Një dramë për virtytet e gruas shqiptare



Kopi Kyçyku

Shkrimtari rumun Stefan Xheorxhesku-Serxhent (1859-1922), luftëtar i vijës së parë në përpjekjet për Pavarësinë e Rumanisë, ka qënë mik i çiltër e i zjarrtë i kombit e i popullit tonë. Këto ndjenja të ngrohta ai i ka shprehur nëpërmjet veprës së tij letrare, në prozë e në poezi. Vend të dukshëm në këtë drejtim ze edhe drama me pesë akte në vargje “Shqiptarët”, e botuar në Bukuresht nga Instituti i Arteve Grafike të Rumanisë, më 1898 dhe e vënë në skenë, po aty, një vit më vonë.
Njohës i mirë i historisë dhe i traditës sonë, autori ka ditur të na japë me vërtetësi, me patos e me art, tablo të fuqishme e prekëse nga luftrat heroike e të njëpasnjëshme të bijve e bijave të popullit tonë në vitet e fundit të sundimit të Sulltan Mehmetit II (1784-1839).
Idetë se forca e gjallë, që do ta shpëtojë Shqipërinë, janë masat popullore, njerëzit e thjeshtë, madje edhe gratë si Dora, me aftësi komanduese dhe se Shqipëria rron e do të rrojë edhe pa Skenderbeun, se vepra e fryma e tij janë në zemrat e të gjithëve, nënvizohen qartë gjatë krejt zhvillimit të ngjarjeve të dramës. Kemi arsye të besojmë se emrin e protagonistes kryesore të dramës, Dora, autori ia ka marrë “hua” së shquarës sonë Dora d’Istria, aq e njohur dhe e vlerësuar në Rumani, por edhe në botë.
Autori di të bëjë një diferencim të thellë edhe në gji të shoqërisë osmane, duke dalluar qartë e prerë kastën e korruptuar të Sulltanit nga njerëzit e thjeshtë, që vuanin e shtypeshin njëlloj si popujt e tjerë të perandorisë. Krahas shqetësimit të Sulltanit, ngaqë “Shqipëria është kockë e fortë dhe e pakapërdishme”, zbërthehen artistikisht, në dritën e fakteve historike, dhelpëria e qëndrimi me dy faqe i Venetikut ndaj çështjes shqiptare.