Çmimi Ndërkombëtar për Përkthim, Kishinjev, maj 2015


[Festivali Ndërkombëtar i Poezisë "Grigor Vieru", Instituti Kulturor Rumun / Institutul Cultural Român - ICR]

Mbrëmë, pak pas mesnatës u ktheva nga Kishinjevi, kryeqyteti i Moldavisë. Këtë herë, Vjena ku qëndrova sërish gjashtë orë, ishte nën pushtetin e shiut. Megjithatë, miqtë e mi besnikë e gjetën mënyrën të më kënaqnin duke më çuar për vizitë në disa pika me domethënie të veçantë historike dhe artistike. 
Nga Kishinjevi fola në telefon me mjaft shokë e miq me banim në Tiranë, por edhe gjetiu: Viktor Bakillari, Besnik Sahatçiu, Hektor Toska, Shpend Topollaj, Hervin Fora, Arben Dybeli, Arben Braçe e të tjerë. U befasuan dhe ndjeva kënaqësi që ndodhi kështu.
Por dua t'ju "raportoj" përse shkova në Moldavi dhe çfarë bëra në kryeqytetin e saj në periudhën 18-22 maj 2015. Atje u organizua Festivali Ndërkombëtar i Poezisë "Grigore Vieru", edicioni i shtatë. Nga poeti i shquar rumun, - që jetoi e krijoi në Moldavi, - emrin e të cilit e mban kjo veprimtari që mbledh përvit krijues nga e gjithë bota, kam shqipëruar jo pak. Kjo ishte arsyeja që jo vetëm më ftuan, por edhe më dhanë Çmimin për Përkthim. Çmimin për Poezi e mori poeti 81 vjeçar Ovidiu Xhenaru, ndërsa Çmimin për kritikë letrare studiuesi Ion Holban.
Në takimet me lexues të të gjitha moshave, niveleve e profesioneve, nxënës e studentë, intelektualë të fushave të ndryshme etj, lexova në shqip krijime të Grigore Vierut dhe ishin të shumtë ata që mbetën të ngazëllyer nga tingëllima dhe hijeshia e shqipes. Dhashë tri intervista për Televizionin Shtetëror të Moldavisë, për seksionin e gjuhës ruse të Radio Kishinjevit e për një nga revistat kulturore më të rëndësishme e me tirazhin më të madh, "Letërsia dhe artet". Gjithashtu, në Institutin e Filologjisë të Akademinë së Shkencave të Moldavisë, paraqita kumtesën: "Ndërndikime shqiptaro-rumune në letërsi".
Gjatë qëndrimit në Kishinjev, ndoqa koncerte muzikore, shfaqje teatrore dhe mora pjesë në përurimin e Festivalit të Filmit Rumun, që do të vazhdojë edhe sot. Përveç filmave të rinj, është parashikuar të projektohen edhe filma të vjetër, disa nga të cilët kemi pasur rastin t'i shohim edhe në Shqipëri vite më parë.

Maj 2015