pune e mbijetese.