Kur vjen fjala për klasikët e letërsisë, sidomos në këto kohëra me një zhvillim të paparë të teknologjisë, vetiu na shfaqet më qartë kahja e lexuesit të gjerë, i cili ka gjithnjë e më pak kohë për poezinë. Situata më sjell ndërmend fjalën ”ngarendje”. Po të përdorim etimologjinë popullore, - jo rrallë po aq e aftë sa edhe ajo shkencore, - ”ngarendja” nuk është veçse një motërzim i Quo vadis-it. Për fat të keq, lexuesit të sotëm i është krijuar bindja se klasikët janë vjetëruar, nuk i drejtohen më dot shpirtit të tij, nuk ia plotësojnë shijet estetike. Ngarendja pas mbijetesës, mirëqënies dhe gjetjes së një identiteti të qartë, e përgjumin vetëdijën dhe shpesh, kur beson se, duke ecur në një hap me kohën, po lartohet shpirtërisht, njeriu i sotëm thjesht harxhon kohën që mund ta kish pasuruar me letërsi të zgjedhur dhe vërtet formuese. Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth rëndësisë së përkthimeve, nobelisti Boris Pasternak (poet, prozator e përkthyes i shquar, 1890-1960), shprehej: Në fakt, i vetmi lloj përkthimi interesant është ai i klasikëve. Është një punë sfiduese. Sa i përket shkrimit modern, përkthimi i tij rrallë është i dobishëm, megjithëse mund të jetë i lehtë.[1]
Një shqyrtim i paanshëm i gjendjes së sotme të përkthimeve, - tematikë, stile, autorë, - na bind se nuk janë klasikët të vjetëruar apo të prapambetur, por shoqëria e sotme nuk gjen e ndoshta nuk do të gjejë kohën e domosdoshme për t’u pasuruar shpirtërisht.
Ndër emrat me vepër të ndritshme poetike, bën pjesë edhe Pierre de Ronsard, sonetist i shquar francez, që u lind më 11 shtator 1524 në Couture-sur-Loir, Centre-Val de Loire dhe ndërroi jetë më 27 dhjetor 1585 në La Riche, Centre-Val de Loire. Ishte poeti i Oborrit, (aspak i ngjashëm me shkrimtarët e mëvonshëm të ”oborreve”) i vlerësuar lart nga mbreti për idetë dhe përkrahjen e politikës së nënës mbretëreshë kundër hygenotëve, të shprehura në veprën e tij “Discours de la Misère de ce Temps (1562-1563)”. Falë dhuntive të tij të shumanshme, në vizionin poetik, por edhe politik, poeti gëzonte të drejtën të ulej në të djathtë të sovranit.





