Shpirt Shqiptari - 1

(Mbresa, në dukje të rëndomta)

Më 4 dhjetor 2009, miku im, prozatori i talentuar pogradecar Istref Haxhillari, më uronte në e-mail për një shkrim që më ishte botuar atë ditë në shtypin e Tiranës. Të njëjtën gjë bën sa herë ma sheh emrin ndokund. Pas pak çastesh postieri më solli një zarf me dokumentin e sapoantarësimit tim në Akademinë Evropiane të Arteve (në Belgjikë). Dërguesi, piktori i mirënjohur kosovar Jetullah Haliti - ETI, kryetar i Komitetit Shqiptar të asaj akademie, me president ndërkombëtar personalitetin e shquar Alfons Krepën, më uronte për “pranimin anëtar aktiv” në institucionin e lartpërmendur. U përlota nga dy gëzime të njëhershme: nga nderi që po më bëhej dhe nga dashamirësia shqiptare. Pas gjysëm ore më duhej të merrja tramvajin që do të më çonte në universitet. Një zë i brendshëm ma "shtëmëngu" itinerarin dhe më bëri të telefonoja në dekanat për t’i shtyrë dy leksionet në një ditë tjetër.

Fill paskëtaj dola nga shtëpia dhe fillova “të matja” në këmbë rrugët e Bukureshtit. Hapat përparonin si dy shina paralele me përsiatjet. Këto të fundit bënë një “ndalesë” në shkurtin e 2007-ës, në një tjetër kryeqytet, - pó në dhé të huaj, - në Athinë. Asikohe ia pata hipur autobuzit dhe, pas një udhëtimi tejet të gjatë, i cili çuditërisht nuk më lodhi aspak, e pashë veten në pikëmbërritje. Dita nuk kishte aguar ende dhe mëdyshja po më mundonte: t’i njoftoja a, më saktë, t’ua prishja gjumin Meçajve, at e bir? Më në fund e ndava mendjen. Ngaqë mezi prisja t’i takoja, i mora në telefon. Nga skaji tjetër i fillit veshin ma ngrohën fjalët: “Mirseerdhe, vëlla! Për pesë minuta na ke aty”. I gëlltita lotët me zor pa dhënë dot përgjigjje. Të dy ia behën më shpejt nga sa premtuan. M’u hodhën në qafë si të kishim dalë nga i njëjti bark nëne dhe mbetëm një copë herë ashtu, të mbërthyer nëkrahët e njëri-tjetrit. Pasi pimë kafen në klubin më të afërt, u drejtuam drejt banesës së tyre. Ishte një ngrehinë modeste, gjithaq edhe kthina në të cilën rrinin me qira prej shumë vitesh, at e bir. Hodha një sy rretheqark. Gjithçka fliste për rregull shembullor. Çdo gjë në vendin e duhur. Kurrfarë luksi. Me tepri ishte vetëm ngrohtësia e vetvetishme që rrezatonin këta dy njerëz të lidhur akoma më fort me njëri-tjetrin, jo vetëm nga gjaku, por edhe nga humbja e parakohëshme e njeriut të shtrenjtë: nënës e bashkëshortes.Ishte hera e parë që takohesha me Hiqmetin e me të birin, Andin. Si çdo dashamirës i letërsisë, edhe unë, qysh herët, kisha shijuar hijeshinë e thellësinë e vargjeve të Hiqmetit, e më pas edhe të të të birit, Andit, njëherazi piktor po aq i talentuar. Por, deri në ato çaste, nuk më ishte dhënë rasti t’i njihja personalisht. Kur, në fillimvitin 2005, me një modesti të paharrueshme, Hiqmeti më lutej t’i jepja intervistë për revistën “Muaji” të Athinës, - duke më dërguar edhe pyetjet përkatëse, - e ndjeva veten më të vlerësuar nga sa e meritoja dhe i thashë me çiltërsi se bota shqiptare kishte plot si unë, madje edhe më të përgatitur. Këmbëngulja e tij më bëri të pranoja. Intervista u botua, e shoqëruar me disa fotografi. Kur e falenderova, Hiqmetit iu shtua “oreksi”. “Të lutem ta zgjerosh më tej, se ke gjëra tepër interesante” më thoshte në një mesazh elektronik, duke formuluar një numur të madh pyetjesh, të cilat dëshmonin se e pat ndjekur hap pas hapi dhe e njihte mirë veprimtarinë time dhe jo vetëm timen, por edhe të tim biri, Ardianit. Përgjigjjet e mia, jo gjithmonë lakonike, patën si rrjedhojë shndrrimin e intervistës në një libër të vërtetë me mbi dyqind e gjashtëdhjetë faqe! “Më dhe gishtin, por të mora krejt krahun” i thashë atëhere me të qeshur dhe shtova: “Revista Muaji nuk ka vend për gjithë vitet që pasqyroj në përgjigjjet ndaj pyetjeve të tua”.

Kësisoj, falë dashamirësisë së Hiqmetit, u jetësua një dialog i gjatë, një vetërrëfim pa doreza. Ç’është e vërteta, jo rrallë kisha ndjerë nevojën të dëshmoja me zë të lartë shumë gjëra për veten e për të tjerët, por ndruhesha se paskëtaj shumëkush, me plot të drejtë, mund të më qortonte: “Kush të pyeti ty, që na i thua gjithë këto?” E, pra, u gjend një njeri i tillë, me emrin Hiqmet Meçaj, sa i madh si poet, prozator dhe eseist, aq edhe si njeri. Por, para se t’i mbyll këta rreshta mirënjohjeje, le të më lejohet të rikthehem në Athinë, në kthinën e ngushtë të shpirtgjerëve Meçaj. Pasi më shëtitën e më gostitën me bujari, - duke pakësuar pa ngurrim kuotën tejet modeste të shpenzimeve të tyre të përditshme, - me të vënë kokën në jastëk, nga lodhja më zuri gjumi menjëherë. Në mëngjes, në të dy anët e shtratit “vigjëlonin” Meçajt, at e bir, a, më saktë,ngazëlleheshin që po çlodhesha, duke e dëbuar gjumin nga qepallat e tyre. Këtë herë, me të hapur sytë, nuk i mbajta dot më lotët, që filluan të rridhnin pa më pyetur. Sado i ftohtë të jetë moti këtu, në Vllahi, nuk dua t’ia di: më mbajnë ngrohtë, si bukën me qiqra, xhupi i trashë e këpucët e forta që më falën atëhere me këmbëngulje Meçajt. Por… edhe në Zvicër, siç kam vënë në dukje në shkrimin “Mes vëllezërve”, shpirti shqiptar “bën ferk”.

Tani kam kënaqësinë të jap edhe një shëmbull të freskët, këtë herë nga Roma, ku befasimin e këndshëm ma sollën njerëz, të cilët deri në ato çaste nuk i pata njohur.

Ishte 9 marsi 2010. Një e martë vërtet e mbrapshtë, - siç cilësohet nga paragjykimet në çdo skaj të globit, - me shi dhe me stuhi. Më duhej të mbërrija në Qëndrën Kombëtare të Kërkimeve Shkencore të Italisë. Një riosh shtavogël aziatik më grishi të blija një nga çadrat e shumta që mbante në të dyja duart. Pranova. “Të madhe, apo të vogël e doni?” më pyeti. “Të vogël” iu përgjigja. Me sa duket, kravata, pardesyja dhe çanta ime “hijerëndë” e bënë të më merrte për ndonjë “qesekukurec” dhe nxori nga goja një shifër të madhe. Ngurrova të paguaja aq shumë dhe, tek vazhdova të çapitesha me hap të shpejtë, e uli e më pas e përgjysmoi çmimin. Ndërkaq kisha mbërritur në një kioskë, për të blerë biletë për autobuzin që sapo ishte ndalur në stacion. “Qënki lagur shumë, zotni”, më foli në italisht shitësi, një djalosh, duke më zgjatur biletën. Sakaq shtoi: “Merreni edhe këtë!” dhe më vuri në dorë një çadër të madhe. E falenderova për këtë gjest (megjithse nuk njiheshim!) dhe, sipas premtimit, ia solla pasdreke. Në vend të tij ndodhej e ëma. Meqënëse shiu nuk kish ndërmend të pushonte kjo më tha plot mirësjellje ta mbaja çadrën më tej. Të nesërmen e takova djaloshin. Ishte shqiptar dhe quhej Gerti Shkëmbi. Fill paskëtaj erdhi edhe i ati, Astriti, i cili pat punuar si shofer me dy presidentë të Shqipërisë: Rexhep Meidanin dhe Alfred Moisiun. Për të parin, Astriti u shpreh: “Kryetar shteti më të mirë nuk ka pasur deri më sot vendi ynë”. Të dy ishim në një mendje dhe sollëm fakte në mbështetje të këtij vlerësimi.

E, pra, edhe në Romë, ashtu si kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarë, e pashë, e ndjeva, se shpirti ynë është në gjendje të bëjë gjithçka, madje edhe të vetëflijohet, po e desh puna...

Kur ia tregova këto “mikrongjarje”, miku im i vjetër, doktor Ismail Boçari, i cili pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në mërgim, u shpreh i emocionuar: “Ne shqiptarët, jemi njerëz të çudirave të mëdha, por nuk ia dimë vlerat vetes!”

Eliza, një grua e fisme italiane, me të cilën Ismaili bashkëjeton prej shumë vitesh në harmoni të plotë, tundi kokën miratueshëm…

Perëndim ylli












Aktorit dhe njeriut të madh, Agim Qirjaqit


agimi perëndoi

shih: dita u bë natë
sakaq dielli mërgoi
la pas terrin mandatë

u vrenjt dhe skena vetë

u nxi krejt dhe ekrani
u dynd me vrrull nga retë
natyra zemra xhani

çdo personazh i qeshur

në film a komedi
nga gazi është zhveshur
ndrroi rol për tragjedi

çdo personazh i sertë

memec u bë krejt ngriu
dhe gurët e mermertë
kjo dhembje na i nxiu

Kopi Kyçyku
Bukuresht 2010

Dialog ndëretnik


(në dhé të huaj)


Rastësisht ose jo, atë të enjte (14 janar 2010) organizatorët na kishin vënë në presidium pranë e pranë: mua dhe poetin e njohur Adam Puslloiç, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Sërbisë, i cili shkruan edhe në rumanisht. Teksa të tjerët, majtas e djathtas nesh shkëmbenin fjalë lirshëm e të shpenguar, unë dhe Adami rrinim si mbi gjemba dhe as e kthenim kokën ta këqyrnim shoshoqin, çka ra në sy edhe në sallën e mbushur plot e përplot të Shtëpisë së Oficerëve të Bukureshtit, duke shkaktuar çuçuritje e nënqeshje kuptimplote. Nuk durova dot më tej dhe vendosa ta thyeja heshtjen. E ngjatjetova dhe i dhashë dorën. Vura re se mezi e pat pritur një gjë të tillë. Sakaq më zgjati një vëllim poetik të vetin. Edhe unë, për reciprocitet, i vura përpara numurin e fundit të revistës sonë “Haemus”. “Këtu do të gjeni edhe poetë sërbë” i thashë. “Pse, vërtet na botoni edhe neve?” u shpreh me habi. “Pa dyshim. Ne botojmë poetë nga e gjithë bota, me kusht që krijimet e tyre të mos mbjellin urrejtje duke kumtuar mesazhe ultranacionaliste, raciste, fashiste apo shoviniste” theksova. Nuk pati rast të më përgjigjej, sepse organizatorët dhanë ndërkaq sinjalin e fillimit të veprimtarisë - simpozium kushtuar 160-vjetorit të lindjes së poetit kombëtar rumun, Mihai Emineskut. E morën fjalën njëri pas tjetrit të ftuar të shumtë të ardhur nga vende të ndryshme. I erdhi radha edhe Adamit, i cili solli mbresa nga bisedat që pat zhvilluar dikur me një tjetër poet të madh rumun, Nikita Staneskun, për vlerat e shumanshme të Emineskut. E përgëzova Adamin kur zuri vend sërish pranë meje. Edhe ai veproi njëlloj pasi paraqita kumtesën “Eminesku dhe poezia ballkanike – rasti Hristo Botev”.

Në mbyllje të simpoziumit, më luti që të fotografoheshim sëbashku. Pranova pangurrim. Aparatin me blitz e shkrepi disa herë Miljutin Vukadinoviçi, një tjetër poet sërb, që ka përkthyer në gjuhën e vet mjaft vepra të poetëve rumunë. “Ju shqiptarët qënki ndryshe”, tha Adami duke më rrahur shpatullat. “Nga kush jemi ndryshe?” e pyeta duke bërë sikur nuk e kuptova se ku donte të dilte. “Po ja, nga kosovarët. Ata...” . Nuk e lashë ta mbaronte frazën. “Aq sa janë të ndryshëm sërbët e Beogradit nga ata të Nishit, aq janë edhe shqiptarët e Tiranës nga ata të Prishtinës” ndërhyra dhe shtova: “Të gjithë shqiptarët kanë një gjak, një gjuhë, një karakter.... Megjithse qeveria juaj nuk e njeh si republikë, por vazhdon ta quajë thjesht krahinë, Kosova pò shqiptare mbetet, prej shekujsh e në shekuj...”

Sigurisht, ky njeri nuk mund t’i dhekste lehtë fjalët e mia dhe sidomos përmendjen e faktit që kasapi i Ballkanit u soll përbindshëm jo vetëm ndaj një populli josllav, pra ndaj popullit shqiptar, por edhe ndaj popujve sllavë - kroatëve, sllovenëve, bosnjakëve...
Gjithsesi heshtja që pasoi më la të kuptoj se diçka ndodhi në brendësi të qënies prej poeti të Adamit. Mbase solli në kujtesë thënien e Emineskut, poetit që na kish mbledhur në atë sallë e na kish ulur pranë njëri - tjetrit: "E vërteta qëndron më lart se atdheu". Të nesërmen, në një simpozium tjetër, pó për Emineskun, që u organizua nga Akademia Rumune e Shkencave, sërish ishim të pranishëm me Adamin dhe u ngjatjetuam.

Shpirt Shqiptari


Para disa ditësh, prozatori i talentuar pogradecar Istref Haxhillari, më uronte në e-mail për shkrimin “Nacionalizëm dhe demokraci”, që sapo kish parë dritën e botimit në “Telegraf”. Pas pak çastesh postieri më solli një zarf me dokumentin e sapoantarësimit tim në Akademinë Evropiane të Arteve (në Belgjikë). Dërguesi, piktori i shquar kosovar Jetullah Haliti – ETI, kryetar i Komitetit Shqiptar të asaj akademie, me president ndërkombëtar personalitetin e shquar Alfons Krepën, më uronte për “pranimin anëtar aktiv” në institucionin e lartpërmendur. U përlota nga dy gëzime të njëhershme: nga nderi që po më bëhej dhe nga dashamirësia shqiptare. Pas gjysëm ore më duhej të merrja tramvajin që do të më çonte në universitet. Një zë i brendshëm ma "shtëmëngu" itinerarin dhe më bëri të telefonoja në dekanat për t’i shtyrë dy leksionet në një ditë tjetër. Fill paskëtaj dola nga shtëpia dhe fillova “të matja” në këmbë rrugët e Bukureshtit. Hapat përparonin si dy shina paralele me përsiatjet. Këto të fundit bënë një “ndalesë” në shkurtin e 2007-ës, në një tjetër kryeqytet, - pó në dhé të huaj, - në Athinë. Asikohe ia pata hipur autobuzit dhe, pas një udhëtimi tejet të gjatë, i cili çuditërisht nuk më lodhi aspak, e pashë veten në pikëmbërritje. Dita nuk kishte aguar ende dhe mëdyshja po më mundonte: t’i njoftoja a, më saktë, t’ua prishja gjumin Meçajve, at e bir? Më në fund e ndava mendjen. Ngaqë mezi prisja t’i takoja, i mora në telefon. Nga skaji tjetër i fillit veshin ma ngrohën fjalët: “Mirseerdhe, vëlla! Për pesë minuta na ke aty”. I gëlltita lotët me zor pa dhënë dot përgjigjje. Të dy ia behën më shpejt nga sa premtuan. M’u hodhën në qafë si të kishim dalë nga i njëjti bark nëne dhe mbetëm një copë herë ashtu, të mbërthyer në krahët e njëri-tjetrit. Pasi pimë kafen në klubin më të afërt, u drejtuam drejt banesës së tyre. Ishte një ngrehinë modeste, gjithaq edhe kthina në të cilën rrinin me qira prej shumë vitesh, at e bir. Hodha një sy rretheqark. Gjithçka fliste për rregull shembullor. Çdo gjë në vendin e duhur. Kurrfarë luksi. Me tepri ishte vetëm ngrohtësia e vetvetishme që rrezatonin këta dy njerëz të lidhur akoma më fort me njëri-tjetrin, jo vetëm nga gjaku, por edhe nga humbja e parakohëshme e njeriut të shtrenjtë: nënës e bashkëshortes.

Ishte hera e parë që takohesha me Hiqmetin e me të birin, Andin. Si çdo dashamirës i letërsisë, edhe unë, qysh herët, kisha shijuar hijeshinë e thellësinë e vargjeve të Hiqmetit, e më pas edhe të të të birit, Andit, njëherazi piktor po aq i talentuar. Por, deri në ato çaste, nuk më ishte dhënë rasti t’i njihja personalisht.
Kur, në fillimvitin 2005, me një modesti të paharrueshme, Hiqmeti më lutej t’i jepja intervistë për revistën “Muaji” të Athinës, - duke më dërguar edhe pyetjet përkatëse, - e ndjeva veten më të vlerësuar nga sa e meritoja dhe i thashë me çiltërsi se bota shqiptare kishte plot si unë, madje edhe më të përgatitur. Këmbëngulja e tij më bëri të pranoja. Intervista u botua, e shoqëruar me disa fotografi. Kur e falenderova, Hiqmetit iu shtua “oreksi”. “Të lutem ta zgjerosh më tej, se ke gjëra tepër interesante” më thoshte në një mesazh elektronik, duke formuluar një numur të madh pyetjesh, të cilat dëshmonin se e pat ndjekur hap pas hapi dhe e njihte mirë veprimtarinë time dhe jo vetëm timen, por edhe të tim biri, Ardianit. Përgjigjjet e mia, jo gjithmonë lakonike, patën si rrjedhojë shndrrimin e intervistës në një libër të vërtetë me mbi dyqind e gjashtëdhjetë faqe! “Më dhe gishtin, por të mora krejt krahun” i thashë atëhere me të qeshur dhe shtova: “Revista Muaji nuk ka vend për gjithë Vitet që pasqyroj në përgjigjjet ndaj pyetjeve të tua”. Kësisoj, falë dashamirësisë së Hiqmetit, u jetësua një dialog i gjatë, një vetërrëfim pa doreza. Ç’është e vërteta, jo rrallë kisha ndjerë nevojën të dëshmoja me zë të lartë shumë gjëra për veten e për të tjerët, por ndruhesha se paskëtaj shumëkush, me plot të drejtë, mund të më qortonte: “Kush të pyeti ty, që na i thua gjithë këto?” E, pra, u gjend një njeri i tillë, me emrin Hiqmet Meçaj, sa i madh si poet, prozator dhe eseist, aq edhe si njeri. Por, para se t’i mbyll këta rreshta mirënjohjeje, le të më lejohet të rikthehem në Athinë, në kthinën e ngushtë të shpirtgjerëve Meçaj. Pasi më shëtitën e më gostitën me bujari, - duke pakësuar pa ngurrim kuotën tejet modeste të shpenzimeve të tyre të përditshme, - me të vënë kokën në jastëk, nga lodhja më zuri gjumi menjëherë. Në mëngjes, në të dy anët e shtratit “vigjëlonin” Meçajt, at e bir, a, më saktë, ngazëlleheshin që po çlodhesh, duke e dëbuar gjumin nga qepallat e tyre. Këtë herë, me të hapur sytë, nuk i mbajta dot më lotët, që filluan të rridhnin pa më pyetur.
Sado i ftohtë të jetë moti këtu, në Vllahi, nuk dua t’ia di: më mbajnë ngrohtë, si bukën me qiqra, xhupi i trashë e këpucët e forta që më falën atëhere me këmbëngulje Meçajt. Edhe në Athinë e pashë, e ndjeva, se shpirti shqiptar është në gjendje të bëjë gjithçka, madje edhe të vetëflijohet, po e desh puna...

Për një shëndoshje të jetës sociale


(Tabletë)

 


Si pasojë e një shrregullimi të mekanizmit social, që veçorizohet nga mprehja e parreshtur e kundërshtive të të gjitha llojeve, kriza në botën eurojuglindore, pra edhe në Shqipëri e në Rumani, në kontekstin e krizës botërore, është bërë gjithëpërfshirëse. Flitet për krizë ekonomike, shoqërore, financiare, politike… „Është dukuri kalimtare, - dëgjojmë të çuçuritet ndonjëherë, - është një plogështim i organizmit, i cili, me kalimin e kohës mund të çojë drejt shëndoshjes…”. Ama mund të çojë edhe drejt shpërbërjes e rrënimit të tij!
Çdo ditë që kalon po na bind përherë e më shumë se shoqëria bashkëkohëse ka marrë goditje në pikat jetike të saj. Është një e keqe që ia bren rrënjët e kërcellin, ia pret udhën palcës mirëbërëse, e cila mund t’ia përtërinte indet e sëmura. Është, mbi të gjitha, një krizë morale-shpirtërore, e cila trajtohet nga zyrtarët e të gjitha kahjeve si tabu, në mos po edhe "sekretizohet", duke e maskuar vetëm me petkun ekonomiko-financiar. E, pra, kjo krizë është shumë më e rrezikshme se kriza ekonomiko-financiare, e cila, në fund të fundit, ka objekt „sulmi” stomakun, jo zemrën. Sa për ne, dhjetëvjetshat plot mungesa e privacione na kanë „kalitur”, na kanë „imunizuar” ndaj sëmundjes - varfëri, na kanë bërë të mjaftohemi me mbushjen e stomakut, pavarësisht me çfarë, pra edhe vetëm me barishte! Por, si i bëhet hallit me „mëkimin” e zemrës e të shpirtit, që janë „sqimatarë” e nuk pranojnë lakra apo karrota?!
Jo rrallë, brezave të sotëm, - nga gjashtëmbëdhjetë deri në gjashtëdhjetë e gjashtë e më shumë vjet, - u mungon, qoftë edhe pjesërisht, respekti ndaj përfytyrimit të së ardhmes së botës e të jetës, në varësi të të cilit të formulojnë mendimet e të përcaktojnë veprimet.
Vetvetiu shtrohet pyetja: Çfarë duhet të bëjmë për të përmbushur misionin tonë si qënie të arsyeshme, të lira, shoqërore? Shumë prej nesh jemi qaramanë, përjetësisht të pakënaqur, pa dhënë ndihmesë për ndreqjen e gjendjes. Ose kemi prirje pragmatike, utilitare, duke u shqetësuar vetëm e vetëm për rehatinë vetjake, të familjes e të rrethit të ngushtë shoqëror. Parapëlqejmë një jetë materiale të sigurtë, pa kokëçarje, me lehtësira dhe kënaqësira, mundësisht të fituara qyl, në kurriz të bashkësisë, ose duke mashtruar të tjerët. Na i ka ënda të përhumbemi në mirëqënien iluzore që mund të na e ofronte shoqëria evropiane apo ndërkombëtare e konsumit. Nuk e vrasim mendjen më tej, shpërfillim ndërgjegjjen tonë, e cila do të mund të na fuste në hullinë e përsiatjeve, e mendimeve produktive, krijuese.
Jo rrallë kujtojmë se vështirësitë financiare që na detyrojnë të bëjmë kursim në të holla, na detyrojnë të bëjmë kursim edhe në ndërgjegjje. Vramendja nuk para na pëlqen, madje na bezdis. Kërkojmë një kompensim jashtë jetës, në mjedise të caktuara sociale, në imazhet televizive. Kuptimin e jetës e kërkojmë pothuajse kryekëput tek perëndimorët, duke i marrë shembull, për të mos thënë duke i imituar në çdo gjë. Nuk e kërkojmë të vërtetën në shpirtin tonë. Padyshim është më lehtë të heqësh dorë nga arsyetimi, nga ndjenjat, nga vullneti, se sa të imitosh, të gjasmosh të tjerët. Kësisoj asnjë përgjegjësi nuk ta rëndon ndërgjegjjen: je "i vetëpërligjur" përderisa synon të ulesh në tavolinën „evropiane”, „globale”!…
Ku e ka burimin kjo krizë shpirtërore? Përgjigjja mund të ishte: në braktisjen e institucioneve tradicionale dhe të vlerave kombëtare. „Mburoja” - karakteri i fortë që u pat shërbyer të parëve tanë për t’u bërë ballë të këqiave, është dërguar në „muzeum”. Si rrjedhojë, jo pak elementë përbërës të identitetit kombëtar, - burrëria, besa, fjala e dhënë, dinjiteti, krenaria, respekti ndaj urtisë stërgjyshore etj, - janë zbehur.
Ka plot xhami, kisha, teqe e faltore të tjera; ka jo pak njerëz që marrin pjesë në shërbesat fetare, përulen me përvuejtni para ikonave e para Allahut, mbajnë kreshmë e ramazan, pra bëjnë, - sipas tyre, - gjithçka kërkohet nga një besimtar i përkushtuar. Ky „spektakël” me besimtarë duket qetësues, madje inkurajues. Por, në shumë raste, individi që vetëquhet besimtar, luan me dy „zare”: në shtëpinë e Perëndisë i lyp ndihmë e ndjesë, ndërsa, me të dalë prej saj, bie në kontakt me botën reale (lëndore), mohon bukurinë e ndjesive të grumbulluara gjatë lutjeve e faljeve dhe vishet sërish me petkat e interesit egoist, tërësisht material. Ku e ka burimin një sjellje e tillë? Pikërisht në mungesën e thelbësores, pra në mosvënien në zbatim të porosisë hyjnore të dashurisë për njëri-tjetrin. Është shqetësues fakti që, pas kaq e kaq shekujsh, krishterimi dhe islamizmi - dy fe të dashurisë, të mirëkuptimit e të vllazërimit, ende nuk po mundin ta koagulojnë njerëzimin rreth këtyre parimeve themelore të jetës sociale. Këtu, rol negativ jo të papërfillshëm luajnë tartufët, të cilët, duke gjalluar në shumë segmente të shoqërisë sonë, me veprimet dyfytyrse bëjnë çmos të na grishin me refrenin: „Bëni si them unë dhe mos bëni si bëj unë!”. Edhe solidariteti të duket sikur është katandisur në Hirushe. Domosdoshmëria e një mirëkuptimi mbarëkombëtar jo rrallë shihet si diçka qesharake nga individë antikombëtarë; sakrificat në emër të çështjeve madhore këqyren si naivitet e marrëzi. Duke mos u kuptuar sa e si duhet vlerat e demokracisë së mirëfilltë, vendin e dashurisë humane jo rrallë e zenë mohimi dhe urrejtja, të cilat epoka totalitariste i kishte mjete pune e mbijetese.

Dëshmi të qëndresës intelektuale


Në çdo diktaturë, veçanërisht në atë komuniste, intelektuali është i detyruar të zgjedhë, - publikisht ose në intimitetin e vet shpëtimtar, - një nga alternativat e mëposhtme:
a. të jetë aminollar i pushtetit, gjë që nënkupton jo vetëm heqjen dorë nga profesionalizmi, por edhe pranimin pa një pa dy të kompromisit;
b. “tërheqjen” në sferat ezoterike të kulturës, gjë që, në mungesë të çdo perspektive tjetër, mund të cilësohet si mënyra ideale e qëndresës pasive ndaj të këqijave të regjimit;
c. qëndresën me dinjitet, të hapur dhe energjike, ndaj ideologjizimit të kulturës dhe dëmtimit të skajshëm të marrëdhënieve ndërmjet pushtetit politik dhe shoqërisë civile.
Megjithse tek ne, - për arsye të njohura, që kulmojnë me pamundësinë e plotë për të shprehur apo shpallur në shtyp bindjet e kundërta me të regjimit, - nuk ka pasur një letërsi të dukshme disidente si në ish-Bashkimin Sovjetik, Poloni, Çeki, Sllovaki, Hungari dhe deridiku Rumani e Bullgari, - vende ku liria e shtypit dhe e shprehjes nuk ishte aq e kufizuar, - mund të qëmtojmë dhe të rindërtojmë disa momente, individuale, por edhe në grup, të qëndresës shqiptare. Në historinë e disidencës sonë intelektuale janë të mirënjohur emra si Trifon Xhagjika, Bilal Xhaferri, Agim Musta, Bedri Myftari, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Uran Kostreci, Ylber Merdani, Petraq Kolevica, Piro Kuqi, Zhaneta Ogranaja, Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli, Ali Oseku, Anton Çefa, Ferik Ferra, Maks Velo e shumë të tjerë, të cilët hodhën në letër, në telajo e në pentagram, ngjitën në skenë e në ekran vepra me përmbajtje e nivel të lartë (lexo: nivel të lirë estetikisht) ideor e artistik. Pra, edhe në kushtet e rënda të ndrydhjes së artit autentik prej vargonjve të ideologjisë zyrtare, mjaft vlera shpirtërore të vërteta mbijetuan. Në këtë drejtim ndikoi jo pak solidariteti mes krijuesve që, në rreth të ngushtë e kokë më kokë, (gjithnjë duke rrezikuar kokën) shkëmbenin mendime rreth të ardhmes së artit në një Shqipëri demokratike. Vetë qëndresa antitotalitariste e kërkonte dhe e nënkuptonte një solidaritet të tillë. Argumenti i fuqishëm i disidentëve ishte eliminimi i kompromiseve të çdo lloji, përfshi edhe kompromisin moral. Njëkohësisht, ata vinin me avantazhin e një kulture të tipit evropian. Në fillim, aparatçikët, kulturçikët, nuk i ranë dot hiles, por, me kalimin e kohës, kur gjithçka zuri të shpërthente hapur, konflikti ndërmjet të rinjve dhe atyre që kishin lidhur qysh herët pakt me djallin, u acarua.
Fillimisht cenzura e pa veten të papërgatitur dhe u befasua ngaqë krijimet e demokratëve, përveç erudicionit e finesës, aluzionet e alegoritë therrëse antitotalitariste i përçonin me një gjuhë të stërholluar e me nëntekste të mençur, të pakuptueshëm lehtë nga koka të mykura prej dogmash. Ndërkaq numuri i “rojeve” vigjilente u shtua me shpejtësi. Këta kalemxhinj servilë mezi prisnin të përgatisnin me “përkushtim parimor” raporte që i dërgonin në dy adresa: në Komitetin Qëndror të PPSh dhe në Sigurimin e Shtetit. “Gjah” i parapëlqyer për këto “ameba” pa shtyllë kurrizore, u bënë në radhë të parë dorëshkrimet që krijuesit përparimtarë çonin në gazeta, revista dhe në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Në çdo fjalë dhe mes rreshtave, inkuizitorët zorrëkuq përpiqeshin të gjenin qimen në vezë dhe ta paraqitnin të bardhën të zezë.
Kulmin e nivelit intelektual-ideor e të burrërisë disidenca shqiptare e shënoi me dërgimin e Letrave të hapura në udhëheqjen më të lartë të partisë-shtet, përfshi personin numur 1 të saj. Me këtë akt të pashëmbullt në atë periudhë të errët, intelektualë të shquar, që ndodheshin ende jashtë burgut, si shkrimtari e dramaturgu Kasëm Trebeshina, apo pedagogu i letërsisë Qani Çollaku, vëlla heroi, sidhe të tjerë, që ishin në pranga tashmë, si Fadil Kokomani e Vangjel Lezho, krahas denoncimit të diktaturës, guxonin t’i thoshin “ndal” edhe heshtjes ndaj krimeve të llahtarshme të regjimit. Në një kohë kur shumëkush, i mposhtur nga trysnitë e egra, kish arritur në përfundimin se nuk mund t’i bihej murit me kokë, Letrat e disidentëve të lartpërmendur, që ishin tekste thelbësore të filozofisë morale, rrëzonin murin e “sigurimzuar”, duke “ftuar” për dialog vetë kryeshkaktarin e të gjitha të këqijave që përjetonte prej vitesh një popull i tërë. Nuk ishte fjala, pra, për dialogje që zhvilloheshin kokë më kokë, në fshehtësi të plotë, midis miqsh, sa më larg veshit e syrit të “armës më të dashur të partisë”, por me zë të lartë, frymëzuar nga nevoja sokratike për të vërtetën, pas pamundësisë për të zgjidhur problemet me institucionet e tejpolitizuara të të gjitha shkallëve. Letrat e disidentëve përmbanin qëndrime kritike për gjendjen e mjeruar ekonomiko-sociale dhe sidomos për mungesën e të drejtave më elementare të njeriut. Kjo, në një kohë kur intelektualët e vendeve të tjera eurolindore dërgonin pa pengesë në Perëndim materiale me përmbajtje antikomuniste, të cilat botoheshin, ose transmetoheshin të plota nga radiot “Zëri i Amerikës”, “BBC” dhe “Evropa e Lirë”. Duke marrë rrezikun në sy dhe duke shpërfillur pasojat edhe më të rënda që do të shoqëronin këtë mënyrë komunikimi katarsiste, disidentët shqiptarë dëshmonin një etikë të re qytetare dhe një shpirt të pavarur, të paindoktrinuar e të panjollosur nga ideologjia komuniste. Në Letrat e disidentëve jepeshin gjykime të pjekura rreth përmbysjes së shkallës së vlerave nga regjimi totalitarist dhe, përmes një ironie të hollë, fshikulloheshin mjaft dukuri negative, që e kishin zanafillën në politikën miope dhe vetizoluese të partisë-shtet. Të konceptuara si një formë incipiente e një dialogu a debati publik të mundshëm, Letrat në fjalë përfaqësojnë analiza të mprehta, të sakta, të gjalla e të dokumentuara të kalbësisë së regjimit diktatorial, duke formuluar edhe ide të qarta dhe bindëse për rrugëdaljen nga kriza gjithëpërfshirëse dhe frymëzënëse. Letrat programatike të disidentëve shqiptarë, të këtyre njerëzve normalë që fati i zi i bëri të jetonin nën një regjim ano(r)mal, përbëjnë një aktakuzë pa të dytë ndaj komunizmit, i cili konsiderohet “marrëzia më e madhe e sajuar nga njerëzit kundër njerëzve”.
Nga frika se idetë e thella të Letrave mund të përhapeshin me shpejtësi në mbarë vendin duke pasur pasoja fatale për regjimin, ato nuk u kthyen kurrë në dialog. Në vend të përgjigjeve që duhej të jepte, diktatura i cilësoi akte vetëdënimi dhe i fundosi edhe më thellë në terr autorët e tyre.
Por, nga ajo që ke frikë, nuk shpëton dot. Regjimi totalitar u përmbys, ndërsa fryma e Letrave ndjehet ngado sot në botën shqiptare, bashkë me mirënjohjen ndaj autorëve të tyre që ishin zgjedhur, si duket, ta mposhtnin totalitarizmin dy herë me radhë, para dhe pas daljes së kombit nga skëterra.

Kultura në kontekstin e globalizimit


Dihet tashmë se globalizimi është procesi i zgjerimit, i thellimit dhe i përshpejtimit të ndërlidhjeve në shkallë botërore, jo vetëm në lëmin ekonomik, por edhe në atë shoqëror, politik, teknologjik e kulturor. Në kuadrin e marketingut global strategjia e firmave synon të promovojë marka universale, me ç’rast kultura e publicitetit bëhet një industri e vërtetë. Nga kjo pikë vështrimi, globalizimi përbën një dukuri që ka të bëjë me qarkullimin e informacioneve e të ideve, pra me diçka jashtë fakteve kulturore të mirëfillta. Hulumtimet shkencore kanë vërtetuar zanafillën e përbashkët të të gjitha qytetërimeve, të cilët, gjatë shekujve, janë çapitur në mënyra e trajta nga më të ndryshmet. Ky pohim mund të qëndrojë në themel të konceptit të ekzistencës së një bashkësie njerëzore të vetme, ndërsa kapërcimi i kufijve në hapësirë dhe në kohë nga ana e kombeve dhe e sistemeve ekonomike, çon drejt globalizimit kulturor. Një sërë zhvillimesh të sotme sjellin argumente në mbështetje të idesë se në themel të procesit të globalizimit qëndron pikërisht kultura.
Falë teknologjisë së informacionit njerëzit hyjnë në marrëdhënie me një larmi normash dhe vlerash kulturore, të cilat, me kalimin e kohës, përftojnë një sjellje, një qëndrim global. Por globalizimi, në parim nuk duhet t’u kundërvihet traditave dhe vlerave kulturore të një kombi. Madje ai lipset të ngjizë e të përhapë një kulturë të shumëpërmasore në pejzazhin e traditave kulturore kombëtare. Televizioni, radioja, „udhëtimi” elektronik virtual, interneti apo mësimdhënia e hapur në largësi, pa praninë fizike të mësimdhënësit, janë forma të globalizimit kulturor. Faktorin përcaktues të ndryshimeve në të ardhmen e përbën ecuria e teknologjive informacionale dhe digjitale, të cilat e ndryshojnë mjedisin rrethues dhe kufijtë institucionalë klasikë, përfshi ata kulturorë. Vlen të theksojmë se, në fund të fundit, e rëndësishme nuk është kultura në vetvete, por një cilësi e re e inteligjencës, për të cilën kultura mund të shërbejë si themelvënëse.
Një rol krejt të veçantë në fushën e kulturës ka aspekti etnik etnik i procesit të globalizimit, që parakupton mbartjen e vlerave të ndryshme kulturore kombëtare nga njëra anë në anën tjetër të globit. Bashkësi të fuqishme të popujve evropianë i gjejmë në kontinente të tjerë të globit dhe anasjelltas - bashkësi të Lindjes së Largët, apo të zonave të tjera, i hasim në vendet evropiane. Secila nga këto bashkësi ruan specifikën e vet kulturore. Në procesin e ndërlikuar të globalizimit, çështja e ruajtjes së identitetit kulturor përshfaq dy pamje: nga njëra anë ekziston rreziku i homogjenizimit kulturor, çka do të thotë që bota mund të kishte një formë të vetme kulture, ndërsa nga ana tjetër një rrezik akut i shpërbërjes kulturore dhe psikologjike, si për individët, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi. Të dy këta rreziqe janë të gërshetuar mes tyre.
Sipas përkufizimit që jep Anthony McGrew, globalizimi është një intensifikim i ndërlidhjes, një përhapje pa sforcim e të gjitha besimeve, vlerave, mallrave, përtej kufijve territorialë të çdo shteti. Kësisoj globalizimi çon drejt "tkurrjes" së nocionit të hapësirës e të kohës; distancat zvogëlohen, bota bëhet më "e ngushtë", si një fshat global (Global Village - sintagmë e famshme e Marshall McLuhan-it). Por edhe nëse ekziston një afëri e caktuar e kulturave (falë zhvillimit teknologjik), ato janë ende të ndara për shkak të specifikave përkatëse. Në të vërtetë globalizimi synon ta mpakë një gjë të tillë, duke mundësuar që në të gjitha kulturat të shfaqen "shënjat" e konsumit, duke bërë që, edhe në këtë aspekt, çdo vend të ngjajë, më shumë a më pak, me tjetrin.
Sa i takon përmasës kulturore të një shoqërie, kjo është e vështirë të përcaktohet sidoqë ka disa veçori:
a. Kultura mund të këqyret si sferë e ekzistencës, në të cilën njerëzit ndërtojnë domethënien e praktikave me ndihmën e simboleve;
 b. Është një mënyrë, me të cilën njerëzit i japin një kuptim jetës falë komunikimit ndërmjet tyre;
c. Qëllimi i kulturës është, gjithashtu, t’i japë një kuptim jetës;
d. Kultura mund të shihet edhe si «territori» i domethënieve nga këndvështrimi ekzistencial;
e. Si përfundim, kultura përmbyll krejt larminë e praktikave të përditshme, duke frytuar vetë ekzistencën njerëzore.
Në periudhën e globalizimit, përmasa kulturore jo rrallë ngatërrohet me kulturën mediatike, pra me atë të teknologjive audio-vizuale dhe të komunikimit, me anën e të cilave përcillen shfaqjet kulturore. Me «kulturë mediatike» kuptojmë tjetërsimin përmes konsumizmit, një demokratizim i konsumit, por edhe një "mediokrizim" i tij. Në epokën tonë të internetit e të televizionit, kultura bëhet relative: na thuhet çfarë dhe ku të shohim, çfarë të lexojmë e të dëgjojmë. Njëherazi me kulturën masive, sikurse ve në dukje Edgar Morin, nxjerr krye një «kolonizim» i dytë. Një kulturë e tillë synon «gërryerjen» e kulturave të tjera, deri në zëvendësimin e tyre. Kështu kultura masive bëhet kultura e parë universale në historinë e njerëzimit. Bota e sotme, siç tërheq vëmendjen Samuel Huntington, - autori i bestseller-it The Clash of Civilizations, - po shkon drejt pluriqytetërimit, duke fshehur «përthyerje» të pashmangshme. Kultura e mediave na përshfaqet si një "agjent" i globalizimit për shkak të universalizimit të zbavitje-argëtimit, mbivlerësimit të këtij të fundit, duke çuar, gati pashmangshëm, në një gjendje varësie. Sikurse ka theksuar hulumtesi rumun Adrian Rakieru, «kultura coca-cola i josh turmat dhe shkakton shqetësimin e kulturave të vogla. Globalizimi përjashton mbylljet kulturore dhe ekonomike». Më tej, ai shton se «Rrezikojmë që, në vend të një qytetërimi të diversitetit, të përfshihemi në një qytetërim të vetëm – të zbavitje-argëtimit».
Kështu, pra, masmedia përfaqëson vetëm një pjesë të procesit nëpërmjet të cilit përshfaqet ndërtimi i kuptimeve simbolike, duke qënë njëra nga trajtat e shprehjes së globalizimit nga pikëpamja kulturore. Në librin e J. Tomlinson, Globalizim dhe kulturë”, hasim pohimin sipas të cilit kultura do të përfaqësonte aspektin thelbësisht të pavarur të procesit të ndërlidhjes së shumëfishtë. Po ashtu, simbolet kulturore mund të përftohen gjithkund, kurdoherë, përderisa nuk ekzistojnë kufizime që lidhen me prodhimin apo riprodhimin e tyre. Në këtë kuptim, në sajë të marrëdhënieve dhe trajtave të saj, kultura është globalizuese. Bota i ngjan një tregu të pamatë mallrash. Veprimet e individëve përcaktojnë vetë kulturën së cilës ata i përkasin, duke arritur të kenë rrjedhoja globale. Globalizimi është me rëndësi të veçantë për kulturën. Ai bën të mundur që «negocijimi i përvojës kulturore të mbërrijë në qëndrën e strategjive të ndërhyrjes në fusha të tjera ndërlidhjeje: politike, ekologjike, ose ekonomike». Si rrjedhojë, me anë të globalizimit kultura fiton peshë në të gjitha fushat e mësipërme.
Sociologu Anthony Smith e paraqit kulturën globale si diçka artificiale, të patrajtë. Sipas tij, kultura në fjalë, në fund të fundit, është një kulturë e sajuar, e stisur, ahistorike. Por jo vetëm kultura globale është sajesë, por edhe kultura kombëtare. Veçse, në dallim nga e dyta, kultura globale nuk është specifike, as e përcaktuar në kohë dhe në shprehësi. Lidhur me pohimin e Smithit, sipas të cilit një kulturë kombëtare është ngrehina e disa mendjeve të mençura dhe përbëhet nga tradita të shpikura, duhet përmendur fakti që, - pa e vrarë mendjen shumë, - mund të ndërtohet edhe një identitet i rremë - parazit në shpinë të ndjenjës së identitetit të një kulture. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në rastin e komunizmit, kur “vlera” dhe “ide të reja” ua zunë vendin vlerave të Shqipërisë së përhershme.
Mund të flitet, gjithashtu, për një "imperializëm kulturor", të barasvlershëm me atë të një kulture globale. Ky vizion ka pikënisje faktin që kultura të caktuara, - le t’i quajmë të mëdha, mbizotëruese, - priren të lenë "pa frymë" kultura të tjera më të prekshme. Sidoqoftë, megjithëse është përqafuar nga disa kritikues të kapitalizmit, një teori e tillë nuk mund të ketë taban në praktikë, ngaqë lëvizja mes sferës kulturore dhe asaj gjeografike dikton ndryshime, shndërrime. Arsyeja është se globalizimi ka si tipar veçorizues kryesor lehtësimin e qarkullimit të informacioneve dhe nuk janë të pakët ata që shohin tek ai një proces të mbisundimit të të dobtëve nga ana e korporatave të rëndësishme të botës. Gjithsesi, globalizimi nuk ka karakter homogjenizues; përkundrazi, çon në diferencime të hapësirës globale.
Në librin e autores rumune Ekaterina Kokora me titull “Globalizim dhe menaxhim” ndeshim grupfjalët Think global, act local. Vetëkuptohet prirja e filialeve të kompanive të mëdha prodhuese për ta përdorur dhe për ta eksportuar më tej në shkallë planetare fuqinë puntore të pranishme në vendin pritës. Mund të themi se e njëjta ndodh edhe në rastin e kulturës, sidomos në kinematografi - art i cili nuk kërkon meditime të thella dhe kohë të kulluar psikologjike për të tejçuar kumtet dhe gjerdanët me simbole. Një shëmbull domethënës është seria e filmave me Harry Potter-in, ku regjisorët, aktorët, skenografët e kombësive dhe feve të ndryshme kanë bashkëpunuar për të jetësuar një projekt që ka themeluar tashmë një armatë fansash të përkushtuar, jo rrallë fanatikë, anembanë globit. Duhet thënë se në librin nga buron seria e lartpërmendur shtjellohen disa veçori të globalizimit, si:
1. ka teknologjitë e veta - kompjuterizimin, komunikimin me satelit, internetin;
2. ka modelin e vet demografik - përshpejtimin e ndjeshëm të zhvendosjes së njerëzve të mjedisit rural;
3. ka strukturën e vet të pushtetit, në kuadër të të cilit sistemi i globalizimit ndërtohet mbi tri baraspesha forcash - a. baraspesha tradicionale ndërmjet shteteve kombëtare; b. baraspesha ndërmjet shteteve kombëtare dhe tregjeve globale; c. baraspesha ndërmjet individit dhe shteteve kombëtare.
Globalizimi mund ta ruajë bashkekzistencën paqësore midis kulturave vetëm në kontekstin e pikënisjes nga specifika e "industrive kulturore" për të mbrojtur lirinë e informimit dhe për të shmangur përqëndrimin e kulturës vetëm në duart e një elite. Gjithashtu shkencat shoqërore lipset “të studiojnë identitetin e ri kulturor ashtu siç shfaqet në botën e çkolonizimit, e globalizimit ekonomik”. Për rrjedhojë, "komercializimi i lirë" i kulturës hëpërhë duket një veprim fisnik, përmes të cilit çdo qytetar i globit mund të përfitojë nga qarkullimi i lirë i ideve, i fjalëve, i pamjeve, duke nxitur njëlloj vendet e pasura e të varfra ta përhapin e ta bëjnë të njohur kulturën e tyre.
Nga ballafaqimi i opinioneve të ndryshme, pro dhe kundër, mund të dilet në përfundimin se globalizimi krijon vetëdijen e larmisë, fuqizon demokracinë dhe e bën individin të aftë të zgjedhë midis shumë variantesh të mundshme. Gjithashtu, ky individ mund të vetëmbrohet kundër manipulimit, sepse ka mundësi ta qëmtojë e ta zbulojë atë. Globalizimi ka rol të veçantë për të shkurtuar dhe «asgjësuar» distancat dhe hapësirat që i ndajnë kulturat. Bota po bëhet një vend i vetëm, ndërsa ne jemi të gjithë "fqinjë".

Rreth domethënieve të sintagmës “Shoqëria e Hapur”


“T’u kushtojmë fjalëve vëmendjen që u takon” porosiste Konfuciusi. Mund të vetëpyetemi në mënyrë ezopike, por edhe në frymën e Dhiatës së Re, nëse ekziston në këtë botë ndonjë gjë që shkakton dëme më shumë se sa fjala. Pikërisht këtu e ka zanafillën proverba: “Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen”. Fjala është mbartësja e informacionit midis subjekteve njerëzorë dhe ndërmjet gjendjeve të ndryshme të të njëjtit subjekt; ajo është shprehja e qartë e koncepteve dhe e domethënieve së tyre. Fjala është “operatori” që sjell larmi në sferën e koncepteve, që modulon kuptimet duke i bërë të njohshëm ose të panjohshëm, të qartë apo evazivë. Me rëndësi të posaçme është të mos harrojmë se shoqëritë dhe shtetet, fatet njerëzorë, emocionet, bota jonë shpirtërore, fetë dhe strukturat e mëdha intelektuale, të gjitha mund të ndërtohen, ose të rrënohen nga fjalët.
Në periudhën e tranzicionit politik, kur krejt sistemi i domethënieve, i kuptimësive, që përbëjnë historinë, gjendet në shndërrim të vazhdueshëm, asgjë tjetër nuk mund të cilësohet më e rrezikshme se sa mungesa e vëmendjes ndaj perceptimit sa më të hollë të synimeve dhe të nënteksteve të fjalëve e të termave, të cilat qarkullojnë mes nesh, rreth nesh e brenda nesh. Janë pikërisht fjalët ato që mbrujnë të ardhmen më fort se sa dëshirat dhe se sa aftësitë tona. Ndër togfjalëshat (grupfjalët), që orvaten sot të ndryshojnë sa më ndjeshëm kuptimin e historisë, është shoqëria e hapur. Kjo e fundit, prej dy dhjetëvjetshash, vazhdon të mbetet fjala-kyç e shtjellimit të ngjarjeve në shkallë globale, si për Perëndimin, ashtu edhe për Lindjen, si për të djathtën, ashtu edhe për të majtën politike, si për të rinjtë dhe tradicionalistët, ashtu edhe për intelektualët, puntorët, madje edhe për
zëdhënësit e shumicës së feve kryesore të botës.
Tre libra përcaktojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi ecurinë teorike të shoqërisë së hapur. Dy prej tyre - "The Open and Its Enemies" e Karl Popperit dhe "The Road to Serfdom" e Friedrich von Hayekut - kanë dalë në dritë shtatëdhjetë vjet më parë, ndërsa i treti - "Reflections on the Revolution in Europe" e Ralf Dahrendorfit - është botuar para dy dekadash.
Dihet se shkaku i shpërthimit të revolucioneve evropiane të viteve ’80 -’90 të shekullit të kaluar, ishte domosdoshmëria e rrëzimit të komunizmit, diktaturës, totalitarizmit, bashkë me pasojat e rënda ekonomike të tyre, me bllokimin e çdo lëvizjeje shoqërore pozitive, me varfërimin ekonomik dhe shpirtëror të kombeve.
Çështja nuk shtrohet nëse duhet të jemi të hapur apo jo, sepse nga kjo pikëpamje gjërat janë të qarta: mbyllja është frymëmbytëse. Problemi shtrohet: kush dhe çfarë duhet hapur. Sepse një hapje “me të katër kanatat”, pa kurrfarë plani e kufizimesh të natyrshme, e zhbën entitetin, njësinë apo organizmin që hapet. Një shoqërie të hapur i duhet të përballet me një sërë mbrapshtish, të shmangë rreziqet që quhen: dogmatizëm, tjetërsim, utopi. Veprimet e saj, në të gjitha aspektet, janë veprime politike dhe kushtetuese. Nga tre rreziqet e sapopërmendur, që duhen mënjanuar, më i dëmshmi është dogmatizmi. Nënshtrimi ndaj dogmës prish rrënjësisht të drejtën e një shoqërie për t’u quajtur e hapur. Komunizmi, ashtu si çdo totalitarizëm, është e kundërta absolute e shoqërisë për të cilën po flasim. Nuk mund të bëhet fjalë për shoqëri të hapur nën sistem njëpartiak, me ekonomi të
mbikontrolluar e të tejqëndërzuar, me aparat administrativ të egër, që censuron skajshëm kulturën, dhe me një regjim që mbahet më këmbë nga puna e detyrueshme e përgjithësuar. Shoqëri e hapur do të thotë demokraci, liri njerëzore, antidogmatizëm, antiideologjizim. Shoqëria e hapur është kundërshtare e utopive, të cilat përfaqësojnë braktisjen e së sotmes dhe paaftësinë e përfshirjes sonë në të tashmen. Utopitë janë mjete të tjetërsimit dhe njëherazi simptoma të tij. Ato i kanë sjellë shumë dëme njerëzimit. Hedhja poshtë e tjetërsimit, gjithashtu, është mëse e domosdoshme për një shoqëri joshtypëse si shoqëria e hapur.
Ka politologë që e venë në dyshim faktin nëse shoqëria e hapur mbart një koncept të përvijuar qartë, apo është thjesht sintagmë. Një fjalë a grupfjalësh, që nuk mbulon, që nuk përfaqëson një koncept të saktë, mund të çojë në rrugë të mbarë, por gjithaq edhe në rrugë të gabuar.
Nga sa thamë më sipër, mund të dilet në përfundimin se shoqëria e hapur është emër i më së mirës në histori, është emër shprese, që ia kundërvemë kërcënimit potencial totalitarist, amoralitetit dhe agresivitetit politik.
Por cilat janë perspektivat e përdorimit të togfjalëshit shoqëri e hapur?
Shoqëria e hapur i le një portë të lirë cilësdo tendence. Shoqëria amerikane dhe ajo frënge, për shëmbull, janë të dyja të hapura. Kushtetuta amerikane është e famshme ngaqë nuk kufizon me asgjë sistemin shoqëror të vendit. Por, gjithnjë në rrafsh kushtetues, në SHBA është i pamundur krijimi i jashtëligjshëm, jodemokratik, me grusht shteti etj, i disa strukturash të tjera pushtetare, paralele. Kushtetuta franceze ua ka vënë kufirin “te thana” prirjeve të çdo qeverisjeje që do të ligjëronte shtetëzimin e pjesës më të madhe të ekonomisë.
Nëse në lëmin e politikës kushtetuese dallojat ndërmjet varianteve të shoqërisë së hapur mund të jenë të mëdha, gjithaq të ndryshme mund të jenë edhe politikat e përditshme që praktikohen në gji të saj. Sidoqoftë, ekziston një pikë në të cilën puqen opinionet dhe kjo nuk është në favor të shoqërisë së hapur: çkulturimi i shkallëzuar në suazën e një shoqërie të tillë. Francisc Fukuyama dhe Ralf Dahrendorf, mendimtarë me vizione politike të kundërta, e paraqitin shoqërinë e së ardhmes si antikulturore, të dyndur nga kitsch-i, nga një mosangazhim i theksuar kulturor e, për rrjedhojë, nga mungesa e krijimtarisë së mirëfilltë, autentike.
Mund të thuhet se gjithçka, përfshi shoqërinë njerëzore, veçorizohet nga mbyllje dhe hapje të njëkohshme ose të përkëmbyera. Për shekuj me radhë, traditat kulturore dhe folklorike, zakonet e doket, kanë përfaqësuar njëherazi edhe hapje, edhe mbyllje. Besimi fetar ka vepruar në periudha të caktuara si mbyllje, ndërsa në të tjera si hapje. Tregtia, qarkullimi i vlerave, i përkasin në thelb hapjes. Shteti, ashtu si besimi fetar, ka qënë herë mbyllje dhe herë hapje sociale, herë në përkim kohor me kishën dhe herë në përkëmbim me të. Morali është mbyllje, e cila më pas kalon në hapje të mirëfilltë. Krijimtaria është, mbase, hapja e cila grish për mbyllje të përligjura dhe të kufizuara. Një shoqëri që nuk ka mbylljet e veta, i ngjan një bote në agoni. Shoqëria e hapur nuk është han me dy porta, sepse askush nuk e dëshiron bjerrjen e vlerave qytetëruese dhe të traditave kombëtare, madje as të
zakoneve me të cilat populli ynë është mëkuar e burrëruar dhe nuk i ka ndryshuar gjatë shekujve, pavarësisht nga forma e regjimit apo e sistemit, që i është imponuar apo e që e ka zgjedhur vetë, me vullnet të lirë. Kështu, bie fjala, shqiptari në asnjë mënyrë nuk i kthen shpinën, qoftë erës, qoftë armikut, - ky i fundit, siç dihet tanimë, mund të jetë edhe pervers, - që të mos gjendet në befasi nga goditjet e tyre. Shqiptari nuk i trajton njerëzit si kafshë ngarkese dhe as nuk lejon që të tjerët ta shndërrojnë në të tillë. Përfitimet e çdo natyre qofshin dhe ngado që të vijnë, në rast se sigurohen përmes shpërfilljes së traditave dhe zakoneve stërgjyshore, në fund të fundit rëndojnë në kurriz të dinjitetit tonë kombëtar, i cili nuk ka të paguar.
Vetëkuptohet se kërkohet një shoqëri për të cilën shteti të jetë kryesisht hapje, jo mbyllje. Nga ky këndvështrim, bëhet fjalë më fort jo për një shoqëri, po për një shtet të hapur. Duke mos iu nënshtruar kufizimeve politike, shoqëria jonë duhet dhe ka për të gjetur edhe caqet e kufizimet e veta të domosdoshme, pra të natyrshme, me mbyllje dhe hapje të tjera. Sepse duke dëgjuar vazhdimisht për hapje dhe shoqëri të hapura, njerëzit, në radhë të parë të rinjtë, ngandonjëherë harrojnë që ekzistojnë edhe mbyllje shpëtimtare, pa të cilat jeta nuk ka kuptim. Të tilla janë: mbyllja në rrethin e ngrohtë të intimitetit, të nderit e të premtimit të dhënë, të besës, etj.
Edhe krijimtaria kulturore, përmes etikës dhe estetikës që sjell në jetë, tregon se bota nuk është vetëm hapje e patrajtëshme. Po qe se shoqëria e hapur nuk do të njihte ca kufizime dhe do të shpërfillte baraspeshimin dhe inteligjencën kulturore, do të shndërrohej në portë të hapur për cilëndo diktaturë që do të tregohej "inventive" në manovrimin e shpirtrave të papërgatitur, që nuk duan t’ia dinë për kurrfarë kufiri.