Kur vjen fjala për klasikët e letërsisë, sidomos në këto kohëra me një zhvillim të paparë të teknologjisë, vetiu na shfaqet më qartë kahja e lexuesit të gjerë, i cili ka gjithnjë e më pak kohë për poezinë. Situata më sjell ndërmend fjalën ”ngarendje”. Po të përdorim etimologjinë popullore, - jo rrallë po aq e aftë sa edhe ajo shkencore, - ”ngarendja” nuk është veçse një motërzim i Quo vadis-it. Për fat të keq, lexuesit të sotëm i është krijuar bindja se klasikët janë vjetëruar, nuk i drejtohen më dot shpirtit të tij, nuk ia plotësojnë shijet estetike. Ngarendja pas mbijetesës, mirëqënies dhe gjetjes së një identiteti të qartë, e përgjumin vetëdijën dhe shpesh, kur beson se, duke ecur në një hap me kohën, po lartohet shpirtërisht, njeriu i sotëm thjesht harxhon kohën që mund ta kish pasuruar me letërsi të zgjedhur dhe vërtet formuese. Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth rëndësisë së përkthimeve, nobelisti Boris Pasternak (poet, prozator e përkthyes i shquar, 1890-1960), shprehej: Në fakt, i vetmi lloj përkthimi interesant është ai i klasikëve. Është një punë sfiduese. Sa i përket shkrimit modern, përkthimi i tij rrallë është i dobishëm, megjithëse mund të jetë i lehtë.[1]
Një shqyrtim i paanshëm i gjendjes së sotme të përkthimeve, - tematikë, stile, autorë, - na bind se nuk janë klasikët të vjetëruar apo të prapambetur, por shoqëria e sotme nuk gjen e ndoshta nuk do të gjejë kohën e domosdoshme për t’u pasuruar shpirtërisht.
Ndër emrat me vepër të ndritshme poetike, bën pjesë edhe Pierre de Ronsard, sonetist i shquar francez, që u lind më 11 shtator 1524 në Couture-sur-Loir, Centre-Val de Loire dhe ndërroi jetë më 27 dhjetor 1585 në La Riche, Centre-Val de Loire. Ishte poeti i Oborrit, (aspak i ngjashëm me shkrimtarët e mëvonshëm të ”oborreve”) i vlerësuar lart nga mbreti për idetë dhe përkrahjen e politikës së nënës mbretëreshë kundër hygenotëve, të shprehura në veprën e tij “Discours de la Misère de ce Temps (1562-1563)”. Falë dhuntive të tij të shumanshme, në vizionin poetik, por edhe politik, poeti gëzonte të drejtën të ulej në të djathtë të sovranit.
Në vitin 1547, me të mbërritur në Paris, Ronsard-i krijoi një shkollë poetike, që u bë sakaq e njohur si Plejada e Mjeshtrit Ronsard. Në të u përfshinë Jean Dinemandi, i quajtur edhe Dorat, Pontus de Tyard-i dhe, së fundi, por jo më pak i rëndësishëm, Remi Belleu.
Mjeshtri Ronsard kishte një projekt të madh letrar, La Franciade, epos kushtuar vetë mbretit, por, pas vdekjes së këtij më 1574, poetit do t'i humbte krejt frymëzimi.
Gjatë gjithë kremtimeve Ronsard-i ishte i pranishëm në Oborr, duke lavdëruar mbretin me vargje sonetesh, të krijuara për të kënaqur edhe të ftuarit. Fatkeqësisht, por edhe fatmirësisht, Ronsard-i nuk kishte si të shijonte vlerësimet e të pranishmëve, meqënëse kishte humbur dëgjimin. Kjo nuk e pengonte, madje ndoshta e ndihmonte për të dëgjuar më qartë ritmet e brendshme të dashurisë, e cila zë një hapësirë sunduese në poezinë e Ronsard-it. Himnizimi i të dashurave dhe i femrave në përgjithësi shkon jo vetëm deri në faljen e gabimeve apo qëndrimeve të ftohta të tyre, por deri në vetëflijimin pa kushte të poetit. ”Dashuritë” e Ronsard-it ("Les Amours"), për shembull, janë një përmbledhje poemash të shkruara për nder (e për hir) të tri femrave, me të cilat u dashurua gjatë jetës: Kasandra, Maria dhe Helena. Secila nga pjesët e vëllimit i kushtohet njërës prej këtyre muzave dhe është një pasqyrë e gjallë, tronditëse, por edhe lartuese e ndjenjave të poetit përgjatë kohës. Frymëzimi i poetit përthith, zbërthen e rikrijon një univers të begatë e të pangatërrueshëm ndjenjash, duke përkthyer në poezi jo vetëm copëza ngjarjesh të përditshme, por edhe struktura nga mitologjia e lashtë greke e latine. ”Dashuritë” vazhduan falë vajzës nga fshati Marie Dupin (me të cilën Ronsard-i u dashurua në vitin 1555). Në një rast të veçantë, një tjetër Marie (de Clèves, e dashura e mbretit) e shtyn poetin të hyjë në lëkurët e mbretit dhe të vajtojë humbjen se së dashurës, me penën e tij, por në emër të mbretit (”Sur la mort de Marie”).
Në gropën tënde merri lotët e mi përvëlues,
Dhe tasin me qumësht plot afsh lulesh begatues
Që kurmi yt i vdekur pamjen e një trëndafili të ketë.
I lumur qoftë çasti i rallë në këtë jetë,
Dhe vendi, dhe koha kur sytë e tu më vranë,
Ose të paktën më hodhën në një humnerë,
Dhe atje u bëra një shtresë akulli copë e çik’ (...)[2]
Shpirti i arratisur i mbretit-poet dhe i poetit-mbret, nis të rrojë brenda së dashurës ”si një shtëpi të dashur sa s’ka”.
Deri në fund të jetës, Ronsard-i u mbeti besnik temave që e magjepsë në rini. Dashuria në të gjitha trajtat e veta të natyrshme, por e mbinatyrshme në ndikimin e vet; natyra, mitologjia, koha si dramë, vdekja. Arti i Ronsard-it ia del mbanë të shkrijë plot harmoni çdo detaj që përmban poezi dhe të përcillet tek lexuesi, pavarësisht nga koha kur jeton ky i fundit, bashkë me dhembshruinë, mençurinë, ndonjëherë mëninë, apo zhgënjimet e poetit. Ronsard-i hyn me lexuesin në një këngë-dialog të bukur e pasurues.
Vështirësi të panumurta e të papritura dalin para shqipëruesit, kur përcjell poezinë e një mjeshtri të rrallë të sonetit. Aq më tepër kur gjuha e tij ka pësuar ndryshime shpesh të thella dhe nuk pranon të ”shpërngulet” e plotë në një gjuhë të rrallë e me fuqi të jashtëzakonshme shprehjeje, si shqipja. Veç shndërrimeve të domosdoshme, por gjithnjë brenda kontekstit, kryesisht për hir të rimës, - për të ciën personalisht besoj se mbart një pjesë thelbësore të frymës poetike, - kam hasur jo pak idioma, “skela” gjuhësore, shprehje, emra e fjalë arkaike, që kanë dalë tashmë edhe jashtë frëngjishtes moderne e nuk figurojnë as në fjalorët me autoritet të padiskutueshëm. Botimi nga ”Buzuku” i kësaj përmbledhjeje është një dëshmi më tepër e horizontit enciklopedik të zotit Abdullah Zeneli, të cilin e falenderoj që ma besoi shqipërimin e këtij kolosi të letërsisë botërore të të gjitha kohërave. Ky shqipërim është edhe një ftesë për çdo lexues të vëmendshëm që të bëjë një pushim mes ngarendjes së përditshme e të shijojë sadopak nga poezia e lartme e klasikëve.
Kopi Kyçyku
tetor 2024
Parathënie e vëllimit "Sonete të arta për dashurinë", botoi Buzuku, 2024
[1] Shih Paris Review, The Art of Fiction No. 25, 1960, Boris Pasternak, intervistoi Olga Carlisle.
[2] Shqipërim i imi – K. K.
