Shkencë, art, gjuhë....



Njerëzimi gjendet në “ekspansion” të plotë të njohjes shkencore. Zhvillimi i shkencës tani po synon njësimin e fizikës, biologjisë, psikologjisë dhe informacionit. Zbatimi i shkencës nëpërmjet teknologjive të reja, që përcaktojnë deri edhe natyrën e forcave të prodhimit të shoqërisë, po merr përpjestime gjithnjë e më të mëdha. Zbatim i shkencës mund të cilësohet edhe ndikimi që kjo e fundit ushtron mbi ndërgjegjen e njeriut.
Mund të flitet edhe për të mirat që shkenca ka sjellë përmes lehtësimit dhe “hijeshimit” të jetës së njeriut, shtimit të kujdesit për shëndetin, ngritjes së prestigjit të individit e të mbarë shoqërisë. Përderisa punët qëndrojnë kështu, zhvillimi i shkencës dhe zbatimet e saj duhen këqyrur si një e vetme, e pandarë. Përparimi i shkencës përmes zbulimeve të reja duhet vlerësuar si një e mirë e mundshme, por e shoqëruar me rreziqe të shumta në rrafsh shpirtëror. Shndërrimi i përparimit në diçka të keqe varet nga faktorë që nuk rrjedhin drejtpërdrejt nga shkenca.
E mirë shkencore e mirëfilltë nuk ekziston përderisa shkenca garanton, sikurse theksuam më lart, vetëm një të mirë potenciale. I vetmi realitet konkret i së mirës është e mira sociale. Përsa i përket vetëdijës së njeriut, mund të flitet edhe për një të mirë filozofike atëhere kur zhvillimi social jetësohet në pajtim me ligjësitë më të thella të materies.
Natyra është ndërtuar në mënyrë të atillë që e mira filozofike dhe e mira sociale të mos përputhen. Përkundrazi: e dyta e ndihmon të parën. Nga ana tjetër, duke marrë pjesë edhe në zhvillimin e vizionit filozofik mbi botën, në të kuptuarit e së mirës filozofike, shkenca mund të ndriçojë tërthorazi edhe rrugën e së mirës sociale.
Dihet se shkenca është një dukuri sociale dhe kërkesa që ajo të përfshijë sa më shumë njerëz, tingëllon natyrshëm përderisa jetojmë në një epokë të revolucionit të vrullshëm shkencor e teknik. Frytshmëria e punës së gjithsecilit dhe cilësia e prodhimeve të saj varen, në një shkallë gjithnjë e më vendimtare, nga shkenca.
Kjo e fundit mundëson thellimin e vazhdueshëm në fushën e në specialitetin përkatës, krahas ngritjes së nivelit dhe zgjerimit të horizontit të mendimit ndaj realitetit rrethues.
Shkenca nuk mund të zëvendësojë krejt plotninë e jetës shpirtërore të njeriut, por mund të ushtrojë ndikim mbi të. Përvetësimi nga njeriu i arritjeve të shkencës në tërësi, ose në një fushë të saj, nuk është i lehtë, por bën pjesë në natyrën e njeriut, në kërshërinë e në dëshirën e tij për të krijuar. Shoqëria jonë ofron sot një mjedis të favorshëm për përvetësimin e shkencës. Janë të panumurt shembujt e vënies së shkencës në themel të veprimtarisë shoqërore. Shkenca nuk po zhvillohet vetëm në mënyrë të institucionalizuar, në qëndrat kërkimore, por në çdo veprimtari, praktikisht gjithkund, po të marrim parasysh format e zbatimit të saj. Sot shkenca ka më shumë nevojë se asnjëherë, sa për faktorë të institucionalizuar në trajtë laboratoresh kërkimore, aq edhe për faktorë individualë. Roli i këtyre të fundit në shkencë nuk duhet shpërfillur aspak. Po ta vështrojmë shkallën e zhvillimit të jetës shkencore në shoqërinë tonë moderne, ndeshim në një fluks të “shërbëtorëve të shkencës”, që bëjnë përpjekje të lavdërueshme për të njohur e për të prodhuar të renë, artikuj e linja teknologjike kulmore, për të çuar deri në fund çdo hulumtim, për të formuluar hamendësime dhe përgjithësime. Mund të pohohet, pra, se një numur aspak i vogël njerëzish ngjiten në shkallët e shkencës. Fluksi i “shërbëtorëve të shkencës” zhvillohet pikërisht në sfondin e këtyre shkallëve, të cilave, në një shoqëri demokratike si e jona, duhet t’u përgjigjen vlerësime dhe inkurajime.
Shkenca përfaqëson një të mirë edhe për mendjen e njeriut, për punën e tij. E mira e shkencëtarit është, para së gjithash, një e mirë morale, rezultat i luftës me të panjohurat, me plogështinë në vete dhe në të tjerët. Shoqëria duhet ta njohë dhe ta vlerësojë këtë të mirë morale të shkencëtarit, si faktor me rëndësi në zhvillimin dhe zbatimin e shkencës në dobi të përparimit të shoqërisë.
Ndërkaq, vend e rol të posaçëm ka gjuha. Ajo duhet të jetë e gjallë, dinamike dhe, ashtu si në politikë, tu përshtatet në mënyrë krijuese realiteteve të reja që nxirren në pah nga arritjet e shkencës e të teknologjisë. Kur bëhet fjalë për një risi absolute, si kompjuteri, me t’u „pagëzuar”, emri i tij menjëherë fillon të përdoret nga shkencëtarët, duke u bërë shpejt edhe „pronë” e të gjithë njerëzve. Natyrisht, këtu kemi parasysh termat që mund të kapërcejnë sferën e specialiteteve të ngushta.
Me interes të veçantë është mënyra se si mendojmë sot për realitetin përmes fjalëve që përdorim në marrëdhënie me çdo lëmë në veçanti. Trajtimi me moskokëçarje apo përdorimi i reduksionizmit dhe i analogjizmit në emërtimin e proceseve dhe të objekteve, pa dashur mund të çojë në „shformime” të përfytyrimit tonë mbi botën, ose mund ta mbyllë atë brenda caqeve dogmatike. Shkencëtarët e fushave të ndryshme dhe sidomos gjuhëtarët po fillojnë të kuptojnë se edhe gjuhësia e përgjithshme duhet të ecë në një hap me revolucionin shkencor e teknik, pra edhe me vizionin e ri që ofron shkenca mbi botën. Duke nxjerrë në pah marrëdhëniet e reja ndërmjet formave të realitetit, secilës klase të madhe të marrëdhënieve specifike duhet t’i përgjigjet një term specifik, i cili t’i japë domethënien gjithëpërfshirëse tipit përkatës të marrëdhënies. Dinamika e gjuhës duhet të mbajë qëndrim të përgjegjshëm ndaj modelit që shkenca ka ndërtuar mbi botën. Thënë ndryshe, gjuha lipset të mbajë parasysh edhe risitë në të gjitha fushat e veprimtarisë kulturore dhe shoqërore. Një ekspozitë e çelur kohët e fundit në Pogradec me 48 krijime të piktorit të mirënjohur kosovar Jetullah Haliti - ETI, paraqiste një „suitë” punimesh që ngjiznin një univers të vetë piktorit, të cilave ndjen nevojën t’u vesh një emër. I quajta “tablotë e Qenies e të qenieve” duke pranuar gjithsesi karakterin subjektiv të një emërtimi të tillë. Përndryshe, në raport me dukuritë e studjuara me saktësi shkencore, kemi nevojë për sa më shumë objektivitet. Por edhe subjektivizmi, veçanërisht në rastin e artit, mund të përmbajë një notë objektiviteti, madje jo rrallë është një shprehje e epërme, prijëse e tij.
Meqë sapo cekëm diçka nga bota shpirtërore kulturore, - pa të cilën botës shpirtërore në përgjithësi do t’i mungonte njëra nga ngjyrat e veshjes sociale dhe humane - po shtojmë se shkenca nuk është e huaj për qenien njerëzore përderisa filozofia mbështetet edhe në shkencë. Brenda shpirtërimit filozofik mund të pleksen në një arkitekturë të përkryer shkenca dhe kultura, shkenca dhe humanizmi. Kjo është e vlefshme edhe për teknologjinë. Nëse teknologjia nuk qëndron shpërfillëse ndaj qëllimeve të cilave u shërben, ndërkohë që në qëndër të këtyre qëllimeve vendosim qytetërimin socio-human (ky i fundit është rrjedhojë, sidoqë tani për tani më shumë një dëshirë e botës shpirtërore të njeriut), atëhere mes teknologjisë dhe shpirtërimit, mes teknologjikes dhe humanes ndehet një urë e fortë.
Në mbyllje duhet nënvizuar se flasim për botë shpirtërore apo shpirtërim jo vetëm kulturor, filozofik e fetar, por edhe për shpirtërim shqiptar, veçorizues për popullin e kombin tonë. Të gjitha shpirtërimet zënë vendin e tyre të merituar, por shpirtërimi shqiptar ka përparësi absolute për ne sa herë hyjmë në lidhje apo nisim të ndërtojmë marrëdhënie me botën. Ai për ne është shkenca e shkencave, sepse mbart gjithçka të vlefshme tonën, përfshi krenarinë që jemi shqiptarë.