Mihai Eminescu (1850-1889)

ODË – në metër antik


S’besoja të kuptoja si vdiset ndonjëherë

Riosh përjetësisht, i kallur në mantel

Lartoja sytë e ëndërrt drejt yllit

Të vetmisë.


E beftë m’u fanite sakaq në udhën time

O vojtkë, kaq e ëmbël, tamam si dhëmbja vetë

Me fund gëlltita epshin e vdekjes

Së pashpirt.


Në zi së gjalli digjem, cfilitur si Nessusi

A si Herkul që petku mjerisht e pat helmuar

Ta fikin zjarrin tim nuk mundin dot së toku

Ujrat e detit.


Nga ëndrra ime qahem, zhuritur, përvëluar,

Mes zjarrit tim nis tretem parreshtur nëpër flakë...

Të ngjallem, a do mund, sërish dritues si

Zogu Feniks?


I humba mb’udhë sytë e tronditur,

Sërish eja në gji, shkujdesje e trishtë;

Të mund të vdes në paqe, veten time

Jepma, pra!




U shua jeta...


Iu shua jeta Venecjes së praruar,

S'dëgjon vallzim, s'sheh drita, kënga shteri,

Portalesh pleq, mes shkallësh prej mermeri

Fut kryet hëna, muret për t'i argjenduar.


Okeanusi mbi kanale qan ngadalë,

Për shekuj varg mbart lulen e rinimit,

T'i falë nuses frymën e gjallimit,

Mbi ujra shfaqet e kumbon me valë.


Kalatë porsi varre heshtjen zgjatën.

I vetëm, prift që kohrash mbet në jetë,

Shën Marku me trishtim godet mesnatën.


Me gjuhë prej Sibile, por zëdet,

Me tinguj të qetuar hedh mandatën:

"Më kot, o djem, nuk ngjallet kush u tret!"



Mortua est!


Pishtar i përndritshëm mbi varret e njoma,

Një tingull këmbane në orët e vona,

Një ëndërr që flatrën e zbut në trishtim,

Kështu e kaptove të botës pengim.


Kalove kur qielli ish fushë kthjellore,

Me gurra prej qumshti, me lule diellore,

Kur retë si nata - pallat turivrarë,

Prej hënës hyjneshë me radhë janë parë.


Më ngjake si hije argjendi ndriçuar,

Me krahët të ngritur, drejt qiejve drejtuar,

E skelat e reve i ngjit, shpirt i gjorë,

Mes shiut me rreze, me yjet dëborë.


Një rreze të ngritka, një këng' të mban çuar,

Me krahët e bardhë mbi gjoks kryqëzuar,

Kur furka dëgjohet në lëmsh si magji,

Argjend ka ndër ujra, në ajër flori.


Ta shoh shpirtin borë kur shkon n' hapësirë,

Më pas edhe baltën ... të bardhë e të ngrirë,

Me veshjen e gjatë, nënqesh si e gjallë,

Qivuri ku dergjesh, ndriçoka si rrallë.


Dhe shpirtin shpesh pyes, mëdyshjen ta tretë,

Pse vdiqe, o ëngjëll, me faqe të zbehtë,

A s'ishe e bukur, a s'ishe e re?

U nise të shuash një yll zjarr, mbi re?


Po ndofta kështjella do ketë andejpari,

Me mure prej yjesh, me harqe prej ari,

Lumenj zjarri, ura të lyera në argjënd,

E brigje me lule, me këngë anekënd;


Të ecësh mes tyre, mbretëreshë e bekuar,

Me flokë prej rrezesh, me sy të drituar,

Me veshjen e kaltër spërkatur me ar,

Kurorë dafine mbi ballin zbehtar.


Oh, vdekja - rrëmujë, një det yjeplot,

Kur jeta ësht' baltë me ëndrra krejt kot;

Oh, vdekja - një shekull nga diej lulëzuar,

Kur jeta ësht' dokërr, pa gjë, e shëmtuar.


Por... kokën stuhitë ma bëjn' shkretëtirë,

Mendimet e liga dëbojn' çdo të mirë...

Kur diejt të shuhen e yje s'ka më,

Më vjen të besoj se gjithçka s'qënka gjë.


A mundet të çahet thjesht kupa qiellore,

Mosgjëja të bjerë me natën yjore,

Ta shoh qiellin sterrë si botrat fort shkund,

Si pré kalimtare të vdekjes pa fund...


Në qoftë krejt ndryshe... ahere përjetë

S'do vijë shpirti yt, i valë, më në jetë,

Memece do bëhet gjuha jote si mjaltë...

Ky ëngjëll ahere do shndrrohet në baltë.


Dhe prapë, moj tokë e bekuar, e vdekur,

Te varri vë harpën e thyer, të mekur,

Për mortjen mos qaj, gëzohu me bujë

Me rrezen që derdhet mbi botën - rrëmujë.


Pastaj...ç'është mirë askush nuk e di,

Të rrosh a mos rrosh...ama çdo njeri

E di që kush s'është, s'ndjen dhimbje aspak,

E dhimbje ka shumë, gëzime fort pak.


Të rrosh? Çmenduri e trishtuar, e shkretë;

Të rren veshi yt dhe syri i vërtetë;

Çka thotë një shekull, s'e thënkan të tjerë.

Më mirë gjëprejgjëje, se ëndërr pa vlerë.


Shoh ëndrra që nisen të tjera për të kapur,

Gjer ndalen te varret, që presin gojëhapur,

Më s'di ku ta shuaj mendimin nën ballë:

Të qesh si të marrët? T'i tall? T'u qaj hallë?


Ç'kuptim ka?... Mos qënka gjithçka marrëzi?

Po vdekja e jote, o ëngjëll, s'e di

Përse ndodhi, vallë? Ti, qënie që qesh,

Jetove që varrin ta marrësh peshqesh?


Në pastë kuptim, ateu ka vepruar,

Në ballin tënd Zotin s'e paske të shkruar.




Mesnata po goditet...


Mesnata e goditi të bakërtën këmbanë,

Doganë e jetës-gjumi, ma la taksën mënjanë;

Të rrahurave rrugë do mendja të më bartë,

Mes jetës edhe vdekjes nuk shoh dallim të qartë,

S'ndryshon, veç, asnjë fije peshorja e mendimit,

Se heshtaz ndehet gjuha mes jo-së dhe pohimit.



Glosë


Koha shkon, por edhe vjen,

Gjithçka rri e re, e vjetër;

Ç’është mirë a keq, e gjen,

Vraje mendjen veç, patjetër;

Mos ki shpresë e mos u ndruaj,

Ç’është valë, do shkojë si valë;

Në çdo ngasje, si i huaj,

Rri i ftohtë dhe pafjalë.


Gjëra plot para na dalin,

E në vesh na vijnë të tjera,

Por vëmendjen dot s’e ndalin,

S’kemi nge, ndaj i merr era.

Pangurrim qëndro mënjanë,

Tek vetveten e rigjen,

Kur me zhurma anembanë

Koha shkon, por edhe vjen.


As akrepi i saj nuk pjerret -

Kjo peshore e mendimit -

Drejt momentit që ze bjerret -

Fli e maskës së galdimit,

Që nga vdekja e saj merr lindje

Edhe zgjat një çast, jo tjetër,

Për atë që e njeh me bindje

Gjithçka rri e re, e vjetër.


Spektator si në teatër

Në kët’ botë përherë ji:

Luan njëri dhe për katër

Çirrja maskën gjithsesi;

Dhe në nxjerrtë lot fytyre

Rri në qoshe, veten ndjen,

Të kuptosh nga arti i tyre

Ç’është mirë a keq, e gjen.


Çka do vijë e çfarë ka shkuar

Janë dy pamje, veç një fletë,

Fillin ka për ta shikuar

Bash në fund kush nxë në jetë;

Gjithë ç’qenë e do të vinë

I shikojm’ me sytë e vjetër

Që t’u njohësh kotësinë

Vraje mendjen veç, patjetër.


Mbetkan pó të njëjtat mjete

Që trysnojnë çdo gjallesë

Kanë rrjedhur mijra vjete,

Bota njeh gaz e dënesë;

Tjetër maskë, e njëjta pjesë,

Tjetër gojë, të njëjtët truaj,

I zhgënjyer, prerë në besë

Mos shpreso e mos u druaj.


Mos shpreso kur ligësitë

Për ngadhnjim lidhen jo rrallë

Ta kalojnë ndyrësitë

Dhe në qofsh me yll në ballë;

Mos u tremb kur përsëri

Ndërlëvdohen me aq fjalë

Me ta kurrë shok mos ji

Ç’është valë, do shkojë si valë.


Me një këngë prej sirene

Bash kjo botë i ngre kurth dritës

Që të ndrrojë aktorët skene

Me karrem të josh drejt pritës;

Atypari qëndro strukur

Veshin fare mos e luaj

Që nga shtegu ku je futur

Në çdo ngasje, si i huaj.


Në qëllofshin, bëj mënjanë,

Në të nëmshin, mos bëj zë;

Se dhe fjalët vlerë s’kanë

U di kutin, çfar’ pret më?

Le të thotë gjithkush ç’të dojë,

Kush të mundë, le të dalë

Që mos lidhesh as me gojë

Rri i ftohtë dhe pafjalë.


Rri i ftohtë dhe pafjalë

Në çdo ngasje, si i huaj,

Ç’është valë, kalon si valë,

Mos shpreso dhe mos u druaj,

Vraje mendjen veç, patjetër,

Ç’është mirë a keq, e gjen;

Gjithçka rri e re, e vjetër;

Koha shkon, por edhe vjen.


Shqipëroi: Kopi Kyçyku

Ribotohen me rastin e 160-vjetorit të lindjes së Mihai Emineskut