Hijeshia e shumësit

Tregim

Dimri, me sa shihej, e pat ndarë mendjen të godiste furishëm me dy armë njëheresh: me dëborë e me stuhi. Megjithse xhamet e veturës “Varshava” ishin të puthitura mirë, të ftohtët hynte brenda dhe shtrohej si në shtëpi të vet. Fatmiri, shoferi, dukej sikur bënte ushtrime të rrezikshme akrobatike tek fërkonte tërë kohën duart me njëra-tjetrën, në vend që t’i mbante në timon.
Kapllani, në të djathtë të tij, kish ngritur jakën e palltos dhe po vërshëllente ngadalë një melodi të përvajshme rumune.
- Prapë ajo vllahinka... Nuk të ndahet! - e ngacmoi Fatmiri me shpoti Kapon, duke ia hedhur fjalën tek vitet e studimeve jashtë shtetit. Kapo e thërriste shokun e vet të fëminisë, çka nënkuptonte edhe funksionin shtetëror që ky mbante.
- Edhe ajo... - mërmëriti Kapllani.
- Si “edhe ajo”?! - u habit Fatmiri. - Paske pasur më shumë se një?
- Jo, bre, jo. Por...
Ndërkaq para tyre qe përshfaqur një mbishkrim që tregonte kahun drejt Burrelit.
- Kalo këtej! - i foli Kapllani.
- Ç’duam nga kjo anë? - ia ktheu gati me inat Fatmiri.
- Ta shpjegoj më vonë. Vazhdo nga të thashë! - këmbënguli Kapllani.
Rrugëkthimin për në qytetin juglindor e patën nisur nga Peshkopia, ku sapo kishte përfunduar një seminar për ndërtimin e banesave “me kontribut vullnetar”. Si të gjithë drejtuesit e pushtetit vendor, edhe Kapllani ishte njohur aty me përvojën e rrethit të Dibrës në “aksionet me goditje të përqendruar”.
Desh s’desh, Fatmiri nuk ia bëri dysh fjalën eprorit të vet, i cili u ndal tri herë për të blerë ushqime dhe kaushë duhani. Shitësja e fundit ia mblodhi të gjitha në një qese të madhe. Fatmirit nuk i shpëtoi as këtë herë “huqi” i zakonshëm i Kapllanit: lënia e bakshisheve të majme, që, jo rrallë, e tejkalonin vetë vlerën e mallrave përkatës. Gjithaq e çuditi fakti që nuk e kishte parë asnjëherë Kapon të blinte ushqime për shtëpinë e vet.
- Ç’u mbushe kështu, shef?
- E do puna. Do ta marrësh vesh pas pak.
Sakaq Kapllani ndali në rrugë një të moshuar dhe e pyeti për diçka. Me t’u ulur në sedilje, i tha Fatmirit ta kthente makinën paksa prapa e më pas djathtas.
- Ku po na çon, Kapo?
- Në burgun e Burrelit.
- Si?!
- Ashtu siç e dëgjove.
- Ke luajtur nga fiqiri?!
Kapllani ia tha arsyen. Fatmirit i hipi gjaku në kokë dhe nuk u përmbajt më:
- Thirri mendjes, se do të marrësh veten më qafë!
Kapllani lëvizte vetëm buzët që vazhdonin të vërshëllenin melodinë e përvajshme vllahe. Befas ia mori edhe me zë: Bjeri veglës, sazexhi, / Ditë e madhe është, s’e di? / Të pi dua, të jem mirë, / Tok me ty, gjer në të gdhirë...
Muzika sikur i çoi më lehtë te post-blloku. Rretheqark: tela me gjemba. Përpara u doli një thatanik mustaqezi, me automatik kraheqafë. Pasi e hetoi Kapllanin me një vështrim të rreptë “gjithëpërfshirës”, nga këmbët deri te flokët, e pyeti se çfarë kërkonte. Kapllani i tregoi dokumentin e deputetit të Kuvendit Popullor dhe funksionin që kishte në administratën shtetërore. Pasoi një dialog, që ngjasonte me njëdyluftim, të cilin Fatmiri po e ndiqte nga larg. Meqë ndodhej brenda në veturë, nuk arriti të kuptonte dot as edhe një fjalë. Por lëvizjet e shpeshta të duarve të thatanikut i lanë të kuptonte se kish diçka që nuk ecte.
Më në fund u hap dera dhe Kapllani, me qesen e madhe në dorën e djathtë, u çapit më tej.
Pas gjysëm ore, Fatmirit, sa të paduruar, aq edhe të shqetësuar, do t’i rrëfente gjithçka, fill e për pe.
Kur ishin të mitur, shpesh në shkollë u vinin veteranë, që u flisnin për betejat kundër fashistëve. Kapllanit dhe Fatmirit u kujtohej ai burri i shëndetshëm, gjithnjë diellor, për të cilin thuhej se pat qenë trim mbi trimat. Mbresë të pashlyeshme u kishte lënë fakti që, edhe për aksionet që i kish kryer vetë, Bestari, - kështu quhej veterani, - ngulmonte se kish pasur mbështetjen e shokëve.
- Nuk e kam bërë vetëm unë, por ne, të gjithë!
Shumësi “ne”, në gojën e këtij luftëtari, kishte një tingëllim e një hijeshi krejt të pazakontë.
- Por ti ndodheshe fillikat atje! Kjo dihet nga të gjithë! - i qe drejtuar Bestarit, në një rast, një veteran tjetër.
- Ashtu është. Por shokët nuk ishin larg dhe qenë gati të më vinin në ndihmë, po të ndihej nevoja, - ia kish kthyer Bestari.
Kapllanit dhe Fatmirit, u kujtohej se si Bestari gjithmonë zinte vend në tribunë në raste përvjetoresh betejash. Edhe aty bënte çmos të mos rrinte në rreshtin e parë, aq të lakmuar nga plot të tjerë, madje edhe nga “trimat pas lufte e të mençmit pas kuvendit”. Të dy kishin dëgjuar, gjithashtu, se fill pas Çlirimit, Bestarit i kishin propozuar të merrte një post të lartë në organet shtetërore. Duke i falenderuar, ai u kish thënë se detyra e tij pat mbaruar njëheresh me luftën me armë. Luftën e re, që po fillonte, duhej ta bënin më të rinjtë.
Me kalimin e kohës, nuk dihet pse, i hyri pijes. Pinte dhe qante. Nuk fliste. Nuk bënte sherr me askënd. Në dasma e vdekje e kalonte masën. Dhe, bashkë me të, edhe sasinë e lotëve. Por sherre jo e jo!
Në 1968-ën rastisi që, fill pas ngjarjeve në Çekosllovaki, në fisin e Bestarit u bë një fejesë. Atje, siç e ka zakon shqiptari, politika nuk mungoi. Bisedat, pra, nuk e anashkaluan. Ato lavdëruan aktin e daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës dhe çlirimin nga çdo detyrim ndaj tij. Ky ishte çasti më i përshtatshëm për të ngritur një dolli për Enverin. Dhe një tjetër për Mao Ce Dunin. Të parën e ngriti edhe Bestari. Për të dytën tha: “Nuk e pi për Mace Mjau Dunin!” Dhe u ul. Shumica bënë sikur nuk dëgjuan gjë, me përjashtim të të nipit, Farudinit. Ky nuk u ndje fare aty, por fill paskëtaj shkoi në Degën e Brendshme. Të nesërmen me natë, kur Bestarit nuk i kishin dalë ende as gjumi e as pija, trokiti dera vrrullshëm. Me të hyrë, policët ia hodhën prangat, bash në shtrat. E dënuan me pesëmbëdhjetë vjet burg për agjitacion e propagandë. Ndërkaq, Farudini gjysëm-analfabet, nga puntor i thjeshtë, u “gradua” kryetar lagjeje.
Bestarin e përplasën në një nga qelitë e errta të Burrelit. Kur Kapllani vendosi t’i bënte vizitë në burg, Bestari kishte kaluar aty dy vjet e gjysmë. Nëndrejtori i burgut, të cilit Kapllani i kërkoi ta lejonte të takohej me Bestarin, nga pamja e jashtme të sillte ndërmend agjentët e Gestapos. Bëri çmos që Kapllani të hiqte dorë nga dëshira e saposhfaqur. “E kam për të mirën tënde. Je duke i rënë me shkelm avenirit”, ia përsëriti disa herë rresht. Por, kur u bind se e kishte kot, ia plotësoi kërkesën. “Ke vetëm dhjetë minuta kohë, asnjë sekondë më shumë!” shfreu dhe u largua me nxitim.
Nën mbikëqyrjen e një polici të armatosur, pasi e përqafoi Bestarin dhe i tha se cili ishte, Kapllani shtoi: “Nuk mund të harrojmë meritat tuaja dhe rrëfimet aq tërheqëse për betejat. Me një thjeshtësi si thjeshtësia vetë. Tani keni gabuar dhe partia ju ka dënuar. Por duhet durim e besim. Rëndësi ka që ta kuptoni se... keni shkelur në dërrasë të kalbur”. Bestari vazhdonte të rrinte kokëulur. Tek po ndaheshin, mbetën për disa çaste të mbërthyer në krahët e shoshoqit.
- Bekuar qofsh, o bir! - mundi të shqiptonte me zë të dridhur Bestari, pa i mbajtur dot lotët.
Vështrimet plot mllef, që nuk iu ndanë deri në daljen nga post-blloku, e bindën Kapllanin se, njëlloj si Bestari, edhe ai “kishte shkelur në dërrasë të kalbur”. Fatmiri nuk ia kurseu qortimet deri sa mbërritën në qytetin juglindor, buzë liqenit.
Maria, e shoqja, e nuhati menjëherë që Kapllani nuk ishte në formë. Në fytyrën e tij ajo lexoi pa kurrfarë vështirësie një pezm të thellë, që i shoqi u orvat ta lidhte me lodhjen nga udha e gjatë. Pas këmbënguljes së Maries, Kapllani ia hapi zemrën me të dyja kanatat. Pasoi një “Habitem me ty. Ç’të duhet t’i hapësh vetes telashe të tilla?” Atë natë e gdhinë. Të nesërmen, të pasnesërmen, të..., Maria u përpoq ta qetësonte sadopak, por e pa se fjalët e saj nuk kishin asnjë ndikim. Tani Kapllanit nuk i ndahej frika se mund t’i hidhnin prangat. Këtë pandehmë ia përforconte ftohtësia me të cilën e qarkonin sekretari i parë i partisë dhe kryetari i degës së brendshme të rrethit. Për më tepër, nuk e ftuan të merrte pjesë në një festë lokale.
Në krye të javës e thirrën në një mbledhje në kryeministri, ku do të jepeshin udhëzime të hollësishme për aksionin e ndërtimit të banesave me “kontribut vullnetar”. Kjo ia lehtësoi njëfarësoj gjendjen shpirtërore e u dha mundësi atij dhe Maries të merrnin, më në fund, një sy gjumë.
Në pushimin e parë midis seancave, tek po pinte një kafe në bufenë e kryeministrisë, Kapllanit iu avit një grua e moshuar, e cila, me ton miqësor, e njoftoi se, me të mbaruar mbledhjen, - nuk kish rëndësi kur! - të paraqitej në zyrën e drejtorit të Drejtorisë së Kuadrit të KQ të PPSH. Kafeja e papërfunduar iu duk helm.
Për çudi, drejtori i Kuadrit, i cili njihej gjithaq i egër sa egërsia që mbartte mbiemri që mbante, e priti gati-gati buzagaz, e pyeti për shëndetin e tij e të familjes dhe i zgjati një cigare. Fill paskëtaj shtoi: “Po si e bëre atë gabim, mor djalosh? Partia mezi të ka. Kulmi është se atë armik nuk e ke as farë e as fis...”
- Pikërisht, kjo është arsyeja, shoku drejtor, që i shkova. Gjithashtu, nuk pata frikë se mund të më ndikonte me mendime të papranueshme. Unë i fola me gjuhën e partisë që ta kuptonte gabimin...
- E dimë, e dimë, por herë tjetër hap sytë, se janë veprime me rrezik të madh e me pasoja të rënda!
Kapllani doli i lehtësuar, sidomos kur drejtori i mësipërm e ngjatjetoi duke ia rrahur shpatullat miqësisht.
Ky gjest për Kapllanin mbeti i pashpjegueshëm, kur fare shpejt e nuhati se karriera e tij po ndalej përfundimisht aty. Nuk e zgjodhën më deputet dhe as i kërkuan të qëndronte më tej në postin drejtues. Pas disa muajsh ndodhi diçka e papritur, befasuese: Bestarin e liruan nga burgu pa mbushur ende tre vjet, kur duhej të qëndronte edhe dymbëdhjetë vjet të tjerë!
Qysh të nesërmen, Bestari i lirë hyri në lokalin më të frekuentuar të qytetit dhe, në prani të pak miqve të vërtetë, që nuk ia kishin kthyer krahët, ngriti një dolli për Kapllanin. “Të rrojë e të përparojë familjarisht!” Këtë urim e ktheu në një ritual të përditshëm derisa ndrroi jetë. Kur ndokush kërkonte të mësonte “pse”-në, Bestari ia kthente: “Arsyen e dimë vetëm unë, Kapllani dhe Perëndia”.
Një muaj para se të vdiste, Bestari martoi një mbesë. Kur vuri re se në listën e të ftuarve mungonte emri i Farudinit, nipit që e pat degdisur për ca kohë në skëterrë, Bestari tha: “Le të vijë edhe ai. E kush nuk gabon në jetë? Përjashtim nuk bën as gjaku im”.