U lind më 14 shkurt 1935 në katundin Pererata të ish-qarkut Hotin, në territorin e sotëm të Republikës së Moldavisë, në famile bujqve rumunë Pavel dhe Eudokia Vieru, me mbiemrin vajzëror Didik. Kreu shkollën shtatëvjeçare në fshatin e lindjes në vitin 1950 dhe vazhdoi shkollën e mesme në qytetthin Lipkan, të cilën e përfundoi më 1953.
Filloi të botojë më 1957, kur ishte student. Më 1958, Vieru mbaroi Institutin Pedagogjik “Ion Kreanga” të Kishinjevit, Fakultetin e Filologjisë dhe Historisë. Në të njëjtin vit iu botua vëllimi i dytë poetik për fëmijë dhe nisi punën si redaktor në revistën për fëmijë “Shkëndija leniniste”. Ka qenë redaktor edhe i revistës “Dnjestri”, organ i Bashkimit të Shkrimtarëve të Republikës së Moldavisë, i Shtëpisë Botuese “Libri Rumun”, i Shtëpisë Botuese “Libri Moldovas”, ku iu botuan dy vëllime të tjera me vjersha dhe një poemë kushtuar Mihai Emineskut. Më 1965 i jepet Çmimi Republikan i Komsomolit për vëllimin “Vargje për lexuesit e të gjitha moshave” etj.
Më 1968 boton vëllimin me poezi lirike “Emri yt”, që u vlerësua nga kritika si vepra më origjinale. Në vitet 1969, 1970, 1973, 1974, 1977, 1981, 1982, 1989, Grigore Vieru boton në Kishinjev e në Bukuresht njëri pas tjetrit vëllime të tjera poetike, që gëzojnë popullaritet të madh.
Më 1990 u zgjodh Anëtar Nderi i Akademisë Rumune, më 1991 anëtar i Komisionit Shtetëror për Çështjet e Gjuhës, ndëra më 1992 Akademia Rumune e propozoi kandidat për Çmimin Nobel për Paqe.
Në vitin 1993 Grigore Vieru u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë Rumune.
Më 16 janar 2009, poeti pësoi një aksident të rëndë automobilistik në afërsi të Kishinjevit, çka i solli vdekjen.
Nëna
(Mama)
Ngadalë, çapitu, ngadalë,
Mos shkelësh, pa dashur, nënoke
Mbi farat që krahin si valë
Mes qiellit e kësaj toke!
E ndrojtur më je në vështrim,
E lumtur në shpirt, gjithsesi -
Veç bari ta njeh çdo mendim,
Formular
- Emri dhe mbiemri?
- Unë.
- Vitlindja?
- Viti më i ri:
Kur dashuroheshin
prindët e mi.
- Prejardhja?
- Lëroj e mbjell
Atë shpatin atje pranë pyjeve.
Njoh të gjitha dojnat.
- Profesioni?
- Dashuroj fushën.
- Prindët?
- Kam vetëm nënë.
- Emri i në nënës?
- Nënë.
- Ç'punë bën ajo?
- Pret.
- Ke pasur
ndonjë proces gjyqësor ndonjëherë?
- Kam ndenjur disa vjet i mbyllur
në vetvete.
- Të afërm jashtë shtetit, ke?
- Po. Tim atë. Të varrosur
në dhe të huaj. Në vitin 1945.
Betim
(Jurământ)
Mihail Emineskut
E di, dikur në mes të natës,
A, mbase dielli kur të lindë,
Do fiken sytë e mi të lodhur
Mbi të Tijn’ libër, që di të bindë.
Ndofta ahere do kem arritur
Në mes të librit, që është i rrallë,
Por mos e mbyllni ashtu, papritur,
Sikur të qënkej ndonjë qepallë.
E lini hapur, si një dritare -
Që djali, a vajza të bëjnë punë,
Të mos e heqin nga dora fare,
Të shkojn’ më tej nga ç’bëra unë.
Në mos dëgjofshin edhe ata,
Fjalë stërgjyshësh me oshëtimë,
Ma vini librin si një nënkrejse
Me tërë pyjet e tij - buçimë.
E këputa këtë trëndafil
(Am rupt acest
trandafir)
Them fjalë
Që të marr ajër.
Që të mos di më.
Këput bukë,
Që ta gëzoj nënën.
Dëgjoj mëllenjën,
Që të mos gënjej.
Vështroj blirin,
Që të mos harroj.
E këputa këtë trëndafil. Përse?
Fytyra jote, nënë
(Chipul tău, mamă)
Fytyra jote, nënë,
Si një mijë
Bilbilë të plagosur,
Sytë e tu,
Në të cilët kanë ndodhur
Të gjitha
Çdo gjë që mund të ndodhë
Në botë!
Loti yt:
Diamant që thyen mëdysh
Pasqyrën e ditës.
I pandarë nga qielli
Si uji nga toka,
Jeton në një shtëpi
Me dy dritare:
Njëra që vështron nga jeta,
Tjetra me fytyrë drejt vdekjes,
Njëlloj të kthjellta të dyja.
O, nënë,
Drejt meje shtriji duart:
Drejt atij
Që me mall të pret
Dhe duke u afruar drejt teje,
Afromë drejt qetësisë sate.
Tani dhe gjithmonë.
Ars poetica
Çapitem në mëngjez, në ballë
Kallëzat e bardha në krahë
Të flokëve të nënës.
Ec pas meje, e dashur,
Me kallirin e zjarrtë në gjoks
Të lotit tënd.
Vjen vdekje nga prapa
Me kallëzat e kuqe në krahë
Të gjakut tim –
Ajo që asgjë asnjëherë
Nuk kthen mbrapsht.
Dhe të gjithë jemi të ndriçuar
Nga një gëzim i pakuptuar.
Biblioteka e vesës
(Biblioteca de rouă)
Vëlla,
Kam parë vise të begata
në të cilat do të kisha mbetur
njëlloj i vobegtë.
Vëlla,
bota është plot me ura
të cilat duhet t’i kalosh
duke u vllazëruar me djallin.
Vëlla,
unë mund të vdes kurdoherë,
por jo dhe kudo.
Nuk mund të vdes
përveçse me fytyrën të puthitur
“në kët’ gjenì të barit
që është vesa”.
Këngë dashurie
(Cântec de dragoste)
Peshkove
diellin tim në agim
dhe ia nxore
ikrat e kuqe.
Peshkove
kodrën time
dhe ia nxore
ikrat e zeza.
Në prushin
e këngës së saj
piqet buka e bilbilit:
e purpurt e trëndafiltë.
Ndërsa ti
me mjegullim dëgjon
zërin e saj të vesuar
dhe këngën time.
Lum ai që
kënaqet
me një bukë
të njomur në vajin e qetësisë!
În albaneză / Në shqip: KOPI KYÇYKU