Vetëm pjesërisht (Tregim)

Nuk kish ditë më të lumtur për Mazllumin, (që njihej nga të gjithë me nofkën “Kuton”, ngaqë, pas dy fjalësh, të tretën shqiptonte foljen “kupton”, së cilës ia hante sistematikisht “p”-në), se sa kur vinte ndonjë direktivë nga Lart. Le pastaj kur kjo kish lidhje me rreptësimin e masave për fuqizimin e diktaturës së proletariatit. Këtë e kishte pikën më të dobët, sepse edhe vetë kishte dalë drejtpërdrejt prej gjirit të klasës puntore: nga brigadier ndërtimi, kishte hipur majë karrikes së sekretarit të partisë të rrethit për propagandën.
E, pra, një ditë e tillë ishte edhe ajo e premte qershori, paçka që me shi të rrëmbyeshëm e të pandalshëm. “Qielli le të vrenjtet sa të dojë, mua më qesh e më gufon zemra! Të rrojë partia!” i tha Mazllumi sekretarit të parë, kur ky e vuri në dijeni për një udhëzim të sapombërritur të Qëndrës për thellimin e luftës së klasave, jo vetëm në gji të popullit, por edhe në vetë radhët e partisë. Dhe vërtet: komunistët duhej të ishin, edhe këtë herë, si gjithmonë, të parët në sakrifica, ta fillonin nga vetja.
Kutoni, gjithnjë i shoqërueshëm, si çdo masovik i mirëfilltë, që dinte të ulej këmbëkryq, pra fshatçe në fshat, të hiqte valle në mbrëmjet tematike të punëtorëve në qytet, të këndonte nëpër dasma e kështu me radhë, pra “sipas vendit e kuvendin”, pa humbur kohë, e lexoi me laps në dorë materialin e mësipërm dhe caktoi për të nesërmen një mbledhje me të gjithë sekretarët e organizatave bazë të partisë të ndërmarrjeve, institucioneve dhe kooperativave bujqësore. Deri atëhere, krejt kohën e harxhoi me përgatitjen e diskutimit me të cilin do të dilte para tyre. Për këtë qëllim mbajti në zyrë gati gjithë natën daktilografisten, së cilës nuk rreshti së diktuari fragmente të tërë, të cilëve u kthehej e u rikthehej, derisa i mbushej mendja se nuk kish si të tingëllonin më saktë e më me partishmëri.
Mbledhja me sekretarët zgjati më shumë nga sa e kishte pandehur, gjë që, jo vetëm nuk e lodhi, por, përkundrazi, e kënaqi sa më s’bëhej. Shumë prej tyre e lanë pa mend jo vetëm me besnikërinë e solidarizimin me idealet e partisë, por edhe me rrjedhshmërinë e sidomos me mendimet e pjekura e konkrete që dhanë për t’i zbatuar në jetë në mënyrë krijuese porositë e reja të Qëndrës. Këtë entusiazëm, që ia dhuruan sekretarët, Kutoni vendosi ta mbartte pa vonesë në bazë. Kështu, dy ditë më pas shkoi në minierën e hekur-nikelit, që ndodhej gjysëm ore larg qytetit. Minerali atje nxirrej, si nën tokë, duke hyrë me instrumente shpuese në shtresë, ashtu edhe në sipërfaqe, ku eskavatorët hiqnin “qeleshen” gëlqerore dhe ngarkoheshin me hekur-nikel.
Atë të diel, që minatorët, - pothuajse të gjithë banorë të fshatrave, - mezi e kishin pritur për ta kaluar në familje, me urdhër të Kutonit mbushën sallën e Këndit të Kuq të minierës. Në fytyrat e përskuqura nga minerali, ashtu si edhe rrobat e çizmet e llastikut, sytë kishin ndriçimin e diellit të përflakur të palcës së verës. Shënjë e qartë e rraskapitjes. Por kjo as që duhej përmendur. Madje duhej të ndjeheshin të gëzuar se partia, përmes gojës së shokut Mazllum, alias Kuton, do t’u jepte një sihariq të bukur: njëri, vërtet fatlum, do të kishte rastin të merrte një televizor me çmim të arsyeshëm! Natyrisht, gara do të ishte e vështirë, por ia vlente barra qiranë.
Mbledhja filloi nën duartrokitjet e gjata që pasuan përshëndetjen që shoku Mazllum u bëri minatorëve. I kish cilësuar “pararoja e klasës punëtore”, partia me të drejtë mburrej me ta. Më tej, sekretari i organizatës bazë dhe kryetari i bashkimeve profesionale të minierës, që kishin zënë vend në të dy krahët e shokut Mazllum, theksuan se, në atmosferën revolucionare që kish përfshirë mbarë vendin, minatorët kishin shënuar arritje të njëpasnjëshme dhe kishin bërë mbi tridhjetë shpikje e racionalizime. Kur shoku Mazllum tha i emocionuar: “Këto, shokë, kuton, janë madhështore, kuton! Të rrojë kolektivi, kuton, i minierës, kuton!”, duartrokitjet ishin aq të fuqishme sa, duke hyrë në rezonancë me xhamet e dritareve, gati sa s’i bënë copë e çikë.
Është e tepërt të thuhet se ai ishte çasti më i përshtatshëm për të kaluar në pikën tjetër të rendit të ditës dhe pikërisht në caktimin e minatorit që do të merrte televizorin. Heshtjen që ra papritur, e cënoi shoku Mazllum. “Siç e shihni, kuton, shokë minatorë, kuton, jam tepër i emocionuar, kuton. Ju lutem, kuton, që ta merrni, fjalën, kuton, mundësisht të gjithë, kuton, se fjala juaj, kuton, është me vlerë, kuton, të paçmuar, kuton, si minerali, kuton, që nxirrni, kuton, dhe të bëni, kuton, propozime me partishmëri, kuton, për të gjetur, kuton, më të mirin, kuton. Fjalën e keni ju, kuton!”
Ende pa u ulur Mazllumi, ngriti dorën një djalosh truplidhur dhe, me zë të trashë e të kumbueshëm, propozoi që televizori t’i jepej “shokut Ferik, i cili jo vetëm është i zellshëm, punon për llogari të pesëvjeçarit të ardhshëm, por edhe ka ndërmend të bëjë kërkesë për të hyrë në parti”.
“Të mirat i dëgjuam, kuton, por duam, kuton, edhe ndonjë vërejtje, kuton, ndonjë të metë, kuton, të shokut Ferit, kuton, të çdo lloji, kuton. Të gjitha duhet, kuton, t’i dijë partia, kuton, aq më shumë, kuton, që kemi të bëjmë, kuton, me dikë, kuton, që dëshiron të marrë, kuton, teserën e saj, kuton. Por edhe komunistët, kuton, mund t’i kritikoni, kuton, se është, kuton, për të mirën e punës, kuton”, ndërhyri sërish Mazllumi.
Si ta paskej pickuar pleshti, sa hap e mbyll sytë, kërceu përpjetë një riosh tjetër, këtë herë i dobët e me zë të hollë, gati femëror. “Nuk jam fare dakord me parafolësin! Feriku, me sa kam dëgjuar, një kushëri të tretë të së shoqes e ka pasur me Ballin”. Në këto e sipër, Kutoni i pëshpëriti në vesh sekretarit të organizatës bazë që të mbante shënim çdo gjë: “Të gjitha, kuton, i duhen partisë, kuton”. Fill paskëtaj, Mazllumi iu drejtua të mbledhurve: “Kështu veprojnë, kuton, njerëzit e devotshëm, kuton, me guxim, kuton. Hapjani të gjithë, kuton, zemrën partisë, kuton. Pa as më të voglën ndrojtje, kuton!”
Atmosfera u përndez. Një valë a, më saktë, një lumë fjalësh, me zë të ulët e të lartë, me butësi e me ashpërsi, e dyndën sallën cep më cep. “Qetësi, shokë, kuton! Të flasim me radhë, kuton!” bëri thirrje pò Mazllumi. Gishta e duar u ngritën si bisqet në një pyll të dendur. Pas çdo propozimi, vinin kundërshtimet e panumurta. Madje disa ngulnin këmbë dhe e kërkonin fjalën për të dytën a për të tretën herë, që t’u merrej medoemos parasysh mendimi që shfaqnin. Pothuajse të gjithë shpreheshin me aq shpejtësi, sa që sekretari i porositur i organizatës bazë të partisë nuk po arrinte t’i shënonte të gjitha pikëpërpikë. Kjo i ra në sy edhe shokut Kuton, i cili kërkoi nga oratorët, tanimë gjithnjë e më të apasionuar, të flisnin më ngadalë, që të kuptohej sa më thellë ideja që shfaqnin.
Por s’qe e thënë që televizorit t’i gjendej një pronar siç e meritonte. Hasani, për shembull, ishte mjeshtër i zoti dhe i palodhur, por nuk ishte aktiv në aksionet me punë vullnetare; Hyseni, njeri i sakrificës, që ua kish shpëtuar jetën dy shokëve të vet, nuk lexonte rregullisht shtypin e partisë; Dhimitraqi, nismëtar për rritjen e rendimentit në nxjerrjen e mineralit, vazhdonte ta përshëndeste me përzemërsi të birin e ish-kulakut, me të cilin kishte qenë shok bange në shkollën tetëvjeçare; Krenari, teknik në nëntokë, i zellshëm në ngritjen e nivelit të vet profesional, ishte një çikë mendjemadh, çka i shkonte për shtat edhe emrit që i kishin vënë kur qe lindur; Xhevahiri, autor i disa racionalizimeve që kursenin jo pak lëndën e parë, në vend ta përligjte emrin me ndonjë thënie sa më të bukur për sukseset e njëpasnjëshme të kolektivit e sidomos për eprorët, shprehej me zë të lartë se nuk e honepste servilizmin; edhe Durimi, eskavatorist i palodhur e i pafjalë, në vend të duronte çdo kritikë që i bëhej, e humbte durimin sa herë që ia nxinin punën me keqdashje; Zenuni, Kosta, Shuaipi, Entoni, Bardhi, Taulanti... e plot të tjerë si këta, madje edhe komunistët Remzi e Ilir, sidoqë nuk ua hante qeni shkopin për punë, ishin përkatësisht: indiferent, pa iniciativë, i mefshtë, i palidhur sa duhet me masën, i vakët, jo aq i rreptë në zhvillimin e luftës së klasave e kështu me radhë. Si të tillë, ishin “gjalpi i mirë në lëkurë të qenit” e, vetëkuptohet, nuk e kishin hak televizorin as për nga larg.
Mesnata, ndërkaq, kishte rreth një orë që pat kaluar. Gishtat e duart vazhdonin të ngriheshin parreshtur. Uria për të folur e as etja për të fshikulluar shoshoqin, duke kërkuar e, mundësisht gjetur, qimen në vezë, jo vetëm nuk po ndjenin lodhje, por pasuroheshin me epitete e sajesa që do t’i kishte zili edhe imagjinata më pjellore. Mazllumi ia mori fletët me shënime sekretarit të organizatës bazë të partisë, të cilat “kuton, do t’i shërbejnë komitetit të partisë, kuton, të shqyrtojë, kuton, edhe qenien e mëtejshme në parti, kuton, të ndonjë komunisti, kuton, që u kritikua këtu, kuton”. Pastaj, me një zë të trashur artificialisht, vuri në dukje se mbledhja duhej mbyllur. Ajo ia kishte arritur qëllimit vetëm pjesërisht. Të gjithë, komunistë e pa parti, duhej të thelloheshin më tej, ta kthjellonin kujtesën, ta zgjonin atë në periudha të ndryshme, të nxirrnin në dritë të gjitha të metat në punë, në veprimtarinë shoqërore dhe në mënyrë të veçantë të qëmtonin me përparësi njollat në biografitë e njëri-tjetrit. Vetëm duke u përmbushur këto detyra, që lidhen me forcimin e shtetit të diktaturës së proletariatit, do ta meritoni televizorin, kuton. Që nga ai çast, të gjithë e harruan lodhjen fizike dhe vendosën të bënin çmos për të realizuar detyrat që u ngarkoi partia, përmes të dërguarit të saj, Mazllum Laraqit, alias Kuton. Në mbledhjen e ardhshme “të televizorit” medoemos do të shkëlqenin.



Kopi Kyçyku