Në kuvend me një personalitet të përjetësuar

-->
Kopi Kyçyku


Tetë dekada nga lindja dhe pesë vjet nga kalimi i tij në përjetësinë e letërsisë e të shkencës, i dhanë mundësinë dhe të drejtën akademikut Bedri Dedja të mblidhte në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, në Tiranë, kolegë, ish-studentë e dashamirë të shumtë. Të gjithë këta, me fjalët e ngrohta që thanë me gojë, por sidomos me shkrim, në faqet e librit-homazh “Bedri Dedja, në kujtesën tonë…”, të përgatitur me dashuri e kompetencë nga Murat Gecaj, me ndihmën e Edlira Dedjes, u shtruan sërish në kuvend me këtë personalitet poliedrik: akademik, profesor, shkrimtar, psikolog, pedagog, historian i arsimit, historian e teoricien i letërsisë për fëmijë, publicist, “Mjeshtër i Madh”, laureat i “Çmimit të Republikës”, intelektual, mendimtar dhe dijetar erudit poliedrik, i thjeshtë si thjeshtësia, i dashur si dashuria, i mirë si mirësia, i mençur si mençuria… Secili dha ndihmesë për ta dhënë të gjallë portretin fizik e shpirtëror të Bedriut të paharrueshëm. Dikush ia përshkroi sytë gjithnjë të qeshur e zhbirues; një tjetër - fytyrën e hijshme dhe diellore; një i tretë - kaçurrelat që ia përkundte era e që sikur mbanin ngrohtë një tru oreçast pjellor; një i katërt - gojën që nxirrte vetëm mjaltë; një i pestë - zemrën me rrahjet e shpejta, në rezonancë me ritmet e shpejta të progresit shoqëror… Një i gjashtë… Një i shtatë… Pajazit Nushi, Gudar Beqiraj, Pandora dhe Edlira Dedja, Jorgo Bulo, Xhevat Beqaraj, Bardhyl Xhama, Hamit Beqja, Alfred Uçi, Kozeta Zylo, Marash Hajati, Hamit Boriçi, Alfred Papuçiu, Mustafë Xhemaili, Nuri Abdiu, Viron Kona…
… Për largimin e përgjithmonshëm të një njeriu që e ke dashur e të ka dashur me gjithë shpirt, për humbjen e mikut dhe profesorit tënd, dhimbja në dhé të huaj qënka shumë më e rëndë, sepse nuk ke me kë ta ndash kupën e pelinit e as t’i hedhësh një grusht toke mëmë mbi banesën e amëshuar. Kujtoj dy nga takimet e fundit me Bedri Dedjen, pesëmbëdhjetë vjet më parë, këtu, në Bukuresht, kur mbajti një kumtesë pa të dytë për 400-vjetorin e pranisë së dokumentuar të shqiptarëve në trevat rumune. Me modestinë dhe erudicionin, që e patën shoqëruar tërë jetën, profesor Bedriu e ktheu në sy e veshë krejt auditorin. Kështu ndodhte sa herë që ligjëronte ky gojtar i lindur, qoftë para studentëve, qoftë para kolegëve, shkrimtarëve e shkencëtarëve, vendës e të huaj. Me t’u kthyer nga Bukureshti në atdhe, na dërgoi një falenderim të ngrohtë „për mikpritjen vllazërore” që i rezervuam, pasuar nga një artikull i gjerë në shtypin e Tiranës, ku, me fisnikërinë e mirëdallueshme, çmonte lart punën tonë modeste. Ato fraza të dala nga zemra, na dhanë krahë, të paktën për dy arsye: së pari, ishin vlerësime të çiltra të një burri të mençur dhe, së dyti, bëheshin në këto kohëra kur fjalët e mira po rrallohen me shpejtësi, të kërcënuara të dëbohen nga fjalori i shqipes nën sulmet e tërbuara të termave ligësimbartëse. Takimin e fundit e bëmë gjashtë vjet të shkuara në Tiranë, në oborrin e Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishte një ditë vere me shumë diell e me pak puhizë. Kish ardhur edhe bashkëshortja e të ndjerit, zonja Pandora, e cila, mund të thuhet me plot gojën, ka qënë një partnere e denjë për nga karakteri dhe bagazhi intelektual. U thashë se dëshiroja të shkruaja një monografi për jetën dhe kontributin shumëplanësh të profesor Bedriut. Nuk qe e thënë që kjo të realizohej në të gjallë të tij. Profesori uli kokën si të ishte i zënë në faj, më falenderoi përzemërsisht e më dhuroi librin e vet të fundit me dedikimin, që niste me fjalët „Familjes fisnike Kyçyku”. Me profesorin Bedri Dedja kam pasur miqësi të hershme. Isha nxënës në gjimnazin e Pogradecit kur fillova të bashkëpunoja me gazetat „Pionieri” e „Zëri i Rinisë” e më pas me revistën „Fatosi”, sidhe me rubrikat për fëmijë e të rinj të Radio Tiranës. Këtë bashkëpunim e vazhdova dhe e thellova kur isha student në Universitetin Shtetëror të Tiranës, sepse, krahas kënaqësisë shpirtërore, honoraret, sado modeste, që merrja nga kjo veprimtari, bashkë me kursimet që më sillte mospirja e duhanit, më jepnin mundësi të frekuentoja kinematë e teatrot e të bëja edhe ndonjë shpenzim tjetër, pa kërkuar të holla nga familja. Le të vazhdojmë me të ndjerin Bedri Dedja. Ka qënë një personalitet i rrallë edhe për nga dashamirësia dhe paqja që shkaktonte… Në sa e sa takime që institucionet letraro-kulturore organizonin me bashkëpuntorët, kam biseduar gjerë e gjatë me profesor Bedriun. Ishte kënaqësi e vërtetë të dëgjoje çdo fjalë e çdo mendim të tij. I gufonte zemra kur shihte si shtoheshin ditaditës radhët e krijuesve të rinj, sidomos në letërsinë për fëmijë. Për secilin gjente kohë „të shkëmbente mendime”, siç i pëlqente të shprehej me modesti, duke të dhënë mundësi ta ndjeje veten të shpenguar në debate. Edhe kur nuk qëlloje në shënjë, apo thoshe gafa, - gjë që ndodhte jo rrallë, - profesor Bedriu ia priste në çast hovin ndokujt që mezi priste të vinte në lojë të tjerët. Madje nuk mund të harroj se si ua mbyllte shtegun thashethemeve. Ishte për mirëkuptim e unitet, sidomos në mjedise krijuesish. „T’u ngjajmë personazheve pozitivë të veprave tona, jo negativëve” porosiste. Frytet e punës edukuese të shkrimtarit, pedagogut e psikologut Bedri Dedja, i kam vërejtur edhe tek fëmijët e tij. Taulanti, i biri, qysh herët jepte shënja të qarta se, krahas talentit, edhe në shoqëri do të bëhej ai që është sot. Edhe e bija, Edlira, e cila prej vitesh jeton në Zvicër, me hulumtimin e përkushtuar të jetës shkencore dhe artistike të të atit, është duke i sjellë një shërbim të paçmuar shkencës e kulturës kombëtare. Duke u kthyer prapa në kohë, kujtoj se në fillimvitet '70 profesor Bedriun e pata udhëheqës të temës së diplomës që mbrojta pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Lidhjet tona nuk u ndërprenë as pas largimit tim nga Shqipëria. Më 1998, kur nxorëm numurin e parë të revistës „Haemus”, profesor Bedriu pranoi me kënaqësi të bëhej antar i kolegjumit të saj e të bashkëpunonte rregullisht me ne. Shpesh kuvendonim me telefon e, - ku dhemb dhëmbi, vete gjuha, - në qëndër të vëmendjes ishin atdheu dhe letërsia kombëtare. Vdekjen e Bedri Dedjes, antifashistit të brishtë, intelektualit erudit e demokrat, njërit prej themelvënësve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, revista jonë e quajti „zi për shkencën, kulturën e qytetërimin mbarëkombëtar”.
Impakti i veprës së Bedri Dedjes është dhe, me kalimin e kohës, do të bëhet gjithnjë e më i fuqishëm, gjithnjë e më ndikues në lëvruesit e letërsisë e të hulumtimit shkencor, sepse në çdo gjë që ka nxjerrë mendja dhe dora e këtij akademiku shqiptar dhe njëherazi evropian, ndjehen e preken lehtë elementet themelore të profilit shpirtëror të kombit tonë. Është fjala për një proces të paprerë preokupimesh të një cilësie të lartë, për një interesim qytetar prej humanisti e shkencëtari të mirëfilltë për fatet e kombit e të shoqërisë shqiptare, çka Bedri Dedja e këqyrte të pandashëm nga mirërritja dhe edukimi i njeriut qysh në mituri. Rëndësi të posaçme i vinte “shkollës së familjes”, pra periudhës nga një deri në gjashtë vjeç, që parakuptonte përgatitje të shëndoshë të prindërve në rrafsh intelektual e moral. Këshillat e mësimet, Bedri Dedja i kumtonte përmes leksioneve në auditore dhe sidomos përmes librave didaktikë e artistikë. Kësisoj “konsumatorët” e dijeve kishin dhe kanë rastin të gërshetojnë e të venë në lëvizje logjikën e imagjinatën.
Bedri Dedja është një bibliotekë e përmasave të mëdha, që, - për të mirën e për kënaqësinë tonë, - meriton ta studiojmë e ta ristudiojmë vazhdimisht, me laps në dorë. E, para së gjithash me respekt.