Atmëmëdhé...

-->
(Në prag të 28 Nëntorit)


Atmëmëdhé, që m’fal fuqi,
Të lulëzoj si lule hoje,
Dëshmitë e heshtjes që m’flet në gji,
Do desha fort të m’i dëgjoje.

Ndjenjat e zjarrta që m’vlojnë sot,
Për Kuqeziun - simbol, kalà,
Me fjalë goje s'i thënka dot
Veç gjuha e heshtjeve të mëdha.

Përbashkësi shpirtërore shqiptaro-rumune

-->

(Intervistë e akademikut shqiptar Kopi Kyçyku dhënë akademikut rumun Mihai Çimpoi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Moldavisë*)

Mihai Çimpoi: I nderuar zoti profesor Kopi Kyçyku, më lejoni t’ju konsideroj në të njëjtën shkallë personalitet të kulturës shqiptare dhe rumune.

Kopi Kyçyku: Besoj se jam vazhduesi i një tradite të ngulitur me kohë në kulturën shqiptare, e cila e ka shprehur shpesh me zë të lartë, si imperativ, njohjen e kulturës rumune të paktën në rastin e disa personaliteteve të shquara.

M.Ç.: Le të përqëndrohemi pak në nevojën e kësaj njohjeje të ndërsjellë, pra jo mbi bazën e epërsisë së njërës kulturë ndaj tjetrës dhe të ndarjes së padrejtë në “kultura të mëdha” e “kultura të vogla”, përderisa dëshira për t’u afirmuar është e njëjtë në të gjitha kulturat. Duke mbartur në rrafshin e kulturës parimin hajdeggerian të dallimit ontologjik, mund të flasim për ekzistencën e një note specifike të përvojave njerëzore të mishëruara në punime artistike, për fjalën që shpreh qënia, por edhe për kërkimin e një pike të fortë sigurie në horizontin e saj, madje të një qëndre rëndese. Pikërisht një pikë e tillë përfton nga njëra anë kthimin e shpeshtë në zanafillë, ndërsa në anën tjetër shtron nevojën e referimit në të tjera “qënie” kulturore. “Moti i Madh” shqiptar duket të jetë një pikë e tillë konverguese.

Kopi Kyçyku: “Moti i Madh”, që sinkronizohet në mënyrë të përkryer me afirmimin e gjerë programatik të romantizmit ose, - më mirë të themi, - të romantizmave kombëtare evropiane, në të vërtetë është pikënisja e procesit të ndërgjegjësimit të ekzistencës së vetë identitetit...

M.Ç.: A mund të pohojmë se Vinçenco Dorsa, me traktatin e tij për shqiptarët, botuar në Napoli më 1847, është një Herder shqiptar?

Kopi Kyçyku: Padyshim. Në vëllimin Sugli Albanesi: ricerche e pensieri (Mbi shqiptarët: hulumtime dhe përsiatje), vetëdija shqiptare fiton shprehjen më të fuqishme. Por, në fakt, procesi i përtëritjes së gjithëmbarshme nis me lëvizjen e shqiptarëve të Italisë pikërisht me atë që quhet Rilindje, qysh në vitet ’30 të shekullit XIX.

M.Ç.: Ndikimi mitopoetik i Emineskut mbi disa poetë shqiptarë shfaqet natyrshëm në dritën e disa të dhënave ontologjike, që i kanë të përbashkëta të dyja kulturat: kërkimi i identitetit, kulti i “Motit të Madh” (i kohës protohistorike dake tek Eminesku), kalimi në kanunin ritual të orientalizuar në ligjërimin social dhe kombëtar, të ngopur me poezinë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XIX (poetët shqiptarë të mëvonshëm, që do të rimerrnin të njëjtin fill në tematikë dhe në motive, do të shihnin në Letrat e Emineskut një model). Përveç sa thamë, Eminesku besonte në ekzistencën e një nënshtrese kulturore të përbashkët. Ai thoshte: “Trakët dhe ilirët ishin popuj të farefisnuar. Shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e ilirëve; në Traki janë lindur rumunët. Miklosich na ka kumtuar nja 50 fjalë, një pjesë e të cilave janë të përbashkëta për shqiptarët e për rumunët, një
tjetër pjesë kanë në të dyja gjuhët një trajtë dhe një kuptim të ndryshëm. Një numur i rëndësishëm fjalësh latine kanë kaluar nga rumunët jo vetëm në gjuhën bullgare, por në të gjitha gjuhët e Gadishullit” (shih Fragmentarium, Bukuresht, 1981, f.579). Tregues thelbësor të racës trako-ilire Eminesku konsideronte energjinë e jashtëzakonshme të saj, mjerisht të shfrytëzuar gjithmonë nga të huajt.

Kopi Kyçyku: Eminesku ka dëshmuar një dashuri të kulluar për Shqipërinë dhe shqiptarët, bie fjala në gazetën “Timpul” (Koha), qysh më 1880, kur përmendte me respekt e adhurim familjen Gjika, nga e cila rrjedhin princi Albert dhe Dora d’Istria, shkrimtare dhe filozofe. “Ndër zotërinjtë fanariotë, shkruan ai, vetëm një familje është shquar për dashuri ndaj viseve rumune, duke flijuar jetën, bash për integrimin e atdheut: Gjikajt. Por Gjikajt nuk kanë qënë fanariotë të mirëfilltë, por shqiptarë”. Ca më shumë: Eminesku ka pohuar me gojën e vet se i pëlqente jashtë mase gjuha shqipe dhe se ishte duke e mësuar atë (shih Xh. Kalinesku, Jeta e Emineskut). Në poezinë Dojna, ku: “Që nga Nistri gjer në Tisë, / Qënka nderë perde e zisë / Dhe rumuni qan me lot, / Nga të huajt s’po çan dot”, Eminesku nuk i përmend shqiptarët si të huaj.

M.Ç.: Përkundrazi, kam vënë re që flet qartë për një farefisni shpirtërore strukturore të rumunëve dhe shqiptarëve. Ky ndoshta është një fakt që ka përcaktuar në zonën e nënvetëdijës afrimin e shumë poetëve shqiptarë me Emineskun, në bazë të përzgjedhjes.

Kopi Kyçyku: Disa fakte, në mbështetje të të dhënave që disponojmë, flasin vetiu. Në periudhën mes dy luftrave botërore, ashtu si në mbarë Evropën, edhe në Shqipëri, Eminesku u cilësua njëzëri më i madhi poet i rumunëve. Madje, për nga rezonanca tronditëse e verbit të tij, u quajt jo vetëm poet rumun, por edhe kontinental. Me kalimin e kohës, Eminesku u bë sinonimi i gjithçkaje më të çmuar që ka Rumania, në rrafsh shpirtëror. Mjaft shqiptarë, njerëz të kulturës, shkrimtarë etj, kanë shprehur admirimin për nivelin e lartë të krijimeve dhe të mesazheve të kumtuara nga ky poet i shquar rumun. Qysh në bankat e shkollës që ndoqi në Bukuresht, poeti, përkthyesi, ekonomisti dhe prozatori i madh shqiptar Dhimitër Pasko (me pseudonimet Mitrush Kuteli dhe Dr. Pas), botoi një studim mbi veprën e Emineskut, sidhe artikuj e shënime lidhur me gjuhën e thelbin e poezive të Emineskut. Në vitet kur drejtonte katedrën e filologjisë romanike, docenti Eqrem Çabej, i cili do të bëhej më i shquari gjuhëtar shqiptar i shekullit XX, mbajti në Tiranë një kurs të posaçëm mbi Emineskun. Më 1959, duke marrë përsipër daljen në dritë të një vëllimi, që do të rrokte një pjesë të rëndësishme të veprës së Emineskut, Lasgush Poradeci (1899-1987), më i madhi poet lirik shqiptar, dëshmonte se, gjatë karrierës së vet letrare, e kishte bërë për vete në mënyrë të veçantë kompleksiteti i domethënieve dhe i vlerave artistike që rrezaton vepra emineskiane. Pra, nuk është aspak rastësi që në qëndër të temës së doktoratës që mbrojti në Grac të Austrisë, Lasgush Poradeci vuri pikërisht veprën e Emineskut. Qysh më 1930, duke u ndodhur në Bukuresht, Lasgush Poradeci shprehte admirimin e pakufishëm ndaj Emineskut, çka e shtyu të shqipëronte afro 5.000 vargje të poetit kombëtar rumun. Nga ana e vet, Mitrush Kuteli shqipëroi 2.500 vargje, poezi të plota dhe fragmente poemash, që i përfshiu në një punim të posaçëm, kushtuar Emineskut.

M.Ç.: Duke iu referuar Camoens-it, Mirçea Heliade ka qëmtuar një lidhje strukturore Eminesku-univers latin. A mund të flitet për një lidhje të kësaj natyre, - përmes “imponimit” të një Weltanshaung mbi marrëdhëniet e njeriut me Kozmosin dhe me Zotin, të një “njeriu universal” të ngjizur nga një polaritet strukturor, - edhe në rastin e universit ballkanik? Më lart përmendët se edhe poetët shqiptarë kanë vërejtur tek Eminesku pikërisht kompleksitetin e domethënieve dhe të vlerave letrare.

Kopi Kyçyku: Po të kujtojmë ndikimin e Emineskut në letërsinë shqiptare, çka bie në sy sidomos tek romantikët shqiptarë, madje edhe në disa nga poetët e sotëm, ndjekja e kësaj dukurie do të përbënte objektin e një studimi të letërsisë së krahasuar. “Është thuajse e panjohëshme një histori moderne e mendimit në Evropën Juglindore deri në dhjetëvjetshin e nëntë të shekullit XIX, - shkruante një poet ballkanas, - pa bërë një studim të hollësishëm të ndihmesës që ka sjellë në këtë lëmë Mihai Eminesku”. Dihet tashmë ndikimi që ka pasur Eminesku mbi disa poetë të dëgjuar të Ballkanit, ndër të cilët edhe Asdreni (pseudonimi i Aleksandër Stavre Drenovës), pjesëmarrës në mbledhjen historike, që u mbajt në Bukuresht më 5(18) nëntor 1912 dhe që vendosi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ndihet tek ai veçanërisht ndikimi i poezisë sociale emineskiane. Asdreni mbante në vend nderi në
bibliotekën vetjake veprën e plotë të Emineskut. “Poezinë e tij e kam pasur në krye e sipër” shprehej Asdreni.

M.Ç.: Besoj se mund të thuhet që modeli emineskian, i ndjekur nga Asdreni, është para së gjithash një model social?

Kopi Kyçyku: Patjetër. Jo etik. Theksoj se pjekuria, vrrullimi, baraspesha, guximi dhe çiltërsia e mendimit emineskian, direkt apo tërthorazi, kanë vazhduar të frymëzojnë pena shqiptare të ditëve tona, çka u ka mundësuar të krijojnë një përfytyrim të ri të vendit e të përmasave të pranisë së Emineskut në botën shpirtërore shqiptare.

M.Ç:: Kur lexon Asdrenin, mund të vëresh me lehtësi shkrirjen e tij me mitin emineskian. Eminesku, me fjalë të tjera, është ndjekur si model ontologjik. Por edhe si model poetik, nëse nuk gaboj.

Kopi Kyçyku: Keni të drejtë: Eminesku është një simbol dhe, njëherazi, një motiv poetik...

M.Ç.: ... një motiv i verifikimit dhe i konsolidimit të ndërgjegjjes - estetike, etike, sociale...

Kopi Kyçyku: Eminesku është simbol e mishërim i gjithçkaje që përfaqëson epërisht e me dinjitet çdo vepër poetike...

M.Ç.: ... në kuptimin e romantikëve të mëdhenj.

Kopi Kyçyku: Krahas një numuri të madh poezish të Emineskut, të botuara në viset shqiptare në vëllime të ndryshme në vitet 1959, 1963, 1980, mund të flasim edhe për transmetimin e një sëre emisionesh radiofonike dhe televizive, për daljen në dritë të një vargu studimesh, esesh e artikujsh, që kanë pasur në themel jetën dhe krijimtarinë e Emineskut. Në vitet e fundit, hulumtues të njohur i kanë hyrë me pasion zhbirimit të gjithçkaje që ka nxjerrë pena emineskiane, me synim kthjellimin e anëve thelbësore të veprës së tij madhore e gjithëpërfshirëse. Në këtë kontekst, një punë shkencore të lavdërueshme kanë bërë edhe studiuesit në botën shqiptare, duke argumentuar sidomos përse Eminesku është i denjë të qëndrojë krahas romantikëve më të mëdhenj të Evropës e më gjerë. Në këto punime shkencore Eminesku është “kapur” përsëthelli në ecurinë e vet të pandalshme, në terrenin e
letërsisë rumune, por, gjithaq, edhe në pejsazhin poetik evropian të shekullit XIX.

M.Ç.: Zumë në gojë tashmë lidhjet e Asdrenit me Emineskun. A ka edhe poetë të tjerë shqiptarë të përmasave të mëdha, që të sjellin ndërmend Emineskun?

Kopi Kyçyku: Rastësia bën që vetmia e dy poetëve më të shquar të letërsisë rumune dhe shqiptare, Mihai Eminesku dhe Lasgush Poradeci, - me të dhëna të përafërta, apo të ngjashme në jetëshkrimet dhe në veprimtaritë krijuese, poetë që vulosin vijat orientuese të të dyja letërsive tona, në etapat përkatëse të zhvillimit të tyre, - të mos i pengojë të jenë të ndjeshëm ndaj problemeve të mprehta të bashkëkohësisë. Ashtu si Eminesku, edhe Lasgush Poradeci ka qënë një liridashës i flaktë. Në vitet ’20 të shekullit të kaluar, kur ekzistenca e kombit shqiptar ishte vënë seriozisht në pikëpyetje, Lasgush Poradeci i ka kushtuar poezi sublime Pavarësisë sonë Kombëtare.

M.Ç.: Edhe Poradeci ndoqi modelin social emineskian, ashtu si Asdreni?

Kopi Kyçyku: Megjithse Poradeci ka shkruar edhe poezi me temë sociale, ashtu si Eminesku, mbetet një poet i shpirtit, i natyrës dhe i dashurisë. Në këtë lëmë, tek Poradeci bien lehtë në sy ndikimet e Emineskut, si në tematikë, ashtu edhe në strukturë e në formën artistike. Në mjaft poezi, poeti shqiptar e merr si model Emineskun, me të cilin duket “i farefisnuar” shpirtërisht. Kështu, “Ku shtrohet vala” (Unde se-asterne valul), „Mërgim” (Exil), “Malli” (Dorul), “Që larg” (De departe) etj, janë shkruar në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me “De-aş avea”, „Din străinătate”, „Speranta”, „Dorinta”… Nën ndikimin e Emineskut, Lasgush Poradeci e pasuroi ndjeshëm fondin leksikor të gjuhës letrare shqipe me terma e kuptime të reja. Si të tilla përmendim: mall, magji, dhemkë etj, për të cilat ka pasur një dobësi të veçantë, njëlloj si Asdreni, siç ka vënë në dukje kaherë
studiuesja Luçia Xhamo-Diakonica.

M.Ç.: Pra, mund të përvijojmë edhe një model mitopoetik emineskian, i ndjekur nga poetët shqiptarë në mënyrë katalitike, sikurse do të shprehej Luçian Blaga. Asdrenin dhe Poradecin i pat joshur kompleksiteti, polariteti, uniteti i harmonishëm i përftuar përmes një coincidentia opossitorium strukturore. Pra, jemi në linjën thelbësore të modernitetit, ku sovraniteti i gjendjes poetike e zgjat, e rezonon fjalën, duke e hedhur në papërcaktueshmërinë (simboliste) të honit ontologjik, duke e asgjësuar me anë të mbylljes hermetike në heshtje - topos themelor i mitopoetikës romantike, simboliste (dhe jo vetëm kaq).

Kopi Kyçyku: Po zbërthej disa shëmbuj. Në poezinë e Lasgush Poradecit, fjala mall nuk ka vetëm kuptimin e një dëshire të fuqishme për të parë dikë apo diçka, apo të nostalgjisë, por, ashtu si në gjuhën rumune, mbart edhe kuptimin të dashurosh, të vuash nga dashuria, por sidomos edhe kuptimin e shpresës, aspiratës, vullnetit (domethënie polisemantike të përfshira në gjuhën poetike të Emineskut). Siç e përmenda më lart, nën ndikimin e poezisë emineskiane, në krijimtarinë e Lasgush Poradecit termi magji e ka zgjeruar frymëmarrjen kuptimore dhe sferën tematike duke na kumtuar njëherazi: mësyshje, bukuri, harmoni, qetësim, kënaqësi, ngazëllim. Duke qënë të dy, - në periudha të ndryshme kohore, - studentë në Austri e në Gjermani, Eminesku dhe Lasgush Poradeci janë ndikuar nga Zhan Paul Rihteri, nga Hëlderlini, nga Shkolla e Jenës, nga Novalisi, nga Shkolla e Hajdelbergut. Po ashtu, Emineskun dhe Lasgush
Poradecin i ka joshur kozmogonia indiane, me të cilën hynë në “kontakt” gjatë viteve kur studionin në botën gjermanike. Në të vërtetë, në kozmogoninë e Emineskut e të Lasgush Poradecit, aftësia tërheqëse e këtij sistemi filozofiko-fetar tejçon një energji të pacak, falë së cilës mjegulla e përjetshme shpërbëhet në fasho (shih edhe Amitha Bhose, Kozmogonia indiane dhe Letra I). Bota, hëna, dielli dhe fantazmat përlinden dhe tufa drite shpërthejnë nga lugjet e ngrysura të kaosit. Pra, kjo është lidhja ndërmjet qënies e mosqënies. Është e njëjta gjë me dëshirën e Kamës si lëvizje intelektuale dhe shtysë e së sotmes. Dhe Kama na del tek të dy këta poetë të mëdhenj...

M.Ç:: ... duke e plotësuar modelin shqiptar-emineskian edhe me këtë përmasë të vizionit me thelb ekzistencialist mbi universin që njeh njëpasnjëshmërisht jetë dhe vdekje. Zoti profesor, dimë që Asdreni ka hedhur në letër Himnin Kombëtar të Shqipërisë, duke u mbështetur në tekstin rumun Pe al nostru steag e scris unire (“Në flamurin tonë është shkruar bashkim”), sipas melodisë së njohur të Çiprian Porumbeskut. Shpresojmë se Eminesku, Asdreni dhe Poradeci konfirmojnë unitetin të hapësirës trako-ilire, për të cilin ka folur në dorëshkrimet e veta autori i Yllit të Mëngjezit, Mihai Eminesku.

* Kjo intervistë është pjesë e serisë "Dialogje me emineskologë të të gjithë botës".

Në kuvend me një personalitet të përjetësuar

-->
Kopi Kyçyku


Tetë dekada nga lindja dhe pesë vjet nga kalimi i tij në përjetësinë e letërsisë e të shkencës, i dhanë mundësinë dhe të drejtën akademikut Bedri Dedja të mblidhte në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, në Tiranë, kolegë, ish-studentë e dashamirë të shumtë. Të gjithë këta, me fjalët e ngrohta që thanë me gojë, por sidomos me shkrim, në faqet e librit-homazh “Bedri Dedja, në kujtesën tonë…”, të përgatitur me dashuri e kompetencë nga Murat Gecaj, me ndihmën e Edlira Dedjes, u shtruan sërish në kuvend me këtë personalitet poliedrik: akademik, profesor, shkrimtar, psikolog, pedagog, historian i arsimit, historian e teoricien i letërsisë për fëmijë, publicist, “Mjeshtër i Madh”, laureat i “Çmimit të Republikës”, intelektual, mendimtar dhe dijetar erudit poliedrik, i thjeshtë si thjeshtësia, i dashur si dashuria, i mirë si mirësia, i mençur si mençuria… Secili dha ndihmesë për ta dhënë të gjallë portretin fizik e shpirtëror të Bedriut të paharrueshëm. Dikush ia përshkroi sytë gjithnjë të qeshur e zhbirues; një tjetër - fytyrën e hijshme dhe diellore; një i tretë - kaçurrelat që ia përkundte era e që sikur mbanin ngrohtë një tru oreçast pjellor; një i katërt - gojën që nxirrte vetëm mjaltë; një i pestë - zemrën me rrahjet e shpejta, në rezonancë me ritmet e shpejta të progresit shoqëror… Një i gjashtë… Një i shtatë… Pajazit Nushi, Gudar Beqiraj, Pandora dhe Edlira Dedja, Jorgo Bulo, Xhevat Beqaraj, Bardhyl Xhama, Hamit Beqja, Alfred Uçi, Kozeta Zylo, Marash Hajati, Hamit Boriçi, Alfred Papuçiu, Mustafë Xhemaili, Nuri Abdiu, Viron Kona…
… Për largimin e përgjithmonshëm të një njeriu që e ke dashur e të ka dashur me gjithë shpirt, për humbjen e mikut dhe profesorit tënd, dhimbja në dhé të huaj qënka shumë më e rëndë, sepse nuk ke me kë ta ndash kupën e pelinit e as t’i hedhësh një grusht toke mëmë mbi banesën e amëshuar. Kujtoj dy nga takimet e fundit me Bedri Dedjen, pesëmbëdhjetë vjet më parë, këtu, në Bukuresht, kur mbajti një kumtesë pa të dytë për 400-vjetorin e pranisë së dokumentuar të shqiptarëve në trevat rumune. Me modestinë dhe erudicionin, që e patën shoqëruar tërë jetën, profesor Bedriu e ktheu në sy e veshë krejt auditorin. Kështu ndodhte sa herë që ligjëronte ky gojtar i lindur, qoftë para studentëve, qoftë para kolegëve, shkrimtarëve e shkencëtarëve, vendës e të huaj. Me t’u kthyer nga Bukureshti në atdhe, na dërgoi një falenderim të ngrohtë „për mikpritjen vllazërore” që i rezervuam, pasuar nga një artikull i gjerë në shtypin e Tiranës, ku, me fisnikërinë e mirëdallueshme, çmonte lart punën tonë modeste. Ato fraza të dala nga zemra, na dhanë krahë, të paktën për dy arsye: së pari, ishin vlerësime të çiltra të një burri të mençur dhe, së dyti, bëheshin në këto kohëra kur fjalët e mira po rrallohen me shpejtësi, të kërcënuara të dëbohen nga fjalori i shqipes nën sulmet e tërbuara të termave ligësimbartëse. Takimin e fundit e bëmë gjashtë vjet të shkuara në Tiranë, në oborrin e Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishte një ditë vere me shumë diell e me pak puhizë. Kish ardhur edhe bashkëshortja e të ndjerit, zonja Pandora, e cila, mund të thuhet me plot gojën, ka qënë një partnere e denjë për nga karakteri dhe bagazhi intelektual. U thashë se dëshiroja të shkruaja një monografi për jetën dhe kontributin shumëplanësh të profesor Bedriut. Nuk qe e thënë që kjo të realizohej në të gjallë të tij. Profesori uli kokën si të ishte i zënë në faj, më falenderoi përzemërsisht e më dhuroi librin e vet të fundit me dedikimin, që niste me fjalët „Familjes fisnike Kyçyku”. Me profesorin Bedri Dedja kam pasur miqësi të hershme. Isha nxënës në gjimnazin e Pogradecit kur fillova të bashkëpunoja me gazetat „Pionieri” e „Zëri i Rinisë” e më pas me revistën „Fatosi”, sidhe me rubrikat për fëmijë e të rinj të Radio Tiranës. Këtë bashkëpunim e vazhdova dhe e thellova kur isha student në Universitetin Shtetëror të Tiranës, sepse, krahas kënaqësisë shpirtërore, honoraret, sado modeste, që merrja nga kjo veprimtari, bashkë me kursimet që më sillte mospirja e duhanit, më jepnin mundësi të frekuentoja kinematë e teatrot e të bëja edhe ndonjë shpenzim tjetër, pa kërkuar të holla nga familja. Le të vazhdojmë me të ndjerin Bedri Dedja. Ka qënë një personalitet i rrallë edhe për nga dashamirësia dhe paqja që shkaktonte… Në sa e sa takime që institucionet letraro-kulturore organizonin me bashkëpuntorët, kam biseduar gjerë e gjatë me profesor Bedriun. Ishte kënaqësi e vërtetë të dëgjoje çdo fjalë e çdo mendim të tij. I gufonte zemra kur shihte si shtoheshin ditaditës radhët e krijuesve të rinj, sidomos në letërsinë për fëmijë. Për secilin gjente kohë „të shkëmbente mendime”, siç i pëlqente të shprehej me modesti, duke të dhënë mundësi ta ndjeje veten të shpenguar në debate. Edhe kur nuk qëlloje në shënjë, apo thoshe gafa, - gjë që ndodhte jo rrallë, - profesor Bedriu ia priste në çast hovin ndokujt që mezi priste të vinte në lojë të tjerët. Madje nuk mund të harroj se si ua mbyllte shtegun thashethemeve. Ishte për mirëkuptim e unitet, sidomos në mjedise krijuesish. „T’u ngjajmë personazheve pozitivë të veprave tona, jo negativëve” porosiste. Frytet e punës edukuese të shkrimtarit, pedagogut e psikologut Bedri Dedja, i kam vërejtur edhe tek fëmijët e tij. Taulanti, i biri, qysh herët jepte shënja të qarta se, krahas talentit, edhe në shoqëri do të bëhej ai që është sot. Edhe e bija, Edlira, e cila prej vitesh jeton në Zvicër, me hulumtimin e përkushtuar të jetës shkencore dhe artistike të të atit, është duke i sjellë një shërbim të paçmuar shkencës e kulturës kombëtare. Duke u kthyer prapa në kohë, kujtoj se në fillimvitet '70 profesor Bedriun e pata udhëheqës të temës së diplomës që mbrojta pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Lidhjet tona nuk u ndërprenë as pas largimit tim nga Shqipëria. Më 1998, kur nxorëm numurin e parë të revistës „Haemus”, profesor Bedriu pranoi me kënaqësi të bëhej antar i kolegjumit të saj e të bashkëpunonte rregullisht me ne. Shpesh kuvendonim me telefon e, - ku dhemb dhëmbi, vete gjuha, - në qëndër të vëmendjes ishin atdheu dhe letërsia kombëtare. Vdekjen e Bedri Dedjes, antifashistit të brishtë, intelektualit erudit e demokrat, njërit prej themelvënësve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, revista jonë e quajti „zi për shkencën, kulturën e qytetërimin mbarëkombëtar”.
Impakti i veprës së Bedri Dedjes është dhe, me kalimin e kohës, do të bëhet gjithnjë e më i fuqishëm, gjithnjë e më ndikues në lëvruesit e letërsisë e të hulumtimit shkencor, sepse në çdo gjë që ka nxjerrë mendja dhe dora e këtij akademiku shqiptar dhe njëherazi evropian, ndjehen e preken lehtë elementet themelore të profilit shpirtëror të kombit tonë. Është fjala për një proces të paprerë preokupimesh të një cilësie të lartë, për një interesim qytetar prej humanisti e shkencëtari të mirëfilltë për fatet e kombit e të shoqërisë shqiptare, çka Bedri Dedja e këqyrte të pandashëm nga mirërritja dhe edukimi i njeriut qysh në mituri. Rëndësi të posaçme i vinte “shkollës së familjes”, pra periudhës nga një deri në gjashtë vjeç, që parakuptonte përgatitje të shëndoshë të prindërve në rrafsh intelektual e moral. Këshillat e mësimet, Bedri Dedja i kumtonte përmes leksioneve në auditore dhe sidomos përmes librave didaktikë e artistikë. Kësisoj “konsumatorët” e dijeve kishin dhe kanë rastin të gërshetojnë e të venë në lëvizje logjikën e imagjinatën.
Bedri Dedja është një bibliotekë e përmasave të mëdha, që, - për të mirën e për kënaqësinë tonë, - meriton ta studiojmë e ta ristudiojmë vazhdimisht, me laps në dorë. E, para së gjithash me respekt.

Kopi Kyçyku: Edhe një herë rreth zanafillës së gjuhëve të Evropës

-->
(Dhjetë vjet nga botimi i një vepre madhore)


-->
Në vitin 2000, gjuhëtari i mirënjohur italian Mario Alinei nxori në dritë “Origini delle lingue d’Europa”, punim i gjerë, në dy vëllime, me afro 1900 faqe. Kjo vepër tërhoqi menjëherë vëmendjen e studiuesve, jo vetëm të gjuhëtarëve, por edhe të historianëve, arkeologëve, numizmatëve etj, të vendeve të ndryshëm. Në Rumani ajo u bë objekt debatesh e analizash, që gjetën pasqyrim edhe në shtypin e specializuar. Ndër më aktivët e më “të nguturit” (si kohë) në zbërthimin me sy kritik të veprës së lartpërmendur, ishte gjuhëtari Mihai Vinereanu, opinionet e të cilit do t’i përmendim në vijim.
Njëra nga idetë qendrore të kësaj vepre është Teoria e Vazhdimësisë (TV), teori që nuk pranon idenë e katastrofave historike, pra të shfaqjes e, përkatësisht, të daljes nga historia të grupeve të tëra etnike e, si rrjedhojë, të disa gjuhëve apo grupgjuhësh, pa përjashtuar procese të thella shndrrimesh në periudha të gjata kohore, pa mohuar plotësisht hibridizimet (kryqëzimet) dhe as zhdukjen e disa gjuhëve, në rrethana të caktuara. Sipas kësaj teorie, është tepër e vështirë, madje pothuajse e pamundur të pranohet asgjësimi i masave të mëdha të folësve, të disa gjuhëve apo grupgjuhësh. Gjithnjë sipas kësaj teorie, autori është i mendimit se grupet e mëdha të sotme linguistike të Evropës janë ngjizur qysh në Neolit, madje edhe më herët, duke vazhduar të mbijetojnë deri në ditët tona.