Se afișează postările cu eticheta "Mishërim i mënçurisë". Afișați toate postările
Se afișează postările cu eticheta "Mishërim i mënçurisë". Afișați toate postările

Mishërim i mënçurisë, durimit dhe atdhetarisë

Damiani i Shqipërisë / fotografi nga interneti

 - në nderim të Fortlumturisë së Tij Damian Kokoneshit, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë në periudhën 1966-1967.

Fortlumturia e Tij Damiani i Shqipërisë, (Dhimitër Kokoneshi, Llëngë 1886 – Pogradec 1973) është një personalitet, mbi jetën dhe veprimtarinë e të cilit nuk rëndon asnjë hije paqartësie, aq më pak dyshimi. Gjatë gjithë jetës së tij, Uratë Damiani pati bekimin dhe përkushtimin të ruante një baraspeshë të rrallë e frymëzuese ndërmjet besimit të mirëfilltë dhe veprimtarisë në të mirë të bashkësisë.

 

Qysh i ri, duke zbatuar kredon e fetarëve shqiptarë, pavarësisht nga dallimet, “Fe e atdhe”, Uratë Damiani u përfshi me armë në dorë në Luftën Nacional-Çlirimtare, për të mbrojtur atdheun, i cili, për një prift të lindur si ai, nuk shquhet ndjeshëm nga feja, sikurse anasjelltas.

Zbatimi i kredos së mësipërme lidhet drejtpërdrejt me urdhëresën e shpëtimtarit Jezu Krisht: “Jepi Qesarit atë që i takon Qesarit dhe Zotit atë që i takon Zotit”. Në të katër Ungjijtë e Shënjtë, marrëdhënia mes shtetarëve dhe fetarëve sqarohet plotësisht. Shtetarët (duhet të) bëjnë politikë, ndërsa fetarët (janë zgjedhur dhe) duhet të luten për ta, me dëshirën që Zoti t’u hapë sytë, t’i mësojë për mirë dhe, nëse nuk do të mundin të bëjnë mirë, të paktën të mos bëjnë, ose të bëjnë sa më pak keq.

 

Historia e Kishës Lindore ka mjaft shembuj priftërinjsh e murgjish që kanë dhënë ndihmesë në mbarëvajtjen e punëve të shtetit, duke nisur mbase me Shën Maksim Dëshmitarin, - martir që ishte kryesekretar perandorak dhe të cilit, si ndëshkim për shkrimet e jashtëzakoshme shpirtërore, i prenë dorën e djathtë dhe gjuhën, - e duke vijuar me Fan S. Nolin, si dhe me klerikë të ditëve tona. Përfshirja e klerikëve në zonën shtetërore duhet këqyrur si një aftësi e forcë për të mos shmangur sprovat, jo si nevojë për pushtet e ofiqe.