Për suksesin e plotë të demokracisë


Në rrafshin e ekzistencës politike të njerëzimit, fillimi i shekullit XX nuk mund të thuhet se ka qënë i përkryer, madje u veçorizua nga një morì pabarazish, arrogance, padrejtësish e rreziqesh. Por duhet thënë gjithashtu se kishte njëfarë qartësie dhe një çiltërsi që meriton të mbahet mend. Perandoritë nuk vetëquheshin demokraci, demokracitë e dinin se sa ishin të tilla, ata që e donin ligjshmërinë nuk e prishnin gjuhën, por e kultivonin, e mbarështonin. Megjithatë gjalloi mëkati i ultranacionalizmit, i ushqyer nga ideja që këtë botë nuk duhet ta gëzojnë të gjithë njerëzit, por vetëm një komb apo një racë "e zgjedhur". Parimi ultranacionalist pati bashkudhëtare urrejtjen klasore - sajesë e përçudshme e diktaturës së bazuar në armiqësimin e brendshëm në shkallë kombëtare. Perandoritë zunë të vetëquheshin demokraci dhe i cilësonin demokracitë perandori; ushtrimi i ligjit u bë i pamundur në kushtet e prishjes së programuar të gjuhës, ndërsa pushteti i disa shteteve buronte nga “konfiskimi” i vetë qenies njerëzore. Në këtë proces zvetënues Lufta e Dytë Botërore nuk përfaqësoi veçse një shkallë më poshtë, një largim të mëtejshëm nga parimet e së drejtës. Në vazhdim, në vendet e Evropës Lindore u erdhi radha shteteve totalitariste, që e degdisën më tej, egërsisht, ëndrrën për liri e drejtësi të popujve të saj. Regjimi i detyronte njerëzit, kundër dëshirave, vullnetit, ideve dhe shpresave të tyre, të përfshiheshin në veprime të padenja. Shteti komunist ua përcaktonte jo vetëm ekzistencën politike, por edhe atë morale, intelektuale, fetare, ndjesore, intime, erotike, estetike, ekonomike.


Tani ndodhemi në periudhën e një tranzicioni politik, që shoqërohet me metamorfozën e krejt sistemit të domethënieve të ekzistencës njerëzore. Përse? Sepse kemi përjetuar një çkuptimësim të gjatë të gjithçkaje që do të duhej të nënkuptonte realisht diçka për njeriun. Asnjë vlerë njerëzore nuk mbeti pa u cënuar nga “inflacioni”, nga korruptimi, apo nga konvertimi në diçka krejt të ndryshme, madje të kundërt nga ajo që pat qenë dikur e çmuar. Dashuria fillimisht u shekullarizua, pastaj u shkëput nga etika sociale, më tej u nda edhe prej një etike të marrëveshjes ndërpersonale e, për rrjedhojë, u përjashtua nga aftësia për të mundur të funksiononte si mjedis komunikimi. Evolucione të ngjashme drejt mosgjësë patën edhe etika e intelekti, duke bjerrur domethëniet e mirëfillta.


Çdo politikë e re nënkupton një formë të re ekzistence. Në një regjim totalitar gjithçka zhvillohet nën kontrollin e shtetit. Në një regjim liberal gjithçka zhvillohet me bashkëpjesëmarrjen e shtetit. Ndërsa në një regjim demokratik gjithçka zhvillohet me praninë e shtetit. Asgjë nga veprimtaria njerëzore nuk kalon pa mbrojtjen e policisë e të ushtrisë dhe pa u gjendur në shkëmbim informacioni me institucionet e arsimit e të edukimit publik. Gjithashtu kurrgjë nuk mbetet jashtë rrezes së veprimit të organeve të propagandës (në disa regjime) apo të zëdhënësve të organeve të pushtetit (në regjime të tjerë). Marrëdhënia me shtetin në kohët moderne bëhet mjaft e qartë. Ndërmjetësi më i rëndësishëm në marrëdhëniet sociale, madje edhe ndërindividuale, është shteti. Në demokraci, familja, besimi fetar, krijimtaria artistike dhe intelektuale, zhvillohen në liri të plotë, pa tutelën e shtetit, por, gjithsesi, nën mbrojtjen dhe me mbështetjen e tij. Shteti është e vetmja formë organizimi social që mund të formësohet, të strukturohet nëpërmjet vullnetit e kontributit të të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë. Asnjë nga vlerat e vërteta apo format e ekzistencës njerëzore nuk jeton dhe nuk përshfaqet nën një formë të vetme, pa variante, pa alternativa. Ca më tepër: vetëm falë diversitetit të mundshëm vlerat përbëjnë pjesë të një sistemi domethëniesh. Vetëm ajo që mund të jetë e ndryshme kumton informacion e, rrjedhimisht, përfton kuptime, sense. Në jetën politike të çdo kombi shteti ka të paktën një luhatje të hollë ndërmjet një demokracie më të gjerë dhe një shkalle minimale autoritarizmi (në rastin e vendeve të lumtura). Në të tjerat, luhatja mund të shkojë nga totalitarizmi deri në orvatje të ndryshme reformash demokratike, ngandonjëherë në një ndërkëmbim shqetësues të kthyeshëm.


Dallimi demokraci-totalitarizëm ka lidhje me psikologjinë individuale dhe sociale. Kjo çështje është trajtuar nga Gystav lë Bon dhe Sigmund Frojd, nga Erih From dhe Mathilde Niel, por edhe nga studiues të tjerë. Aktualisht nevojitet që në këtë aspekt të hulumtohen ndryshimet e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera eurolindore. A mund të përfshihet përvoja shqiptare në përfytyrimin psikologjik ose psikanalitik të përgjithshëm të totalitarizmit? Në këtë përfytyrim mendojmë se nuk ka se si të mungojë, bie fjala, kompleksi i inferioritetit, i përshkruar nga Alfred Adler. Këtu duhet shtuar se dallimi demokraci-totalitarizëm (pra ndërmjet lirisë dhe diktaturës) parakupton edhe diçka më të thellë. Nuk ka vetëm një psikologji të lirisë dhe një tjetër të totalitarizmit, por edhe dy qëndrime logjike kryekëput të kundërta. Mendimi në të dy rastet ndryshon jo vetëm për nga përshtatja ndaj parakushtesh të ndryshme, por edhe për nga mënyrat e të menduarit. Kjo bën që domethënia dhe pesha e jetës politike të jenë jashtëzakonisht të mëdha. Ashtu sikurse asnjeri nuk i bishton dot një qëndrimi fetar, thellësisht moral, ose një përfytyrimi mbi dashurinë, po ashtu asnjeri nuk mund të ndodhet jashtë “përkufizimit” të vet politik.


Suksesi i revolucionit tonë, që filloi në fundshekullin e kaluar, do të jetë i gjithëmbarshëm vetëm atëhere kur në “peshoren” e pushtetit ai që do të ketë përparësi ka për të qenë personaliteti njerëzor në tërësinë e vet, personaliteti me nevojat e tij etike, intelektuale, shpirtërore dhe materiale; kur në organizimin shtetëror e politik do të mishërohet konkretisht ideja që njeriu i ka vërtet të gjitha mundësitë dhe aftësitë t’i jetësojë në praktikë me fantazi krijuese vlerat teorike të lirisë së mendimit e të veprimit.


Në përmbushjen e çka sapo thamë, ideja e rregullit dhe e qetësisë duhet të përbëjë një imperativ për brezat e sotëm, një domosdoshmëri objektive që duhet shpjeguar e kuptuar drejt, duke e mbrojtur nga herezitë që e falsifikojnë. Ideja e rregullit dhe e qetësisë mund të infiltrohet në dy mënyra: përmes diktaturës, ose me mjete demokratike. Realizimi i idesë së rregullit dhe qetësisë u pa se ishte i pamundur nën diktaturë përderisa diktatura nuk ishte vënë në krye të vendit me pëlqimin e shumicës së popullit. Me rëndësi themelore është të mos ngatërrojmë idenë e rregullit e të qetësisë, - aq të domosdoshme për jetësimin e politikave demokratike, - me idenë e shtypjes. Të shkelësh ligjin në dobi të kujtdoqoftë, të rrosh në paqëndrueshmëri dhe paparashikueshmëri juridike, nuk do të thotë aspak të mbrosh rregullin e qetësinë, përderisa këto dy të fundit janë sinonime të ligjshmërisë.


Diktatura, në shumicën dërrmuese të rasteve, është, siç shprehej dikur një politikan rumun, “anarki tiranike”. Na duket se është rasti të përmendim se historikisht të gjitha vendet që janë ndodhur në ballë të qytetërimit e të progresit të gjithanshëm, janë udhëhequr nga qeveri demokratike, ndërsa të gjitha vendet e prapambetura janë drejtuar nga diktatura abuzive.


Pra, na nevojiten rregull e qetësi nën shënjën e solidaritetit të të gjithë popullit, bashkëpunim e bashkëveprim i pranuar nga të gjithë. Sepse rregulli e qetësia nuk mund të përfaqësojnë shtrëngim e detyrim. Këto të fundit demokracia jonë e brishtë i përjashton pangurrim. Pjesëmarrja aktive në gjetjen e mjeteve dhe mënyrave për sigurimin e një rregulli e qetësie të shëndetshme dhe të përhershme, është kryedetyrë që fuqizon demokracinë në atdheun tonë të lirë dhe garanton suksesin e plotë e të gjithanshëm të demokracisë.