Jetullah Haliti - ETI - sinonim i artit të epërm dhe i ndjeshmërisë së thellë




Krijimtaria dhe përgjithësisht prania e Jetullah Halitit – ETI në botën artistike evropiane (e më gjerë), si një gërshetim i natyrshëm, për të mos thënë rikthim i mendësisë dhe i dhuntive shqiptare në gjirin e Kontinentit Plak, janë tashmë të njohura e të vlerësuara në nivelet më të larta akademike. Bashkë me krijues si Kodra, Gjokaj, Kaleshi, Mulliqi, Çavdërbasha e të tjerë, më të rinj, në ngjitje të paprerë, ETI pasuron më tej me artin dhe lartësinë e tij morale një elitë të mirëfilltë shqiptare, e cila është njëherazi pjesëtare e elitës artistike botërore.

ETI është një artist që i njeh me rrënjë thellinat e shkitshme e jo rrallë të rrezikshme të shpirtit njerëzor dhe, me vetëdijë të plotë e me përkushtim, rri i kthyer ndaj Dritës. Në kushtet e sotme, kjo mund të shihet si një flijim i shumëfishtë, që lyp jo vetëm energji të mëdha, por edhe durim, këmbëngulje, mirëkuptim. Lëvizja e tij artistike, të cilën kritika e specializuar e ka quajtur “Profondizëm” mund të shqipërohet “Thellizëm” e kjo jo vetëm si një shqipërim i thjeshtë, por si një afrim më i saktë ndaj thelbit. Thellinat dhe thellësitë, si kundërvënie ndaj cektinave dhe errësirave, përqëndrojnë në vetvete disa nga synimet kryesore të ETI-t si kumtues dhe shpërndarës i një sasie e cilësie të lartë drite, mes njerëzve, mes njeriut dhe mjedisit, mes mikrokozmosit dhe makrokozmosit, mes krijesës dhe Krijuesit. Nga kjo pikëpamje, krijimtaria e ETI-t është përnjimend edhe një mision paqeje.

Simbolet që ETI përdor e madje ngjiz së pari në veprat e tij, - shumica të mbamendshme dhe të denja për titullin “kryevepër”, - të kujtojnë synime të llojit brankushian. Çdo element i krijimtarisë së ETI-t është në gjendje të “kuvendojë” pa vështirësi me thelbet arketipale të bashkëkohësve, pavarësisht nga prejardhja e tyre etnike, kulturore, gjeografike, historike etj, duke e ndihmuar secilin që të rigjejë veten, rrënjët, kthimin qoftë edhe të përkohshëm, sa për çlodhje, kthjellim, apo mbushje me jone idealizmi, në gjuhën, kulturën, pamjet amtare. Kjo ndodh njëheresh me ngritjen, ose me hapjen e shikuesit ndaj universalitetit.

”Rrjetin” e simboleve e mbështet, duke e forcuar e qartësuar, një gamë e caktuar ngjyrash, të cilat nuk e ”fshehin” nga cila epokë vijnë dhe ”thonë” mjeshtërisht se cilës epokë (që është më fort shpirtërore, se sa hapësinore e kohore) i drejtohen. Në një pikë kulmore, ngjyrat, simbolet, gërshetimet e të gjithë elementeve përbërës të një vepre të ETI-t i nënshtrohen dhe ”punojnë” vetëm për idenë themeltare të veprës, duke e shndrruar këtë të fundit në një akt të mirëfilltë kulturor.

Në një kohë kur gati çdo shprehje e njeriut orvatet dhe shpesh ia del mbanë të trumbetohet si art, kur kitsch-i dhe amatorizmi që kanë mbështetje mediatike jobindëse dynden nga të gjitha anët, kur arti i epërm dhe i kulluar për nga estetika mezi çan udhë mes mjegullimit të vlerave, për të mbërritur, sidoqoftë, në paharrim, Thellizmi i ETI-t përfaqëson si vetiu edhe një nxitje, inkurajim, mbështetje për artistët e talentuar që sapo kanë hedhur hapat e parë në rruginën plot vegime, magji e gjemba të artit.
-->
Akad. Kopi Kyçyku