RUDYARD KIPLING: Në mundsh (Nga Libri i Xhunglës)


Në mundsh mos humbësh kokën, kur plot, teje përqark
Të tyren e kan’ bjerrur, fajtor të bëjn’ me bast,
Në mundsh, kur bash të gjithë për ves të ngrehin çark,
Besimin mos e humbësh në vete asnjë çast;
Në mundsh të presësh prore, durimin pa e humbur,
Në bëfsh derman ndaj rrenës, pa rrejtur kurrnjëherë,
Kur shpifin të pacipët, përgjigjju pa u tundur,
Pa mllef, por dhe pa lutje, përulje të pavlerë. 

Në mundsh të ëndërrosh, pa rënë i ëndrrës pré,
Në mundsh dhe të mendosh, por jo qëllim më vete,
Në mundsh të mos kesh pezm, në dor’ të tij po s’re,
Njëlloj ngadhnjim, dështim, t’i shohësh pa siklete;
Në mundsh të durosh fjalën që pate thënë njëherë,
Ta shohësh të shformuar, nga njerzit të gjymtuar,
Në mundsh, kur idealin ta flakin tej në erë,
Ta ngresh sërish më këmbë, me afshin e pashuar;


Në mundsh të rrezikosh për librin tënd paratë,
Gjithçka në jetë mblodhe, ta bësh pluhur në çast,
Pa nxjerrë fjalë-dhembje nga shpirti yt i ngratë,
Dhe llërët t’i përveshësh si të ish i pari rast;
E trupin tënd të lodhur, të rënë e të drobitur,
Ta bësh të të shërbejë sërish, si në të ri,
Me këmbënguljen tënde, Vullnetin e kalitur,
Ta bësh që të qëndrojë si shkëmbi në stuhi;

Në mundsh t’i flasësh turmës, ama jo me mashtrim,
Me mbretër të mos bredhësh, si gjel i fryrë, fyes,
Që miqtë, as armiqtë, të mos të bëjn’ dëmtim,
Sepse veç TË VËRTETËN do kesh udhërrëfyes;
E, në se mund ta mbushësh minutën për çdo ditë,  11
Mos humbësh nga i jetës vëllim as dhe një fletë,
E ytja bëhet toka, me gjithë pasuritë,
E çka ia vlen më shumë: do jesh NJERI, vërtetë.

Shqipëroi KOPI KYÇYKU ©
Revista Haemus Nr. 1-2 (26-27) / 2006