Esse non vidare (Besim Sahatçiu, pionieri i regjisurës së mirëfilltë shqiptare në Kosovë)


Vendlindja – djep kulture dhe vatër atdhetare
(Në vend të prologut)

Më 2 tetor 1935, në Pejë, qytet me tradita të hershme atdhetare e kombëtare, i trevës së Rrafshit të Dukagjinit, djep i Kanunit të Lekë Dukagjinit, u lind një personalitet i shquar i kulturës mbarëshqiptare, regjisori dhe intelektuali poliedrik, Besim Sahatçiu. Lagjja ku u lind Besimi quhej Kapeshnicë dhe cilësohej si çerdhe e “pjesës më të shëndoshë e më atdhedashëse” të asaj treve.
Peja, në të vërtetë, përbën një qendër të vjetër banimi. Nga të dhënat që ofron historia e që gjejnë pasqyrim në materialet e ndryshme mbi komunën e Pejës, kjo e fundit, si vendbanim daton që nga kohërat më të hershme ilire, duke qenë qyteti më i rëndësishëm i Dardanisë së lashtë dhe një nga kryeqendrat administrative të krejt Rrafshit të Dukagjinit. Dëshmi bindëse në këtë aspekt janë objektet e shumtë që janë zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike. Si një vendbanim me jetë të gjallë sociale e kulturore, Peja, deri në shekullin XV shtrihej në fushë, duke filluar nga arat e quajtura ,,Gradinë”, - ku janë gërmadhat e Pejës antike, - nga tyrbja e ,,Sarë Salltëkut” ku tani gjendet fabrika e baterive, në Lindje, e deri te stacioni hekurudhor dhe kalaja, në Perëndim.
Pejën gjatë historisë e hasim me emra të ndryshëm: në periudhën e hershme iliro-romake ka qënë „pagëzuar” Siparantum, kurse gjatë mesjetës Pech (Pekë, P(j)ekë)), Peka, Pentza dhe Forno. Në një dokument latin të vitit 1202, - më i vjetri i gjetur deri më sot, - na shfaqet si Pechi. Në atë kohë në Pejë ishte e zhvilluar tregtia. Aty gjendej edhe Kolonia e Dubrovnikasve. Peja, si „Siparantum Dardan”, përmendet në një hartë në librin ,,Gjeografia” e Ptolemeut, në shekullin III-IV. Duke qënë nën sundimin e romakëve, Peja, me statusin e Municipium-it, shënoi shkallën më të lartë të lulëzimit, duke u radhitur ndër qytetet kryesore të Dardanisë, fill pas Ulpianës (Prishtina e sotme).
Peja, bashkë me rrethinat, pas betejës së Fushë Kosovës (1389) e deri më 1462, u administrua fillimisht nga Balshajt e më pas nga dukagjinasit Lekë dhe Pal, të cilët lanë gjurmë në historinë e saj. Nuk është e rastit që lugina e Drinit të Bardhë edhe sot e kësaj dite thirret Rrafshi i Dukagjinit.
Më tej, deri në dhjetëvjetshin e katërt të shekullit XVI, Peja bëri pjesë në Sanxhakun e Shkodrës. Turqit osmanë e quajtën Pejën „Ipek”, që ka kuptimin “mëndafsh”. Në të vërtetë, mund të hamendësohet se emri i qytetit vjen nga fjala “pe”, pra “fije” - në përgjithësi, dhe fije mëndafshi - në veçanti.
Gjatë shekujve Peja ruajti dhe trashëgoi ndikime nga më të ndryshmit, çka “lexohet” lehtësisht në ngrehinat romake, bizantine, sllave dhe osmane, që, gjithsesi, shumë-shumë „bashkëjetuan”, por nuk mundën të zhbënin vlerat kulturore popullore shqiptare, të mishëruara në ngrehinat, arkitekturën, skulpturën, doket e zakonet dardane. ]
Dyndja e turqve osmanë u shoqërua me një prani të ndjeshme të kulturës islame në jetën shpirtërore dhe në kulturën materiale të kësaj treve. Le të përmendim për ilustrim, - krahas kompleksit të Patrikanës së Pejës, - kullat e shekujve XII-XIX, sarajet, xhamitë, teqetë, mesxhidet, varrezat, tyrbet, mullinjtë, hanet, sahatkullat, urat, shatërvanët, krojet publike (çezmat), kajnakët, hamamet (banjot publike) etj.
Nga qendër tradicionalisht ekonomike - kulturore, në fundshekullin XIX Peja u bë edhe qendër e Rilindjes Kombëtare. Më 23 janar 1899 në këtë qytet u mblodh një kuvend i madh, ku morën pjesë rreth 500 delegatë të ardhur kryesisht nga Vilajeti i Kosovës, sidhe përfaqësues nga vilajetet Manastir e Janinë. Pas gjashtë ditë punimesh, u formua Lidhja e Re Shqiptare - Lidhja e Pejës ose Besa-Besë, me kryetar Haxhi Zekën. Në vendimet e Kuvendit të Pejës (Kararname-ja prej 11 pikësh), si detyrë kryesore shtrohej lufta kundër çdo orvatjeje të Serbisë, të Bullgarisë, të Greqisë dhe të Malit të Zi për coptimin e trevave shqiptare. Rryma atdhetare, e drejtuar nga Haxhi Zeka, shtroi edhe çështjen e autonomisë, por, për shkak të rrezikut të coptimit, nga njëra anë, dhe të qëndrimit të elementëve konservatorë e turkomanë, nga ana tjetër, ajo nuk u përfshi në vendimet e marra. Atdhetarët parashikonin që Lidhja të formonte degët e saj, të cilat, në fakt, u shtrinë në Shqipërinë e Veriut, në Shqipërinë e Mesme dhe pjesërisht në Shqipërinë e Jugut. Njëkohësisht u bënë përpjekje për të organizuar një kuvend të përgjithshëm mbarëshqiptar, që do të miratonte Programin Kombëtar të Lidhjes. Me anë të shtypit shqiptar dhe të thirrjeve drejtuar popullit kërkohej bashkimi rreth Lidhjes së Pejës dhe programit për autonomi.