Lufta nuk ka mbaruar


Thelbin e psikologjisë së komunizmit, si të çdo sistemi totalitar, e përfaqësojnë mangësitë dhe cungimi i shkallëzuar i personalitetit, i cili e bën individin të paaftë për një jetë psikike të pavarur. Komunizmi shpalos një kompleks të rëndë inferioriteti, i cili përfton drejtpërdrejt nevojën për ideologji dhe praktika që shoqërohen me viktimat e domosdoshme për kënaqjen e kompleksit të inferioritetit, ndërsa tërthorazi “pompon” korrupsionin, i cili “menaxhohet” përmes thirrjes në ndihmë të ideve përkatëse dhe sidomos të metodave komuniste. Korrupsioni ka qenë një nga mjetet e parapëlqyer të udhëheqjeve komuniste. Mënyra kryesore e futjes së korrupsionit në skenën e jetës së kombeve ishte antipërzgjedhja. Duke qenë se vlerat përmbyseshin tërësisht, jeta bëhej e mundur njëfarësoj përmes një vetizolimi të skajshëm ose përmes korrupsionit që nuk njihte caqe. Korrupsioni nxitej e promovohej me qëllim që më pas të shfrytëzohej nga sistemi përmes një shantazhi të pranishëm gjithkund.
Në vendet paskomuniste mbijetimi i një stili komunist ka burime psikologjike dhe social-pragmatike: mban gjallë përfitimet - në plan të brendshëm si mekanizma mbrojtës ndaj komplekseve, ndërsa në jetën e përditshme: si avantazhe social-ekonomike. Për eliminimin sot të gjurmëve të komunizmit është më se aktuale ajo që thoshte Sigmund Frojdi për eliminimin e simptomës neurotike: kjo e fundit zhduket vetëm atëhere kur veprohet në mënyrë të atillë që të mos i sjellë subjektit përkatës kënaqësi, në shumicën e rasteve “të sëmura”.
Duke shtjelluar shkaqet e shpërthimit të revolucioneve evropiane të vitit 1989, analisti i hollë Ralf Dahrendorf, në librin “Reflections on the Revolution in Europe” (Times Books, Random House, Nju Jork, 1990) thekson se “komunizmi nuk ka funksionuar” asnjëherë. Ndërkaq, Richard Senett në “Autorité” (Fayard, Paris, 1991) e krahason qëndrimin e Stalinit me atë të një padroni paternalist dhe të një pronari ndërmarrjeje. Nga ana tjetër, Mathilde Niel në “Psychanalyse du marxisme” (Le Courrier du Livre, Paris, 1967), teksa kritikon evolucionin e komunizmit në shekullin XX, komenton në mënyrë të favorshme njëfarë bërthame të njerëzishme të marksizmit në fillimet e tij. E kemi praktikisht të pamundur ta përligjim, qoftë edhe pjesërisht, këtë pohim përderisa marksizmi, qysh në hapat e para ka synuar pikërisht tjetërsimin, jo një tjetërsim dosido, por përhapjen me paramendim të tjetërsimit si një mekanizëm për realizimin e sundimit mbi individët dhe mbi krejt shoqërinë. Duke vepruar kështu, komunizmi, për nga qëndrimi çnjerëzor ua kaloi të gjitha totalitarizmave. Në “Republika”, Platoni thoshte se “të tjetërsosh do të thotë ta kontrollosh me lehtësi të tjetërsuarin”. Në këtë traktat politik të dialoguar Platoni shtron pyetjen: çfarë bën tirani me të marrë frenat e pushtetit? Dhe jep këtë përgjigjje: e varfëron popullin për ta reduktuar në nje qenie që vret mendjen vetëm për të mbushur barkun me bukë. Thënë ndryshe, tirani tjetërson me anë të përkeqësimit të gjendjes materiale dhe të shprishjes së marrëdhënieve ndërnjerëzore (sociale, kombëtare etj). Njëkohësisht, tirani kërkon “armiq” të atdheut në mënyrë që ta shfaqë veten si të domosdoshëm. Madje, në rastin e Shqipërisë, u kalua deri në ekstrem me shkatërrimin e botës shpirtërore. Më 1967 kisha, xhami, teqe, tyrbe e mekame u bënë njësh me dhenë. Qëllimi: duke mos e përfytyruar dot si ishte një objekt kulti, brezat e rinj do të besonin se Zot në qiell e në tokë ishte Partia e Punës (e Dhunës). Kështu mendohej të përjetësohej diktatura mizore e "proletariatit".
Nazizmi tjetërsoi etni të tëra, duke ushtruar trysni dhe genocid. Populli gjerman u tjetërsua për faktin se, dashur pa dashur, u shndërrua në bashkëfajtor në akte shtypëse e shkatërruese. Por komunizmi e përdori tjetërsimin në mënyrën më dinake e më djallëzore. Çdo individ e vuante tjetërsimin si i shtypur dhe njëherazi si shtypës. Këto rrethana përjetoheshin në mënyrë të njëkohëshme, por edhe të njëpasnjëshme, në një shtresëzim marrok. Udhëheqësit e sotëm ktheheshin në të burgosur nesër, - pranë një numuri të madh të pafajshmish, - madje edhe kalonin para plutonit të ekzekutimit. Familjet dhe të afërmit e tyre, në rastin më të mirë internoheshin.
Tjetërsimi nuk ishte vetëm paroksistik. Ai ishte burim kënaqësish perverse, një orgji e vërtetë kriminale.
Thelbin e komunizmit si ideologji dhe si sistem e përfaqëson koncepti i tij ekonomik, i cili është një paradoks i pashëmbullt. Ekzistenca materiale, sipas materializmit historik, përcakton ndërgjegjjen dhe, me t’u vetëdijësuar për këtë fakt, ndërgjegjja do të shndërrohej në një forcë të madhe materiale. Një arsyetim i tillë zhduk çdo gjurmë realizmi ngaqë ndërgjegjja nuk bëhet kësisoj e fuqishme si ndërgjegjje e çliruar, pra e lirë nga shtërngimi i materjes, por vazhdon të mbetet gjer në fund robinë e materjes. Një ndërgjegjje që i sheh fare qartë shtrëngimet e mësipërme dhe vazhdon t’u nënshtrohet këtyre, në të vërtetë nuk bën gjë tjetër përveçse pushon së qëni ndërgjegjje - i vetmi burim i lirisë.
Por ku mund të gjenden tani ende të gjalla farat e komunizmit? Në konfliktin ndërmjet punës dhe kapitalit, sikurse beson Fukuyama? Në mbetjet e mbeturinat komuniste, nga të cilat nuk ka shpëtuar ende bota paskomuniste? Përgjigjja mund të ishte: kudo ku mendojnë, qoftë edhe në mënyrë të pavullnetshme, në frymën e materializmit historik, kudo ku ndërgjegjja i lëshon pé trysnisë, ose ngasjes së materjes.
Kultura dhe besimi autentik janë, ose synojnë të bëhen, format e ekzistencës jokomuniste të individit e të njerëzimit. Megjithatë, njeriu mbetet një qenie biologjike, pra edhe materiale. Si e tillë, nuk mund të mos përfillë trysnitë ekonomike. Që të fitojë “imunitet” ndaj këtyre të fundit, me sa duket, do të kalojë një periudhë kohore jo e shkurtër, jo e njëjtë për vende të ndryshme. Pra, lufta kundër komunizmit, kësaj shëmbëlltyre të totalitarizmit të skajshëm, nuk ka mbaruar...