Motive gjeologjike

1966

Kopi Kyçyku


Dëshira e tim gjyshi

- Bir, më thosh,
këta male,
që zbathur i kam matur
mijra herë;
këta gurë,
që pagojë më vështrojnë;
duan dorë të ngrohtë
t’i lëmojë,
 dorën e zotërve të tyre.
 Për shekuj
 gëlltitën përçmimin,
 shtazërinë e “qytetërimit”.
 Gjeolog bëhu, bir,
 kuvendo me malet
 dhe do të ta hapin zemrën bujare.
 1961


Drejtori
Për Llambi G.

Ai,
edhe pa llampë çapitet
udhëve të nëndheshme.
Syve të tij,
si bateri u jep dritë
gëzimi i sukseseve.
Zemra i rreh fort,
në kraharor mbledhur ka
vrrullin e minatorëve.

Nga galeria s’del
edhe njëzet e katër orë
dhe askënd s’çudit:
ajo është shtëpia e tij.
 1972


Në Çervenakë

Këtu
currilon një shatërvan gjaku të mpiksur,
nga damarët e injektuar të dheut.
Gjithçka është e kuqe:
edhe hekuri,
edhe fytyrat,
edhe mendimet,
edhe zemrat.
1973

Si mjekë të zellshëm

Me mina shkëmbin shkërmoqëm,
e hodhëm në erë
dhe ndjemë forcën në damarë.
Zbuluam mineralin,
e ngarkuam në makina
dhe krenaria
na rodhi si ujvarë.

Mbi vida
e gdhimë dy net me radhë.
Gjumin
të gjithë e harruam,
eskavatorin tonë të sëmurë,
si mjekë të durueshëm e kuruam.
1972


Këmbëngulje

Një vit, dy, tre,
i qarkoi ato njëzet kilometra katrore.
Diku shpoi,
diku bëri mina,
më tej galeri e puse,
kërkoi, kërkoi, kërkoi...
si dhëndrri nuse.
Por... kurrgjë!
Ai sërish kërkoi.
- Patjetër, - tha -
shkëmbinjtë shurdhmemecë
do të më dëgjojnë,
do të më përgjigjen.
Dhe ahere
biseda tjetër udhë do të marrë.
1965


Vendburimi i parë

Kërkonim papërtuar, vajza ime,
Në malet e thepuar vendburime.
E n’sytë e ndezur, në faqet zjarr,
Zbuluam ne, për her’ të par’
Më të adhuruarin tonin thesar!
1966


Dhuratë

Ditëlindjen sonte kremton Pranvera,
Diçka i shtrenjti do t’i dhurojë,
Po çfarë se? Për buzë e faqe,
Apo për gushën si një kaprojë?

Ja, çelet dera... u shfaq Agimi,
Në dorë mban gjerdan kalciti,
Që me kristale vetë e gatiti
Në rilevim, buzë një burimi.
1967


Mesnatë në minierë

Një çadër kaltëroshe gjeologësh,
Nga mijëra llambushka e ndriçuar në çdo anë,
E qiellit kupë po më ngjan.
Barishtet, bisqet - të iriqtët flokë
të pleqve të pathinjur male,
Kjo era lozonjare
t’i shtrojë djersë derdh.
Mesnata e përkundi lavjersin e dremitur,
Por gjumi, për çudi, bujar po më tregohet –
Qepallat s’po m’i qep që taksën të më marrë.
Tejposhtë, në nëntokë, ushton një kompresor,
Me gojën zhurmëmadhe përçmon lajkat e gjumit;
Me lapsin e kompasin projektin po gatis.
Kur çadrës do t’i shuhet
Më e fundmja llambushkë,
Një galeri e re do niset të çajë thellë.
1966


S’vjen dot...

Ti dole e zhgënjyer,
Nuk mbeta pedagog në universitet,
Nëntokës jeta ime i përket,
Nëntokës zemërgjerë,
Të pasur e të thellë.
Pikëpjekjen ma ka lënë në Gjegjan, në Veri,
Me takat delikate atje nuk vjen dot ti.
Aspak i sjellshëm s’doli “dashnori” yt i vyer:
Diploma me të kuqen fjalëzë “shkëlqyer”.
Për ëndrrat nën mimoza, vallzimin nën neon,
Të dhënka një barakë dhe malin monoton.
1965