Kopi Kyçyku
Shkrimtari rumun Stefan Xheorxhesku-Serxhent (1859-1922), luftëtar i vijës së parë në përpjekjet për Pavarësinë e Rumanisë, ka qënë mik i çiltër e i zjarrtë i kombit e i popullit tonë. Këto ndjenja të ngrohta ai i ka shprehur nëpërmjet veprës së tij letrare, në prozë e në poezi. Vend të dukshëm në këtë drejtim ze edhe drama me pesë akte në vargje “Shqiptarët”, e botuar në Bukuresht nga Instituti i Arteve Grafike të Rumanisë, më 1898 dhe e vënë në skenë, po aty, një vit më vonë.
Njohës i mirë i historisë dhe i traditës sonë, autori ka ditur të na japë me vërtetësi, me patos e me art, tablo të fuqishme e prekëse nga luftrat heroike e të njëpasnjëshme të bijve e bijave të popullit tonë në vitet e fundit të sundimit të Sulltan Mehmetit II (1784-1839).
Idetë se forca e gjallë, që do ta shpëtojë Shqipërinë, janë masat popullore, njerëzit e thjeshtë, madje edhe gratë si Dora, me aftësi komanduese dhe se Shqipëria rron e do të rrojë edhe pa Skenderbeun, se vepra e fryma e tij janë në zemrat e të gjithëve, nënvizohen qartë gjatë krejt zhvillimit të ngjarjeve të dramës. Kemi arsye të besojmë se emrin e protagonistes kryesore të dramës, Dora, autori ia ka marrë “hua” së shquarës sonë Dora d’Istria, aq e njohur dhe e vlerësuar në Rumani, por edhe në botë.
Autori di të bëjë një diferencim të thellë edhe në gji të shoqërisë osmane, duke dalluar qartë e prerë kastën e korruptuar të Sulltanit nga njerëzit e thjeshtë, që vuanin e shtypeshin njëlloj si popujt e tjerë të perandorisë. Krahas shqetësimit të Sulltanit, ngaqë “Shqipëria është kockë e fortë dhe e pakapërdishme”, zbërthehen artistikisht, në dritën e fakteve historike, dhelpëria e qëndrimi me dy faqe i Venetikut ndaj çështjes shqiptare.
Në atë përleshje të pabarabartë me armiq të hapur e të mbuluar, populli ynë ishte ngritur i tëri për të flijuar gjithçka në altarin e lirisë. Prej detit të urrejtjes popullore, si dallgë të fuqishme, ngrihen e vërsulen mbi pushtues e tradhtarë edhe vajzat e nënat shqiptare. Ato, jo vetëm lindin e rritin trima, por edhe luftojnë në krah të tyre, atje ku rreziku është më i madh. Pena e Xheorxhesku-Serxhentit i ka qarë me lot këto krijesa titanike, që vetëm një truall i larë me lumenj gjaku mund t’u japë jetë. Me zemrën mal e shpirtin det, ato kacafyten me vdekjen për të shpëtuar jetën e fëmijëve, pra të ardhmen e kombit. Kështu i kanë mësuar atdheu e liria. Duke shpalosur një mozaik të tërë virtytesh, njëri më i çmuar e më i ndritshëm se tjetri, autori, si rrallëkush, argumenton artistikisht përse femra shqiptare brezpasbrezi i ka merituar plotësisht nderimin e mirënjohjen e popullit të vet e të njerëzve përparimtarë kudo në botë.
Drama që zhvillohet pjesërisht në Shqipëri e pjesërisht në Stamboll, fillon me një skenë me sfond malet tona. Aliu, jeniçer, ka rënë rob në duart e luftëtarëve shqiptarë dhe, në të njëjtën kohë, atij ia ka "robëruar" zemrën Dora, një vajzë trimëreshë shqiptare. Këtë të fshehtë ia zbulon me djallëzi Kosta, agjent i maskuar i Fanarit dhe i premton ta ndihmojë. Nga ana tjetër, në një ditë feste, kur luftëtarët do të zhvillojnë lojra trimërie, Kosta gjen rastin dhe i kërkon për vete Nemisës dorën e së bijës, Dorës. Nëna i thotë se Dorën do ta marrë ai që del fitues në betejë. Dora krenohet me qëndrimin e s’ëmës dhe shton se nuk do të mashtrohet kurrë nga fjalët e sheqerosura e lajkatare, duke aluduar qartë për Kostën.
Skena e katërt e aktit të parë çelet me lajmin që sjell luftëtari shqiptar, Marku, se hordhitë osmane po afrohen dhe kanë urdhër të kapin Dorën, komandanten e shquar, e t’ia çojnë Sulltanit në sarajet e Stambollit. Prijsja vihet në ballë të një grupi të madh luftëtarësh dhe i premton s’ëmës se do t’ia zbardhë faqen, si gjithmonë. “Shqiponja tek rreh flatrat e ngjitet gjer në re/, Nuk trembet nga hijenat, nga djaj e ujq përdhe” shprehet Dora. Në largim e sipër, ajo e pyet nënën në se kanë ndonjë shënjë dalluese dy vëllezërit që ia patën rrëmbyer nga gjiri osmanët kur vranë babanë e Dorës, që t’i njohë në i rëntë rasti t’i takojë. Dhe nëna ia tregon shënjat.
Në aktin e dytë, që zhvillohet në kryeqytetin e perandorisë, dy jeniçerë, Murati dhe Ibrahimi, sidoqë kanë kryer krime gjatë tërë jetës, ndjejnë një kafshim në ndërgjegje pikërisht tani që Nemisa, nëna e Dorës, është kapur tradhtisht nga njerëzit e Sulltanit dhe mbikëqyret në burg nga jeniceri Selim, i cili nuk e di se ka vëlla Aliun dhe të dy janë djem të Nemisës. Përveç faktit që, për një çast, mendja u shkon se mund të pësojnë edhe vetë të njëjtin fat në të ardhmen, kanë frikë se mos shqiptarët vrasin Aliun për hakmarrje ndaj vdekjes së mundshme të Nemisës. Shqetësimi i bën, më në fund, t’ia thonë Kostës, të cilin e njohin, të fshehtën mbi rrëmbimin, që në mituri, e dy djemve të Nemisës. Synimi është që Kosta të parandalojë vrasjen e Aliut. Murati shkon takohet me Kostën dhe, sa fillon t’ia rrëfejë ngjarjen, Kosta e ve në dijeni se ka vendosur, edhe ai, të vihet në shërbim të Sulltanit, mbasi shqiptarët nuk e kanë të gjatë. Ndërkohë që Murati e përgëzon për këtë vendim, Dora, që ua ka dëgjuar dialogun, qëllon Muratin për vdekje. Kostën, gjithashtu, e dënojnë me vdekje duke e hedhur nga maja e një shkëmbi. Një rastësi e shpëton Kostën, - mortja s’ha çdo gjë, - i cili kalon në kampin osman. Ndërkohë, Nemisa u bën ballë me heroizëm trysnive të Padishahut për t’i dhënë të bijën, Dorën. Selimi ka mendimin se Kosta duhet vrarë. Përderisa ka tradhtuar bashkatdhetarët e vet, ai mund t’i punojë të njëjtin rreng edhe Sulltanit. Por ndërhyn Aliu, që thotë se Kosta i ka shpëtuar jetën duke e lënë të lirë të ikte tinëz shqiptarëve. Gjithashtu Kosta u ka dhënë informacion të hollësishëm osmanëve nga duhet t’i qëllojnë forcat e Dorës për t’i asgjësuar me lehtësi.
Në skenën e katërt të aktit të katërt, Dorën me shokë e shohim në një betejë të re dhe njëherazi në pritje të ndihmave të premtuara me bujë nga Venetiku. Marku i thotë: “Ta dish që venecianët të besës nuk i ke, madje edhe kur bëjnë si djaj be e rrufe”. Ndërsa Dora: “E di Mark fare mirë, veç na e kanë nevojën, nga deti ne i mbrojmë, për ta jemi mburojë”. Pasi bindet që ndihmat nuk kanë për të ardhur, urdhëron gratë të hedhin gurë e trungje mbi kokat e armiqve që janë afruar së tepërmi, ndërsa burrat të bëjnë gati armët. Ndërkohë, Kosta, me një tabor osman, u merr krahët, vret pas shpine Markun dhe kapet Dora. Kjo i përgjigjet me përbuzje e neveri Selimit, kur ky i thotë se Sulltani ia ka premtuar për grua. Aliu e thërret Selimin në duel: kush del fitues, merr Dorën. Fillon dyluftimi. Dora ia sheh shënjën Selimit dhe u thotë të ndalen. Të dy shtangen nga zëri i saj bubullues e njëherazi i ngrohtë.
Në këto e sipër Sulltani shkarkon Vezirin e Madh për dështimet në luftrat me shqiptarët dhe, në vend të tij, emëron Kostën.
Në burg, pranë Nemisës e Dorës, ka rënë tani edhe Selimi, i cili, me të marrë vesh të vërtetën, ka hequr në çast dorë nga lufta kundër shqiptarëve. Aliu vjen të shpëtojë Selimin, por, në ngazëllimin që ka njohur nënën e motrën, ky nuk do që të largohet dhe i thotë Aliut, me të cilin pajtohet, të ikë me Dorën duke u uruar fatbardhësi. Por as Dora nuk pranon ta lerë të vëllanë fillikat në qelinë e errët. Ajo, pa e ditur që edhe Aliun e ka vëlla, i thotë se vetëm ai ka qënë i denjë për dashurinë e saj. Aliu largohet i pikëlluar dhe krenar për këtë heroinë që e shpërfill vdekjen. Ndërkohë Aliu mëson nga goja e jeniçerit Ibrahim të vërtetën, pra që është vëlla me Selimin dhe të dy vogëlushët Ibrahimi me Muratin ia patën rrëmbyer nga gjiri Nemisës. Ai shton se këtë ndodhi Murati ia pat treguar edhe Kostës. Shokët e Aliut e vrasin këtë, ndërsa Aliu vdes nga pikëllimi i madh që s’mund t’i shohë dot edhe një herë nënën, motrën e vëllanë, të cilët kanë vdekur tashmë heroikisht.
Vlerat artistike të dramës “Shqiptarët” janë të larta.
Katërmbëdhjetërrokshi, që, për nga shtrirja e ritmi, ruan strukturat themelore të shtatërrokshit të krijimtarisë popullore gojore rumune, i ka dhënë dorë autorit ta bëjë rrëfimin të plotë e tërheqës. Rima, kryesisht e puthur, i shkon për shtat natyrës së subjektit dhe stilit të dramaturgut. Është ruajtur harmonia që përfton njësimi i objektit të përshkruar (luftëtarët shqiptarë që lëvizin si anije mbi valë), me strukturën valëzuese (ngjitëse e zbritëse) të tri këmbëve jambike të bashkuara në vargje, duke i dhënë gjallëri të brendshme pejzazhit, në sfondin e të cilit zbërthehen situatat dramatike. Bie në sy, gjithashtu, begatia e figurave, përherë në funksion e në të mirë të kumtimit sa më qartë të idesë në momentin e dhënë.
Duke qënë se në qëndër të veprimit, autori ka vënë femrën shqiptare, si nënë të dhemshur, të ndershme e amvisë, si luftëtare dhe komandante trime e të zgjuar, kujdesin më të madh ia ka kushtuar zbërthimit psikologjik të kësaj figure. Me një vërtetësi e bukuri të rrallë, përshkruhen sidomos skenat e qëndresës së Nemisës e të Dorës në qeli. Vetë Sulltani, Mehmeti II, që ia ka ndjerë famën guximit e mençurisë së Dorës, i ndruhet ballafaqimit të hapur me armë në shesh të burrave, me forcat që ajo komandon. Por, edhe tani që e ka kapur Dorën me dredhi, detyrohet të pohojë se “kjo vajzë e re po na ve në lojë”. Ndërsa Nemisa, Vezirit të Madh, që mundohet t’i mbushë mendjen ta largojë të bijën nga rruga e luftës kundër otomanëve, i kthehet: “Më vrisni, më coptoni, në daçi, menjëherë, por trimes së nënokes, që luftë bën me nder, i them: më fort mpreh shpatën, qëlloji pa mëshirë, të zhduket fara e keqe-Sulltani egërsirë!”
Paskëtaj, Sulltan Mehmeti II, pikë e vrer, i zbrazet Vezirit: “Vërtet vdiq Skenderbeu, po pse kujtuam vallë, se fundi Shqipërisë i erdh; jo, mbeti gjallë!”
Drama “Shqiptarët” përbën edhe një homazh për luftrat e paprera të popullit tonë për çlirimin e vet kombëtar e shoqëror dhe ndihmesën e çmuar që ka dhënë për lirinë e pavarësinë e popujve të tjerë të Ballkanit.
SHQIPTARËT (ALBANEZII)
Dramë nga Stefan Xheorxhesku-Serxhent
Vetët
Dora…vajzë e re shqiptare
Selimi…aga i jeniçerëve, vëlla i Dorës
Aliu…zëvendësi i Selimit, vëlla i Dorës
Nemisa…nëna e tyre
Kosta…agjent i Portës së Lartë
Marku…shqiptar
Danili…shqiptar
Gjorgu…shqiptar
Murati…jeniçer
Ibrahimi…jeniçer
Beqiri…jeniçer
Sulltan Mehmeti II
Veziri i Madh
Sheik-ul-Islami
Një oficer turk
Një kasnec turk
Shqiptarë, jeniçerë, ushtarë, oborrtarë, njerëz të thjeshtë.
Ngjarja zhvillohet nga fundi i sundimit të Sulltan Mehmetit II, pjesërisht në malet e Shqipërisë, pjesërisht në Stamboll.
Akti I
Skena I
Në fund, djathtas, një shtëpi në një qytet të Shqipërisë, rrëzë maleve. Përpara shtëpisë, një krua. Gra dhe vajza shkojnë e vijnë, mbushin ujë dhe ngjatjetohen. Në ballë të skenës, Aliu dhe Kosta po kuvendojnë.
(Aliu dhe Kosta)
Aliu
Kurrgjë kujt s’i kam thënë, s’jam hapur me njeri.
Kosta
Dhe ti, vërtet kujtoke se bota nuk e di ?
Besoj: asgjë s’ke thënë, por vema veshin mirë,
Nuk mund ta fshehësh zjarrin që paq të ka përfshirë.
Sa shpejt nuhatin njerëzit, prandaj krejt kot e ke;
Kushdo që ze qymyri, hap zemrën rrallëherë,
Krejt brengat e rënkimet i mban larg nga të tjerë.
Por emrin, aq të shtrenjtë, padashur mërmërit,
Nën yje, në burime, nën hënën që lart ndrit;
Atje derdh mallnë e shkretë, që shpirtin e zhurit.
(Dora me kostum burrash dhe e armatosur, duke ardhur nga ana e majtë, kalon në fund, përshëndet gratë dhe hyn në shtëpi. Aliu, me ta parë, turbullohet. Kosta e ve re).
Aliu (i tunduar)
E sheh ?
Kosta (mënjanë)
E shoh.
Aliu
Për dashurinë time, përse të ha meraku ?
Kosta (mënjanë)
Më ha që çke me të ! (Me zë të lartë) : E di kush është shkaku ?
Kam qejf të të ndihmoj, të quaj si vëlla.
Aliu
A thua të besoj, apo e ke shaka ?
Kosta
Ma hap pa ndrojtje zemrën dhe ki besim të plotë.
Ndër shokë, më të çiltër se unë, s’gjen në botë.
Aliu
Oh, sa fatkeq që qënkam, kujtoja se kët’ zjarr
Të fshehtë, do ta merrnja me vete gjer në varr.
E udhës s’do të ishte, që ty të ta tregoja.
Kosta
Por unë të zhbirova, paçka se s’ta tha goja.
Ti Dorën dashuron, Ali, dhe marrëzisht.
Aliu
Ashtu është vërtet, po vuaj tmerrësisht.
Kosta
Ahere ç’ke që ndruhesh, rënkimit ç’i jep shkas ?
Aliu
Vështrimi i saj i mënçur më turbullon pa masë.
Dhe koka sa s’më çahet e tëmthat më buçasin,
Pa dridhem si nga ngricat, në dej akuj më shkasin.
Nga dhimbje të llojllojshme më djeg kurmi i coptuar,
Sa herë e ndesh në rrugë, mbi kalin krifëçuar,
Perri, e tej perrie, si zog që fluturon,
M’e shpejtë se vetë era, veç dritë rrezaton.
Si ëndërr ledhatare, që plot të mira ndjell,
Me pluhur të florinjtë, më josh e më mbështjell.
Pyes veten: qënie është, a zanë përrallore ?
Ia ndjek me synë e ndezur krejt hiret vashërore.
Sakaq, tej është zhdukur, të piqet me agimet,
Dhe troku i rëndë i kalit m’i shton pafund trishtimet:
Si breshër zhurmëshumë, në tëmtha më gjëmon,
Kur nata paqesjellse me tis çdogjë mbulon;
Kur gjindja krejt përgjumet, pushtuar me magji,
Me yjet bëj kuvend, me flakë e prush në gji.
E brof nga djersët-akull, se ç’ndodh s’marr vesh më tej,
Veç goja më përthahet e gjak më s’kam në dej.
Vullnete arratie, rrënqethje dhe topitje…
Po jeta, si më duket ? Mërzitje mbi mërzitje.
Dëshira të çudiçme më sillen e s’më ndahen,
Përpara se të çelin, si gjethe vjeshte thahen.
O femër hijerëndë, që shpirtin ma trazon,
Për ty bëj ç’të më thuash, të lutem fol, ç’kërkon ?
Aliu, jam a s’jam, më rrufeson me sy,
Kërthi, a send pa vlerë, më ngjan se jam për ty.
Mos dola nga fiqiri, për turp të botës mbarë ?
Mëkat në paça bërë, me gjak kam për ta larë,
Si bar të keq vetveten do shkul, mos mbiftë farë.
(Del me ngut)
Skena II
Kosta (i vetëm)
Ali, si pate thënë ? Ke rënë në dashuri
Me Dorën ? Kush besonte që paske kaq lakmi ?
Do shohësh për së shpejti mynxyra dhe mundime,
Se Dora do të bëhet patjetër zonja ime.
Asnjë minutë kohë s’do humb, ja, që tani
Po shkoj t’ia shfaq dëshirën dhe fap, drejt në shtëpi
Ta çoj Dorëzën nuse…Aliu ç’do të thotë ?
As çaj kokën për të, në rron a s’rron në botë.
(Qesh)
Pa në guxoft’ të prishë galdimin tim të ri,
Në hi kam për ta kthyer dhjetë herë, mjerë ai !
Hakmarrjen e mbaj ndezur, ajo të ha të gjallë.
Ja, Dora po afrohet, o fati im i rrallë !
Skena III
(Kosta, Nemisa, Dora)
Nemisa
Hë, ç’kemi ? Pa më thoni, janë mbledhur njerëz shumë ?
Dora
Oh, plot dhe po vazhdojnë vargan-vargan, si lumë.
Më ngjan se te ky shesh po vjen krejt Shqipëria,
Më këmbë dhe kaluar, gra, burra, djelmuria.
Në ndeshjet trup me trup, në garat me hark, shtizë,
Patjetër luftëtarët do bëjnë dhe surprizë.
Kosta (duke u afruar)
Të mira ju urojmë!
Nemisa
Mirë paç, të ngjatjetojmë!
Kosta
Nemisë, fort shpresoj, nga ju të pritem mirë,
Të fshehtë thellë në gji kam mbajtur një dëshirë:
Si lulja erëmirë më mbiu, rrjedh si krua,
Për Dorën e kam fjalën, të lutem jepma grua.
Dora
Të gjithëve u kam thënë, dëgjoje, pra, sërish:
Për burrë do të marr atë, që në garë më grish
Dhe trimërisht më mund, pa hile, pa dredhi.
Kosta
Në vallen që përmende, nuk futem, se e di,
Që, padyshim, përherë, me hak fiton veç ti.
Nemisa
Me luftë zemrën fitoja, kështu të ka lezet !
Kosta
Përgjigja që më jepni, çdo shpresë po ma tret.
Nemisa
Nuk desha të të fyej, dëgjo pak histori:
Dikur çdo çun shqiptar, ti ndoshta nuk e di,
Në s’kish kalë edhe armë, nuk thirrej as në emër,
Kurrkujt, madje as prindve, s’u hynte hiç në zemër.
Përbuzur krejt, pa miq, pa shokë, pa ngrohtësi,
Në mort, o në gostira, s’e qaste asnjeri,
Kushdo veç ëndërronte, në luftë apo në garë,
Të shquhej mbi të tjerë, të zinte vend të parë.
Qarkuar prej nderimesh të çiltra, pa kufi,
Të zgjidhte, kish të drejtë, nga vajzat çdo perri.
Zakone fort të bukura, fisnike sa s’ka më,
Si mbret, në krah fituesin e ngrinin një nga një.
Gjith’ shokët fort gëzonin dhe vashat si shebojë,
I dilnin ta uronin me valle e këng’ në gojë.
Në ballë të tyre nusja, për dasmën e stolisur,
Krenare, që me trimin një jet’ të re kish nisur.
I dashuri i zemrës, me ajkën ish ndër burra,
Ndaj lule i dhuronin dhe këngë i thurrte gurra
E vendit mbarë. Kështu më mori edhe mua
Im shoq, e faltë Zoti, më zgjodhi mbi çdo grua.
Dora
Për gjirin që më dhe, krenare jam përherë.
Nemisa
Të gjitha porositë t’i mbash ndërmend me nder.
Dora
Oh, nënë, nënë e shtrenjtë, tek unë ki besim,
Askush dot s’do cënojë të pastrin emrin tim.
Nga fjalët lajkatare të njerëzve të pështirë,
Jo, kurrë s’do të joshem dhe ti më njeh fort mirë.
Të thyhem nga intrigat, nga kurthi gjarpëror,
Që mllefin e përçartur mbi mua ndonjë horr
Të derdhë, të bërtasë: Ja, Dora, më në fund,
E uli kokën fare, përdhe u shtri, u mund.
Vështrime helmpërhapës, nënqeshje epërsore;
Së larti të më hedhin lëshime “mëshirore”;
Këtë armiqtë lusin, që të më nxihet jeta;
Por kjo s’arrihet kurrë, nuk mposhtet e vërteta.
Kosta
Nemis, ma vratë shpresën me fjalët përvëlim,
Për mua tash e tutje kjo botë s’ka gëzim,
Në rroj, a s’rroj, ç’më duhet, aspak s’ka rëndësi.
Skena IV
(Të lartpërmendurit, Marku dhe shqiptarë që vijnë papushim gjatë gjithë zhvillimit të kësaj skene).
Nemisa
Hë, Mark, a nuk më thua, ke sjellë lajm të ri ?
Marku
Osmanët shpirtmizorë po dynden me hordhi,
Në muret e kështjellës po rrinë në pusi.
Vizita që na bëjnë s’më kall tmerr, por veç ndot..
Nemisa (me qesëndi)
Të vijnë “miqtë e dashur”, se kemi “bukë” plot..
Marku
Kam frikë se imtësitë që lidhen me mandatën,
Jo pak do të ta shtojnë, Nemis, ty zemëratën.
Në jetën me rrëmete, mjaft halle ke kaluar,
Një fat i pamëshirshëm papre ka fshikulluar.
Nga dallgët e stuhishme dhe qëniet titanike
Dërrmohen, por ti mbahesh e fortë, moj fisnike.
Dora
Më shkoqur shprehu, Mark, përse s’më sheh në sy ?
Marku
Me dhimbje ta them, motër, por fjala ësht’ për ty.
Dora
Ahere nis rrëfimin, pa qoftë dhe rrebesh !
Marku (mënjanë)
Përse t’i bie rrotull ? Më mirë ta marrin vesh.
(Me zë të lartë) Në luftra gjithë armiqtë, përherë i ve përfund,
E di Sulltani vetë, se fronin po ia shkund.
Në gara kalëron si erë e vetëtimë,
Komitçe tek këndon, në sup zogjtë të rrinë.
Sulltani ka dërguar ushtarë mizëri,
Të gjallë të të kapin dhe në saraj të tij
Me ngut të të përcjellin, që ne në këtë tokë
Pa prijse të na lerë, të mbetemi pa kokë.
Nemisa (ia shtrëngon duart Dorës)
Moj bija ime e dashur, guxim, mos u trondit !
Dora
O Mark, ku e dëgjove kët’ lajm që më habit ?
Marku
Zbuluesit më njoftuan: u kthyen sot menatë.
Nemisa
O Zot, ç’të paskam bërë, që fshikull e mandatë
Më jep pa pik’ mëshirë ? Me fjalë s’thuhet dot,
Kjo dhimbje kaq e hidhur, që zemra mori sot.
Pa shih, dhe luftëtarët, pik’ gjaku në fytyrë
S’u mbeti, se s’durojnë aspak këtë mynxyrë.
Të rënda këto kohra, me nderin tim bëj be:
S’ma merrte mendja kurrë të talleshin me ne,
Të poshtrit, të pacipët. Oh, ferri t’i përlajë,
Përditë kukuvajka mbi koka t’u përvajë.
Të zgjohej dhe një herë heroi Skenderbe,
Krejt plehrat t’i qëronte me fshesë nga ky dhe.
Marku (Dorës)
Vonesën mënjanoje, vendos pa një, pa dy.
Dora
Moj nënë, mos u tut; o Mark do shkoj atje (tregon malet)
Se strehë më të sigurt se malet, s’ka për ne.
Të ndizen çuka e maja nga këngët e hakmarrjes,
Të digjen, të zhuriten nga zjarret e gjakmarrjes
Hordhitë e Satanait, barbarët e mallkuar,
Në dheun që ka rritur shqiptarët më të shquar.
Shqiponja tek rreh flatrat e ngjitet gjer në re,
Nuk trembet nga hijenat, nga ujq e djaj përdhe.
Marku
Të gjithë do të vijm’ me ty, na prij gjithnjë në ballë,
Të afërm, prind e vatra, o trimëreshë e rrallë,
Për vendin bëhen fli, për të ia bëjmë fora,
Njëzëri me gjith’ zemër thërresim: Rroftë Dora !
Të gjithë
Urra, sa malet rroftë, sa bjeshkët me dëborë,
Për vendin tonë të dashur, me gaz bjemë therrorë.
Kosta (mënjanë)
Sa dua, përfund honit të dergjet, oh, që sot !
Nemisa
Moj bija ime e shtrenjtë, s’e merr me mend, jo, dot,
Ç’gëzim po ndjej në shpirt, prej tij më rrjedh ky lot.
Dora (Nemisës)
Je gati, nëna ime, të nisemi ? Si thua ?
Nemisa
Moj bijë, nisu vetë, mos ki merak për mua.
Dora
Si the, më bëjnë veshët ? Pa ty s’lëviz një hap,
Se zemër e kurajë më jep çdo kulm të kap.
Mos ndoshta s’jam e denjë për tënden dhemshuri,
O nëna e të gjithëve në Mëmën Arbëri ?
Nemisa
Ti s’di se ç’flet, moj bijë.
Dora
Për ty me gaz fal jetën, këtë kushdo ta dijë.
Nemisa
Për ty, tjetër flijim, moj bijë, po mendoja,
Kaq ngushtë ta shikoje, më fal, por s’e besoja.
Nga një kujtim i tmerrshëm, kjo zemër pikon gjak,
Dhe pata tepër shpresë se ti do merrje hak.
Nga ti, therror krejt tjetër, fisnik,kërkoja unë,
Të zonjën, pa të dytë, të njoh ty për një punë.
Tash zemrën po ta hap, dëgjomë me kujdes,
Yt atë ish i ndershëm, i drejtë, si ai,
Sa fort më desh, e doja, gjithkush na kish zili.
Në krye të kështjellës ish zgjedhur atëherë,
Në male, në lëndina, nuhatej veç pranverë.
Vëllai yt i madh s’kish mbushur katër vjet,
M’i vogli dy pranvera ende s’kish parë në jet’.
Oh, ç’humba atëkohë, një shpirt vetëm ma di,
Si gjemb me helm më mbiu rënkimi thell’ në gji.
Thesaret e paçmuar, të poshtrit m’i grabitën,
Ma bënë gazin zi dhe varr ma bënë ditën.
Kështjellën tonë osmanët, një kopsht të lulëzuar
E quanin dhe lakmonin një ditë për ta pushtuar.
Por burra e gra, të gjithë të ndershëm e krenarë,
Puntorë të papërtuar, të mënçur, luftëtarë,
Për tokën e për shpatën njëlloj bënin kujdes,
Ndaj jeta rridhte e qetë, gjith’ lidhur besa-bes’.
Por bisha e Anadollit, Sulltani shpirtkatran,
Papritur, pakujtuar përhapi tejendan’
Ca shpifje, ca trillime, që veç një mendje e trerë
I pjell, i rrit, i fryn, i derdh ku mund paprerë.
Kështu furisë së çartur dhe sulmit të pabesë,
T’i gjente një përligjje, Stambolli kishte shpresë.
Një natë të errët pus, hordhitë na sulmuan,
Të mbjellat e pemishtet i dogjën, i rrafshuan.
Në hellin e përbindshëm, në kama dhe në shpatë,
Kaluan pa mëshirë gra, pleq, fëmijë pa fat.
I bënë bisht përleshjes me luftëtarët tanë,
Pa çelur ende dita, u zhdukën nga çdo anë.
Me vete morën, oh, të poshtrit plot vocrrakë,
Çdo zemër nëne e bënë të rridhte vrer e gjak.
Me ty në gji kaloja atë natë nëpër terr,
Yt gjysh po më përcillte në kthim. Oh, ç’tmerr, oh, c’tmerr!
Kur hymë në shtëpi, dy djemtë m’i kishin marrë,
Babanë tënd tradhtisht në gjumë e patën vrarë.
Kujtova se mynxyrën s’do kisha dot fuqi
Ta mposhtnja ndonjëherë, ti qaje fort në gji
Dhe kamën, që shpesh doja ta ngulnja mu në zemër,
E shtyja tej në çast, se ti mbaje një emër:
Hakmarrje, që do ndizje urrejtjen përmbi pisa,
Por shpesh zjeja përbrenda: përse, vallë, i braktisa
Voglushët ? Përse, vallë, i lashë në shtëpi ?
Prandaj dhe më goditi kaq ashpër fati i zi.
Vendosa të jetoja, uroja pak fuqi
Të kisha, të të rritja me qumshtin tim në gji,
Që nesër hak të merrje për vllezër, për babanë,
Për pleq, gra e për foshnja, për vendin-kasaphanë.
Marku
E gjatë qënka jeta, plot gjëra gjurmë lënë.
Dora
Kaq brenga paske hequr dhe nuk u mposhte, nënë !
Nemisa
Urrejtja e pamatë, urrejtja hon e thellë,
Në shpirt rrënjët i hodhi, në çast, sapo qe mbjellë.
Urrejtjen e mëkoj, ajo më mban të gjallë,
Më nxit, më frymëzon, e kam të ndritshme pallë,
Me të përball çdo hall, çdo brengë, vështirësi.
Ta shtroj përfund armikun, të qesh me të siç di,
T’ia hedh mllefin-pështymë, ta nxij sa kam fuqi.
Veç kaq kërkoj nga jeta, s’i dua më shpërblime,
A thua të zhgënjehet, moj bijë, shpresa ime ?
Dora
Nënë…
Nemisa
Nga gjiri im ushqyer, o Dorë qofsh lavduar,
Nënoken shpresëmadhe nuk ke për ta marruar,
Hordhive preju udhën në hovin e harbuar,
Ngadhnje mbi ta, të thotë një zemër e coptuar.
Qortim mos më bëj, bijë, që amanet të le
Hakmarrjen e pamatë, urrejtjen e pafre.
Një rrugë të mundimshme të ndjekësh ke përpara,
Por tutja, jam e bindur, tek ti nuk gjen të çara.
Dora
Besim të plotë, nënë, tek unë gjithnjë ki !
Nemisa
Çdo femër mund të mposhtet, jo rrallë, me dredhi,
Por jo, armiku kurrë tek ti s’gjen dobësi.
Dora
Nënë…
Nemisa
Urrejtjen e pashterur ta lija, e di mirë,
Do bëje jetë të qetë, me gaz e me dëshirë,
Do zgjidhje shokn’ e zemrës, do lindje dhe fëmijë.
Boll halle kam përtypur, por kurrë të mos vijë
Mandata përvëluese e ferrit zi, katran,
Që grua e harremit të bëhesh për Sulltan.
Marku
Kjo kurrë s’do të ndodhë.
Dora
Jo, nënë, s’do të ndodhë, jo, jo, kjo palo punë,
Oh, hak kam për të marrë, besim ki fort tek unë.
Tani për dy vëllezrit, diçka pa më rrëfe,
A mundet, ndonjëherë, diku t’i has, t’i gjej ?
Nemisa
A janë më në jetë, të gjorët, kushedi,
A kanë përballuar të rëndën robëri.
Me miq e me të njohur kërkova nëpër botë,
Por kot më shkoi mundi, kam mbledhur vetëm lotë.
M’i madhi, Gjergji quhet, në dorë, mirë e di,
Një shenjë të dallueshme e ka njëlloj si ti.
Të dyve nga një verore,
U vara në kraharore.
Dora (luftëtarëve të saj)
O trima, a jeni gati ?
Të gjithë
Gati !
Dora
Një mendje e një zemër të gjithë të na bashkojë,
Në rrugën e mundimit të shkojm’ me këng’ në gojë.
Barbarë e të pabesë, armiqtë jan’ gjithmonë,
Por çështja jonë e shenjtë, si ylli na ndriçon.
Do shkelim si mbi gjemba, rreziqe pandërprerë,
Do ndeshim hap pas hapi përbindsha helm e vrer.
Osmanët gjakatarë goditjen ku na dhëmb,
Do bëjnë çmos ta japin, madje me shpirt ndër dhëmbë.
Këtej e tutje brengat do kemi ne për pjesë,
Vullnet i papërkulur na duhet pa vonesë.
Secili të mendohet, ta shkoqë punën mirë,
Po qe se s’bën dot ballë, të ikë me dëshirë.
Ai që ka mëdyshje, që s’ka besim, guxim,
Mënjanë të tërhiqet, mos ndjejë shqetësim,
Mëri nuk do t’i mbajmë, se jemi zemërgjërë,
Ata që do të mbeten, të jemi një e tërë.
Kosta
Pra, kushdo mund të largohet ?
Dora
Patjetër; më qartë se kaq s’mund të shpjegohet.
(Ilaritet ndër luftëtarë. Asnjëri nuk largohet.
Kosta duket i pavendosur por nuk tërhiqet).
Të gjithë
Të gjithë e falim jetën për Mëmën Arbëri,
E shenjtë ësht’ lufta jonë, na jep përjetësi.
Dora
Tani, vëllezër, shokë, si grushti të bashkuar,
Përpara të marshojmë, atdhenë për ta shpëtuar.
Të gjithë (ngrenë shpatat)
Betohemi ta mposhtim armikun egërsirë !
Dora
E, nënë, je e kënaqur ? Bekomë, lamtumirë !
Nemisa
Voglushja ime e shtrenjtë, m’e lumtura ndër nëna
Po ndjehem në kët’ çast; e bukura si hëna,
Sërish ma ngjalle shpresën, më ktheve qetësinë,
E pres vdekjen pa frikë, lum ju për Arbërinë.
Dora (bie në gjunjë)
Na priftë e mbara, trima, në mbrojtjen e atdheut.
Nemisa
Uratën paçi pranë, o gjak i Skenderbeut!
(Dora ngrihet më këmbë dhe e puth).
Luftoni për të drejtën, pa ndrojtje, pa pushim,
Kjo puthje që i dhashë fëmijës së prehrit tim,
Një vulë e shenjtë qoftë, që ngjiz edhe bekon
Besimin e betimin, që sot po ju bashkon.
Dora
Të falemnderit, nënë, për fjalët ëngjëllore.
Nemisa
Ju priftë e mbara, trima, nga zemra: veç fitore!
Të gjithë
Nemis, të vaftë mbarë!
Nemisa
U kthefshi fitimtarë!
Të gjithë (duke u larguar)
Zjarr mbi armikun, me zemrat zjarr!
(Dora niset në ballë të tyre ndërsa këndohet një marsh
luftarak shqiptar. Nemisa i ndjek me sy të ngazëllyer).
(vijon)
Shqipëroi nga origjinali: KOPI KYÇYKU