Panait Istrati: "Kira Kiralina" (fragment)

 


Prozator i shquar i gjuhëve frëngjisht e rumanisht, lindur në qytetin Braila të Rumanisë, më 10/22 gusht 1884. U end për të fituar bukën e gojës si punëtor me mëditje, por edhe si gazetar e fotograf, që nga Bukureshti e Kostandinopoja, në Aleksandri, Kajro, Napoli, Paris, Gjenevë, Lozanë etj. Për shkak të vështirësive të mëdha, në vitin 1921, kur ndodhej në Nisë, u përpoq të vrasë veten. Në xhep i gjetën një letër drejtuar nobelistit francez Romain Rolland, i cili ia lexoi shkrimet dhe e mbështeti fuqishëm. Pritja që iu bë librave të tij dhe ndikimi që patën në mjediset letrare evropiane e botërore, ishin të jashtëzakonshëm. Pas peripecish e vështirësish të shumëllojshme, i sëmurë nga tuberkulozi, Istrati kthehet përfundimisht në Rumani në vitin 1933. Ndërron jetë në Senatoriumin Fillaret të Bukureshtit, më 16 prill 1935. Librat e tij janë përkthyer në mbi 30 gjuhë. 

L i b r i

Rrëfimi „Kira Kiralina“ u botua së pari në gushtin e vitit 1923 në Paris, në frëngjisht, shoqëruar me një parathënie nga Rolland, dhe korri sukses të pazakontë te kritika dhe lexuesit. Kjo kryevepër e letërsisë evropiane vjen për herë të parë në shqip nga Kopi Kyçyku.

Botimi i kësaj vepre u mbështet financiarisht nga TRADUKI, një rrjet letrar ku bëjnë pjesë Ministria Federale për Evropë, Integrim dhe Punë të Jashtme e Republikës së Austrisë, Ministria e Jashtme e Republikës Federale të Gjermanisë, Fondacioni zviceran “Pro Helvetia”, Zyra e Kancelarit Federal të Republikës së Austrisë, “KulturKontakt Austria”, Instituti “Goethe”, Agjencia Sllovene e Librit “JAK”, Ministria e Kulturës e Republikës së Kroacisë, Departamenti i Kulturës i Qeverisë së Principatës së Lihtenshtajnit, Fondacioni Kulturor i Lihtenshtajnit, Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Ministria e Kulturës dhe e Informimit e Republikës së Serbisë, Ministria e Kulturës e Republikës së Rumanisë dhe Fondacioni “S. Fischer".



Panait Istrati: "Kira Kiralina" (fragment)

„Dy apo tre vite rodhën të lumtur, të vetmit vite të fëmijërisë sime, që më kanë mbetur të kthjellët në kujtesë. I kisha mbushur të njëmbëdhjetat. Kira ishte pesëmbëdhjetë dhe nuk ndaheshim asnjë çast. E ndiqja këmba-këmbës, kudo, si këlysh, s’ia ndaja sytë as kur shkonte në nevojtore, ia puthja rrobat e parfumuara. Dhe vajza e gjorë mbrohej ashtu siç mundte, me ëmbëlsi, duke më pandehur të pafajshëm. Me thënë të drejtën, nuk kisha asnjë mendim të saktë, nuk dija çfarë doja, vdisja nga ëndja dhe shkrihesha pas saj.
Duhet të shtoj se, në shtëpinë e nënës sime, jetonim në ferrin e dashurisë. Gjithçka ishte dashuri: të dyja femrat dhe adhuruesit e tyre, tualeti, likeret, parfumet, këngët e vallet. Edhe ikja qesharake nga sytë këmbët e dashnorëve më dukej joshëse dhe argëtuese. Vetëm ardhja e babait dhe përplasja e kokave tona pas mureve ishin të papëlqyeshme dhe pa dashuri. Por i merrnim si një çmim që duhej paguar: çmimi i kënaqësisë. Mamaja thosh:
- Çdo lumturi ka anën e vet të trishtë: madje edhe jetën e paguajmë me vdekjen. Prandaj edhe duhet ta jetojmë. Jetojeni, fëmijë, jetojeni sipas shijeve tuaja, dhe në mënyrë të atillë që të mos ndjeni keqardhje për asgjë në Ditën e Gjykimit të Mbramë.