(Dhjetë vjet nga botimi i një vepre madhore)
Në vitin 2000, gjuhëtari i mirënjohur italian Mario Alinei nxori në dritë “Origini delle lingue d’Europa”, punim i gjerë, në dy vëllime, me afro 1900 faqe. Kjo vepër tërhoqi menjëherë vëmendjen e studiuesve, jo vetëm të gjuhëtarëve, por edhe të historianëve, arkeologëve, numizmatëve etj, të vendeve të ndryshëm. Në Rumani ajo u bë objekt debatesh e analizash, që gjetën pasqyrim edhe në shtypin e specializuar. Ndër më aktivët e më “të nguturit” (si kohë) në zbërthimin me sy kritik të veprës së lartpërmendur, ishte gjuhëtari Mihai Vinereanu, opinionet e të cilit do t’i përmendim në vijim.
Njëra nga idetë qendrore të kësaj vepre është Teoria e Vazhdimësisë (TV), teori që nuk pranon idenë e katastrofave historike, pra të shfaqjes e, përkatësisht, të daljes nga historia të grupeve të tëra etnike e, si rrjedhojë, të disa gjuhëve apo grupgjuhësh, pa përjashtuar procese të thella shndrrimesh në periudha të gjata kohore, pa mohuar plotësisht hibridizimet (kryqëzimet) dhe as zhdukjen e disa gjuhëve, në rrethana të caktuara. Sipas kësaj teorie, është tepër e vështirë, madje pothuajse e pamundur të pranohet asgjësimi i masave të mëdha të folësve, të disa gjuhëve apo grupgjuhësh. Gjithnjë sipas kësaj teorie, autori është i mendimit se grupet e mëdha të sotme linguistike të Evropës janë ngjizur qysh në Neolit, madje edhe më herët, duke vazhduar të mbijetojnë deri në ditët tona.
Ndër të tjera, autori u hedh një sy teorive të ndryshme që merren me zanafillën e së folmes. Për të mos u zgjatur, do të ndalemi vetëm në saktësimin e disa aspekteve të përgjithshme. Teoritë që shtjellojnë origjinën e gjuhës (së folur), ndahen në dy “skenarë” të mundshëm: monogjenetik dhe plurigjenetik. Sipas këtij të fundit, e folmja është shfaqur në më shumë grupe njerëzish në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri. Alinei thotë se, për Teorinë e Vazhdimësisë (TV) modeli duhet të ketë qenë shumëgjenetik. Sipas gjuhëtarit rumun Mihai Vinereanu (Makrohidronimia e Evropës Qendrore, Bukuresht, 2002), autori italian Alinei gabon mbasi gjatë periudhash kohore tejet të gjata gjuhët janë diversifikuar në familje të ndryshme gjuhësore, duke pasur të njëjtën “nënë”. Për më tepër, nuk ka shumë kohë që pandehma mbi makrofamiljen linguistike, e quajtur nostratike apo euroafroaziatike, ka fituar terren falë veprave të studiuesve A. Dolgopolski dhe A.R. Bomhard. Ca më shumë: sot po flitet shpesh e më shpesh për një gjuhë zanafillore, për një gjuhë-mëma e të gjitha gjuhëve të rruzullit tokësor (Shih punimin e antropologut amerikan M. Ruhlen“On the Origin of Languages. Studies in Linguistic Taxonomy”, botuar më1994). M. Ruhlen rijep trajtat e 25 rrënjëve (radikaleve) universale, nga të cilat të paktën 9 hasen edhe në gjuhën rumune moderne, çka përforcon Teorinë e Vazhdimësisë (TV) dhe, njëherazi, dëshmon për karakterin konservator të rumanishtes.
Paleoantropologu i shquar Ph.V. Tobias (1996) shfaq mendimin se Homo habilis zotëronte Broca dhe Wernicke (dy zona të trurit, ku është përpunuar e folmja njerëzore). Thënë ndryshe, Homo habilis i kishte bazat neurologjike për një kulturë lëndore komplekse dhe për të folmen. Nga ana e vet, G. Clarck (“World Prehistory. An Outline”, 1962) hamendëson se veglat e standardizuara dhe të mbarëpranuara nuk mund të përhapeshin tek të tjerët pa përdorimin e së folmes, pra të gjuhës.
Dihet tashmë se teoritë antropologjike, që mbështeten në hulumtime gjenetike, origjinën e njeriut e vendosin në Afrikë (Homo erectus dhe pasardhësi i tij - Homo sapiens). Shumica e antropologëve beson se Homo loquens është shfaqur njëheresh me Homo erectus ose Homo sapiens, ndërsa, sipas shumicës dërrmuese të studiuesve të kësaj fushe, e folmja është shfaqur të paktën para 200.000 vjetësh.
Përsa i përket origjinës së indoevropianëve në Evropë, Alinei përkrah tezën e Renfrew-it dhe të arkeologëve të tjerë bashkëkohorë, sipas së cilës indoevropianët janë gjendur në këtë kontinent qysh në kohët më të hershme, pra të paktën qysh në Neolit.
Kësisoj Renfrew dhe arkeologë të tjerë e hedhin poshtë katërcipërisht teorinë e Marija Gimbutas, sipas së cilës indoevropianët paskan qenë mbartës të kulturës së kurganëve, e cila është shtruar mbi kulturën neolitike të llojit joindoevropian. Renfrew mendon se mbartësit e kulturës së kurganëve kanë qenë barinj indoevropianë që flisnin të njëjtën gjuhë me banorët e hershëm neolitikë të Evropës (shih Alinei, 1, 119). Në këtë përfundim çon edhe hidronimia e Evropës Qendrore, që e zumë në gojë më sipër.
Në vazhdim do të ndalemi me përparësi në mendimet e Alineit, që lidhen me origjinën e gjuhës rumune, meqënëse me këtë të fundit, sikurse dihet, shqipja ka një sërë lidhjesh organike, pikëtakimesh e afërish, në rrafsh historik e gjuhësor.
Sipas rumunit Mihai Vinereanu, sidoqë Teoria e Vazhdimësisë në parim është e vlefshme, Alinei bën gabime të mëdha jo aq përsa i përket prejardhjes së gjuhës rumune, por veçanërisht lidhur me popullsitë e lashta trake, të cilat kanë jetuar në Evropën Qendrore dhe Jugore. Në frymën e Teorisë së Vazhdimësisë, Alinei tregon, me të drejtë, se përsa u takon gjuhëve italike “Roma është një kapitull, jo fillimi i kësaj historie”. Këtu ai i referohet zanafillës së gjuhëve italike, të cilat i quan italide, pra ato të Gadishullit Italik, për t’i dalluar nga ato italoide, që hyjnë në të njëjtën kategori, por ndodhen jashtë Gadishullit, më saktë në pellgun verimesdhetar të Gadishullit Iberik, deri në brigjet e Adriatikut. (Në të vërtetë, emërtimin italoid e ka përdorur më parë stilisti i mirënjohur italian Giacomo Devoto). Si rrjedhojë, në pjesën jugore të Francës, në Iberi dhe në bregun dalmat, fliteshin gjuhë të ngjashme me latinishten qysh në Neolit (Alinei, 2, 582). Alinei nuk e zgjeron më tej këtë zonë, deri në Ballkan dhe përtej Danubit. Në fakt, ai mbron një mendim disi më të vjetër, - që vjen nga arkeologjia dhe që është paraqitur nga Renfrew, - sipas të cilit Neoliti u zgjerua drejt Evropës Veriperëndimore duke ardhur nga Azia e Vogël dhe Evropa Juglindore. Duke qenë i një mendjeje me Renfrew-in, Alinei mbron tezën se uniteti kulturor i Neolitit përfaqësohet nga Ceramica Impressa / Cardiale (Alinei, 2, 584) dhe orvatet ta veçojë rajonin e Ballkanit nga pjesa tjetër italoide. Pavarësisht se Renfrew, - pararendësi i Alineit, - shpjegon qartë se Neoliti, nga pikëpamja e kulturës lëndore, por edhe shpirtërore, është shtrirë në Ballkan. Kjo parakupton që edhe gjuha duhet të ketë qenë e njëjtë. Alinei nuk e pranon termin romanik, i cili ngërthen idenë e romakëzimit të kohës së Perandorisë, kur latinishtja thjesht është rifutur, por jo për herë të parë, apo, thënë ndryshe, është futur një variant i ri i latinishtes në ato provinca (Alinei, 2, 583), variant, të cilin e dallon në mënyrë të prerë nga latinishtja pararomake. Në këto zona fliteshin gjuhë që ngjasonin më shumë ose më pak me latinishten, si: faliska, venecjanja, oskja, umbrikja, si dhe shumë gjuhë të tjera, që nuk kanë lënë asgjë të shkruar, sidomos ato jashtë Gadishullit Italik.
Alinei, me plot të drejtë, shprehet se studimi i romanistikës duhet lidhur me atë të arkeologjisë në një këndvështrin ndërdisiplinor dhe, - me disa kufizime, - në mënyrë të ngjashme me studimin e gjuhëve indoevropiane. Kështu autori thotë se duhet pranuar një latinishte pararomake, paraprirëse e kohës së themelimit të Romës, me faza paralele të italikes, de venecjanes e të gjuhëve të tjera indoevropiane të Italisë. Një teori të ngjashme pat formuluar një shekull para Alineit, rumuni Nikolae Densushianu, por asikohe ia cilësuan “roman fantastik” dhe, deri më sot, vazhdon të anashkalohet. (Shih: Mihai Vinereanu, “Origjina trako-dake e gjuhës rumune”, Kishinjev, Pontos, 2002).
Sa për rumanishten, Alinei mendon se kjo rrjedh nga të folmet pararomake të bregut të Dalmacisë, të cilat më pas janë përhapur shumë drejt Lindjes, në trevat e banuara nga trakët, të cilët Alinei i quan sllavë. Për të përligjur përhapjen e rumanishtes drejt Lindjes, Alinei citon arkeologun rumun Dumitru Berçiu (1966), i cili ka treguar se kultura neolitike Hamanxhia ka pesë shtresa. Më e hershmja e tyre mishërohet prej Ceramica Cardiale e një lloji të ngjashëm me atë të brigjeve të Egjeut e të Adriatikut.
Alinei pohon se rumunët e kanë prejardhjen nga emigrantët dalmatë që patën mbërritur aty në periudhën e Neolitit të Mesëm, në një sfond etnolinguistik mbizotërues sllav. Alinei citon W.D. Elcock-un (The romance languages), i cili mendon se “romakëzimi në Daki nuk ka qenë i mundur” duke e krahasuar gjendjen e Dakisë me atë të Britanias, ku romakët qëndruan 400 vjet, pa hedhur dot rrënjë gjuha e tyre, ndërsa në Daki vetëm 165 vjet. Megjithatë Alinei pranon se përhapja e gjerë e rumunëve, që gjenden sot jo vetëm në Daki dhe në Istria (istrorumunët), por edhe në Gadishullin Ballkanik (arumunët e meglenorumunët), kërkon një hulumtim të posaçëm. Alinei i kundërvihet edhe teorisë së Roesler-it, të rikthimit të rumunëve në Veri të Danubit, dhe është për prejardhjen veridanubiane të dakorumunëve, duke e cituar në këtë aspekt linguistin tjetër italian Tagliavini. Më tej, Alinei thotë se, lidhur me rumanishten nevojiten “kërkime të thelluara jo vetëm në rrafsh arkeologjik, por sidomos në atë gjuhësor, duke i kushtuar vëmendje të veçantë elementit leksikor latin të rumanishtes, në raport me atë që është i përbashkët për pjesën tjetër të arealit neolatin, çka mund të çonte në fuqizimin ose dobësimin e kësaj teze (2, 595)”.
Duhet theksuar këtu se edhe J.P. Malory (Në Search of the Indo-Europeans, Language, Archaelogy and Myth, 1989) shpreh habinë përse gjuha e një populli kaq të madh numerikisht (trakët), nuk nuk ka lënë asnjë “pasardhës” dhe e quan këtë dukuri “një ironi të trishtë” të fatit. Dhe, me të vërtetë, është e pamundur të pranohet se si trakët, që, sipas Herodotit, ishin populli i dytë në botë, fill pas indianëve, të jetë zhdukur pa lënë gjurmë. I ndikuar edhe nga shkenca ruse dhe ajo sllave në përgjithësi, veçanërisht nga studiuesi O.N. Trubaçov, Alinei i quan trakët stërgjyshë të sllavëve. Teoria e njëjtësisë së trakëve dhe sllavëve, e formuluar qysh në fillimshekullin XIX, vazhdon të mbijetojë edhe në mijëvjetshin e tretë. Vlen të theksohet se në fjalorin e sotëm themelor të gjuhës rumune, prania e termave me prejardhje sllave e konkurron, madje, sipas disa studiuesve, e tejkalon fondin e fjalëve me prejardhje latine. Por, meqënëse këto të fundit kanë vitalitet më të spikatur, mund të pohohet se rumanishtja anon nga trungu i gjuhëve latine.
Gjithnjë sipas Mario Alinei-t, trakët nuk kishin kurrgjë të përbashkët me ilirët. Ai thekson se pasardhësit e ilirëve janë shqiptarët e sotëm, ndërsa pasardhësit e trakëve janë sllavët e sotëm. Në këtë kontekst, Alinei shpreh bindjen se trakët, për të cilët flet Herodoti qysh në shekullin V para Krishtit, kanë qenë sllavë a, më saktë, paraardhës të drejtpërdrejtë të sllavëve tëditëve tona.
Për të kundërshtuar teorinë e Alineit, shkencëtarët rumunë sjellin argumentet e tyre, ndër të cilat faktin që ndërmjet rumanishtes she shqipes ekzistojnë ngjashmëri të shumta, jo vetëm në rrafsh leksikor, por edhe në atë morfosintaksor, çka mund të shpjegohet vetëm e vetëm me një fond të përbashkët trako-ilir. Madje edhe Alinei flet për një “bashkim gjuhësor ballkanik”, në të cilin futen pesë gjuhë të rajonit tonë: shqipja, rumanishtja, bullgarishtja, maqedonishtja dhe greqishtja e re. Të gjitha këto gjuhë kanë të përbashkëta shumë fjalë, si dhe një numur të madh veçorish morfosintaksore, të njohura qysh herët nga linguistët. Konfuzioni midis gjuhëve sllave dhe trake fitoi terren sidomos falë faktit që trako-dakishtja gjithmonë është quajtur gjuhë satem. Në këtë grup gjuhësh indoevropiane përfshihen gjuhët sllave, balltike, indoariane etj. Mihai Vinereanu e ka shtjelluar këtë çështje në punimin e tij “Origjina trako-dake e gjuhës rumune” (Kishinjev, Pontos, 2002), duke parashtruar argumente linguistike në favor të cilësimit të trako-dakishtes si gjuhë përparësisht centum, vetëm me ndonjë prirje të caktuar satem.
Përndryshe, ndarja e gjuhëve indoevropiane në gjuhë centum dhe satem është bërë në kohën kur hidheshin hapat e para të kërkimeve në lëmin e indoevropianistikës, kur ende dihej fare pak rreth evolucionit të këtyre gjuhëve. Në grupin centum bëjnë pjesë gjuhët italike, greqishtja, toharikja, gjuhët kelte dhe gjermanike etj. Duke u çapitur në të njëjtën hullì, Alinei shfaq mendimin se të gjitha kulturat neolitike në territorin e Rumanisë së sotme dhe në krejt Evropën Qendrore, kanë qenë kultura kryekëput sllave. Në mbështetje të këtyre pohimeve me rrjedhoja historike, por edhe politike, Alinei sjell disa argumente linguistike të diskutueshme. Kështu, bie fjala, Mihai Vinereanu paraqet si të “jashtëzakonisht të fuqishëm” argumentin e ahut, i cili dëshmon që sllavët janë ngjizur, si grup indoevropian i veçantë, përtej vijës Königsberg-Odesë, ku ky dru nuk rritet.