Ata flinin. Ata lindeshin duke fjetur,
klithma në gjumë i nxirrnin fjalët
duke i lindur nga rrokja e fundit.
Rriteshin duke fjetur, dashuroheshin
duke fjetur dhe martesën
e bënin në gjumë.
Krijonin vendbanime fjalësh në gjumë,
gratë e tyre lindnin në gjumë,
ndërsa ata, të gjithë plakeshin
në gjumë
dhe vdisnin ashtu.
Të rinjtë duke fjetur ua zinin vendin
në ëndërr;
fjalë të reja të përgjumura
zëvendësonin
të vjetrat, thellësisht të gjumtat
fjalë.
II
Por, sa për zgjimin,
këtë
nuk e desh askush.
Ata rronin në gjumë sepse
vetëm në ëndërr
jetonin me tërë trupin njëheresh.
Zogjtë e tyre fluturonin duke fjetur,
peshqit e tyre notonin duke fjetur.
Kuajt e tyre trokonin në gjumë
si në vjeshtë,
në hardhi piqeshin rrushtë
e ëndrrës.
Askush
nuk desh të zgjoheshin,
sepse vetëm kështu
trajta e tyre u përkiste
plotësisht dhe e tëra
njëherazi.
III
Ata i urrenin të pagjumët,
thoshin se ata që rrinë zgjuar
nuk rrojnë në vetvete.
Thoshin se të zgjuarit
nuk janë gjë tjetër veçse
shikim, atëhere kur shoh,
dëgjim atëhere kur dëgjoj,
dhembje, atëhere kur të dhemb.
Ata i urrenin të pagjumët,
thoshin se ata që rrinë zgjuar
nuk janë të zotët ta zëvendësojnë
tërë trupin njëheresh,
por,
njëlloj si të qënkshin të zbrazët
nga brenda,
ata, të pagjumët, vrapojnë tërë kohën;
në ata vetë
është në radhë
vetëm një kavilje
ose jo,
vetëm një tëmth
apo
vetëm një krah,-
pjesën tjetër të trupit e hedhin
me radhë në humnera.
IV
Ata i urrenin të zgjuarit
dhe i quanin
“të pacipë”.
Por urrejtja e tyre
kohë më kohë bëhej
kolosale
sepse, thoshin ata,
vetë shikimi mund të zgjohet
dhe atëhere në të nuk jetojnë më
të gjitha ngjyrat njëheresh...
Dhe vetë ngjyra mund të zgjohet
e atëhere në të
nuk rrojnë më
të gjitha dridhjet njëheresh...
Dhe vetë tingulli mund të zgjohet
e atëhere tek ai
nuk rrojnë më
të gjitha kujtimet njëherazi...
Dhe vetë dhembja mund të zgjohet
e atëhere tek ajo
nuk rrojnë më
të gjitha kujtimet njëherazi.
V
Ata flinin. Ata lindeshin duke fjetur.
Shumoheshin duke fjetur.
Vdisnin duke fjetur.
Por, tërë kohën ishin identikë
me trupin e tyre.
Ata jetonin në ëndërr,
madje edhe pemët
që t’u bënin hije duhej
më parë të përgjumeshin
se vetëm kështu mund të derdhnin
mbi trupat e tyre të plotë
edhe hijen e rrënjëve të tyre.
Shqipëroi Kopi Kyçyku,
Antologji e poezisë rumune moderne, Bukuresht 2003