Kënga e Këngëve (Cântarea Cântărilor)*

Shqipëroi Kopi Kyçyku


Kapitulli 1
Dashuria mes dhëndrrit dhe nuses

1.Puthmë me puthjet e gojës sate, se puthjet e tua janë më të mira se vera.
2. Aromat e tua janë balsam erëmirë, mir i derdhur është emri yt, prandaj vashat të duan.
3. Rrëmbemë, merrmë me vete! Haj të ikim! - Mbreti më çoi në këmishët e veta: do të zbavitemi dhe do të gëzohemi me ty. Do të ta madhnojmë dashurinë më shumë se verën. Kush të dashuron, me të drejtë të dashuron!
4. E zezë jam, moj vasha të Jerusalemit, por e bukur, si strehojat e Kedarit, si çadrat e Solomonit.
5. Mos më shihni që jam zeshkane sepse vetë dielli më ka nxirë. Bijtë e mëmës sime u mllefosën, më dërguan t’u ruaj vreshtët, por vreshtën time nuk e kam ruajtur!
6. Por, thuamë, i dashuri im, ku i kullot delet? Ku pushon në mesditë? Përse, vallë, të hallakatem nëpër kopetë e shokëve të tu?
7. Në s’e di ku, ti, moj më e bukura ndër femra, atëhere mos iu ndaj gjurmëve të deleve, kulloti qëngjat pranë kasolleve, kecat pranë barinjve.
8. Si një hamëshor i mbrehur në qerren e Faraonit, të dukem unë, e dashura ime!
9. Të bukura t’i shoh faqet e tua, të vendosura midis vathëve dhe qafës sate të zbukuruar nga sërë margaritarësh.
10. Do të farkëtojmë për ty varse të arta, me pikëza e thellina të argjendta.
11. Sa kohë mbreti ndenji në sofër, parfumi im derdhi aromë.
12. Valle prej mirti është i dashuri im, që fshihet mes gjinjve të mi.
13. I dashuri im është një veshul dëllinje, prej Engedi, vjelë nga vreshtët.
14. Sa e hijshme je ti, e dashura ime! Sa e bukur je! Sy pëllumbeshe janë sytë e tu.
15. Sa i hijshëm je, i dashuri im! Dhe sa kanakar je! Lëndinën me bar të gjelbër e kemi shtruar.
16. Kedrat i kemi çati të strehëzës, bujtës kemi qiparisët.



Kapitulli 2
Dhëndrri lavdëron bukurinë e nuses

1. Unë jam zambaku i fushës, jam zambaku i luginave.
2. Siç është zambaku mes gjembash, ashtu është e dashura ime midis vashave.
3. Siç është pema e mollës midis drufrutorëve, ashtu është i dashuri im midis djelmoshave. Më pëlqen të rri nën hijen e drurit të mollës, i ëmbël është fruti i tij në gojën time!
4. Ai më shpuri në shtëpi në gosti lart dhe dashuria ishte flamur.
5. Forcomëni me verë, me mollë freskomëni, se jam e sëmurë nga dashuria.
6. E majta e tij është nën kokën time, me të djathtën më ka rrokur.
7. Ju ve në betim, vasha të Jerusalemit, për gazelat e fushës, mos ma zgjoni të dashurën time, derisa të mos dëshirojë vetë!
8. Dëgjo zërin e të dashurit! Ja ku po vjen, duke kërcyer mbi kodra, duke u hedhur nga mali në mal.
9. Si gazelë është i dashuri im ose si drenushë; ja te gardhi ynë, ja po këqyr në dritare, s’po ia ndan sytë.
10. Dhe nis të më flasë: Ngrihu, e dashura ime, dhe eja!
11. Dimri kaloi, shiu pushoi.
12. Lule fushe u përshfaqën dhe ia behu koha e këngës, nga ugaret vjen zë turtulleshe.
13. Fiqtë zbulojnë sythet dhe gjethet e vreshtës parfumojnë ajrin. Çohu, e dashura ime, dhe eja!
14. Pëllumbesha ime, që në plasa shkëmbi rrëzë humnerash fshihesh, tregoma fytyrën! Lermë të ta dëgjoj zërin! Se zëri yt është i ëmbël dhe fytyra jote - e hijshme.
15. Kapini dhelprat, kapini dhelpërushat, se ato na prishin vreshtët, se vreshta jonë tani është në lulëzim.
16. I dashuri im është i imi dhe unë e tija jam. Ai i kullot qëngjat nëpër zambakë.
17. Sa s’është freskuar dita, sa s’është ndehur pëlhura e mbrëmjes, eja, i dashuri im, duke kërcyer si një kaproll, si një drenush, përmbi malet që na ndajnë.


Kapitulli 3
Nusja i dëshmon dashurinë dhëndrrit

1. Natën në shtrat e kërkova të dashurin tim, e kërkova, por, ja që nuk e gjeta.
2. Do të ngrihem, thashë, dhe në qytet do të ngarend, nëpër rrugë, nëpër sheshe, s’do le vend pa e kërkuar të dashurin e shpirtit tim. E kërkova dhe prapë s’e gjeta.
3. U takova me rojtarët, ata që kujdesen për qytetin: “A ma keni parë të dashurin e shpirtit tim?”
4. Dhe, sapo u ndava prej tyre, ja, e gjeta të dashurin tim ; e kapa atëçast dhe nuk e lëshova më, derisa e shpura tek nëna ime, derisa e çova te shtëpia e saj.
5. Ju vë në betim, vasha të Jerusalemit, për drenushat, për gazelat e fushës, mos ma zgjoni të dashurën time, derisa të dojë vetë!
6. Cila është ajo që po ngrihet nga shkretia, si një shtyllë prej tymi, sikur të djegka smirnë dhe temjan, sikur të djegka aroma të gatitura me shije?
7. Ja, është ajo, karrikja e Solomonit, e qarkuar nga gjashtëdhjetë trimosha, djelmosha krenarë të Izraelit.
8. Të gjithë janë të armatosur, në luftra të sprovuar. Secili mban shpatë në brez, për çdo të papritur dhe frikë nate.
9. Mbreti Solomon e bëri fronin e dasmës me dru kedrash Libani.
10. Shtyllat e tij janë prej argjendi, muret prej ari të kulluar, shtrati është i purpurt, ndërsa çatia është prej cohash të shtrenjta të zbukuruara ; dhurata e dashurisë së zgjedhur ndër vashat e Jerusalemit.
11. Dilni, vasha të Sionit, vështrojeni Solomonin e kurorëzuar, ashtu si e ëma e pat kurorëzuar në ditën e kremtimit të dasmës së tij, në ditën e gëzimit të zemrës së tij!


Kapitulli 4
Bukuria e nuses

1. Sa e bukur je ti, e dashura ime, sa e bukur je! Sy prej pëllumbeshe ke, të hijeshuara nga qepallat e tua të zeza, flokët e tu ngjajnë me kope dhish, që zbresin nga malet, nga Galaadi.
2. Dhëmbët e tu ngjajnë si tufa delesh të qethura, që dalin nga uji dhe vihen në dy rreshta pa lënë asnjë vend të zbrazët.
3. Fjongo të purpurta janë buzët e tua dhe goja jote është e mahnitshme. Dy gjysma shege ngjajnë faqet e tua nën velin tënd të tejpashëm.
4. Zverku yt është kulla e Davidit, i paracaktuar të jetë arkë armësh: mijëra mburoja rrinë varur atje, të gjitha mburoja trimash.
5. Dy gjinjtë e tu duken si dy kaprollëza, dy keca që kullosin mes zambakësh.
6. Sa pa u freskuar dita, sa pa u nderë hija e mbrëmjes, do të vij tek ti, moj kodër mirti, do të vij tek ti, o mal temjani.
7. Sa e bukur je ti, e dashura ime, dhe e panjollë.
8. Eja nga Libani me mua, moj nusja ime! Zbrit me ngut nga Amana, nga Seniri dhe nga Hermoni, nga foleja e luanëve dhe nga malet me leopardë!
9. Motra ime, nusja ime, ti ma ke robëruar zemrën vetëm me një vështrim e me kollanin e gjirit.
10. Sa e ëmbël je kur ledhaton, ti, motra ime nuse, më e ëmbël se vera është ledhatimi yt. Dhe kundërmimi yt i këndshëh ia kalon çdo mirti.
11. Buzët e tua burojnë mjaltë, e dashur, mjaltë rrjedh, qumësht rrjedh nën gjuhën tënde ; era e veshjeve të tua është aromë Libani.
12. Je kopësht i mbyllur, motra ime, nusja ime, krua i mbuluar dhe burim i vulosur.
13. Lastarët e tu ngjizin një parajsë shegësh me fruta të ëmbla dhe të mrekullueshme, që kanë anash drurë që derdhin aroma.
14. Parfum, shafran dhe kanellë me kallama erëkëndellës, me llojlloj pemësh, ç’temjan loton, me mirt e me lule ekzotike e me drurë erëmirë.
15. Në kopësht është një krua, një burim uji të gjallë dhe përrenj Libani.
16. Ngrihu erë veriu, eja erë jugu, fryni në kopshtin tim dhe zgjojini aromat; dhe i dashuri im le të vijë, në kopshtin e tij të hyjë dhe fruta të çmuara të mbledhë e të hajë.


Kapitulli 5
Bukuria e dhëndrrit

1. Kam ardhur në kopshtin tim, moj motra, moj nusja ime! Kam mbledhur mirte erëmirë, mjaltë kam ngrënë nga zgjojet, verë e qumësht kam pirë. Hani e pini, miq, dehuni nga dashuria, o të dashurit e mi!
2. Për të fjetur, flija, por zemra më rrinte syhapët. Dëgjoje zërin e të dashurit! Tek troket në derë, thotë: Çelma, motërz, çelma, e dashura ime, pëllumbesha ime, e pastra ime, kokën e kam plot me vesë, ndërsa flokët të njomur nga vlaga e natës.
3. Setrën e zhvesha, si ta vesh sërish? Këmbët i lava, si t’i ndot prapë?
4. I dashuri e zgjati dorën në dritare dhe zemra më gufoi.
5. U ngrita shpejt t’ia hap, nga dora më pikoi mir, mir nga gishtat më rrodhi në bravën e derës.
6. Ia çela të dashurit tim, por i dashuri im iku ; shpirti m’u tkurr, kur i dashuri nuk më foli ; ja, e kërkova, por nuk e gjeta që nuk e gjeta ; e thirra me emër, po përgjigje nuk më dha.
7. Takova rojtarët, ata që qytetin ruajnë, më përplasën e më plaguan e velin ma rrëmbyen ata që muranën ruajnë.
8. Vasha të Jerusalemit, betomuni: Në e takofshi të dashurin tim, a e dini çfarë t’i thoni, vallë? Që jam sëmurë nga dashuria.
9. Çfarë ka i dashuri yt më shumë se të tjerët, moj, më e bukura ndër femra? Sa më i zgjedhur se të tjerët qënka i dashuri yt, që na lutesh kështu me betime?
10. I dashuri im është i bardhë e i kuq dhe ndër dhjetramijra është i pari.
11. Koka e tij - ar i kulluar; floku i tij - flok kaçurrel, i zi i errët, pendë korbi.
12. Sytë e tij janë pëllumba, që në qumësht trupin lajnë dhe kënaqen në burim.
13. Trëndafilë kundërmues janë faqet e tij, shtresë barnash erëmira. Ndërsa buzët e tij, njëlloj si zambakët e kuq, në mir erëkëndellës janë larë.
14. Krahët i ka purteka ari me topaze zbukuruar; kraharori i tij është mburojë e fildishtë me zafire mbuluar.
15. Shtylla mermeri janë këmbët e tij, vendosur mbi themele ari. Pamja e tij është si Libani dhe është i madhërishëm si kedri.
16. Goja e tij është e ëmbël sa s’thuhet dhe gjithçka tek ai është magjiplotë; ja, i tillë është i dashuri im, moj vasha të Jerusalemit, ja, kështu është dhëndrri im!


Kapitulli 6
Sërish lëvdohet bukuria e nuses

1. Ku shkoi i dashuri yt, moj më e bukura ndër femra? Ku iku i dashuri yt që ta kërkojmë edhe ne tok me ty?
2. I dashuri im në kopshtin e vet ka shkuar, në shtresa plot aroma, që ta kullosë kopenë atje dhe zambakë të bukur të mbledhë.
3. Unë të dashurit tim i përkas dhe ai i imi është, nëpër zambakë i kullot kecat.
4. E bukur je, e dashura ime, e bukur je si Tirca dhe e dhembshur si Jerusalemi, por edhe e rreptë si ushtria në luftë.
5. Largoji sytë prej meje se ata më luajnë mendsh fare.
6. Floku yt ngjan si kope dhish që zbresin nga malet, nga Galaadi. Dhëmbët e tu duken si tufë delesh të qethura, që nga uji dalin, duke krijuar dy rreshta të shtrënguara pa asnjë zbrazëti.
7. Dy gjysma shege duken faqet e tua, nën velin tënd të tejpashëm.
8. Solomoni ka gjashtëdhjetë mbretëresha dhe tetëdhjetë dashnore, sa për virgjëreshat as që numurohen dot!
9. Por ajo është vetëm një, pëllumbesha ime, e pastra ime, një është ajo tek e ëma, e vetmja e lindur në shtëpi. Vashat kur e panë, lavde i thurrën, ndërsa mbretëreshat dhe dashnoret hosana i kënduan.
10. Cila është kjo, thoshin ato, që si agimi shkëlqen dhe si hëna e bukur qënka, si dielli ndriçoka dhe e rreptë si ushtria në luftë?
11. Vajta në kopshtin e arrave, që të shihja gjelbërimin e lugut, në se ka çelur hardhia dhe mollët kanë lulëzuar.
12. Dhe nuk e di si ndodhi që zemra ime më çoi tek ushtria e luftës e kombit tim guximtar.


Kapitulli 7
Bukuria e Sulamitës

1. Kthehu, Sulamitë! Kthehu të ta shohim fytyrën! Çfarë shihni tek Sulamita, si në vallen e Mahanaimit?
2. Sa të bukura janë, zonjëzë, këmbët e tua në sandale! Rrumbullake është kofsha jote, si një kollan i punuar nga një mjeshtër i përkryer.
3. Gjiri yt është kupë e rrumbullakosur, vazhdimisht plot me verë ; trupi yt është si duaj gruri, mbështjellë hijshëm me zambakë fushe.
4. Të dy gjinjtë e tu duken si dy kaproj të mitur, si dy vogëlushë binjakë gazele.
5. Zverku yt është shtyllë e fildishtë ; sytë e tu sikur janë jazet e Heshbonit, të portës së Bat-Rabimit. Hunda jote është si kulla e Libanit, që shikon drejt Damaskut.
6. Koka jote është e madhërishme si Karmeli, ndërsa floku – kadife, me ato cullufe krenare rob e bën edhe mbretin.
7. Sa e hijshme dhe tërheqëse je, e dashur, me butësinë tënde lozonjare!
8. Si lastari je e derdhur dhe gjinjtë e tu duken si rrush të varur në hardhi.
9. Në lastar do të ngjitesha - po thosha - dhe pas degëve të tij do të kapesha, gjinjtë e tu do t’i kisha rrush, dihatja e gojës sate si aroma e mollëve.
10. Puthja jote do të ishte më e ëmbël se vera që do të rridhte çurk drejt të dashurit tënd duke ia qetësuar buzët e tij të përflakura.
11. I përkas atij, të dashurit. Ai mban mallin tim.
12. Hajde, i dashuri im, në fushë, haj në fshat të zbavitemi.
13. Eja nesër në vreshtë që të shohim në ka çelur hardhia, mollët në kanë sythuar a gati lulëzuar. Dhe atje do të të fal ledhatimet e mia.
14. Lulet ekzotike derdhin aroma dhe në shtëpinë tonë kemi shumë fruta të hershme dhe të reja, të cilat i kam ruajtur për ty, i dashuri im.


Kapitulli 8
Dashuria e përkryer

1. Oh, sikur të ishe im vëlla dhe të kishe pirë nga gjiri i nënës sime, atëhere në rrugë, po të të takoja, me dashuri do të të puthja gjatë dhe askush nuk do të guxonte të më ndëshkonte.
2. Do të të kisha shpënë edhe në shtëpinë e nënës sime, në shtëpinë e asaj që më ka lindur; ti do të më thoshe fjalë të ëmbla dhe unë me dashuri do të të jepja verë dhe musht shege.
3. E majta e tij është nën kokën time dhe me të djathtën më rrok.
4. Vasha të Jerusalemit, ju vë në betim për drenushat e gazelat e fushës, të mos e zgjoni të dashurën time derisa të mos dojë vetë!
5. Kush ngrihet nga shkretia, duke u mbështetur në dashurinë e tij? Nën këtë mollë e kam zgjuar dashurinë tënde, këtu ku të ka lindur e të ka dhënë dritën e ditës jot ëmë.
6. Mbamë në gjirin tënd si një shënjë, mbamë si një byzylyk! Se dashuria si vdekja është e fortë dhe si ferri e tmerrshme është xhelozia. Shigjetat e saj janë shigjeta të zjarrta dhe flaka e saj si rrufeja e qiellit.
7. Deti nuk mund ta shuajë dashurinë, as lumenjtë ta tulatin. Po qe se dikush për dashurinë do të kish dhënë të gjitha thesaret e shtëpisë së vet, me përçmim do të ish refuzuar.
8. Kemi një motërz të vogël, që ende nuk ka gjinj. Çfarë do të bëjmë me motrën tonë kur ta kërkojnë për nuse?
9. Edhe sikur mur guri të ishte ajo, kurorë të argjendtë do t’i bënim; po të ishte derë, me dru kedri do ta vishnim.
10. Mur jam tani dhe gjinjtë e mi kulla janë; pikërisht në sytë e tij kam gjetur qetësinë.
11. Solomoni kish një vreshtë në bregdetin e Baal-Hamonit; ua dha vreshtën bujqve ta punonin dhe t’i jepnin secili nga një mijë monedha argjendi.
12. Vreshtën time e kam në shtëpi; një mijë monedhat e argjendta qofshin të tuat, Solomon, dhe dyqind vetëm për ata që e ruajnë!
13. Ej, ti, që shëtit nëpër kopësht, miqtë duan të ta dëgjojnë zërin; ndihmomë të ta dëgjoj edhe unë bashkë me ta!
14. Ik shpejt, i dashuri im, ji i shkathët si kaprolli, si vogëlushi i drerit, në malet me balsam!

U botua së pari në Revistën Haemus Nr. 24, Bukuresht 2005

* Marrë nga Bibla në versionin rumanisht (faqe 673-676), botuar në Bukuresht më 1994 nga Instituti Biblik dhe i Misionit të Kishës Ortodokse Rumune.