Një ngjarje e gazmendshme


Përsëri në breg të liqenit Leman... Në hotelin "Kempinski", ish hoteli Noga Hilton, një nga më të mëdhenjtë e më luksozët e Gjenevës. Konsullata e Republikës së Kosovës dha një pritje madhështore. Ndër të ftuarit e shumtë nga të gjitha mjediset politike, shoqërore, kulturore dhe diplomatike zvicerane dhe të huaja, shquheshin profesorët e Scool for International Training (SIT), Switzerland Studies, Multilateral Diplomacy and Social Justice, Alexandre Lambert dhe Gyula Csurgai; personaliteti i rezistencës antifashiste dhe i Federatës Botërore të Veteranëve dhe Viktimave të Luftës e të Konflikteve, profesori Astrit Leka; përfaqësuesi i përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë selisë së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Sejdi Qerimaj; ambasadori i Republikës së Maqedonisë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Zvicër, dr. Aziz Pollozhani; diplomatët shqiptarë Vladimir Thanati e Arefi Alia etj.
Pas intonimit të Himnit të Republikës së Kosovës, konsulli i Republikës së Kosovës Benjamin Nikoliqi i përshëndeti të pranishmit në një anglishte të përkryer. E përkryer ishte edhe përmbajtja e gjithçkaje që kumtoi në mënyrë lakonike. E ndjeva veten krenar që, brenda një periudhe kohore kaq të shkurtër qysh nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, shteti më i ri i Kontinentit Plak është në gjendje të ofrojë performanca të nivelit më të lartë.
Ta gëzojmë brez pas brezi Kosovën e lirë e të mosvarme!