Lasgush
Poradeci dhe Mitrush Kuteli janë dy autorë të zgjedhur edhe ngaqë veprat e tyre vazhdojnë të rriten e të
pasurohen sëbrendshmi pa u varur nga gjerdanët me epitete e kërkime shkencore që
mundohen të imponojnë hierarki kalimtare. Zemra
e njerëzve na duhet fituar, i shkruante dikur Lasgushi Asdrenit. Mund të
thuhet se veprat e Lasgushit dhe të Mitrushit fitojnë prore zemra lexuesish, pavarësisht
nga mosha e formimi, zgjojnë shqisën e së vërtetës, dashurinë për shqipen e përhershme
dhe atdhetarinë e kulluar. Sepse veprat e tyre janë nga fort të rrallat që e
shndërrojnë lokalen në universale pa pasur nevojë të përkthehen në shumë gjuhë.
Po
përveçse Lasgush e Mitrush, të dy këta gjení të
padiskutueshëm që lindi Poradeci, kanë
qenë edhe Llazar Gusho e Dhimitër Pasko, sidomos në në shoqëri që
i ndante njerëzit për së gjalli, ashtu siç i ndante edhe të vdekurit sipas
kriteresh ideologjikë.
Dëshmi më të sakta e më të pasura për marrëdhënien mes Lasgushit e Mitrushit padyshim që mund të sjellin vetëm fëmijet e tyre, që, për nga kultura e përkushtimi, shpjenë më tej me dinjitet dhuntitë e prindërve.
Unë
jam mbështetur mbi disa të dhëna që gjenden në dy librat e shkëlqyer të Petraq
Kolevicës (Lasgushi më ka thënë dhe Me Mitrushin)[1], në pjesët e letërkëmbimit,
përfshirë në Veprën letrare të
Lasgushit, botuar nga Frida Idrizi, dhe në vëllimet me tregime të Mitrushit.
Në
një letër pa adresë e pa datë, por që
duket t’i jetë dërguar Lasgushit nga Asdreni, lexojmë:
… kur e kam Paskon këtu,
shumë herë i them të shkruajë ai si nga ana ime; Paskua dhe Lasgushi për mua
sikur janë dy pika uji; kur s’ish Paskua, ishe ti, tani që është Paskua sikur
je ti këtu edhe flet me mua; ju kam të dy si dy trëndafile të zgjedhur edhe kjo
më gëzon se meritoni të qëndroni në çdo tryezë të shquar. Jini si ata dy yj të
mëngjesit e të mbrëmjes që shkëlqejnë mbi të gjithë të tjerët që mezi duken në
pafundjen e rruzullimit.[2]
Besoj
se përshkrimi i Asdrenit mbetet thelbësor jo vetëm nga pikëpamja e historisë së
letërsisë, por edhe e historisë shpesh të padukshme njerëzore. Shumë vite para
këtyre radhëve (më 2 të dhjetorit 1928),
Lasgushi i shkruante Mitrushit nga Graz-i:
I dashur Dhimtraq,
Së bashku me Kolin e
Kocit[3] më dërgove më 30 gusht një
letër simpatie, të shkruar shumë bukur. (…) Veçanërisht forma më ka gëzuar tepër.
Sepse, nëpër të, posi nëpër një ëndërr magjie, m’u shfaqën vetvetiu kujtime të
paharruara. Atëhere (…) kur topi gjëmonte, kur bota dridheshin, kur shpirti im
po ish duke humbur shpresën, i pakuptuar prej asnjeriu dhe i përbuzur në
idealin e tij më të shumtë… atëhere të gjeta ty. Të gjeta dhe të thashë: eja,
Dhimitraq. Kjo botë ka nevojë për gjëra më me rëndësi, sesa për topa që gjëmojnë
nga urrejtja… Si më i madh nga mosha dhe prandaj m’i pjehur nga mendja, kisha
marre atëhere pas dëshirës sate barrën vllazërishte të një profesori pedant…
Tani më kupton! Tani të bie ndërmend… të jepja ditë me radhë mësim vjershërie:
si bëhen vjershat dhe strofat, si duhen zgjedhur fjalitë, silabat, … zërat e
kadencuar (…) për t’iu afruar sa më tepër qëllimit të madh të artit të rëndë,
objektit final të Poezisë (…) e cila, me thelbin universal të ndjenjave të saj,
vëllazëron kombet, zbut shoqërinë, pastron ndërgjegjen individuale, duke u
ngritur la e më la… (…) Bëra detyrën, pastaj ika. (…) Prej udhëheqjes që more në
një moment, ti bëre me gurë të vlerës sate personale një tradicje të gjithnjëshme
për të mirën e shoq.erisë, që duhet edukuar, i dashur koleg. Mëso se m’u tërhodh shpirti prej gojet, kur këndova për të
parën herë shkrimet e tua. Më quan Mjeshtër? E pranoj. Po vetëm në kuptimin e këtyre
radhëve. Me tjetër kuptim as më shkon mendja.[4]
Admirimi
i Mitrushit ndaj Mjeshtrit, shokut e
kolegut ka qenë i pandryshuar, me shkrim, herë hapur, herë letrarisht, për
arsye që kuptohen.
Petraq
Kolevica sjell copëza nga marrëdhënia e Lasgushit me Mitrushin si njerëz të përditshëm, që, detyruar nga
ligjet e së ashtuquajturës Epokë Lavdishme, - sunduar nga poetë me koburen në brez, siç i quante Mitrushi, dhe autorë oborri, - duhet ta ruanin miqësinë
e vlerësimet e ndërsjella në një nivel që nuk shqetësonte smirën e pushtetit.
Po jap disa shembuj:
Mitrush Kuteli më ka
treguar: Na kishin thirrur në një mbledhje, ne, përkthyesve, në Ndërmarrje.
Gjersa vajta unë, siç e di ti ngëc e ngëc,
iku ora. Kur po ngjitnja shkallët e tmerrshme të „Mihal Durit”, hyri Ministri
në sallë dhe porta u mbyll. Mbeta jashtë, në korridor. Të hyja, më vinte rëndë.
E po, thashë, do të pres të bëhet pushimi dhe të hyj. Kaluan nja dhjetë minuta,
po ndoshta edhe më shumë, kur dëgjoj tak,
tak; po vjen Lasgushi. Unë, aty, pranë portës. Ç’po bën këtu, Pasko? - më
tha. Po ja, kështu, kështu - i tregova - Hyri Ministri dhe mbeta jashtë.
Respekt i tepruar - tha
Lasgushi - dhe drang i ra derës, e hapi, përshëndeti me kokë dhe zdruq, zdruq,
vajti e u ul nga fundi. Pas tij edhe unë përfitova dhe hyra pa u vënë re, se të
tërë po shikonin Lasgushin.[5]
Mitrush Kuteli,
gjithashtu, më ka thënë se në tregimin Qetësi
përpara fërtyme (Revista Nëntori, Nr. 6, 1966) ka vënë dhe Lasgushin. Ja,
si e kam vënë - tha: Ata të Çukës kthyen
kokën dhe panë se po vinte një si njeri, që herë humbiste në hije, herë dilte
në dritë dhe herë tjetër kredhej midis dritës e hijes, e bëhej larush, tërë
vija të bardha e të zeza.
„Me këtë - tha Mitrushi,
- kam dashur të përshkruaj atë që ka ngjarë me Lasgushin. Ai herë është sharë
shumë dhe është lënë në hije, herë është lëvduar shumë dhe ka dalë në dritë, po
më të shumtët e kanë paraqitur larush,
duke e sharë dhe lëvduar njëkohësisht.”
(…)
Mitrushi nuk ka harruar
të vërë në dukje atë rnë të rëndësishmen e portretit të Lasgushit - svtë![6]
„... ndërsa sytë i
flakëronin në zhubrat e zeshkëta të ballit të zeshkët, as të gjerë e as të
ngushtë.”
Ai nuk ka harruar të verë
në dukje dhe dashurinë e madhe të Lasgushit për qenin, emrin e të cilit shpesh
e përdorte si trampolin për të bërë kërcime të çuditshme në bisedë me aluzione,
nëntekste e thumbime, që dinte t’i qëndiste vetëm një Lasgush.
Ja si na e përshkruan
Mitrushi:
„... Kësaj here iu
drejtua në fillim një konke këmbëhollë, me njolla të bardha e të zeza, me një
turi të mprehtë, me ca sy finokë e të ndritur si rruaza.
- Hajde, moj Lule e
dashur, t’u themi mirë mbeçi e punë të mbarë këtyre zotërinjve agallarë e
dhjetarë kryepleq e kryekatundarë, që po mbajnë kuvend për të vënë në vije
punët e fshatit. Bëri sikur qeshi e sikur desh të thosh: Shikoni, unë jam budalla, flas me qentë, dhe shtoi me zë të butë,
të hollë, pothuaj të përzemërt: - E shikoni, zotërinj'. Kjo kone është e mençme,
si njeri, të vjen keq t’i thuash qen.
Mitrushit nuk i ka
shpëtuar dhe një aspekt tjetër i rëndësishëm i jetës së Lasgushit, i cili mbeti
deri në fund i pakuptuar, ose më mirë të themi i keqkuptuar nga njerëz me nivel
të ulët kulturor, keqdashës e me mentalitet të ngushtë provincial, por që
ngandonjëherë nuk ishin të pakët dhe nuk i sillnin pak shqetësime.
Ja biseda e këtyre
njerëzve, prapa krahëve të Lasgushit, ashtu siç na i jep të saktë Mitrushi:
„Po ky si e ka terezinë,
- pyeti dikush.
- Si ta ketë?
Llamba-llamba, - tha një tjetër, - shkollë ka bërë, po s’është gjë... Del natën
e numëron yjet një nga një. Rri shtrirë nën arrë e bën karrabaçka. Mirë thonë
se shkolla e tepërt të prish mendjen...
(…)
Në përpunimin që i bëri
këtij tregimi pak më vonë[7], Mitrushi futi edhe veten
aty:
„Kish një shok, ore. Më
të vogël. Me ca gjyzlykë. Shkonin poshtë e lartë zbraz e mbush thasë me fjalë.
Rifati qeshi:
- Kish gjetur koka
kokën. Matnin ujin e gjolit me filxhan, sa okë ka. I prishi shkolla.
- Ç’u bë ai tjetri?
- Humbi andej nga
Vllahija, pas shkollave.”
Në fakt, për fatin e
madh të Letërsisë dhe edhe të atyre që s’e kuptojnë apo s’e duan, shoku më i vogël me ca gjyzlykë, jo vetëm
nuk humbi andej nga Vllahija, por
shkroi e solli me vete disa kryevepra të përmasave botërore, njëlloj siç pa bërë
edhe mësuesi i tij që pat njohur mërgimin
edhe në Rumani.
Nga pena e bukur e plot
dhimbsuri e Kolevicës na kanë mbetur edhe dëshmi se si e shihte Lasgushi
Mitrushin (si vlerë kulturore, por edhe si shtetas i vetëdijshëm për ato vlera).
Thotë Lasgushi:
Kishim njëherë një
mbledhje në Ndërmarrjen e Botimeve, ne përkthyesat. Këtë rradhë na kishin thirrur
të diskutonim planin e përkthimeve dhe të botimeve. Ishim dhe ne, Paskoja dhe
unë. E, në atë mbledhje, se kush tha:
„Të bëjmë një histori të
vulgarizuar[8]
të Ali Pashë Tepelenës; se e pëlqen populli”. Dakord - thanë disa të tjerë. Dhe
ai i pyeste me radhë: Ç’thua ti, Ç’thua ti? Erdhi rradha në Paskoja. Shoku
Pasko, shoku Pasko, ç’medoni, ju, shoku Pasko?
- Unë jam kundra! tha
Mitrushi. Jam kundra, se Ali Pashë Tepelena qe shqiptar me gjak, po s’qe
shqiptar me shpirt. Shpirtin e kish turk. Ali Pasha Tepelenasi nuk luftoi për
Shqipërinë, po për Alinë. Nuk vrau turq, si Skënderbeu, po vrau shqiptarë.
Këto tha Paskoja i madh
dhe historinë e Ali Pashës u la. Ata s’e kundërshtuan dot.
Më
tej:
… përkthimi do kulturë
të gjerë. Kështu i thanë njëherë murgut
Pasko, në një mbledhje në Ndërmarrjen e Botimeve. - Ti - i thanë - përkthen
shumë shpejt.
Dhe ai, ashtu siç fliste
hutë e ëmhël, tha: Po, s’përkthej unë, përkthen kultura ime.[9]
Një
tjetër bindje e Lasgushit:
Po si përfundim, duhen
apo nuk duhen kritikët? Kritikët duhen. Po ç’duhet të ketë një kritik që të ietë
i mirë? E para: Të ketë shije të pagabueshme artistike, të dallojë menjëherë ç’është
e mirë dhe ç’është e keqe. Të ketë nuhatje. E dyta, që ndihmon të parën, duhet
të ketë kulturë shumë të gjerë dhe të gjithanshme. Te ne kritik i vërtetë ka
qenë Paskoja i madh! Ai i kishte të dy këto cilësi.[10]
Dëshmitë e Kolevicës kulmojnë
me ktihimin nga varrimi i Mitrush Kutelit:
Ishim hashkë me Lasgushinn
në shtëpi të Dhimitër Paskos, pasi u kthyem nga varrimi i tii. Rrinim dhe s’na
rrihej. Deshim diçka të thoshim. Po asniëri s’guxonte. Kur Lasgushi u ngrit të
shkonte, e shoqërova. Rrugës ecnim të heshtur, sikush me brengën e përbashkët e
me mendimet e veta. Më kujtohet fare mirë dhe s’do ta harroj kurrë: Po kalonim përpara
Pallatit të Kulturës. Unë isha ende i përlotur. Lasgushi ndaloi, m’i nguli ata
svtë e zinj dhe tha: Sot unë jam më i mjerë se sa ti, sepse s’mund të qaj.
S’jam i zoti të qaj. Kam qarë shumë... Dikur qanja dhe, duke qarë, hanja një
supë të varfër... Lotët më rridhnin mbi pjatën e supës, më pikonin në lugë dhe
unë i kam ngrënë lotët... Prandaj s’mund të qaj më.
S’ishte koha për ta
pyetur se kur kishin ndodhur këto dhe ashtu të heshtur, pranë shtëpisë së tij,
në gjysmëerrësirën e mbrëmjes, u ndamë. S’thamë dot „Natën e mirë” atë mbrëmje
që i kishim thënë Mitrushit „Lamtumirë”...
Një
letër që Mitrushi ia dërgon Lasgushit nga Bukureshti (26 mars 1932), mbyllet „Me dashuri dhe dhimbje vëllazërore dhe miqësore”.[11] Nuk dyshoj se dëshmitë për
këtë dashuri e dhimbje vllazërore, për
këtë miqësi që është dashur të përballet e të mbijetojë shpesh në heshtje të
detyruar, brenda një shoqërie që bën çmos të barazoje vlerat, duke i ulur në
nivelin e të nënshtruarve, nuk janë shterur. Nga ana tjetër, kam bindjen se
hapësirat e panjohura të kësaj miqësie nxjerrin në pah vlerën e madhe që ka
vetmia krijuese për autorë të këtyre përmasave. Sidoqoftë, në pritje dëshmish
të tjera, mund të gjejmë një argument më tepër në një letër dërguar Asdrenit
nga Lasgushi nga Graz-i më 13 shkurt 1926:
Zjarr, dashuri, harmoni,
simfoni, idealëri, Shqipëri! Mund të thuash si të të pëlqejë. Prej të gjitha
këtyreve, s’del tjetër gjë, përveçse një dashuri pa shembull për çdo gjë që ka
të bëjë me shumë të dhemshurin tonë vend ku kemi lindur, mos pandeh kurrë se
Vendi ku kemi lindur është vetëm shtëpia, ara, fusha, liqeri, pylli, lisi,
mana, ferra, lulja. Janë veçanërisht njerëzia që lëvizin andej-këtej nëpër
Shqipëri. Kësaj njerëzie shqiptare ne i kemi falur ç’gjë më të bukur që kemi
pasur: pastërtinë e shpirtit, dashurinë e zemrës, ëmbëlsinë e fjalës.[12]
Mendoj
se ky përkushtim, që është i njëjtë edhe tek Mitrushi, në jetë e në krijimtari,
mbetet rrënja e gjallë që rrit veprat e tyre nër paharrim.
[1] Kolevica, Petraq, Lasgushi më ka thënë – shënime nga bisedat me Lasgush Poradecin,
Sh. B. 8 Nëntori, Tiranë, 1992; Kolevica, Petraq, Me Mitrushin, Toena, Tiranë, 1997.
[2] Poradeci, Lasgush, Vepra letrare, Biblioteka e Traditës, Sh. B. Naim Frashëri, Tiranë
1990, f. 506.
[3] Është fjala për Mësuesin e Popullit, Kol
Koci (Pogradec 1902 - Tiranë 1989), mik i përhershëm i Mitrushit dhe i
Lasgushit.
[4] Poradeci, Lasgush, Vepra… - vep. cit, ff. 474-475.
[5] Kolevica, Petraq, Lasgushi më ka thënë, f. 214.
[6] Kolevica, Petraq, Lasgushi… - vep. cit. f. 2016.
[7] Shih Kuteli, Mitrush, Tregime të zgjedhura (STZ), Tiranë 1972,
f. 288.
[8] Folësi ka dashur të thotë popullore, të kuptueshme, por aq e dinte
latinishten.
[9] Kolevica, Petraq, Lasgushi…, vep. cit. f. 105.
[10] Po aty, f. 111.
[11] Poradeci, Lasgush, Vepra…, vep. cit. f. 509.
[12] Po aty, f. 461.